Veteranët me pensione, ua kanë zënë vendet e punës të varfërve

Intervista

Veteranët me pensione, ua kanë zënë vendet e punës të varfërve

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 4 tetor 2018 Në ora: 22:21
Jusuf Azemi

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, thotë se gjendja e punëtorëve në sektorin privat vetëm se po përkeqësohet edhe më shumë. Azemi në një intervistë të dhënë për gazetën “Bota sot”, thotë se qeveria aktuale shpresat e punëtorëve i ka kthyer në ikjen sa më të shpejt nga Kosova.

Ai gjithashtu thotë se kushtet për punëtorët sot për sot janë të mjerueshme dhe në thelb nuk kanë parë ndonjë përmirësim lidhur me ketë situatë të krijuar ndër vite.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë në ketë intervistë ka folur edhe për numrin e të vdekurve në vendin e punës, për sigurinë e punëtorëve në punë, si dhe për veteranët e rrejshëm, për të cilën çështje thotë se kanë paralajmëruar më kohë.

Bota sot”: Cila është gjendja e sektorit privat, a ka ndryshime me Qeverinë Haradinaj?

Jusuf Azemi: Gjendja e punëtorëve në sektorin privat vetëm sa po vije te përkeqësimi i saj, pasi që shteti pronarëve të kompanive ju ka dhënë hapësirë të pakufizuar për keqtrajtimin e punëtorëve, pra ky keqtrajtim po bëhet me bekimin e shtetit.

Bota sot”: Qeveria Haradinaj i ka bërë një vit të qeverisjes, keni vërejtur ndonjë element pozitivë gjatë kësaj periudhe se është punuar për sektorin privat?

Jusuf Azemi: Qeveria Haradinaj për një vit ka bërë që paga minimale e përcaktuar nga Këshilli Ekonomik-Social nga 170 në 250 euro, nuk po e lenë të rritet, duke diskriminuar skajshmërisht punëtorët e kësaj kategorie, pra me dorën e vet dhe të qeverisë sonë shpresat e këtyre punëtorëve i ka kthyer në ikjen sa më të shpejt nga Kosova. Meqë këtu nuk jetohet me 120 euro e 130 euro pagë, edhe sot nuk e dimë pse gjithë ky diskriminim. Nuk ka qeveritar që mund të dalë dhe të deklarohet se bëmë më të voglin përmirësim për këtë pjesë të punëtorëve të sektorit privat.

Bota sot”: Nëse gjendja e tyre vazhdon të jetë e njëjtë, në çfarë formash do t’i shprehni pakënaqësitë e juaja?

Jusuf Azemi: Pakënaqësitë tona po i shprehim për çdo ditë në çdo kompani që punëtorët po kërkojnë ndihmën tonë, pra për çdo moment ne po luftojmë të keqën që po përballen në ketë sektor. Të gjitha padrejtësitë pos që po bëjmë greva e protesta, pothuajse të përditshme po bëjmë presion edhe te institucionet shtetërore që kjo gjendje të përmirësohet, por fatkeqësisht gati gjithherë janë në anën e kundërt të punëtorëve me çka ne si partner po jemi të hendikepuar.

Bota sot”: Me cilat probleme po përballen punëtorët e sektorit privat?

Jusuf Azemi: Punëtorët e sektorit privat në rend të parë po përballen me varfrin sociale, atyre po ju mungon ABC e zbatimit të ligjit të punës dhe ligjeve tjera që kanë të bëjnë me punëtorin. Fakti se këta punëtorë në shumicën e rasteve janë pa kontrata pune, pa siguri në punë, pa kryerjen e kontributeve që ju takojnë punëtorëve, pa respektin më të vogël si punëtorë dhe si njeri, pa një pagë të dinjitetshme, pa pushim vjetor, pushim mjekësorë, pa një siguri se nesër a do të jetë në punë a jo. Me rrezikshmëri në punë se shkon atje dhe nuk dihet a kthehesh i gjallë a jo, janë këto disa elemente që ky sektor u ngulfat dhe jo rastësisht kam thënë në shumë rast, se konsiderohemi si skllevër.

Bota sot”: Punëtorët e ndërtimtarisë në Kosovë janë në masë të madhe që punojnë pa kontrata. Sipas jush, cila është zgjidhja e këtij problemi?

Jusuf Azemi: Punëtorët ne sektorin privat më shumë se 60 për qind nuk kanë kontrata pune, zgjidhja është, por ajo nuk respektohet nevojitet zbatimi i ligjit dhe ligjeve përcjellëse.

Bota sot”: Sa është numri i atyre që kanë humbur jetën në vendin e punës gjatë këtij vit, dhe cili është komenti juaj lidhur me këto raste?

Jusuf Azemi: Këtë vit fatkeqësisht kemi humbjen e 17 punëtorëve në vendin e tyre të punës, dhe për ketë fajtor është faktori njeri.

Bota sot”: A është rritur siguria e punëtorëve në punë?

Jusuf Azemi: Fakti se çdo vit po vjen duke u rrit numri i punëtorëve të vdekur në vendet e tyre të punës të bënë me dije se siguria në punë është nën nivelin e duhur.

Bota sot”: Për fund, si e shihni problemin me listat e veteranëve, ku dihet tashmë se rreth 20 mijë veteranë të rrejshëm kanë marrë paga në emër të luftës?

Jusuf Azemi: Me kohë kemi reaguar se edhe veteranët e kanë përkeqësuar gjendjen e këtyre punëtorëve të sektorit privat, sepse ka pasur veteran që ka marrë pensionin e veteranit dhe njëherit ka zënë edhe vendin e punës një të varfëri që nuk ka pas as pension as vend pune, dhe pra dikush ka shfrytëzuar të gjitha mundësit e mundshme, kurse një kategori ka mbet nën mëshirën e askujt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat