Procesi i hetimit të veteranëve të rrejshëm u komprometua

Intervista

Procesi i hetimit të veteranëve të rrejshëm u komprometua

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 26 shtator 2018 Në ora: 08:05
Anton Quni

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” ka potencuar se rasti Blakaj duhet të jetë alarm për politikën që t`i mbajë duart larg nga organet e drejtësisë.

Ai ka theksuar se presidenti Thaçi nuk duhet që për agjenda private të diskutojë për territorin e Kosovës dhe se përpjekja e Kosovës duhet koncentruar në ngrijten e problemeve të komunitetit shqiptar në atë zonë. Në fund, Quni ka theksuar se korrupsioni nuk mund të luftohet në Kosovës derisa kemi një qeveri e cila po bashkëjeton me të.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend? 

Anton Quni: Stagnimi i njohjeve të reja, vështirësitë në proceset integruese, dialogu me Serbinë, ndërhyrjet e vrazhda mes pushteteve të ndara, abuzimet me buxhetin e Kosovës, krimi i organizuar dhe korrupsioni, janë dukuri e përditshmërisë më të cilat po jeton çdo qytetar i Kosovës. Kjo gjendje mundet me u ndryshu vetëm me zgjedhjet e reja nga ku do të ngriten institucionet kredibile dhe përgjegjëse karshi proceseve politike dhe gjithë këtyre problemeve të renda që po e pengojnë ecjen tonë si shtet e shoqëri. 

“Bota sot”: Opozita kishte paralajmëruar në shtator mocion për rrëzimin e qeverisë Haradinaj, jeni duke biseduar dhe pritet të ndodhë kjo?

Anton Quni: Një pushtet të tille çfarë e ka Kosova për momentin normalisht që opozita do të donte ta largoj një ore e më parë, këtë çështje ne ua kemi bërë të ditur qytetarëve. Unë mund vetëm të përsërisë që ne do të përdorim të gjitha metodat demokratike dhe mundësitë kushtetuese, parlamentare, ligjore dhe moralisht të justifikueshme, që sa më shpejt të bëhet ndryshimi i nevojshëm në Kosove. Kështu si është, me këtë qeverisje të keqe, Kosova po shënon hapa të mëdhenj prapa.

“Bota sot”: Rasti Blakaj, a e dëshmoi edhe një herë se sa e dështuar është drejtësia në Kosovë?

Anton Quni: Rasti Blakaj tregon, jo vetëm sa e dështuar është drejtësia në Kosovë, por edhe se sa e brishtë. Lehtësisht e lëndueshme dhe vështire e riparueshme është gjendja në drejtësi si rezultat i ndërhyrjeve të vazhdueshme të politikës. Ky rast do të duhej të shihej si kambanë, si alarm se ora është 5 para 12.00 për politikën që ti qoj duart lart nga organet e drejtësisë për ti lënë ato të lira për ta bërë punën e tyre. Nëse nuk veprohet urgjentisht në këtë drejtim, i gjithë sistemi i drejtësisë në Kosovë duket se ka pësuar vdekje klinike! Realitet i dhimbshëm ky, e rëndë për ta thënë, por realitetin duhet ta shohim me sy real në mënyrë që mos ta gënjejmë veten. 

“Bota sot”: Si i komentoni zhvillimet e fundit në lidhje me këtë çështje, po thuhet se veteranë të vërtetë u përfshinë në listat e veteranëve të rrejshëm, çfarë mendimi keni ju për këtë? 

Anton Quni: E vërteta është edhe më e dhimbshme dhe më e komplikuar se kaq. I gjithë procesi, si ai i verifikimit, e po ashtu edhe publikimi i listave të veteranëve të dyshuar, tashmë janë komprometuar. Situata komplikohet edhe më shumë kur në këtë listë figurojnë edhe emrat e veteranëve të vërtetë. Po, pra. E thash tashmë i gjithë procesi është komprometuar. Vështirë të parashihet se si do të dilet nga i gjithë ky lëmsh, i cili duket që është mbështjellë e lidhur në nyje me qëllimin që të mos mund të gjendet fija kurrë. 

“Bota sot”: Sa mund të ndikojë skandali i veteranëve në procesin e liberalizmit të vizave?

Anton Quni: Jo vetëm ky rast, por çdo skandal , qoftë edhe i natyrës më të vogël, gjithçka që lëndon funksionimin e shtetit ligjor dhe vlerat e saj demokratike, natyrisht që krijon një imazh të keq për vendin. Prandaj, shtetet si ky i yni, me funksionim të çalët, me afera të vazhdueshme korruptive, me një lidership të shantazhueshëm e pa fije kredibilitetit, ballafaqohen me vështirësi të shumta në përpjekjen e tyre për tu bërë pjesë e komuniteteve të qytetëruara. Pasojat e gjithë kësaj i vuajnë qytetarët e pafajshëm duke mbetur të izoluar e pa asnjë perspektive për të ardhmen e tyre personale e familjare. Kjo situatë e pa shpresë kërkon ndryshim urgjent para se të bëhet vonë. 

“Bota sot”: A prisni gjykim të drejtë në rastin e veteranëve të rrejshëm, duke pasur parasysh raportet vendore dhe ndërkombëtare për ndikimin e politikës në drejtësi?

Anton Quni: Uroj që së pari të qartësohet situata e mjegulluar në gjithë këtë proces. Normalisht që do të doja shumë të shpresoja se procesi i zbardhjes së vërtetës rreth listave të veteranëve të pastrohen dhe të ruhet dinjiteti i tyre. Një gjë e tille është lehtësisht e arritshme vetëm nëse arrijmë që politikën ta nxjerrim jashtë sistemit të drejtësisë. 

“Bota sot”: Sa do t`i kontribuonte sistemit të drejtësisë Vettingu? 

Anton Quni: Duke e ditur që vettingu është një proces i verifikimit të së kaluarës së një zyrtari. i cili bart ose do të bartë pergjegjësi të rëndësisë së veçantë, atëherë mendoj që është e vetmja mundësi që do të na nxirrte nga vorbulli i krijuar tash e sa vite. Vettingu do të ndihmonte, nëse jo tërësisht, mendoj që në masë të madhe do ta bënte filtrimin e zyrtarëve duke siguruar që të përzgjedhurit të jenë me profil të lartë moral dhe profesional. Pikëpyetja është se si të ngritet një mekanizëm i tillë pa ndikimet e politikës.

“Bota sot”: Ideja e presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve mori vëmendje ndërkombëtare, çfarë mund të fshihet pas “korrigjim të kufijve”? 

Anton Quni: Përderisa presidenti Thaçi dhe akterët e tjerë në vendimmarrje po flasin me kode të pakuptueshme, po i lihet vend imagjinatës. Sidoqoftë, ne nuk mundemi dhe nuk duhet lejuar assesi që dikush që ka humbur gjithë kredibilitetin jashtë dhe brenda vendit që për nevoja të agjendës private të tentoj t`i negocioj tash edhe kufijtë e Kosovës. Loja me kufij i ka rreziqet e veta për përmasat e të cilit rrezik secili do të duhej të ishte i vetëdijshëm. Shpallja e pavarësisë së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran dhe njohja e saj nga më shumë se 100 vende të botës ka përmbyllur procesin e vijëzimit të hartës së saj.

“Bota sot”: Sa ka gjasa që realisht Presheva, Bujanovci dhe Medvegja të bashkohen me Kosovën?

Anton Quni: Sa do që të jem optimist që një ditë edhe këto territore t`i bashkohen Kosovës, nuk shoh rrethana lehtësuese në favor të kësaj ideje. Mendoj që krejt përpjekja e jonë do të duhej fokusuar në problemet e tona të brendshme si shtet si dhe ngritja e problemit të të drejtave të komunitetit shqiptarë në atë zonë gjatë bisedimeve me Serbinë. 

“Bota sot”: A e tregon vizita e presidentit serb Aleksandr Vuqiç dhe deklaratat e tij raciste, pafuqinë e udhëheqësve të Kosovës ndaj Serbisë? 

Anton Quni: Nuk është vetëm ky rast, por ka pasur edhe raste të tjera të zyrtarëve të Serbisë që me sjelljet dhe deklarimet e tyre luftënxitëse i kanë komprometuar shumë institucionet e Kosovës të cilat në vazhdimësi janë treguar të pafuqishme dhe inferiore në parandalimin e tyre. Në të tilla raste, në rrethana të tjera, nikoqiri ua përcakton mysafirëve rregullat e shtëpisë.

“Bota sot”: Si mund të zgjidhet një herë e përgjithmonë çështja e korrupsionit? 

Anton Quni: Korrupsioni tanimë është bërë kancer i shoqërisë duke prekur pothuajse të gjitha poret e saj. Duhet shumë punë e angazhim të sinqertë në fushën e legjislacionit, ekzekutivit dhe drejtësisë që të ndryshohet kjo gjendje e mjerë që është krijuar. Por, asgjë nuk mund të bëhet në këtë drejtim përderisa kemi një qeverisje që nuk ka as vullnetin më të vogël për ta luftuar korrupsionin, përkundrazi, ata tashmë po bashkëjetojnë me të pa asnjë brejtje të ndërgjegjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat