Hapja e temës së kufijve rrezikon të përcillet me tragjedi të mëdha

Intervista

Hapja e temës së kufijve rrezikon të përcillet me tragjedi të mëdha

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 2 tetor 2018 Në ora: 14:21
Albulena Balaj-Halimaj

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Albulena Balaj-Halimaj, në një intervistë për “Bota sot” ka shprehur qëndrimet e partisë së saj rreth zhvillimeve aktuale politike në vend. Ajo thotë se Nisma Socialdemokrate, e sheh si të rrezikshme hapjen e temës së kufijve dhe mendon se ky veprim mund të përcillet me tragjedi të mëdha.

Sipas saj,  Fatmir Limaj, është personi i duhur dhe në kohën e duhur që të jetë si kryesues i ekipit negociator në bisedime me Serbinë.

Si deputetja e vetme femër në grupin parlamentar NISMA, Balaj-Halimaj beson se herën e ardhshme do të arrijnë të kyçen më shumë deputete nga kjo parti. Ajo shpreson se roli i gruas në vendimmarrje politike do të fuqizohet vazhdimisht.

“Bota sot”: Cili është qëndrimi i qartë i NISMA-së për çështjen e korrigjimit të kufijve?

Albulena Balaj-Halimaj: Kufijtë në Ballkan janë rezultat i luftërave të shumta që nga periudha e perandorisë Osmane, lufta e parë dhe lufta e dytë botërore deri te luftërat e përgjakshme të procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Territoret në të cilat kanë jetuar shqiptarët vazhdimisht janë tkurrur gjatë historisë. Pushtimi i tyre nga vendet fqinje është shoqëruar me ushtrim të gjenocidit. Shqiptarët kanë shumë arsye të mos pajtohen me këta kufij. Mirëpo, ne jemi të vetëdijshëm se hapja e temës së kufijve rrezikon të përcillet me tragjedi të mëdha. Koha e ndryshmit të kufijve ka kaluar, prandaj zgjidhja e të gjitha kontesteve në Ballkan duhet të jetë evropiane, që do të thotë Serbia duhet të njoh pavarësinë e Kosovës, sepse hapja e çështjes së kufijve pa e njohur së pari Serbia Kosovën, e hapë edhe njëherë çështjen e zgjidhur të Kosovës!

“Bota sot”: A mendoni se Fatmir Limaj do t’ia dalë nëse votohet në parlament si kryesues i ekipit negociator në bisedime me Serbinë?

Albulena Balaj-Halimaj: Duke parë situatë, unë besoj shumë që kryetari i Nismës Fatmir Limaj është personi i duhur në kohën e duhur në vendin e duhur. Partia jonë beson shumë në kryetarin Limaj dhe mendoj se dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i duhet një politikan si Fatmir Limaj, që qytetarët e Kosovës të ndihen të sigurt karshi marrëveshjeve me shtetin serb.

“Bota sot”: A janë qëndrimet e të gjithë deputetëve të NISMA-së të njëjta, karshi zhvillimeve aktuale politike në Kosovë?

Albulena Balaj-Halimaj: Deputetët e NISMËS mund të kenë mendime personale për çështje të ndryshme në procesin e brendshëm të formësimit të politikave, por nga momenti kur merret vendimi të gjithë deputetët mbështesin vendimet e marra nga kryesia e partisë!

“Bota sot”: A është NISMA e gatshme për zgjedhje të reja?

Albulena Balaj-Halimaj: Çdo parti politike, edhe NISMA është e gatshme për zgjedhje. Këtu nuk ka asnjë dyshim. Ne vazhdimisht punojmë me strukturat tona në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa dua të theksoj se NISMA ka rritje të vazhdueshme.

“Bota sot”: Ju jeni deputetja e vetme femër në grupin parlamentar NISMA. Si ndiheni për këtë? Sa po punon NISMA që herën e ardhshme të ketë më shumë deputete në Kuvendin e Kosovës?

Albulena Balaj-Halimaj: Fakti që jam e vetmja femër deputete në grupin parlamentar NISMA, ka të bëjë me faktin që ishim në koalicion me dy parti dhe pragu ishte i lartë. Kështu që besoj që në të ardhmen NISMA do të ketë më shumë se një deputete femër, sepse në zgjedhjet e ardhshme NISMA do të ketë së paku 10 mandate. Ne po punojmë vazhdimisht me sinqeritet dhe punë të palodhur për këtë.

“Bota sot”: Partia juaj edhe pse është në qeveri, njihet si kritike e fortë ndaj krerëve të shtetit. Si e komentoni ju punën një vjeçare të Haradinajt si kryeministër?

Albulena Balaj-Halimaj: Të qenurit pjesë e koalicionit nuk të bën të bindesh për çdo gjë. Debati brenda partnerëve të koalicionit është i domosdoshëm. Në momentin kur partnerët lodhen nga debati atëherë është koha për t’i dhënë fund bashkëpunimit mes tyre! Prandaj mendoj se debati është parakusht për marrjen e vendimeve të duhura!

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj dhe i partisë rreth skandalit me lista të veteranëve?

Albulena Balaj-Halimaj: Tani çështja është në duar të sistemit të drejtësisë dhe kontributi i vetëm që mund ta japin tani politikanët është të mos ndërhyjnë fare. Kjo vlen edhe për mua!

“Bota sot”: Sa mendoni se respektohet zëri i gruas në vendimmarrjet politike dhe shoqërore?

Albulena Balaj-Halimaj: Roli i gruas në vendimmarrjet politike dhe shoqërore respektohet jo mjaftueshëm por nuk mund të them që nuk respektohet fare, sepse edhe në të kaluarën kemi pasur raste që femrat kanë bërë diferencën në politikë. Tash brenda institucioneve tona ka shumë gra të zonja . Besoj shumë që me kalimin e kohës gjithnjë e më shumë do të fuqizohet roli gruas në jetën publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat