Nitaj: Kosova nuk ka qenë kurrë më afër liberalizimit

Intervista

Nitaj: Kosova nuk ka qenë kurrë më afër liberalizimit

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 2 gusht 2018 Në ora: 20:36
Muharrem Nitaj

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Muharrem Nitaj, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se dialogun duhet ta drejtojnë institucionet e zgjedhura, ndërkaq “vizën” këtij dialogu duhet t’ia japë Kuvendi i Kosovës.

Nitaj ka folur edhe rreth idesë së opozitës për mocion,  për të cilën ka thënë se nuk ka gjasa që opozita të sigurojë numra për rrëzimin e Qeverisë, dhe pos kësaj, ai nuk e ka konsideruar serioze këtë nismë.

Ndërsa, sa i përket liberalizimit të vizave, deputeti i pozitës, ka thënë se, Kosova nuk ka qenë kurrë më afër që ta realizojë këtë të drejt dhe se qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza, kah fundi i këtij viti, ose më së largu në muajt e parë të vitit të ardhshëm.

“Bota sot”: Si po qeveriset aktualisht me vendin dhe si e vlerësoni punën e deritanishme të qeverisë “Haradinaj”?

Muharrem Nitaj: E ka një bilanc të punëve kjo qeveri dhe ai është bukur mbresëlënës. Ju besoj e keni parë një raport të punëve dhe ato nuk janë pak. Unë vlerësoj se Qeveria është marrë në thumb, nga shumë anë, jo vetëm për shkak të punëve që po i kryen ose jo, por për shkak se shumë individë e grupe interesi, nuk mendojnë për brezat që vijnë, por për zgjedhjet e ardhshme. Kjo një dhe e dyta, Qeveria nuk ka ditur t’i plasojë sukseset e veta. Shumë punë janë bërë, por opinioni nuk e ka idenë për to. Ju kujtoj ligjin për Prishtinën, zhbllokimin e prodhimit të energjisë, kontratën për termocentralin e ri, ligjin për punëtorët e arsimit të viteve 90, rekomandimin për vizat e plotë punë të tjera, që të mos i numëroj një nga një. Po, është e vërtetë që i ka pasur edhe disa vendime “jo popullore” dhe njerëzit janë të prirur me i pa veç pikat e zeza, por Qeveria ka bërë pune të mira, vlerësoj unë.

Bota sot”: Kush duhet ta udhëheqë dialogun me Serbinë dhe a jeni për konsensus nacional?

Muharrem Nitaj: Absolutisht po koncenzusit nacional. Kjo është formula dhe kjo rrugë duhet ndjekur. Dialogun duhet ta drejtojnë institucionet e zgjedhura, ndërkaq “vizën” këtij dialogu duhet t’ia japë Kuvendi.

Bota sot”: Keni deklaruar se boshti i mospajtimit e ka veç një emër dhe ai është Presidenti Hashim Thaçi, pse?

Muharrem Nitaj: Nuk kam thënë ndonjë gjë të re. Në fakt unë e kam thëne atë që e dinë të gjithë e nuk e thonë. Është për të ardhur keq, që përpara se të merremi vesh se çka, kur dhe si do të flasim me Serbinë, ne merremi me formën dhe emra të përveçëm. Është notore se disa nuk e duan Thaçin në dialog, e në anën tjetër angazhohen për një koncenzus. Kjo nuk është e mundur me logjikën përjashtuese. Dua të jem i qartë, unë nuk po e mbrojë Thaçin, por frymën që e mundëson një marrëveshje. Kosova ka qenë bashkë në kohë edhe më të vështira. Presidenti i ndjerë, ka qenë në Rambuje bashkë me kundërshtarët e tij, sepse ky ka qenë interes i vendit. Edhe sot po flasim për një proces tejet të rëndësishëm. Prandaj nuk e kuptoj pse këta njerëz nuk bëhen bashkë, por bëjnë shkokla. Le ta kryejnë punën me Serbinë, e më pastaj le të “priten”.

Bota sot”: Nga opozita, përmendet si problematike jetëgjatësia e kësaj qeverie, si e komentoni?

Muharrem Nitaj: Nuk shoh ndonjë rrezik që ia shkurton jetën qeverisë. Ajo është shumë më stabile se sa që duket.

Bota sot”: Opozita përmend edhe mocionin për rrëzimin e qeverisë. A është e mundur që spektri politik opozitar ta rrëzojë këtë qeveri?

Muharrem Nitaj: Tash për tash jo. Nuk ka gjasa që opozita të sigurojë numra për rrëzimin e Qeverisë. Pos kësaj unë nuk e konsideroj serioze këtë nismë të opozitës. Shumë prej tyre nuk i kanë punët mirë. LDK është në kërkim të liderit të ri, VV s’po mund të kthjellet nga ndarja, PSD, ende është në kërkim të hapësirës së vet, ndërkaq partitë e Opozitës janë në pushtet dhe nuk besoj që e hapin këtë temë. Prandaj zërat për zgjedhje janë më tepër zëra për poena politikë se sa kërkesa reale.

Bota sot”: A do të ketë zgjedhje të parakohshme këtë vit?

Muharrem Nitaj: Unë nuk e besoj.

Bota sot”: Kur sipas jush qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza?

Muharrem Nitaj: Unë nuk mund ta jap përgjigjen, sepse vendimin për viza e marrin vendet e Zonës Shëngen. Por ajo që mund të them është se Kosova nuk ka qenë kurrë më afër që ta realizojë këtë të drejt. Në bazë të asaj që dimë, është se qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza, kah fundi i këtij viti, ose në muajt e parë të vitit të ardhshëm.

Bota sot”: Kur jemi te liberalizimi i vizave, kryeministri Ramush Haradinaj kishte premtuar se qytetarët e vendit do të lëvizin lirshëm brenda 90 ditëve, pse nuk u arrit një gjë e tillë?

Muharrem Nitaj: Besoj që e ka pasur fjalën për rekomandim pozitiv për viza brenda kësaj kohe. Fatkeqësisht kjo nuk u bë brenda 3 muajsh, por u bë disa muaj pas afatit të dhënë nga kryeministri. Në fakt kryeministri Haradinaj ka shprehur besimin e tij për një afat të caktuar, por asnjë kryeministër nuk mund ta thotë datën e saktë, sepse ky nuk është vendim i tij.

Bota sot”: Qeveria e Kosovës më 20 dhjetor të vitit të kaluar ka marr vendim për rritjen e pagave për kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat, dhe pjesës tjetër të kabinetit qeveritar. A mendoni se bëri mirë?

Muharrem Nitaj: Jo nuk është rritur vetëm për këtë kategori, por edhe për gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, dhe ata e përbëjnë numrin më të madh. Sipas meje, vendimi ka qenë i drejtë, por nuk jam shumë i sigurt se është bërë në mënyrën më të mirë. Qytetarët duhet ta dinë se paga e kryeministrit, si shembull, ka qenë më e vogël se sa e disa këshilltarëve, dhe kjo është ofenduese. Është denigruese. Pagat e gjyqtarëve kanë qenë shumë të ulëta, ose pagat e disa këshilltarëve kanë qenë qesharake. Për fat të keq lajmi për pagat u manipulua nga shumë njerëz dhe prodhoj efekt të keq. Tash Qeveria e ka në fazën finale Projektligjin për Pagat, dhe besoj se shumë shpejt do të kalojë në Kuvend, dhe do të mbyllet edhe kjo temë, e cila për mua ka qenë vendim i drejtë po jo popullor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat