Meta për “Il Messaggero”: Kosova dhe Serbia të konsolidojnë marrëdhëniet pa prekur kufijtë

Intervista

Meta për “Il Messaggero”: Kosova dhe Serbia të konsolidojnë marrëdhëniet pa prekur kufijtë

Më: 16 shtator 2018 Në ora: 13:04
Presidenti i Republikës, Ilir Meta

Presidenti i Republikës, Ilir Meta gjatë një interviste për gazetën prestigjioze italiane "Il Messaggero", thotë se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të konsolidojnë marrëdhëniet e tyre drejt integrimit evropian por pa prekur çështjen e kufijve. I pyetur për çështjen e emigrantëve, Meta tha se Italia nuk duhet lënë e vende në përballimin e këtij fenomeni.

Teksa flet për integrimin, kreu i shtetit nënvizon se BE duhet të shohë në optikën e duhur progresin e bërë nga Shqipëria.

Intervista e plotë:

-Zoti President pas 20 emigrantëve të anijes Dicioti, do të ishit të gatshëm të merrnit emigrantë të tjerë që zbarkojnë në Itali? 

Meta: Ne shqiptarët në rast se do të duhej, do të ishim të gatshëm për sakrifica të tjera në ndihmë të Italisë apo Greqisë, natyrisht brenda mundësive tona dhe duke patur parasysh dhe sigurinë e kufijve tanë. Megjithatë mendojmë se një ose pak vende nuk mund të zëvendësojnë rolin e BE në administrimin e krizës së refugjatëve. Me gjestin tonë të marrjes së 20 emigrantëve kemi dashur që të ketë edhe një reflektim evropian sesi të zgjidhet ky problem i rëndësishëm.

-Pikërisht Evropa...

Meta: Vendi juaj për shumë kohë është përballur vetëm në linjë të parë me krizën e emigracionit të paligjshëm. Rasti i anijes Dicioti është i rëndësishëm sepse tregoi kudo në kontinentin e vjetër se duhen politika të reja të përbashkëta. Duhet gjithashtu të ndryshojë qasja strategjike e BE ndaj këtij fenomeni. Politika e jashtme nuk duhet vetëm për të administruar mbërritjen e emigrantëve por mbi të gjitha për ta parandaluar atë. Situata në Afrikën e Veriut dhe në Siri imponon një rol politik dhe në këtë drejtim Brukseli duhet të bëjë më shumë.

-Brukseli u tregua i ftohtë ndaj ndërhyrjes Tuaj në ndihmë të Italisë.

Meta: Nuk dua të bëj polemika apo interpretime të cilat nuk shërbejnë. Unë di që në fund të gjithë kanë kuptuar gjestin tonë si një veprim solidariteti dhe vullneti të mirë. Megjithatë mendoj se Italia nuk duhet lënë e vetme përballë fenomenit. Ne i detyrohemi Italisë për ndihmën dhe solidaritetin e dhënë ndaj shqiptarëve në vitet '90. Mendoj se të gjithë i detyrohen Italisë, duke kuptuar vështirësitë dhe sakrificat e bëra përballë fenomenit të imigracionit me një mikpritje të rrallë.

- Shpejt do të duhet të hapni bisedimet për anëtarësim në BE?

Meta: Shpresojmë që bisedimet të hapen dhe Shqipëria të ketë anëtarësim të shpejtë. Dëshiroj që BE të shohë në optikën e duhur progresin e bërë nga Shqipëria, jo vetëm për integrimin evropian, por edhe për të forcuar ekonominë dhe shtetin e së drejtës.

-Keni frikë për destabilizim pas tensioneve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë? 

Meta: Për paqen, jo vetëm në rajonin tonë, është themeltare që Beogradi dhe Prishtina të konsolidojnë marrëdhëniet dhe të shkojnë bashkë, akoma më shumë, në rrugën e integrimit evropian por pa prekur çështjen e kufijve.

-Çfarë prisni nesër nga vizita që do të bëni tek Papa?

Meta: Ne falenderojmë Atin e Shenjtë për vëmendjen e veçantë që ka patur për Shqipërinë dhe mbështetjen për bashkëjetesën tonë shembullore fetare. Mbi të gjitha vendi ynë është vendi i Shenjtores Nënë Terezë dhe i Kardinalit Ernest Simoni-Troshani, i martirizuar për dekada në burgjet komuniste bashkë me dhjetra klerikë të tjerë.

-Italia është partneri i parë tregtar i Shqipërisë...

Meta: Gjysma e eksporteve shqiptare shkon drejt Italisë. Turizmi është rritur dhe gjithashtu prezenca e operatorëve italianë në këtë sektor. Tani na duhen më shumë përkrahje dhe iniciativa për të rritur bashkëpunimin dhe mirëqenien e popujve tanë. Duhet gjithashtu më shumë bashkëpunim përsa i përket modernizmit të infrastrukturave.

-Kryeprokurori i Antimafies italiane, Federico Cafiero del Raho, ka ngritur shqetësimin se grupet kriminale shqiptare janë po aq të forta sa klanet mafioze italiane...

Meta: Pak kohë më parë ministrat tanë të Drejtësisë, Alfonso Bonafede dhe Etilda Gjonaj u takuan për të rritur bashkëpunimin në këtë drejtim. Puna e mirë e prokurorisë Antimafia të Italisë dhe bashkëpunimi i shkëlqyer i shërbimeve tona sekrete ka qenë dhe është kryesore në luftën kundër klaneve kriminale. Një rëndësi të veçantë në këtë drejtim ka edhe reforma në drejtësi të cilën po implementojmë.

- Ç'mendim keni për dyshimet e qeverisë italiane përsa i përket ndërtimit të gazsjellësit TAP, që kalon nëpër territorin Tuaj?

TAP nuk është i rëndësishëm vetëm për Shqipërinë dhe Italinë por për sigurinë energjetike të mbarë Evropës. Autoriteteve italiane do t'i duhej të merrnin veprime të mençura vërsa i përket kësaj çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat