Unifikimi LDK-VV do të dilte fitues në zgjedhje

Intervista

Unifikimi LDK-VV do të dilte fitues në zgjedhje

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 25 shtator 2018 Në ora: 08:11
Korab Sejdiu

Do të jetë pjesë e protestës së 29 shtatorit, pasi sipas tij, duhet të ndalet e keqja në të cilën gjendet vendi. Kështu ka deklaruar deputeti i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, duke shtuar se me protesta duhet të rrëzohet qeveria dhe të shkohet në zgjedhje, që janë zgjidhje dhe nga to të dalë fitues bashkimi LDK-VV, për një qeveri të ardhshme. Ai ka folur dhe për mocionin për rrëzimin e Qeverisë, për çka thotë se ende nuk i kanë votat. Ndërsa, duke folur për idenë e presidentit Thaçi për korrigjim kufijsh, ai thotë se kjo është shkelje serioze e Kushtetutës nga Presidenti dhe për këtë Kuvendi duhet ta miratojë një përfaqësues legjitim për dialogun me Serbinë por vetëm pas zgjedhjeve të reja.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend?

Korab Sejdiu: Është më se e vërtetë se jemi në një moment debakli total në shoqërinë tonë.  Kemi një President i cili po e çon vendin drejt të qenit shtet diktatorial duke uzurpuar kompetenca të cilat nuk i takojnë atij, dhe duke shkaktuar dëme të pariparueshme për Kosovën në nivel vendor dhe ndërkombëtar. Po ashtu, Qeveria aktuale e pakicës, e kontrolluar tërësisht nga Beogradi, me gjasë të vetmin qëllim e ka pasurimin personal të kastës politike dhe kjo po shihet nga skandalet e vazhdueshme që po ndodhin.  Prandaj, është evidente se gjendja aktuale politike në vend është tejet e helmuar dhe ka nevojë për një “refresh” të menjëhershëm. 

“Bota sot”: Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur protesta në fund të këtij muaji. A do t’i bashkangjiteni protestës dhe sa mendoni se janë zgjidhje protestat aktualisht?

Korab Sejdiu: Në fakt, unë kam thirrur kohë më parë për protesta, edhe para thirrjes nga LVV.  Duke pasur parasysh se në këtë kohë kur po intensifikohet zaptimi i shtetit, dhe çdo institucion i rregullt shtetëror mbetet i bllokuar nga kjo kastë e kriminalizuar politike e dirigjuar nga Beogradi, reagimi qytetar është i domosdoshëm. Po e shohim intensifikimin e cenimit serioz të Kushtetutës nga Presidenti, një Qeveri dhe kastë në pushtet që po e falimentojnë dhe ndajnë shtetin, dhe “liderë” të papërgjegjshëm në pushtet që po e shkatërrojnë shtetësinë e Kosovës. Prandaj, reagimi i pavonuar qytetar është jetik për Kosovën! Dhe i vetmi institucion kushtetues i mbetur në dispozicion për ne si qytetarë dhe opozitarë kundër të keqes mbetet protesta! Thënë atë, natyrisht se do të marrë pjesë në protestë dhe do të mbështes çdo nismë të njerëzve të vullnetit të mirë që për qëllim kanë shpëtimin e vendit nga kjo e keqe që e ka kapluar. 

“Bota sot”: Opozita, pjesë e të cilës jeni edhe ju po kundërshton vazhdimisht presidentin Thaçi si kryenegociator në dialogun me Serbinë? Kush sipas jush duhet ta udhëheq këtë dialog?

Korab Sejdiu: Në rrethana normale, ne do të krijonim konsensus politik në të gjitha rastet kur interesat vitale të shtetit janë në pyetje, përfshirë dhe veçanërisht në dialogun me Serbinë. Dhe në këso rrethana, para bisedimit me Serbinë, ne do të bënim për veten shumë të qartë se kur duhet biseduar me ata, kush do të na përfaqësonte, dhe për cilat tema do të bisedonim dhe për të cilat nuk do të bisedonim.  Pra, do të ndërtonim një platformë gjithëpërfshirëse. 

Fatkeqësisht, aktualisht kemi pushtetarë të papërgjegjshëm dhe përçarës në të gjitha institucionet e vendit, dhe rrjedhimisht, ky konsensus nuk është i mundur. Në këto rrethana, opozita, edhe pse përfaqëson mbi 60% të votuesit shqiptarë në Kosovë, për arsye të anomalive tona kushtetuese, mbetet jashtë pushtetit dhe vendimmarrjes dhe e ka të pamundur të jep kontribut frytdhënës.  

“Bota sot”: Si e komentoni idenë e presidentit për “korrigjimin e kufijve”?

Korab Sejdiu: Unë jam deklaruar disa herë rreth kësaj çështjeje shumë të rrezikshme të hapur nga Presidenti Thaçi. Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë të një mori deklaratash skandaloze të bëra nga Presidenti Thaçi, veçanërisht kohëve të fundit. Përfshirë këtu edhe atë lidhur me nevojën për korrigjim të kufijve. Nuk është e qartë pse Presidenti Thaçi po lëshohet në këto aventura kohëve të fundit, por çka dihet është se tezat e tilla vetëm sa shqetësojnë qytetarët tanë që ende vuajnë nga traumat e luftës, nxisin tensione, dobësojnë pozitën negociuese të Kosovës karshi Serbisë dhe dëmtojnë edhe ata pak shtetësi që jemi munduar të ndërtojmë këtë dekadën e fundit. Është më se e qartë se asnjë ndryshim i kufijve ekzistues nuk mund të bëhet pa ndryshime kushtetuese, dhe çfarë do marrëveshje që mund të ketë nënshkruar apo që mund ta nënshkruajë Presidenti Thaçi që ka objekt ndryshimin e kufijve nënkupton shkelje serioze të Kushtetutës nga Presidenti. Prandaj, ekziston nevoja urgjente që Kuvendi të mandatojë përfaqësuesin e Kosovës në këto bisedime, përfshirë edhe një platformë të qartë për bisedime, por vetëm pas organizimit të zgjedhjeve të reja në Kosovë, që do të rezultonin me përfaqësim legjitim politik të qytetarëve. 

“Bota sot”: Z. Sejdiu, çfarë po ndodhë me mocionin të cilin e paralajmëruat për në shtator? A keni arritur t’i keni votat që ju mungonin?

Korab Sejdiu: Natyrisht, për një mocion për rrëzim të qeverisë na duhen votat në Kuvend, të cilat vota ende nuk i kemi.  Anomalitë kushtetuese kanë lënë përfaqësuesit e pjesës dërmuese të qytetarëve në opozitë. 

“Bota sot”: A duhet të rrëzohet Qeveria dhe sa mund të ndodhë kjo tani?

Korab Sejdiu: Tek pyetja për protesta besoj se u përgjigja për këtë çështja. Shihet qartë se çdo institucion i vendit është ose i zaptuar ose jofunksional, dhe rrjedhimisht, e vetmja mundësi institucionale që iu ka mbetur qytetarëve për të kthyer vendin në binarë janë protestat. Dhe kjo do të rezultonte në rrëzim të qeverisë aktuale nga presioni publik, me shpresë që zgjedhjet e reja do të rezultonin me një qeveri legjitime.

“Bota sot”: A janë zgjedhjet zgjidhja për vendin sipas jush?

Korab Sejdiu: Zgjedhjet janë zgjidhje, mirëpo vetëm nëse kemi mobilizim dhe unifikim të opozitës, veçanërisht të LDK-së dhe LVV-së. Kjo do të siguronte që ky grupim do të dilte fitues i zgjedhjeve, dhe do të dirigjonte formimin e qeverisë së ardhshme. 

“Bota sot”: Si e komentoni rastin “Veteranët”, ku dolën lista me shumë veteranë mashtrues?

Korab Sejdiu: Asgjë më nuk më befason me këta pushtetarët tanë.  Pra, kanë gjetur mënyra për të dëmtuar dhe shkatërruar edhe gjërat më të çmueshme, përfshirë edhe luftën e lavdishme të UÇK-së. Etja e tyre për pushtet dhe pasurim personal, edhe kur kjo shkatërron vendin, shihet se nuk ka fund. Dhe eliminimi i tyre nga skena politike dhe vendimmarrja është çështja më urgjente me të cilën ballafaqohet sot shoqëria jonë. 

“Bota sot”: Sa e shihni të nevojshëm një proces vetingu në Kosovë, si në Shqipëri?

Korab Sejdiu: Drejtësia në Kosovë ka probleme shumë më të mëdha, dhe vetingu në vete nuk është zgjidhje. Vetingu mund të jetë pjesë e reformës gjithëpërfshirëse për drejtësi, por a është i suksesshëm varet shumë nga ajo se kush përfshihet në veting, kush e bën atë, dhe a bëhet në mënyrë të vazhdueshme. 

“Bota sot”: Gjykata Speciale ende nuk ka filluar me ngritjen e aktakuzave. Sa besoni ju tek kjo gjykatë?

Korab Sejdiu: Nuk mund të spekuloj. Mirëpo, e di se në aspekt procedural, çdo përgatitje për këtë Gjykatë ka përfunduar. Prandaj, është e paqartë pse ka vonesa me fillimin e punës së saj. Por pavarësisht kësaj Gjykate, ne si Kosovë, duhet të fillojmë të ballafaqohemi vetë me problemet tona dhe të mos presim që “të huajt” të na e rregullojnë vendin.

“Bota sot”: Në një të ardhme të afërt a do të mund të ju shohim pjesë të LDK-së?

Korab Sejdiu: Unë kam përqendruar përpjekjet e mia aktuale në unifikimin e opozitës. Rrjedhimisht, nuk e kam parë të rëndësishme në këtë moment përcaktimin tim personal politik. Dhe do të vazhdojë të punojë drejt unifikimit, pasi që mendoj se kjo është zgjidhja e vetme. Natyrisht, aktualisht në këtë mandat veproj në Kuvend në kuadër të Grupit Parlamentar të LDK-së, dhe kam bashkëpunim të shkëlqyeshëm me kolegët deputetë nga radhët e LDK-së, një pjesë të madhe të të cilëve i kam miq të zemrës tash e shumë vite. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat