Meta: marrëveshja e detit me Greqinë duhet të ratifikohet në parlament kur Shqipëria të ketë Gjykatë Kushtetuese

Intervista

Meta: marrëveshja e detit me Greqinë duhet të ratifikohet në parlament kur Shqipëria të ketë Gjykatë Kushtetuese

Më: 3 tetor 2018 Në ora: 21:35
Ilir Meta

Zëri i Amerikës: Zoti President, para se të ndalemi te problemet e sigurisë në Ballkan, dua t’ju pyes për një zhvillim të këtyre ditëve të fundit në Shqipëri që ka të bëjë me dhunën në familje, një fenomen i përhapur në vendin tuaj. Rasti ka të bëjë me Xhisiela Malokun, vajzë e re dhe djalin e një deputeti, i cili akuzohet për dhunë ndaj saj. Por, duket që ky rast në Shqipëri në vend që të shërbejë për të tërhequr vëmendjen për këtë fenomen si dhe për t’i nxitur autoritetet që të marrin masa që këto gjëra të ndodhin sa më pak dhe të ndalohen, duket se ka marrë një këndvështrim disi tjetër. Cili është komenti juaj për këtë rast?

Presidenti Meta: Së pari ky është një problem mjaft serioz për shoqërinë tonë dhe kjo është një plagë edhe e thellë, edhe e gjerë shoqërore, pavarësisht se sa del në sipërfaqe dhe bëhet pjesë e debatit. Kështu që duhet të theksoj se unë personalisht, edhe në pozitën e Presidentit, jam shprehur qartë në këtë çështje dhe e kam bërë të qartë që përsa kohë do të jem në këtë pozitë, nuk do të favorizoj dhe nuk do të konfirmoj asnjë amnisti apo falje për çdo person që ushtron dhunë në familje. Besoj se edhe Parlamenti dhe qeveria mbajnë të njëjtin angazhim, që të dekurajojnë cilindo që mendon që mund të përfitojë në të ardhmen, pavarësisht nga dhuna e nga krimi që kryen.

Për rastin konkret, është një çështje për të cilën në fakt unë kam marrë një letër, e cila i drejtohej edhe Kryeministrit, Ministrit të Brendshëm dhe Prokurores së Përgjithshme në mos gabohem, përpara se të nisesha për në Shtetet e Bashkuara, nga oficeri Nuhu. Nuk kam besuar se mund të ndodhin ato çështje, por me çështjen në fjalë është marrë dhe po e ndjek ekipi im me në krye këshilltarin për sigurinë kombëtare, zoti Bahri Shaqiri, kështu që do të më duhet, për të mbajtur një qëndrim më qartë, do të më duhet të kem një informacion edhe më të plotë, edhe më të besueshëm.

Siç e thatë edhe ju, është për fat të keq, që ka një polarizim në këtë çështje, kur mendoj se duhet të ketë një bashkim të të gjithëve për të adresuar një fenomen që kërcënon shoqërinë tonë, që kërcënon familjen tonë, pa i dalë askujt në mbrojtje, aq më tepër kur bëhet fjalë për persona, të cilët kanë lidhje politike, por njëkohësisht edhe pa e tepruar me akuza politike, duke patur në konsideratë që është një çështje që krijon ndjeshmëri.

Ajo që unë do të nënvizoja, përveç rëndësisë që prokuroria dhe drejtuesit e policisë duhet të ndërmarrin të gjitha hapat dhe të sqarojnë të gjitha momentet e kësaj odiseje, sepse mendoj që është një odise e tërë, në mënyrën më të paanshme për të vendosur një besim të publikut te institucionet e zbatimit të ligjit, – mendoj që është shumë e rëndësishme shoqëria civile, pra të gjitha ato organizata dhe institucione, të cilat janë edhe të specializuara, janë marrë me çështjen e dhunës ndaj grave dhe çështjen e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, – të jenë të bashkuara për të ndriçuar këtë çështje në interes të së vërtetës dhe të askujt tjetër, sepse përndryshe do të kemi edhe shumë raste të tjera në të ardhmen, të cilat padyshim që do të dëshmonin që jemi një vend, i cili mbetet ende larg funksionimit të ligjit dhe besimit tek institucionet.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, në fjalën tuaj në OKB, por edhe dje këtu në Uashington, ju u shprehët kundër idesë së ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Çështja e ndryshimit të kufijve është një element i ri që ka dalë tashmë midis dy vendeve. Uashingtoni është shprehur se do të mbajë një qëndrim pritës për t’ua lënë palëve për të parë se çfarë mund të bien dakord. Komisioni Europian nuk e ka hedhur poshtë, nuk e ka kundërshtuar këtë ide. Në Kosovë kundërshtimet kanë qenë të mëdha dhe Presidenti Thaçi duket sikur kohët e fundit nuk është më aq entuziast sa ç’ka qenë në fillim për këtë teori. A mendoni se kjo ide po vdes ende pa u qartësuar se çfarë përmbante ajo?

Presidenti Meta: Besoj se ka pasur një debat të gjerë dhe natyrisht edhe intepretime apo spekulime nga më të ndryshmet. Ndaj kam thënë që në rastin më të mirë kjo është humbje kohe, kjo tema e ndryshimit të kufijve. Në rastin më të keq na rrezikon që të rihapim “Kutinë e Pandorës” në Ballkan.

Përsa i takon Presidentit Thaçi, mendoj se Presidenti Thaçi asnjëherë nuk ka folur për ndryshim kufijsh apo për shkëmbim territoresh. Ai ka përdorur një term të veçantë, “korrigjim”, duke pretenduar apo duke mirëkuptuar një aspiratë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për t’u bashkuar me Kosovën. Dhe natyrisht që pas kësaj ka patur një riaktivizm të atyre që realisht janë më të interesuar për ndryshimin e kufijve në Ballkan apo për të folur për territore, kur në fakt nuk duhet të harrojmë të gjithë përse u nis dialogu midis Serbisë dhe Kosovës dhe kur nisi ky dialog.

Ky dialog nisi pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në përgjigje të pretendimit të Serbisë për t’u shprehur për paligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, u shpreh pikërisht që kjo pavarësi ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Pra pavarësia nga ana politike ishte legjitime, sepse ishte një pavarësi e imponuar nga genocidi që ndodhi. Dhe ishte pastaj Paketa Ahtisaari ajo që çeli rrugën e pavarësisë në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar. Dhe së dyti, Kosova shumë shpejt u bë një realitet i njohur nga të gjithë, nga shumica e vendeve të OKB-së, nga të gjitha vendet fqinje, përveç Serbisë, dhe ndërkohë Serbia dëshironte të ecte përpara në procesin e integrimit europian për të hapur kapitujt e saj.

Kështu që në mënyrë të natyrshme u çel dialogu me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian për t’i dhënë zgjidhje problemeve të Serbisë me fqinjët, pra problemit me Kosovën, por njëkohësisht edhe për të normalizuar marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve. Çdo përpjekje tani për të dalë në tema të tjera më duket se është humbje kohe dhe është e rrezikshme. Nuk mendoj se duhet të spekulojmë dhe me qëndrimin amerikan, pra me idenë se ka ndryshuar qëndrimi amerikan. Qëndrimi amerikan, europian dhe i kujdo tjetër, sepse nëse dikush thotë që duam të gjejmë një zgjidhje të qëndrueshme, e cila nuk cënon stabilitetin, që garanton zbatueshmërinë, etj., do të ishte “OK”, shumë mirë dhe kjo do të ishte shumë normale. Por, në qoftë se ecet në një temë të tillë, të ndryshimit të kufijve, ne e dimë se kjo hap shumë çështje dhe hap shumë pasigurira, sepse kufijtë në kompjuter mund t’i bësh për dy minuta, por për t’i zbatuar në realitet, ne e dimë se çfarë ndodh.

Vetëm një gjë dua të them: Në Ballkan, dy vende, të cilat nuk kanë problem territoresh, por kanë problem demarkacioni le të themi, siç është Sllovenia dhe Kroacia, që janë edhe anëtare të BE-së, dhe ende, apo jo, dhe ka edhe vendim gjykate, ende nuk është një çështje e përfunduar. Dy vendeve do të thosha, shumë më të emancipuara dhe në një raport shumë më të afërt.

Kemi rastin e Malit të Zi me Kosovën. U miratua nga qeveria e mëparshme e Kosovës marrëveshja, edhe pse ishte me shumicën më të madhe në parlament që kishte dy të tretat, nuk e kaloi dot për tre vite. Përse? Për disa pyje ku nuk banon askush dhe kur dihet që marrëdhëniet e Malit të Zi me Kosovën janë të shkëlqyera, janë shumë të mira.

Zëri i Amerikës: Kjo e sotmja është shumë më e komplikuar. Dua të ndalem në një çështje tjetër në Ballkan që është po kaq e mprehtë dhe që u konsiderua si një sukses i mundshëm që politikat perëndimore mund ta arrinin në Ballkan. E kam fjalën për çështjen e ndryshimit të emrit të Maqedonisë. Pas kaq vitesh u arrit marrëveshja me Greqinë. Referendumi u zhvillua. Nuk u arrit shumica e duhur që ai të quhej e të konsiderohej si i suksesshëm. Në mendimin tuaj, a ishte ky një dështim, në një farë mënyre edhe i Perëndimit dhe çfarë mësimi mund të nxirret nga ky rast? Pati një investim të madh nga Perëndimi në suksesin e referendumit në Maqedoni.

Presidenti Meta: Unë besoj sePperëndimi bëri maksimumin për kohën në dispozicion, sepse nuk duhet të harrojmë që ka çështje të tjera edhe më të mëdha. Madje u tregua edhe një unitet shumë i fortë i lidhjes trans-atlantike, SHBA-BE, si rrallëherë për çështje të tjera - për çështjen e Maqedonisë - dhe mund të them se rezultati është i suksesshëm relativisht.

Është kuptohet, nga ana ligjore është jo shumë i vlefshëm, sepse nuk u kalua pjesëmarrja prej 50%, por të gjithë e dimë, edhe opozita e Maqedonisë besoj se di shumë mirë, që ato janë lista fiktive, pra të bëra shumë kohë më parë, jo të përditësuara.

Ndërkohë, ajo që unë mendoj dhe që e shoh si rrezikun më të madh për momentin, është që kjo situatë të shfrytëzohet politikisht nga të dy palët. Pra, njëra palë ndoshta të mos bëjë përpjekjet e duhura për një pakt të gjerë me opozitën kryesore për ta zgjidhur këtë çështje tani dhe jo më vonë. Sepse më vonë nuk i dihet, nuk ka më datë, por ta shfrytëzojë si të thuash për të shkuar në zgjedhje me shpresën që do të ketë një mazhorancë më të madhe dhe pala tjetër njëkohësisht duhet ta kuptojë që kjo është një çështje që duhet të marrë zgjidhje. Sepse VMRO-ja ishte në pushtet për gati 10 vite, nuk arriti dot t’i jepte zgjidhje kësaj çështjeje. Duke mos i dhënë zgjidhje kësaj, nuk arriti dot të fuste Maqedoninë në NATO, që duhet të hynte në të njëjtën kohë me Shqipërinë dhe me Kroacinë.

Procesi i integrimit europian është bllokuar dhe unë jam i bindur që edhe në VMRO-DPMNE janë shumë politikanë, të cilët dëshirojnë që Maqedonia të jetë në NATO, dëshirojnë që Maqedonia të ecë përpara në drejtim të integrimit europian dhe është momenti që të dy palët të mos e kthejnë këtë në një luftë për interesa të ngushta politike, por të gjejnë, të realizojnë, një pakt kombëtar që e mbyll këtë çështje një herë e përgjithmonë. Mendoj që edhe perëndimi këtu duhet t’i investojë energjitë në ditët e ardhshme për të realizuar një pakt të tillë.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta në çfarë momenti, në çfarë pike është dialogu me Greqinë për marrëveshjen e detit? Javën e kaluar, Ministri i Jashtëm grek deklaroi se negociatat kanë ngecur për shkak, sipas tij, të mosmarrëveshjeve mes jush dhe qeverisë shqiptare, duke lënë të kuptohet se mes palëve është gjetur një lloj gjuhe e përbashkët, porse jeni ju që po kundërshtoni një marrëveshje të arritur mes palëve.

Presidenti Meta: Unë marrëdhëniet me fqinjët i kam shumë përzemër. Të tilla i kam pasur gjithmonë dhe nuk më pëlqen të hyj në polemika. Por, në respekt të pyetjes suaj dhe të rëndësisë së çështjes, sepse është çështje shumë e rëndësishme dhe ka gati më shumë se 10 vite që nuk është zgjidhur ende dhe për të cilën ka një vendim të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, dua të them që unë kam bërë përpjekjet e mia maksimale në mënyrën më konstruktive për t’i kontribuar zgjidhjes së drejtë të kësaj çështjeje dhe jo ndërlikimit të mëtejshëm të saj. Sepse kjo është një çështje delikate tek ne, por është një çështje delikate edhe në Greqi, kështu që kam bërë gjithçka. Me kryeministrin Rama kemi patur një dakordim të plotë. Kemi pasur disa mosmarrëveshje me Ministrin Bushati për këtë çështje. Dhe ia kam bërë të qartë kryeministrit që ai, në rast se ai është i bindur se është tërësisht e mundur për t’u finalizuar një marrëveshje e tillë, ai do ta ketë autorizimin nga ana ime, si kryeministër, por edhe si shef i mazhorancës, sepse është një marrëveshje që duhet të kalojë në parlament. Por, natyrisht ia kam bërë të qartë dhe më duhet ta them edhe këtu, se është shumë e rëndësishme që një marrëveshje e tillë duhet të ratifikohet në parlament në një moment kur Shqipëria të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Përndryshe, kjo nuk do t’i shërbente mbarëvajtjes dhe përmbylljes përfundimtare të kësaj çështjeje në interes të dy vendeve.

Zëri i Amerikës: Zoti President, Shqipëria po kalon dy vitet e fundit një proces të thellë të reformimit të sistemit të drejtësisë, i ashtuquajtur procesi i Vetting-ut. Ish-ambasadori amerikan, Donald Lu, ka qenë motori kryesor le të themi i këtij procesi. Në intervistën e tij të fundit para se të largohej nga Shqipëria, muajin e kaluar, ai tha mes të tjerash se “politikanët shqiptarë kanë qenë të frikësuar nga reforma në drejtësi në 2016-n dhe janë ende të frikësuar edhe sot”. Si i përgjigjeni ju këtij konstatimi të tij, që tingëllon si një akuzë tepër e rëndë për klasën politike shqiptare? A ka të drejtë ish-ambasadori Lu?

Presidenti Meta: Unë mendoj se, pa dashur për t’iu referuar ambasadorit, sepse nuk është hera e parë që ambasadori e ka dhënë këtë konsideratë, mendoj që mund të ishte bërë shumë më tepër edhe nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe të Bashkimit Europian, për të përshpejtuar zbatimin e reformës në drejtësi dhe njëkohësisht në frymën e ndryshimeve kushtetuese, në mënyrë që reforma dhe zbatimi i saj të mos ishte objekt i polarizimit, i cili për fat të keq edhe ka sjellë një dëmtim të këtij procesi le të themi, apo qoftë edhe një zvarritje të tijën. Sepse u bënë më shumë se dy vite nga votimi konsensual në Kuvend dhe ne ende nuk i kemi institucionet kryesore të drejtësisë të ngritura dhe jemi edhe pa Gjykatë Kushtetuese.

Zëri i Amerikës: Kryeinspektoriati i deklarimit të pasurive tha se vendi rrezikon të mbetet pa Gjykatë Apeli vitin e ardhshëm. A po mendon dikush me çfarë do të zëvendësohen këta njerëz që po “digjen” nga procesi i Vetting-ut?

Presidenti Meta: I kam bërë të gjitha përpjekjet e mia maksimale, edhe në detyrën e mëparshme të Kryetarit të Kuvendit, edhe në detyrën e Presidentit, për t’i dhënë një zgjidhje disa problemeve serioze në zbatimin e reformës në drejtësi. Që nga KED-ja, mënyra e hedhjes së shortit dhe krijimi i këtij institucioni që është kyç për gjykatat, për inspektorin e përgjithshëm të drejtësisë etj., dhe do t’i bëj të gjitha përpjekjet e mia edhe në të ardhmen për aq sa janë mundësitë e mia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat