Zeqiraj: Presidenti Rugova kishte parashikuar saktë rrezikun nga ngritja në pushtet e Hashim Thaçit - Bota Sot
Zeqiraj: Presidenti Rugova kishte parashikuar saktë rrezikun nga ngritja në pushtet e Hashim Thaçit

Intervista

E hënë, 19 nëntor 2018

Zeqiraj: Presidenti Rugova kishte parashikuar saktë rrezikun nga ngritja në pushtet e Hashim Thaçit

Hava Orana - Xhukolli Nga Hava Orana - Xhukolli Më 31 gusht 2018 Në ora: 19:28
Foto ilustruese nga "Bota sot"

Publicisti Idriz Zeqiraj në një intervistë dhënë për “Bota sot”,  ka folur rreth çështjeve aktuale në vend, në fushën e politikës e drejtësisë.

Ai ka thënë se Kosova ndodhen në një pozitë të rëndë dhe si të tillë populli duhet ta kundërshtojë me protesta masive.

Zeqiraj ka folur detajisht edhe për rastet e fundit, deklaratat e fundit të Presidentit Hashim Thaçi për shkëmbim territoresh, Asocicacionin e komunave serbe, ushtrinë e Kosovës, liberalizimin e vizave, e deri tek rasti me prokurorin e dorëhequr, Elez Blakaj.

Zeqiraj po ashtu ka përmendur edhe parashikimin e Presidentit historik, Ibrahim Rugova për Hashim Thaçin.

Image
Idriz Zeqiraj

“Bota sot”: Kosova aktualisht ndodhet në një situatë të rëndë, me një pozitë të dobët dhe opozitë më të fortë. Si e komentoni ju këtë?

Idriz Zeqiraj: Vërtet, Kosova ndodhet në një situatë të rëndë, deri në përmasën e dyshimit të daljes nga kjo krizë. Edhe pse pozita është e dobët dhe opozita, në shifra, duket e fortë, mungesa e koordinimit, mosbesimit reciprok, futja e elementëve të SHIK-ut, brenda strukturave vendimmarrëse të tyre, LDK-së dhe Vetëvendosjes, amortizon forcën e tyre dhe PANA zvarritet, mbijeton. Shkelja e përsëritur e kushtetutës, nga ana e presidentit Hashim Thaçi, ka dhënë rastin për hetimin e tij. Nëse këtë nuk e bënë Kryeprokurori, Parlamenti, atëherë duhet ta rrënojë populli me protesta masive, në vijimësi, dhe mirë të organizuara, Kosova nuk e ka luksin për demolim e shkatërrim të pasurisë shtetërore e private. Por, ndonëse shteti, insitucionet e tij, përfshirë edhe drejtësinë, janë kapur nga shteti, atëherë, masa protestuese duhet të kundërpërgjigjet, duke bllokuar e paralizuar veprimtarinë e institucioneve. Por, kjo kërkon masivitet dhe jo si ajo protesta e parë, që profesor Maxharraj e quajti, me nder, "një pordhë në ujë", ndërsa unë do ta minimizoja "në një fenë në ujë".

“Bota sot”: A duhet të rrëzohet kjo qeverisje?

Idriz Zeqiraj: Frika e Gjykatës Speciale, koalicionoi partive-banda në PAN. Për t`ia bërë numrat, iu bashkua edhe partia e zvarranikut Pacoll, me kryesinë e tij familjare. Që nga krijimi, kjo qeveri është shoqëruar me skandale kundraligjore, me shumësinë enorme të ministrive, zëvendëskryeministrave, zëvendësministrave, këshilltarë, koordinatorë e tjerë. Kulmon marrëzia skandaloze me falsifikimin e shumëzuar të "dëshmive të veteranit", që ka për autorësi qeverinë e PAN-it. Dhe, kundërshtia, refuzimi i kësaj qeverisjeje, shpërdoruese, deri në vjedhje zyrtare të buxhetit shtetëror, duhet ta mobilizojë, arsyeshëm, opozitën me protesta masive dhe të njëmendshme, deri në shporrjen nga pushteti këtë qeveri vrastare, hajdute, imorale, profane, tërësisht, rrënuese të imazhit të Kosovës.

“Bota sot”: A është e gatshme Kosova të organizojë edhe një palë zgjedhje të jashtëzakonshme?

Idriz Zeqiraj: Siç duket, jo vetëm PSD-ja e Shpend Ahmetit, por edhe partitë tjera, nuk janë të gatshme për zgjedhje të jashtëzakonshme. Edhe pse e shohin Kosovën buzë greminës, me këtë qeverisje skandaloze, deri në idiotësi, pa u merakosur fare për buxhetin e shtetit, kalkulojnë, në pritje të kohës, që  mundëson, ligjërisht, trajtimin me rrogë të deputetit, edhe pas shuarjes të mandatit! Sepse, ndoshta, shumë syrësh, nuk do ta gëyojnë fatin të rizgjidhën. Nëse partitë tjera e vunë në provë anëtarësinë, disa me zgjedhje të parakoshme brenda partiake, LDK-ja po gjumon, me njëfarë euforie fiktive, për gjoja shtim të elektoratit! Realisht, rivaliteti i klanit të konsoliduar të Isa Mustafës, me grupin e deputetëve të rinj, është i egër. Klani përgaditë terenin, për të vazhduar sundimin e Isa Mustafës, pa Isa Mustafën dhe sinjale të tilla janë dhënë edhe në bazë. Në pamundësi, për ta përgatitur një Kuvend "Zgjedhor", si ai i 8-ti, pa debat parazgjedhor, pa konkurrencë dhe pa votim të fshehtë, duke shkelur, turpshëm, tri parimet bazë të demokracisë, hedhin tezën e zgjedhjes të kryetarit të LDK-së me kompromis, gjë që do ta rrënonte dhe turpëronte një parti akademike, me stazh 30 vjeçarë, siç është LDK-ja e Ibrahim Rugovës. 

“Bota sot”: A mendoni se çështja e demarkacionit ka përfunduar tashmë?

Idriz Zeqiraj: Ndërrimi i komandantëve ushtarakë profesionalë zonalë dhe zëvendësimin me ata profanë, injorantë; dështimi i Marrëveshjes të Osllos, për rrjedhojë edhe të sabotimit të luftës; vrasjen e kundërshtarëve politikë; pranimin e 6 pikëshit të Baki Munit; gatishmëria për pranimin e "Zajednicës"; nënshkrimi i ratifikimit të kufirit (demarkacionit), sipas pikëtimeve kufitare të palës malazeze, ishin veprime të rënda, me shkelje të kushtetutës dhe elemente të bollshme të tradhtisë kombëtare, nga Hashim Thaçi. Aprovimi apriori i demarkimit të kufirit, nga Isa Mustafa, në cilësinë e Kryeministrit, madje, me shprehjen përllogaritëse befasuese dhe alogjike se "Kosova nuk humb asnjë milimetër tokë", e bëri atë palë në krimin e demarkacionit. Duke qenë në krye të LDK-së, edhe pse pa u provuar me votë demokratike, por, thjeshtë, me vetemërim, LDK-ja ra në provim, nuk i kërkoi llogari, nuk reagoi fuqishëm, deri në shkarkim të "kryetarit". U pa qartë se brenda klanit Mustafa, vepron SHIK-u, armë kjo e binomit Hashim-Kadri. Kryetarja e degës së LDK-së, në Gjermani, Donikë Gërvalla, veprimtarja më e madhe në Mërgatën Shqiptare, u viktimizua, krahas kurbanizimit të aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Deharit. Donika kishte deklaruar: "Gjyshi është vrarë në mbrojtje të Sanxhakut shqiptar, pikërisht, në Pazarin e Ri. Edhe Presidenti Rugova, në bisedë me rugovasit e tij, u premtoi se kufiri nuk do të zbret poshtë Qafës së Çakorrit, Kullës të Zhlebit... Nëse ky amanet shkelet nga deputetët e LDK-së, duke e votuar demarkacionin në vijën aktuale kufitare, unë nuk do të jem pjesë e LDK-së". Dhe, ashtu ndodhi. Zhurma hipokrite e Ramushit, u heshtë me postin e kryeministrit, më hiçi në historinë gjithë-shqiptare. Kamuflimi me njëfarë Komisioni, është vazhdë mashtruese e PAN-it kriminal. Shumë-shumë mund të këtë retushime kozmetike, pa asnjë peshë reale. Tani, kur flasim për Komisionin e demarkimit të kufirit me Serbinë, vetëkuptohet se shënimi i vijës  kufitare me Malin e Zi, tashmë, ka përfunduar.

“Bota sot”: Pse nuk po përfundon ende çështja e liberalizimit të vizave, ashtu siç u premtua disa muaj më parë?

Idriz Zeqiraj: Janë broçkulla vetëlavdërimet e presidentit Thaçi, të kryeministrit të djeshëm Mustafa dhe të sotëm Haradinaj, se, gjoja, "Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga Evropa, për liberalizimin e vizave". Rrenë e kulluar. Janë 4 (katër) kushtet kryesore të Bashkimit Evropian, që Kosova nuk i ka përmbushur kurrë:  1) Luftimi i krimit të organizuar; 2) Luftimi i korrupsionit, hajnisë zyrtare; 3) Drejtësia funksionale, vendosja e shtetit logjor; 4) Zhvillimi i ekonomisë së tregut e tjera. Janë shumë qindra kriminelë, me kartelë të hapur të krimit, të lirë dhe funksionarë në shtet, pushtet, Parlament. Edhe ndoshta që i gjykuan dhe i dënuan ndërkombëtarët, tani po i lirojnë gjykatat vendore. Kërkesës të EULEX-it, për hetimin dhe sekuestrimin e pasurive pa mbulesë, të vjedhësve të profilit të lartë, kryekrerët pushtetarë, qeveritarë, iu përgjigjen me vjedhjen e dyfishtë zyrtare: 1) shitjen e "dëshmive të veteranit"; 2) shpërdorimin abuziv të buxhetit të shtetit, duke paguar mijëra veteranë fiktiv, të rrejshëm. Vendosjen e shtetit juridik e pamundëson krimi në kupolë të shtetit dhe të pushtetit. Të akuzuarit e parë janë, pikërisht, krerët drejtues të vendit. Dhe, nuk ka ngjarë që njeriu ta luftojë veten, ta ndëshkojë veten me burg, për krimet e bëra. Janë 300 mijë lëndë stoqe, të pazgjidhura. Është bllokimi i tërë i sistemit të drejtësisë! Është rrënuar infrastruktura e zhvillimit ekonomik. Shteti saboton prodhuesit, bizneset vendore, duke favorizuar importet, me qëllim të vjeljes të doganave, për ta begatuar arkën shtetërore, për ta paguar burokracinë e stërfryrë të aparatit shtetëror. Brezat shqiptarë do ta gjykojnë rënd dhe përjetësisht apelin, thirrjen e marrëzishme dhe kriminale, të binomit Isa- Hashim, me lukuninë e tyre servile  lehaqene, drejtuar shqiptarëve: "Falni tokë, nëse doni viza!" Një agjitim sa i poshtër, aq edhe kundrakombëtar, është unik, madje, për të gjitha kohërat! Kjo kastë kriminale kurrë nuk mund t`i plotësojë këto 4 (katër) kërkesa-bazë të BE-së. Liberalizimi do të bëhet një ditë. Por, gjithnjë me konçesione, lëshime të radhës, si plotësim të mospërmbushjes të kritereve, që do të bëjnë pushtetarët, fort të inkriminuar, deri në përgjakjen e popullit të Kosovës.

“Bota sot”: Si e vlerësoni rastin e fundit me prokurorin e dorëhequr Elez Blakaj?

Idriz Zeqiraj: Mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë, në një shoqëri, presupozon mungesën e shtetit juridik, pa të cilin nuk ka as shtet dhe as pushtet. Rasti i prokurorit të dorëhequr, Elez Blakaj, e lëndëzon shprehjen "hiç një kashtë, e dalin gjashtë". Një djalë i lindur dhe i rritur në një familje atdhetare, bir i arsimtarit veteran, drejtor i suksesshëm, Beqir Blakaj, nga Llukavci i Begut, komuna e Istogut; nip i Ramadan Blakaj, organizator dhe drejtues i demonstratave të vitit 1968, në Pejë, së bashku me Xhemajl Gashin, babai i deputetit Arben Gashi. I shkolluar në Kosovë,  i specializuar në Amerikë, i përkushtuar për t`i shërbyer popullit dhe Atdheut me devotshmëri, denoncoi, madje, dinjitetshëm, jo vetëm manipulimin e tupshëm të listave të "veteranëve", por, edhe bandën zyrtare, në krye të kësaj afere mafioze dhe armiqësore karshi Kosovës, duke filluar nga kolegët-eprorë, qyqarë, si Blerim Isufaj, Reshat Millaku, e deri ke kryeprokurori Aleksandër Lumezi, kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli, me "komandantët" e "gjeneralët" kriminelë e rrugaçë, të cilët vazhdojnë ta shantazhojnë e terrorizojnë popullin e Kosovës, për 20 vjetë radhazi. Reagimi i koordinuar dëshpërues, i treshës kriminele, pjesë e aferës falsifikuese të "dëshmive të veteranëve": Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Aleksandër Lumezi, me lakejtë e tyre, zbulon zinxhirin bllokues të drejtësisë, e vënë, tërësisht, nën diktatin e koalicionit PAN, të kryesuar nga presidenti Hashim Thaçi, fort i përfolur si shkelës i Kushtetutës. Në vend të falenderimit dhe dekorimit, për guximin qytetar e profesional të Prokurorit Special, Elez Blakaj, banda zyrtare qeveritare e shtetërore, hidhet, tërbueshëm, kundër prokurorit atdhetar. Veprimi i mençur e profesional, i prokurorit Blakaj, do të këtë përmasa e vlera të veçanta, kur Raporti i tij me shokë, për "dëshminë e veteranit"  të bëhet publik. Ai dëshmoi shkallëzimin hierarkik, të menduar dhe të praktikuar, për bllokimin, deri në shuarje, mbyllje të hetimeve dhe të proceseve gjyqësore, për kriminelët e profilit të lartë. Kujtoni procesin e mbyllur të kriminelit Xhabir Zharku, ish-kryetar i komunës të Kaçanikut. Kryeprokurori Lumezi, tashmë, zbulohet, jo vetëm si pjesë e mafies "Pronto", por, edhe një kuadër besnik i SHIK-ut, i cili mbron, me fanatizëm, mafien e madhe e banditeske të Organizatave terroriste SHIK dhe "Shqiponjat e zeza", që kanë përgjakur shqiptarët.

“Bota sot”: A po ia falë Presidenti Thaçi territoret Serbisë?

Idriz Zeqiraj: Vendet me traditë shtetërore, bëjnë shumë kujdes në përzgjedhjen e kuadrit drejtues të institucioneve, në veçanti, të presidentit të shtetit. Në Kosovë, përzgjedhja e kuadrit, qofshin ata qeveritarë, deputetë, "liderë" të partive politike, është për t`u qarë, shokuese. Kulmon zgjedhja e Hashim Thaçit, i cili nuk përmbushë as elementin bazë, siç përcakton neni 1 dhe 2 i Kushtetutës të Kosovës: 1. Përfaqësues i unitetit të popullit; 2. Mbrojtës i territorit tokësor të vendit. Përkundrazi, Hashim presidenti, jo vetëm nuk përfaqëson unitetin e popullit, por është përçarës i popullit! Këtë e ka filluar me sabotimin e Marrëveshjes të Osllos dhe vazhdon të jetë konseguent edhe sot e gjithë ditën, në rolin përçarës të popullit. Presidenti Rugova, si për shumëçka, edhe për Hashimin, bëri parashikimin e saktë: "Disa njerëz nuk duhet lejuar kurrë të ngritën në pushtet, sepse janë të rrezikshëm për Kosovën". Dhe, fjalën e kishte, pikërisht, për Hashimin, të cilin, vëtet, nuk e la të bëhet as kryeministër. Tashmë, rrezikshmërinë e Hashimit,  po e provon në  kurrizin e tij populli i Kosovës. Me nënshkrimin e marrëveshjes për demarkacionin, shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Hashim Thaçi i dhuroi 8.200 hektarë tokë fqinjit. Me kërkesën kamufluese për "korrigjim të kufinjëve" me Serbinë, Hashimi po legalizon faljen e një pjese të territorit të vendit Serbisë. Mjerisht, populli i Kosovës vazhdon të gjumojë, edhe përballë kësaj gjëme të madhe.

“Bota sot”: Si e prisni të jetë fundi i dialogut me Serbinë?

Idriz Zeqiraj: Fillimi i dialogut me Serbinë, është i dyshues, i errët, pa fije transparence, i keq. Refuzimi i kryesimit të këtij dialogu nga Hashim Thaçi, është i ligjshëm, sepse i provuari, madje, disa herë, për poshtërsi, do të ishte e pafalshme të lejohet përsëritja, riciklimi i poshtërsisë, aq më parë kur kjo sjellë fatkeqësi, siç pritet falja e territoreve Serbisë. Meqë kushtetuta, për bisedime të çështjeve madhore të vendit, përcakton presidentin, ose zyrtarët më të lartë pushtetarë, komplikon përfaqësimin në bisedime, në rrethanat aktuale në Kosovë. Sepse Presidenti, Kryeministri, Kryeparlamentari, janë të parët në listën akuzuese, për krimet e vrasjeve serike të kundërshtarëve politikë në Kosovë, të hajnisë zyrtare dhe të haraçit të përgjakshëm. Rrjedhimisht, dialogu me Serbinë duhet të fillojë pas zgjedhjeve të pritshme të jashtëzakonshme në Kosovë. Përndryshe, fundi i dialogut do të ishte fatal për shqiptarët.

“Bota sot”: A po kushtëzohet ushtria e Kosovës nga Serbia?

Idriz Zeqiraj: Shumëçka në Kosovë ka filluar se prapthi. Organizimi i parë i Policisë; krijimi i TMK-së, kanë qenë një grup kriminelësh, që kryebanditët Hashimi dhe Ramushi i futën, për interesat e tyre, në këto dy institucione, të një rëndësie vitale për Kosovën. Duket, paksa, e rëndë kjo, sepse në Polici dhe TMK-e, ka pasur edhe vajza e djemë të shkëlqyer dhe të përkushtuar, për t`i shërbyer me besnikëri interesave të popullit, të Kosovës. Por, e përsëris, kanë dominuar banditët. "Nuk ka krim politik, ekonomik dhe ordinier, ku të mos jenë pjesë Policia e Kosovës dhe TMK-ja", - thoshte, atëbotë, Kolonel Tahir Zemaj, Hero i Kosovës. Ngjarjet e mars-prillit 2004, edhe pse të organizuara nga Serbia, ku bandat e "Shoqatave të dala nga lufta", të prira nga "veteranët e luftës", sulmuan me vandalizëm kishat dhe pleqtë e plakat serbe, në shtëpitë e tyre, duke u vënë flakën atyre. Kjo i tmerroi ndërkombëtarët dhe imazhi i përtokur i Kosovës, ende nuk ka arritur të rehabilitohet. Pra, dyshimi dhe mosbesimi i qendrave të vendosjes botërore, për kastën aktuale pushtetare të Kosovës, vazhdon të jetë i madh. Deklaratat ordiniere, skandaloze e rrugaçërore, të zyrtarëve, të ngritur dhunshëm dhe artificialisht, në pushtet, siç ishin ato, kur Ramushi "vuante burgun", në një hotel në Francë, shtojnë dyshimin për pjekurinë e "lidërve" të sotëm të Kosovës. Vërtet, Serbia vazhdon ta kushtëzon krijimin e ushtrisë në Kosovë, me synimin për të përfituar sa më shumë, ashtu siç po përfiton, qoftë me përkrahjen e miqëve të saj, brenda Bashkimit Evropian, qoftë nga agjentët e saj, të cilët, mjerisht, janë në kupolë të shtetit dhe të pushtetit. Por, Serbia nuk do të arrijë ta kushtëzojë e bllokojë, deri në pakufi, themelimin e Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës, FARK dhe jo FAK, siç kërkon bastardi shpirtshitur, Hashim dallaverja.

“Bota sot”: Çfarë nënkuptoni me Asociacion të komunave serbe në Kosovë, cili është rreziku i saj?

Idriz Zeqiraj: Protestat e dhunshme dhe vandale, me sulme, shkatërrime e kallje të shtëpive dhe kishave serbe, në mars-prillin e 2004, me organizim, të qëllimshëm, të Serbisë dhe turrje të turmave shqiptare, solli, fillimisht, decentralizimin, pastaj asociacionin, bashkimin e komunave me shumicë të popullatës serbe, që, paksa, më egër dhe me një konatacion ndryshe, "Zajednica". Një bashkim, lidhje të këtyre komunave, të ndërlidhën me Serbinë, diçka e ngjashme me "Republika Srpska", në Bosnje, nënkupton bërjen hisedare të Serbisë në administrimin, sundimin e Kosovës. Asociacioni cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës, pengon funksionimin normal të tij. Është një rrezik i parathënë, që shkon drejt autonomisë politike, një Serbi në miniaturë, brenda Kosovës. Ndërkohë që komunat e sotme serbe, kanë të drejta të shtuara, unike për një pakicë, në hapësirat evropiane dhe më tej. Një status ndryshe, i avancuar, do të ishte fatal për shtetin e ri të Kosovës.

“Bota sot”: Sipas juve, a duhet dhënë Veriu për Kosovën Lindore?

Idriz Zeqiraj: Veriu i Kosovës nënkupton 4 (katër) komunat, pjesë e të cilit është edhe Liqeni i Ujmarit, strategji dhe pasuri ujore. Ndërsa Kosova Lindore, e mbetur jashtë Kosovës në vitin 1956, përbëhet nga tri komuna: Presheva, Bujanovci, Medvegja. Një shkëmbim i tillë do të ishte krejt i pabarabartë dhe larg çdo logjike të shëndoshë. Realisht, është logjike bashkimi i tri komunave shqiptare me Kosovën, pa këmbim dhe pa kompensim. Ndoshta, mund të bëhet kompromisi, për disa fshatra të Leposaviçit. Por, në rrethana aktuale, kjo temë duhet harruar. E ardhmja mund t`i shërojë plagët. Ngutia shantazhuese e Hashim presidentit, duhet stopuar, duke e vënë para përgjegjësisë penale, për pazaret e pista e konspirative të deri tanishme, të bëra në dëm të Kosovës, së bashku me "plakën politike", lëvriçkën Editë Tahiri, me "fluskat e sapunit", të 6 pikëshit të Ban ki Munit! Veriu i Kosovës është pjesë integrale e Kosovës. Ai jo vetëm që nuk duhet dhënë Serbisë, por, as nuk guxon të shtrohet si çështje në tavolinën e bisedimeve dypalëshe, e aq më pak në forumet ndërkombëtare. Kosova është tëkurrur mjaft, me zhvatjet e përsëritura nga fqinjët lakmiçarë: Serbia, Mali Zi, Maqedonia. Kosova e ka dendësinë më të madhe të popullsisë, për metër katëror, në Evropë.

“Bota sot”: Pse janë harruar vrasjet dhe atentatet politike?

Idriz Zeqiraj: Bujshëm e zhurmshëm premtoi Isa Mustafa, në prag të Kuvendit të 7-të Zgjedhor të LDK-së, në cilësinë e kandidatit për kryetar, për hetimin dhe zbulimin e vrasjeve politike, të ushtarakëve institucionalë të FARK-ut, kuadrove dhe veprimtarëve të LDK-së. Për çudë, po sa u komodua në krye të LDK-së, bëri koalicionin me partinë-bandë, PDK-në dhe i harroi premtimet e bëra publikisht, për zbulimin e krimeve politike, siç janë vrasjet e kundërshtarëve politikë, gjatë dhe pas luftës. Pushteti PDK-LDK jo vetëm heshti çdo hetim të vrasjeve politike, por, akuzoi, së bashku, me partneren PDK-e, kombëtarën "Bota sot", se po ua "prishë harmoninë në koalicion", "po e përçanë popullin!" Krimi dhe turpi i madh u pa kur filloi pagesa për familjet e dëshmorëve, por, u përjashtuan nga kjo e drejtë familjet e të vrarëve politikë, fëmijtë jetimë të tyre. Ky diskriminim vazhdon edhe sot. SHIK-u, brenda strukturave vendimmarrëse të LDK-së, është gjithnjë në përkujdesje dhe ruajtje të harmonisë, me bandën pushtetare PAN!

“Bota sot”: Pse Thaçi, Haradinaj dhe Veseli nuk po bëjnë asnjë hap për ndriçimin e këtyre vrasjeve?

Idriz Zeqiraj: Vrasjet politike në Kosovë, janë një "e fshehtë publike". Hartimi i listave vrastare, është bërë në Hotel "Rogner". Njëra sosh është gjetur në xhepin e këshilltarit polittik të presidentit, Bislim Zyrapi, i dekoruar, së fundi, me medalje presidenciale! Krimet politike serike vrastare, që kapin shifrën 1.820, kalojnë  dyfishin e dëshmorëve të rënë në luftën e fundit në  Kosovë, 820. Vrasjet, kryesisht, janë realizuar nga bandat, me bazë Organizatat terroriste: SHIK dhe "Shqiponjat e zeza". Të parën, sipas deklarimit publik të Kadri Veselit, e ka themeluar Hashim Thaçi, por, është autorizuar për menaxhim e drejtim Kadri Veseli. Organizata e dytë, ka për autorësi, Ramush Haradinaj, e menaxhuar nga "gjeneralët" kriminelë të tij, të cilët, për krimet e tyre faktike, vazhdojnë të përballën me gjyqe, për dy dekada radhazi! Ndriçimin e vrasjeve politike e kanë bllokuar projektuesit dhe urdhërdhënësit e këtyre vrasjeve: Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, me kompani, të cilët kanë kapur shtet e pushtet, sistemin e drejtësisë, gjykatat dhe prokuroritë. Shteti ligjor i ka munguar dhe i  mungon Kosovës, bandat e PAN-it e bënë ligjin. Populli është i traumatizuar, i asfiksuar. Terrori i luftës dhe i pas luftës, ka qenë i njëtrajtshëm, i egër. Serbia e përzënë nga NATO-pakti, kishte lënë bandat e saj shqipfolëse, për ta terrorizuar popullin e Kosovës edhe pas luftës. Nuk ishte i rastsishëm as dezërtimi i 5.700 ushtarëve të UÇK-së, sepse, duke i parë krimet e "komandantëve" shqipfolës, humbën besimin, ikën, jo nga Serbia, por nga "komandantët" e tyre. E hidhur, por, krejt e vërtetë! Për këtë ikje masive, e shprehë habinë e tij edhe vet Ramushi, jo me "rrëshqitje goje", por, me shkrim. A thua kaq i paditur e profan ishte Ramushi, sa për të mos i parë krimet monstrume të "komandantëve të UÇK-së?!?"

“Bota sot”: Kush qëndron prapa këtyre vrasjeve?

Idriz Zeqiraj: Në njërin nga kodet zakonore të Kanunit tonë shkruhet: "Ma i keq shtisi, se vrasi". E mbaj mend një gjyq të bujshëm, të bërë në Pejë, në vitin 1957, për një vrasje politike të cilësuar, e zbuluar disa vjet me vonesë. Ekzekutori, dorasi u dënua me 17 vjet burg, ndërsa projektuesi, shtyrësi me 20 vjet burg, edhe pse nuk ishte fare i pranishëm fizik në krim. Atëherë dhe sot, vlerësohet si dënim i drejtë e meritorë dhe është në përputhje kodike kanunore e logjike. Në dy dekadat e fundit, drejtësia ka degjeneruar tërësisht. Dënohen vetëm të paguarit, por, jo sekserët dhe urdhërdhënësit, paguesit! Edhe aktakuza e Prokurorit Special, Elez Blakaj, merret me zbatuesit, qatipet e shënimit të emrave të "veteranëve", por, jo edhe me sugjeruesit për "dëshminë e veteranit", siç janë kryeshefat dhe as sekserët, siç janë "komandantët gjeneralë", pa "firmën" e tyre gojore, nuk kalon asnjë "dëshmi veterani". Ndonëse pyetja është e drejtpërdrejtë, edhe përgjigja lypset të jetë adekuate. LPK-ja, instruktor e tutor ka pasur Tiranën zyrtare. Dhe, ajo ka autorizuar sigurimsat e Enver Hoxhës, për të përgaditur LPK-në, për pushtetin e ardhshëm në Kosovë. Referenca ishte ke përvoja shqiptare në Luftën e Dytë Botërore, kur komunistët i vrisnin kundërshtarët politikë, nacionalistët shqiptarë, prapa shpine, me qëllim që të hapnin rrugën drejt pushtetit. Sigurimi shqiptar dhe Serbia, ishin jetësisht të interesuar që ekstremi i majtë, LPK-ja, ta marrë pushtetin. Ata i kishin njerëzit e vet brenda strukturave të saj. Rëndësia e dorës së parë, ishte ideologjia e përbashkët. SHISH-i dhe LPK-ja, përkatësisht, krerët e tyre, hartuan listat e zeza, për eliminimin fizik të kuadrove të lartë ushtarakë të FARK-ut si dhe të kuadrove të afërt me Presidentin Rugova dhe të veprimtarëve tjerë të shquar. Dhe, ashtu ndodhi. Prapa listave qëndrojnë Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Xhavit Haliti, Azem Syla, Kadri Veseli dhe "komandantët gjeneralë" të tyre, pjesë të Organizatave terroriste: SHIK dhe "Shqiponjat e zeza".

“Bota sot”: A prisni që Gjykata Speciale t`i zbulojë këto vrasje?

Idriz Zeqiraj: Vrasjet politike, të filluara në Shqipëri, me gazetarin dhe zëdhënësin e luftës, Ali Ukaj, pët të vazhduar me vënien në pritë të treshës guerile, në Pestovë të Vushtrisë: Zahir Pajaziti, Hakif Sylejmani, Edmond Hoxha, për të vazhduar gjatë luftës dhe pas luftës, kanë qenë numerike. Janë pikëtuar ushtarakë trima, që kanë pasur informacione për krimet e "komandantëve" gjatë luftës, bashkëpunëtorët e sinqertë të Ibrahim Rugovës, drejtues komunalë me integritet; veprimtarë të përkushtuar për Kosovën dhe LDK-në. Do të plumboheshin me radhë miqtë e sinqertë dhe bashkëpunëtorët mençurakë të Presidentit Rugova: Enver Maloku, Ahmet Krasniqi, Sadri Ramqaj, Haki Imeri, Ismet Rrahmani, Ekrem Rexha, Shaban Manaj, Xhemajl Mustafa, Smajl Hajdaraj, Tahir Zemaj, Hasan Zemaj, Sabahate Tolaj, Isuf Haklaj dhe qindra të tjerë. Pavarësisht kundërshtisë të PAN-it dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët rrejshëm flasin në emër të anëtarësisë së tyre, që i bëjnë Gjykatës Speciale, po të bëhej - Referendum - popullor, krijimi i kësaj Gjykate do të votohej. Sepse, pa zbulimin dhe ndëshkimin e kriminelëve të shumtë, të cilët, edhe pas urdhërit për vrasjet serike poltike, si sekserët dhe ekzekutorët fizikë, vazhdojnë të jenë të lirë. Ky kontigjent kriminal, nëse nuk zbulohen e dënohen, do të mbesin gjithnjë të rrezikshëm për Kosovën, popullin e saj, sepse, si vrasës profesionalë, janë në gatishmëri për krime të tjera. Kemi thënë dhe e përsërisim, se vrasjet politike në Kosovë, janë një "e fshehtë publike". Një hetim i mënyrës komuniste, do t`i zbulonte brenda pak ditësh, e shumëta, javësh. Sepse, atentatimi ka qenë, kryesisht, gruporë, me përgaditje të makinave shoqëruese, në rast nevoje, edhe karamboluese, inskenim të ndeshjeve, përplasjeve të qëllimshme, për ta siguruar ikjen e vrastarëve me pengesën fizike të ndjekësve, policisë. Skepticizmin ndaj Gjykatës Speciale e shton edhe përkrahja ndërkombëtare, mbajtja në pushtet për dy dekada rrjesht, të projektuesëve dhe urdhërdhënësve të vrasjeve politike. Kufizimi skandaloz në kohë, i hetimit të krimeve politike, deri në fund të vitit 2.000, ndërkohë që ësht shënuar edhe vrasja e fundit politike edhe në vitin 2016! Dyshuese është edhe zvarritja enorme e fillimit të punës të kësaj Gjykate, edhe pse krimit nuk i skadon afati, por dëshmitë zbehen, përfshirë edhe shantazhimin e dëshmitarëve, për mohimin e dëshmisë së parë, deri në vrasjen e tyre; dorëzimi i kompetencave të EULEX-it gjykatave vendore, e kapur plotësisht nga kryebanditët e krimit politik në Kosovë. Kosova është e inkriminuar në atë përmasë, sa nuk ka as mundësi teorike, ta pastrojë krimin politik dhe ekonomik, asnjë gjykatë vendore. Madje, jo në vite, por, as në dekada.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test