Çollaku i kundërpërgjigjet opozitës: Presidenti do ta drejtojë dialogun

Intervista

Çollaku i kundërpërgjigjet opozitës: Presidenti do ta drejtojë dialogun

Hava Orana - Xhukolli Nga Hava Orana - Xhukolli Më 8 qershor 2018 Në ora: 21:59
Bekim Çollaku

Shefi i stafit të zyrës së Presidentit të Kosovës, Bekim Çollaku në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka folur rreth fazës finale të dialogut me Serbinë në Bruksel. I pyetur nëse do të ketë kompromise të dhimbshme për Kosovën, Çollaku thotë se Presidenti Hashim Thaçi dhe ekipi i unitetit do të punojnë në të mirë të vendit. Ai është pyetur edhe nëse do të ketë shkëmbime territoresh me Serbinë. Çollaku ka folur edhe për çështjet tjera të rëndësishme që Kosova pritet t’i zgjidhë si demarkacioni, ushtria, liberalizimi i vizave dhe asociacioni. Për këtë të fundit, ka thënë se është paraparë me marrëveshjen e Brukselit dhe është në proces e sipër.

“Bota sot”: Z. Çollaku, pas Lëvizjes Vetëvendosje, së fundi Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar Platformën e qeverisë për dialogun me Serbinë, si e vlerësoni ju këtë?

Bekim Çollaku: E konsideroj si një zhvillim krejt normal në kuadër të veprimeve demokratike të partive politike. Secila parti, ka të drejtë të japë qëndrimet e veta për këtë proces të rëndësishëm. Mirëpo, mbetet jetike që veprimet dhe qëndrimet, të bëhen në përputhje me interesin shtetëror.

“Bota sot”: Çka pas refuzimit të Platformës, cila është strategjia juaj si presidencë që t`i bindni partitë opozitare, se udhëheqja e dialogut nga Presidenti Thaçi është zgjidhja e duhur?

Bekim Çollaku: Qeveria ka tërhequr Platformën në fjalë me qëllim që t’iu jepet kohë partive politike parlamentare që të arrijnë një konsensus sa më të gjerë për fazën përfundimtare të dialogut. Konsideroj se kjo mundësi e re, nuk duhet humbur. Ndërsa në anën tjetër, Presidenti është duke punuar në mënyrë formale dhe joformale me partitë politike të pozitës dhe opozitës për ta nxitur arritjen e këtij konsensusi politik dhe shoqëror. Nuk duhet të humbet energji edhe më tej duke kontestuar udhëheqjen e dialogut nga Presidenti sepse kjo është përpjekje e kotë. Presidenti ka udhëhequr deri më tani procesin e dialogut në nivelin politik, (përjashto periudhën kur dialogu është udhëhequr nga ish-kryeministri Mustafa) dhe do ta udhëheqë delegacionin e Kosovës edhe në fazën finale.

“Bota sot”: Si e konsideroni gjithë këtë “mosbesim” të opozitës ndaj Presidentit?

Bekim Çollaku: Krejt kjo sjellje e opozitës është normale dhe brenda normave demokratike. Kështu është tani, kështu ka qenë në të kaluarën, e kështu do të jetë gjithmonë për aq kohë sa jetojmë dhe veprojmë në pluralizëm politik dhe shtet demokratik. Kështu është edhe në shtetet tjera demokratike. Mirëpo, një gjë nuk duhet ngatërruar, preferencat e partive politike, qoftë edhe ato individuale, janë krejtësisht të pavlera kundrejt autoritetit kushtetues dhe ligjor që përfaqëson një president i zgjedhur në mënyrë demokratike. Presidenti Thaçi është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës në mënyrë kushtetuese dhe demokratike, prandaj preferencat politike dhe individuale duhet të mbesin të heshtura përballë autoritetit të tij kushtetues. Sepse sjelljet e tilla, nuk e zbehin autoritetin e Presidentit, por mund ta dëmtojnë interesin shtetëror të Kosovës.

“Bota sot”: A do të ketë kompromise me Serbinë dhe a do të jenë ato të dhimbshme sa po paralajmërohen?

Bekim Çollaku: Nuk e di që në ndonjë vend të botës, mosmarrëveshjet ndërmjet shteteve arrihen pa bërë kompromise. Pra, kompromisi është bërthama e çdo marrëveshje ndër-shtetërore. Kështu do të jetë edhe në rast se arrihet marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, një gjë mund ta them me vetëdije të plotë, se Presidenti dhe ekipi i unitetit nuk do të bëjë asnjë kompromis në dëm të shtetit tonë. 

“Bota sot”: Po flitet për shkëmbim territoresh si marrëveshje finale e dialogut, cili është qëndrimi juaj lidhur me këtë?

Bekim Çollaku: Nuk mund të komentoj në këtë fazë asnjë nga idetë apo opsionet që ndërlidhen me fazën përfundimtare të këtij procesi,  një gjë e tillë do të ishte tepër joprofesionale për mua.

“Bota sot”: A do të jetë Asociacioni, kompromisi tjetër në fazën finale?

Bekim Çollaku: Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është paraparë me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Themelimi i tij është obligim i Kosovës dhe një gjë e tillë është në proces e sipër. Kaq mund të them për këtë çështje.

“Bota sot”: Sa po punohet nga presidenca në çështjen e paditjes së Serbisë për krime lufte?

Bekim Çollaku: Presidenca është njëra nga institucionet e rëndësishme në vend, por jo i vetmi. Paditja e Serbisë për krimet e bëra në Kosovë duhet të bëhet në koordinim të plotë ndër institucional në momentin kur një gjë e tillë bëhet e mundur për t’u realizuar ligjërisht.

“Bota sot”: A do të jetë kjo temë diskutimi në dialog?

Bekim Çollaku: Ka shumë çështje që pritet të adresohen në fazën përfundimtare dhe të cilat mund të rregullohen edhe me marrëveshje. Nuk mund të paragjykoj tani në mënyrë specifike se çfarë saktësisht do të diskutohet.

“Bota sot”: A janë krijuar kushtet për liberalizimin e vizave brenda këtij viti?

Bekim Çollaku: Kjo çështja e liberalizimit të vizave është bërë ankthi më i madh i qytetarëve të Kosovës. Sigurisht se po, mirëpo vetëm pasi që kemi humbur tri vite kot se koti duke pamundësuar ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi në kohë. Kjo do të ishte çështje e harruar sikur ratifikimi të bëhej në vitin 2016. Sido që të jetë, kushtet janë përmbushur dhe liberalizimi duhet të ndodhë.

“Bota sot”: Kur do të bëhet Kosova me Forcë të Armatosur dhe cila është strategjia juaj për të arritur deri tek ndryshimet kushtetuese?

Bekim Çollaku: Kosova e ka ushtrinë e vet sot dhe do t’i ketë edhe Forcat e Armatosura të Kosovës, shpresoj deri në fund të këtij viti. Me ligj apo me ndryshime kushtetuese, kjo do të bëhet realitet.

“Bota sot”: Kur pritet të rishikohet marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e zi, pasi marrëveshja ndërmjet dy presidentëve, bindi shumicën e deputetëve që të votojnë pro?

Bekim Çollaku: Kjo është çështje teknike për të cilën kompetente është qeveria, respektivisht komisioni shtetëror për shënimin dhe mirëmbajtjen e kufijve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat