Ideja e Thaçit për ndryshim të kufijve ka dështuar

Intervista

Ideja e Thaçit për ndryshim të kufijve ka dështuar

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 1 tetor 2018 Në ora: 08:08
Edita Tahiri

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me palën serbe në Bruksel, Edita Tahiri, ka ripërsëritur se ideja e ndryshimit të kufirit, është e rrezikshme dhe sjellë luftë.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Tahiri ka theksuar se ideja e ndryshimit të kufijve, është një ide serbe me pretendime hegjemoniste për të krijuar “Serbinë e Madhe” në dëm të tokave shqiptare.

Ajo ka ftuar Kuvendin që sa më parë të miratojë Rezolutën, për mos ndryshimin e kufijve, si vijë e kuqe në dialogun e Brukselit, që ka hyrë në fazën finale.

Tahiri ka theksuar se tentativa për ndryshimin e kufijve të Kosovës ka dështuar dhe këtë sipas saj, e ka kuptuar presidenti Hashim Thaçi, homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja.

Sipas saj, dialogu duhet të vazhdojë, por duhet të jetë i drejtuar kah njohja reciproke mes dy shteteve.

Tahiri ka kritikuar qeverisjen aktuale nën drejtimin e Ramush Haradinajt, duke thënë se ajo hoqi dorë nga angazhimi në dialog.

“Bota sot”: Si e komentoni idenë e korrigjimit të kufirit të Kosovës me Serbinë?

Edita Tahiri: Idetë për ndryshimin e kufijve të Kosovës janë ide të rrezikshme që sjellin jo stabilitet dhe luftëra të reja si dhe janë kundër interesave shtetërore dhe interesave kombëtare të Kosovës dhe kombit shqiptar. Kosova tashmë është shtet sovran dhe i pavarur dhe integriteti territorial i saj është i pacenueshëm, prandaj askush nuk mund të prekë kufijtë e Kosovës, sepse ato u krijuan me luftën tonë të drejtë dhe fitoren historike ndaj pushtuesit serb.  Shteti i Kosovës ka marrë vulën ndërkombëtare nga Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi, e cila vërtetoi se pavarësia e Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Kosova ka lindur si shtet nga lufta jonë për liri dhe pavarësi për gati një shekull, me shumë flijime dhe sakrifica, si dhe me një mbështetje historike nga aleatët tanë perëndimor në krye me SHBA, NATO, BE, etj.

Është me rëndësi jetike që këto ide të rrezikshme morën kundërshtimin e plotë nga spektri politik dhe institucional, nga politikanë që janë liderë të pavarësisë dhe themelues të shtetit të Kosovës, në mesin e të cilëve jam dhe unë personalisht, shoqëria civile. Një kundërshtim i tillë shfaqi fuqinë dhe vizionin tonë për shtetin dhe mbrojtjen e Kushtetutës, pavarësisht se u lansuan nga presidenti i Kosovës.

“Bota sot”: Pse u prezantua në këtë kohë ideja e korrigjimit të kufirit dhe a duhet të shkëmbehet veriu i Kosovës me komunat  e Kosovës Lindore?

Edita Tahiri: Ideja e ndryshimit të kufijve, është një ide serbe me pretendime hegjemoniste për të krijuar “Serbinë e Madhe” në dëm të tokave shqiptare. Serbia ka iluzione ndaj pjesës veriore të Kosovës për shkak të pasurive natyrore, minierës së Trepçës dhe Ujmanit, duke qenë se i ka shfrytëzuar padrejtësisht dhe në mënyrë koloniale një kohë të gjatë. Por, kjo histori koloniale ka mbaruar në vitin 1999,kur e dëbuam përfundimisht Serbinë nga Kosova si rezultat i fitores së luftës çlirimtare ndaj pushuesit serb. Shteti i Kosovës është i pasur me burime natyrore, sidomos në pjesën veriore të vendit, dhe këto burime natyrore përbëjnë fuqinë gjeopolitike të Kosovës së bashku me pozicionin gjeografik që kemi dhe ku gjeopolitika perëndimore e njohur si doktrina e “Zemrës së botës / Heartlandit” gjen një mbështetje të fortë, sepse kanë për bazë interesat gjeostrategjike perëndimore. Jo rastësisht, agjenda gjeopolitike ruse është rikthyer me ambicie drejt Kosovës dhe Ballkanit, përmes Serbisë si dorë e zgjatur e Rusisë.

Unë jam fuqishëm kundër ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të pjesës veriore të Kosovës me Luginën e Preshevës, sepse që të dyja janë toka shqiptare dhe nuk mund të shkëmbehen. Historiskisht tokat shqiptare janë tkurrur, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë më tej. Tani kombi shqiptar është më i fuqishëm se kurrë, si dhe kemi një vetëdije me të lartë shtet-formuese dhe gjeopolitike, prandaj nuk do të lejojmë të përsëritet historia e tkurrjeve të tokave shqiptare.

Po ashtu, dua të theksoj se njohja reciproke mes dy shteteve Kosovës dhe Serbisë duhet të burojë nga parimet evropiane për fqinjësi të mirë, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Këto parime janë themelore në krijimin e Bashkimit Evropian, dhe të njëjtat duhet të mbrohen edhe nga BE-ja, e cila ka përcaktuar unanimisht strategjinë e anëtarësimit të gjashtë shteteve të Ballkanit  Perëndimor në BE, të rikonfirmuar edhe në Samitin e Sofjes.

Poqëse, BE-ja nuk e mbanë këtë qëndrim që ka në thelb parimin e shteteve multietnike, atëherë i hap rrugë ndryshimit të kufijve në Ballkan dhe krijimit të shteteve etnike, atëherë shqiptarët do të jenë të hapur për biseda për ndryshim kufijsh në gjithë Ballkanin. Mirëpo, ndryshimet parciale të kufijve nuk pranohen, sepse dëmtojnë interesat kombëtare shqiptare. Faktori ndërkombëtar duhet të ketë parasysh se ndryshimet parciale të kufijve nxisin efekte domino që janë të arsyeshme, sepse edhe të tjerët do të kërkojnë të ndryshojnë kufij në rajon.

“Bota sot”: Si duhet të veprojë Kuvendi për të ndalë procesin e ndryshimit të kufirit?

Edita Tahiri: Kuvendi i Kosovës ka përgjegjësi historike t’i thotë JO ndryshimit të kufijve si vijë e kuqe në dialogun e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë. Ua rikujtoj deputetëve dhe vetë udhëheqjes së Kuvendit dhe liderëve të partive parlamentare se çdo vonesë në këtë drejtim, do të vë ata në pozitë jo të ndershme në raport me interesat shtetërore dhe kombëtare. Prandaj, Kuvendi sa më shpejt duhet të miratojë rezolutën për mosndryshimin e kufijve, si vijë e kuqe në dialogun e Brukselit, që ka hyrë në fazën finale. Kuptohet, janë edhe vija tjera të kuqe që duhet t’i parasheh platforma për bisedimet finale. Të gjitha vijat e kuqe janë të vendosura që nga viti 2011, kur e kemi filluar dialogun me Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e fuqishme nga SHBA-të. Si kryenegeciatore  e Republikës së Kosovës në dialogun e Brukselit me Serbinë për shtatë vite, i ftoj ata që të bazohen në platformën tonë shtetërore për dialog të vitit 2011 dhe programin e qeverisë për dialog 2014-2018, që janë të publikuara në webfaqen e qeverisë.

“Bota sot”: Deri më tani kemi parë që opozita nuk i pati numrat për të miratuar rezolutën që ndalë presidentin e vendit për të dialoguar për kufirin, qysh e komentoni “bllokadën” politike me numrat në Kuvend?

Edita Tahiri: Kjo është një fatkeqësi, kur për interesa madhore siç është rezoluta për mosndryshim të kufijve si vijë e kuqe në dialogun me Serbinë, Kuvendi nuk arrin të kryejë detyrën e tij historike. Të gjithë aktorët politikë e institucionalë, të cilët janë duke e bllokuar këtë rezolutë, ata e dinë vet kush janë, do të jenë të evidentuar nga historia për të keq.

“Bota sot”: Presidenti është deklaruar pro korrigjimit të kufirit, ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj kundërshton atë. Pse  presidentit po i ngutet korrigjimi?

Edita Tahiri: Kjo pyetje duhet t’i drejtohet vet Presidentit. Unë nuk jam e prirur të spekuloj me deklaratat e të tjerëve. Unë kam shprehur qëndrimit tim kundër ndryshimit të kufijve për arsyet që i theksova më lartë, por edhe gjithë Kosova i tha JO kësaj ideje që u artikulua nga presidenti.

“Bota sot”: A duhet të vazhdojë dialogu në Bruksel, pas bojkotit nga presidenti serb në takimin e fundit atje?

