Dorëheqja e prokurorit Blakaj, është dështim i Republikës së Kosovës

Intervista

Dorëheqja e prokurorit Blakaj, është dështim i Republikës së Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 19 shtator 2018 Në ora: 21:38
Ehat Miftaraj

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi Ehat Miftaraj, konsideron se dorëheqja e prokurorit Blakaj, është dështim i Republikës së Kosovës dhe i mekanizmave të sistemit prokurorial për ofruar mbrojtje dhe siguri për prokurorët që kanë guximin për të hetuar korrupsionin e nivelit të lartë. Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Miftaraj flet lidhur me kërkesat për shkarkimin e Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, Liberalizimin e vizave, aferën Pronto etj.

“Bota sot”: Si e vlerësoni sistemin e drejtësisë në Kosovë?

Ehat Miftaraj: Fatkeqësisht sistemi i drejtësisë në Kosovë është skajmërisht i politizuar, i cili karakterizohet me mungesë transparence, llogaridhënie, efikasiteti dhe me integritet të kontestuar.  Përderisa, sistemi gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë sipas Kushtetutës dhe Ligjit do të duhej të ofronin dhe siguronin drejtësi për qytetarët saj, të njëjtit sipas raporteve të Institutit të Kosovës për Drejtësi por edhe raporteve ndërkombëtare janë shndërruar në shkelësit më të mëdhenj të të drejtave dhe lirive të njeriut.  Siguria juridike në Kosovë, asnjëherë që nga pas lufta nuk ka qenë me e cenueshme dhe e brishtë.

“Bota sot”: Ku qëndron problemi sipas jush, pasi po bëhet fjalë për dikasterin, i cili që nga paslufta ka probleme të dukshme?

Ehat Miftaraj: Që nga pas lufta, përfshirë dhjetë vitet e fundit nga shpallja e pavarësisë në vazhdimësi politika nuk i ka ofruar mbështetje sistemit të drejtësisë në Kosovë.  Sikurse, të gjitha partitë politike në pushtet qëllim kryesor kanë pasur dhe kanë kontrollin mbi këtë sistem. Fatkeqësisht sistemi i drejtësisë në Kosovë, nuk i trajton të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë. I njëjti sistem ka probleme serioze në trajtimin e lëndëve qoftë penale, civile apo administrative Brenda afateve të përcaktuara me ligj. Qytetarët duhet të presin me vite e ndonjëherë edhe me dekada për tu trajtuar lëndët e tyre.  Kosova ka dështuar për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë. Në sistemin gjyqësor është instaluar kultura e pandëshkueshmerisë ndaj zyrtarëve të lartë publik që bien në kundërshtim me ligjin.  Një qasje e tillë ndikon tek besimi i qytetarëve në këtë sistem, e çka është më e dhimbshme, investitorët qoftë vendor apo ndërkombëtar nuk kanë sigurinë juridike për të investuar në Kosovë, që ndikon drejtpërdrejtë në mungesën e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

“Bota sot”: A duhet Vettingu i menjëhershëm i sistemit të drejtësisë në Kosovë?

Ehat Miftaraj: Ndikimi politik në sistemin e drejtësisë, përkatësisht sistemin gjyqësor dhe prokurorial, theksohet vazhdimisht në të gjitha raportet më relevante vendore dhe ndërkombëtare me theks të veçantë Raporti i Progresit të Komisionit Evropian, Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, Freedomhouse etj. Në këtë drejtim, një ndër indikatorët më të rëndësishëm që dëshmon këtë ndikim politik në sistemin e drejtësisë është besueshmëria e qytetarëve në punën e sistemin gjyqësor dhe prokurorial, e cila është ndër më të ulëtat pas përfundimit të luftës në Kosovë. IKD insiston në iniciativën e saj publike të rekomanduar tash e sa kohë, që është formuluar si politikë duke u bazuar në gjetjet e vazhdueshme të monitorimit sistematik, që sistemi i drejtësisë të përfshihet në një Vetting të thellë, duke filluar prej Policisë, Prokurorisë dhe Gjyqësorit. Këtij procesi duhet t’i para paraprijnë ndryshimet kushtetuese dhe më pas Ligji i Vettingut, për të cilat nevojitet vullnet politik në Kuvendin e Kosovës. Sidoqoftë, tash për tash është e domosdoshme që sistemi prokurorial të këndellet në hapat e tij, duke shkarkuar fillimisht Kryeprokurorin e politizuar Aleksandër Lumezi, për të kaluar më pas në një tranzicion, i cili do të përgatiste procesin e Vettingut.

“Bota sot”: Korrupsioni në Kosovë a mendoni se është si pasojë e dështimit të drejtësisë?

Ehat Miftaraj: Jo vetëm korrupsioni por çdo lloj i kriminalitetiti do të lulëzoj në një shtet ku mungon sundimi i ligjit, mungon vullneti politik për të hetuar, ndjekur penalisht dhe gjykuar personat që bien në kundërshtim me ligjin. Sidomos, mungesa e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar është si pasojë kur strukturat e sistemit të drejtësisë pranojnë të bashkëjetojnë me krimin, pranojnë që ti nënshtrohen vullnetarisht politikës dhe grupeve të interesit. Fatkeqësisht, në Kosovë, problem më nuk është një person apo dy në hierarkinë e sistemit prokurorial apo gjyqësor, problem qëndron në vet sistemin i cili në mënyrë të organizuar, koordinuar dhe sistematike përmes veprimeve apo mos veprimeve të tyre kanë ndërtuar praktikën e ofrimit të mbrojtjes së personave të korruptuar Brenda sistemit, duke shuar shpresën se ky sistem nga brenda mund të përmirësohet, pa një intervenim të jashtëm.

“Bota sot”: Si e vlerësoni dorëheqjen e ish prokurorit Elez Blakaj ?

Ehat Miftaraj: Dorëheqja e prokurorit Blakaj si rezultat i presioneve, ndërhyrjeve dhe kërcënimeve si brenda sistemit të drejtësisë ashtu edhe nga vet politikan që sot janë në pushtet, e dëshmon atë që IKD e ka dhënë në vazhdimësi.  IKD si rezultat i monitorimit sistematik në sistemin e drejtësisë ka trajtuar specifikisht temën e mungesës së sigurisë juridike dhe fizike për prokurorët dhe gjykatësit, të cilët në raste të izoluara përballen drejtpërdrejtë me kërcënime fizike, por që dukuri është përballja me presione, shantazhe dhe kërcënime të ndryshme në kryerjen e detyrave në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale, sikurse në rastin Blakaj.  Dorëheqja e prokurorit Blakaj, është dështim i Republikës së Kosovës, dështim i mekanizmave të sistemit prokurorial për ofruar mbrojtje dhe siguri për prokurorët që kanë guximin, vullnetin dhe guximin për të hetuar korrupsionin e nivelit të lartë.

“Bota sot”: Si po ecën, sipas jush procesi i hetimeve për veteranët e rrejshëm?

Ehat Miftaraj:  Vonesat në dërgimin e këtij rasti në gjykatë dëshmojnë mjaftueshëm lidhur me pavarësinë dhe paanshmërinë e prokurorisë në trajtimin e këtij rasti. Për ne si IKD nuk do të jetë aspak e çuditshme nëse rasti që i është deleguar prokurorit Afrim Shefkiu, pas disa javëve apo muajve t`i transferohet një prokurori të ri në PSRK.  Një praktikë tanimë e instaluar në PSRK në trajtimin e lëndëve më serioze dhe sensitive.

 “Bota sot”: Cila është arsyeja që kryeprokurori Lumezi nuk po jep dorëheqje, madje as pas publikimit të skandaleve ku përflitet emri i tij?

Ehat Miftaraj: Në një shtet që synon të zbatoj parimet minimale të demokracisë nuk do të mund të duronte që në krye të akuzës të qëndroj një person me kredibilitet dhe integritet të kontestuar si në rastin e Aleksandër Lumezit.  Për më të tepër, skandalet e publikuara në vitin e fundit ku akter kryesor është Lumezi, iniciativa qytetarë për shkarkimin e tij, degradimi i sistemit prokurorial që nga ardhja e tij në krye të Prokurorit të Shtetit në vitin 2015, dëshmon mjaftueshëm lidhur me integritetin dhe etikën e Lumezi.  Sigurisht, se është e tepërt të pritet nga i njëjti që të vet dorëhiqet.  Për më tepër i njëjti do të vazhdoj të ndihet komod deri sa i njëjti ka përkrahjen e plotë të politikës dhe grupeve të fuqishme brenda sistemit prokurorial.

“Bota sot”: Në tetor do të mbahet seanca e parë për rastin “Pronto”, cilat janë pritjet tuaja nga ky proces?

Ehat Miftaraj: IKD kishte shprehur rezerva lidhur me aktakuzën e ngritur në rastin Pronto, e cila aktakuzë nuk kishte përfshirë akterët kryesorë në aferën e përgjimeve PRONTO.  Aktakuza “ Pronto” është një aktakuzë selektive, ku edhe në këtë rast si akter kryesor paraqitet Kryeprokurori Lumezi, i cili edhe  publikisht e ka pranuar se është takuar me njërin nga të akuzuarit në këtë rast. Lumezi në adresimin e tij për media kishte pranuar publikisht se shqetësimet e Beqajt lidhur me aktakuzën e ngritur ndaj tij e kishte diskutuar edhe me prokurorët e rastit. Kjo tregon mjaftueshëm edhe sa i përket epilogut final të kësaj aktakuze.

“Bota sot”: A i ka plotësuar kushtet Kosova për liberalizimin e vizave dhe a prisni që në bazë të të arriturave të deritashme procesi i liberalizimit të përmbyllet brenda këtij viti?

Ehat Miftaraj: IKD në vazhdimësi kishte deklaruar së Kosova nuk do të ketë liberalizim të vizave, nëse Komisioni Evropian do të vazhdoj me kriterin e fundit për rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Fatmirësisht, për qytetarët e Kosovës, dhe lëvizjen e lirë, Komisioni Evropian këtë kriter e ka zëvendësuar me kriter teknik dhe ishte mjaftuar vetëm me themelimin e mekanizmit përcjellës sa i përket rrjedhës së rasteve të shënjestruara nga faza e hetimit deri në aktgjykim të formës së prerë. Kosova tanimë është në fazën finale të vendosjes nga ana e institucioneve të Bashkimit Evropian lidhur me vendimin për liberalizim të vizave.  Le të shpresojmë që gjatë këtij viti Këshilli i Ministrave të Punëve të Brendshme të marr vendim pozitiv, në mënyrë që qytetarët e Kosovës gjatë vitit të ardhshëm të lëvizin pa viza, e qe unë mendoj se nuk mund të ndodh para pranverës së vitit 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat