Shqiptarët e Luginës respektojnë çdo kompromis që arrin Kosova në koordinim me BE-në dhe SHBA-në - Bota Sot
Shqiptarët e Luginës respektojnë çdo kompromis që arrin Kosova në koordinim me BE-në dhe SHBA-në

Intervista

E enjte, 18 tetor 2018

Shqiptarët e Luginës respektojnë çdo kompromis që arrin Kosova në koordinim me BE-në dhe SHBA-në

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 10 gusht 2018 Në ora: 22:11
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka shprehur qëndrimet e shqiptarëve të  për zhvillimet e fundit rreth korrigjimit, ndarjes apo shkëmbimeve të territorit, terma këto që po i përdorë presidenti i vendit Hashim Thaçi.

Mustafa, ka thënë se shqiptarët e Luginës janë kundër referendumit të propozuar nga Thaçi, por e përkrahin idenë e tij për bashkimin me Kosovën.

“Bota sot”: Z. Mustafa, fillimisht, sa e përkrahni idenë e presidentit Thaçi për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën?

Ragmi Mustafa: Nuk ka dyshim se ideja e presidentit Thaçi përkrahet pafundësisht jo vetëm nga unë e anëtarësia e PDSH-së por edhe nga gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Një ide e tillë nga shqiptarët e Luginës së Preshevës është në pritje më shumë se një shekull. Prandaj, urojmë që kjo ide të jetësohet ashtu që të përmbushet verdikti i popullit shqiptar në Luginë të Preshevës i dhënë në referendumin e 1 e 2 marsit të vitit 1992 e njëherit të realizohet amaneti i dëshmorëve të kombit në luftërat historike që përfshinë shqiptarët e sidomos asaj të fundit luftës heroike të UÇPMB-së.

“Bota sot”: A do e pranonin shqiptarët e Preshevës bashkimin me Kosovën, nëse si kusht për Kosovën do të ishte bashkimi i Veriut të Mitrovicës me Serbinë?

Ragmi Mustafa: Për këtë dhe kompromise të tjera që mund të arrihen në tryezën e bisedimeve Prishtinë-Beograd është kompetencë e plotë e autoriteteve të Republikës së Kosovës. Për ne është me rëndësi jetike që në këto bisedime temë e veçantë të jetë statusi politik i shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc konform referendumit të 1 e 2 marsit të vitit 1992. Atëbotë brenda një regjimi totalitar serb në krye me diktatorin dhe kasapin e Ballkanit Millosheviq, shqiptarët e këtyre tre komunave dolën në referendum dhe u shprehën për autonomi politike e territoriale me të drejtë bashkëngjitje me Kosovën. Çfarëdo kompromisi që arrijnë autoritetet shtetërore të Republikës së Kosovës, pa dyshim se ne do e respektojmë sepse i njëjti do të jetë i mbështetshëm nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqiptarët e Luginës së Preshevës por edhe subjektet politike të saj nuk janë autoriteti që do të vendos mbi kompromiset e mundshme midis Prishtinës dhe Beogradit. Ne edhe ashtu në seancën e këshilltarëve shqiptar të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit më 14 korrik 2018 si institucion i të zgjedhurve të popullit shqiptar në këto tre komuna kemi kërkuar që institucione e shtetit të Kosovës filluar nga Parlamenti, Presidenca dhe qeveria e Republikës së Kosovës të merren dhe vendosin mbi statutin politik të Luginës së Preshevës në përmbyllje të bisedimeve Prishtinë-Beograd.

“Bota sot”: Cila është atmosfera e qytetarëve të Preshevës, pas zhvillimeve të fundit?

Ragmi Mustafa: Atmosfera e krijuar në Luginë të Preshevës është shumë entuziaste dhe përplot shpresa se do të ndodhë në të vërtet mbështetja politike e Luginës së Preshevës nga presidenti Thaçi dhe shumë e më shumë autoritete tjera politike në Republikën e Kosovës për të qenë pjesë e pandashme dhe  integrale e Republikës së Kosovës. Gjë për të cilën kemi ëndërruar shumë dekada. Tani është momenti që edhe ëndrrat e shqiptarëve të bëhen realitet.

“Bota sot”: A po ndiheni të braktisur në një mënyrë, kur flasim se vetëm presidenti Thaçi ka diskutuar çështjen e bashkimit të Luginës me Kosovën, ndërsa pushtetarët tjerë janë kundër kësaj ideje, përfshirë kryeministrin Haradinaj dhe kryeparlamentarin Veseli?

Ragmi Mustafa: Le të jemi më të saktë në këtë rast, sepse institucionet e tjera si parlamenti dhe qeveria që e udhëheqin zoti Veseli e zoti Haradinaj janë kundër ndarjes së Kosovës e në asnjë rast nuk janë kundër inkorporomit të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës brenda shtetit të Kosovës. Fillimisht, është e vërtetë se deklarimet duken diametralisht të kundërta por, shikuar në esencë ato janë sigurisht konverguese në targetin e kyçjes së Luginës së Preshevës brenda pjesës territoriale të Republikës së Kosovës. Megjithatë, ky është një proces i ri që sapo ka filluar dhe urojmë që për çdo ditë e më tepër do të sqarohet edhe më qartë për opinionin e gjerë. Mirë që në këto ide nuk ka pengesa por mbështetje të fuqishme si nga BE e sidomos SHBA-të.

“Bota sot”: Presidenti Thaçi ka lansuar edhe një ide, atë të referendumit. Cili është mendimi juaj rreth kësaj?

Ragmi Mustafa: Është ide e lansuar, por absolutisht e panevojshme për këto rrethana dhe këtë proces. Kujtoj se është i panevojshëm një referendum për çështjen e kyçjes apo mos kyçjes së Luginës së Preshevës brenda pjesës territoriale të Kosovës. Nga ana tjetër, cili shqiptar do të votonte kundër bashkëngjitjes së Luginës në Kosovë sepse me votën kundër do t’a vulosë rikolonizimin e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Nëse presidenti ka menduar se duhet organizuar referendum për miratimin e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të arritur me Serbinë, edhe në këtë rast është e panevojshme sepse Kuvendi i Kosovës ka kompetencë kushtetuese të ratifikoj marrëveshjet ndërkombëtare të arritura. Në këtë rast, shpresojmë shumë që mos të gabohet parlamenti i Republikës së Kosovës sepse është vulosja e shtetit Republika e Kosovës dhe sigurohet njëkohësisht rruga Evropiane për Kosovën si dhe kyçjen e saj në strukturat tjera si të Kombeve të bashkuara, Këshillit të Sigurimit dhe organizmat e atlantikut verior me theks të veçantë NATO.

“Bota sot”: A e konsideroni të nevojshme përfshirjen e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës në dialogun Kosovë-Serbi?

Ragmi Mustafa: Nuk e shohim as të nevojshme e aq më parë të domosdoshme që shqiptarët e Luginës së Preshevës të përfshihen në vazhdimin e bisedimeve Prishtinë-Beograd. Ne kemi qenë shumë të qartë në deklaratën e të zgjedhurve të popullit më 14 korrik 2018 ku këshilltarët shqiptar në shumicë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit i kanë kërkuar institucioneve të Republikës së Kosovës, Parlamentit, Presidencës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës të merren edhe me statusin politik të Luginës së Preshevës në kohën kur po ofron përmbyllja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Lugina e Preshevës përmes përfaqësueseve politik dhe të shoqërisë civile, madje dhe intelektual, biznesmenë e atdhetarë mund të jenë pjesë konsultative rreth territorit të Luginës me palën Kosovare në ekipin negociues. Në këtë formë mund të ndihmohet shumë si presidenti por edhe grupi i bisedimeve të Republikës së Kosovës me Serbinë.

“Bota sot”: Çka nëse Thaçi nuk i mban premtimet e tij për bashkimin e Preshevës me Kosovën? Cili do të ishte reagimi juaj?

Ragmi Mustafa: Unë nuk pajtohem me konstatimin se zoti Thaçi nuk do t’i mbaj premtimet ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës sepse ky rast kapërcen përtej numerikes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe tanimë ka karakter kombëtar. Prandaj, në asnjë mënyrë asnjë nga autoritetet e Republikës së Kosovës përfshi edhe presidentin Thaçi nuk do të shkel mbi vullnetin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës të shprehur në referendumin e 1 e 2 marsit 1992, mandej luftën e UÇPMB-së, platformën e deklaratat politike të këshilltarëve shqiptar në Luginë, rezolutën e parlamentit të Kosovës në majin e vitit 2015 si dhe mbi gjakun e dëshmorëve të kombit në Luginë e gjetiu. Unë besoj shumë se në bisedimet e radhës në Bruksel të kyçen gjithë spektri politik në Kosovë si dhe njerëzit e mençur të dijes e pendës dhe shoqëria civile për t’i dhënë fund agonisë njëzetvjeçare të dialogut me Serbinë gjakatare dhe t’i sigurojnë popullit të Kosovës integrimin në strukturat euro-atlantike gjersa Luginës së Preshevës integrimin brenda Republikës së Kosovës.

“Bota sot”: Si është jeta e qytetarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit, nën territorin serb?

Ragmi Mustafa: Situata aktuale politike dhe e sigurisë në Luginë të Preshevës si zakonisht nuk ka ndryshuar në të mirë të shqiptarëve. Tani, ajo akoma më shumë është e rënduar sepse ka më shumë se dy vite nuk janë parë forcat speciale të policisë Xhandarmëria serbe e cila është kthyer në rrugët lokale të vendbanimeve me shumicë shqiptare me qëllimin e demonstrimit të forcës policore ndaj shqiptarëve të pambrojtur, rritjen e shkallës së pasigurisë, dëbimin e tyre dhe shkaktimin e incidenteve me qëllim të fabrikimit të konflikteve mes forcave policore dhe shqiptarëve të pambrojtur. Nga ana tjetër, edhe  përkundër diskriminimit në arsim, mosnjohjen e diplomave të arritura universitare në republikën e Kosovës, moslejimin e përdorimit të teksteve mësimore nga Kosova por edhe nga Shqipëria, kulturë, moslejimin e përdorimit të simbolit kombëtar, informim, zhvillim ekonomik përmbajtjesor ku shkalla e papunësisë në këto tre Komuna është pesëfish më e lartë se mesatarja në serbi dhe ajo arrin gjer 70% të popullatës së aftë për punë e papunësuar. Nga ana tjetër Serbia fillon të shtoj presionet ndaj ekonomisë private shqiptare duke i dhënë flakën makinerisë për vendosjen e asfaltit të kompanisë shumë serioze “Saba Bellça” me qëllim që edhe ajo pakë ekonomi private të ç’vendoset në Kosovë si që kanë ikur plot të ngjashme më herët nga represionet e invazioneve fiskale, me ç ‘rast arrin të ngrit edhe në shkallë më të lartë papunësinë e shqiptarëve. Me këtë detyron shqiptarët të migrojnë në drejtim të Evropës perëndimore ku nuk e kemi të vogël përqindjen e popullsisë që nga vitet e shtatëdhjetave të shekullit të kaluar e cila është prej 35 gjer 40% e popullsisë së gjithëmbarshme shqiptare në Luginë të Preshevës. Prandaj, sot është e domosdoshme që të gjendet zgjidhje fatlume për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ne konsiderojmë se është një moment shumë i volitshëm për parandalimin e shpërnguljes së shqiptarëve nga këto treva me metodat më të moderuara represive serbe!

“Bota sot”: Një mesazh për fund?

Ragmi Mustafa: Uroj të shihemi e dëgjohemi në Preshevën e lirë!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test