Edita Tahiri: Tashmë të gjithë e kanë kuptuar që ideja për ndryshim të kufijve ka dështuar. Këtë e ka kuptuar edhe BE-ja, edhe z. Mogherini, edhe Vuçiq, por besoj edhe Thaçi. Duhet vlerësuar qëndrimin e prerë kundër ndryshimit të kufijve nga Gjermania dhe Kancelarja Merkel, nga Mbretëria e Bashkuar e vende tjera të BE-së. Edhe SHBA-ja e ka kuptuar dhe tashmë ka qëndrim të drejtë, oscilimet e shfaqura nga individë  nuk duhet marrë seriozisht, sepse tashmë SHBA-ja bëri të qartë se marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë e pranueshme nga shtetet dhe qytetarët e tyre dhe duhet të jetë marrëveshje që sjellë stabilitet në rajon.

Dialogu nuk ka alternativë, duhet të vazhdojë, por duhet të jetë i drejtuar kah njohja reciproke mes dy shteteve, si e vetmja rrugë për të siguruar një paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon

“Bota sot”: Sa po zbatohen marrëveshjet e arritura deri më tani me Serbinë? Ku ka ngecje?

 Edita Tahiri: Për këto tema mund të flasim në një intervistë tjetër, ajo që është aktuale tani është që definitivisht të mbyllim çdo shteg që ende mund të çojë në rreziqe për kufij e luftëra.

“Bota sot”: Pse nisi hartimi i statutit të Asociacionit pa u takuar palët në Bruksel? Çka fiton e çka humbet Kosova me Asociacionin?

Edita Tahiri: Marrëveshja e Brukselit për Asociacionin garanton se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, sepse është në pajtim me Ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, e cila decidivisht thuhet në vet marrëveshjen e arritur në Bruksel.

“Bota sot”: Kur do të mund të shohim arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë dhe a do të përfundojë ajo me njohjen reciproke?

Edita Tahiri: Kur Serbia të vetëdijësohet se mund të bëhet anëtare e BE-së, vetëm pasi të ketë njohur shtetin e Kosovës. Këtë e di Serbia, por po vonohet për t’u vetëdijësuar.

“Bota sot”: Si e vlerësoni qasjen e qeverisë aktuale ndaj dialogut të normalizimit të marrëdhënieve me shtetin serb?

Edita Tahiri: Qeveria dhe Kryeministri aktual kanë hequr dorë nga angazhimi në dialog, përkundër faktit se kanë pasur obligim institucional të merren me të, madje të autorizuar nga Kuvendi. Kjo e ka dëmtuar Kosovën, duke i dhënë Serbisë mundësi madje ta devijojë këtë proces. Derisa gjatë shtatë viteve të udhëheqjes sime të dialogut të Brukselit, ne arritëm që pjesën veriore ta kthejmë nën sovranitetin shtetëror të Kosovës, kjo qeveri në vend se ta konsolidojë më tej këtë arritje, e la anash këtë proces të rëndësishëm strategjik. Tash Qeveria e Kryeministri besoj janë vetëdijesuar se çfarë devijimesh ndodhën me hapjen e temës së kufijve, megjithatë është mirë që Kryeministri po e kundërshton këtë çështje. Në kohën kur kam udhëhequr unë dialogun, nuk kam lejuar të hapet tema e kufijve, ka qenë vijë e kuqe. Sikur, kjo qeveri të vazhdonte me qasjen e dy qeverive të mëparshme, nuk do të ndodhte kjo që ndodhi që Serbia edhe pas gjenocidin në Kosovë, të nis tema kufijsh për “Serbinë e madhe”.

“Bota sot”: A i dëmtojnë raportet me partnerët ndërkombëtarë zhvillimet e fundit me listat e veteranëve të luftës?

Edita Tahiri: Sigurisht që po. Duhet të punohet me kujdes që të vërtetohet numri real i tyre. Po ashtu, ftoj LDK-në që të vazhdojë angazhimet për Ligjin për veteranët e Luftës paqësore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilën unë e kam inicuar në Kuvendin e Kosovës që nga viti 2003, dhe që mbeti në harresë. Lufta për pavarësi e rrugës paqësore ka qenë 10 vjet rezistencë aktive kundër okupimit serb dhe për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ne të gjithë që ishim në krye të kësaj lëvizje gjithë popullore si liderë të pavarësisë dhe mijëra aktivistë duhet të kemi statusin e veteranit të luftës paqësore për pavarësi.

“Bota sot”: Ka zëra se ju znj. Tahiri do të aderoni së shpejti në Lëvizjen Vetëvendosje. Cila është e vërteta?

Edita Tahiri: Jo, aspak e vërtetë. Unë kam partinë time reformiste, Alternativa Demokratike e Kosovës (ADK). Qëndrimet e mija kritikuese ndaj VV kanë qenë publike dhe mbeten të tilla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat