“Shqipëria po plaket me shpejtësi”

Intervista

“Shqipëria po plaket me shpejtësi”

Fran Gjoka Nga Fran Gjoka Më 7 tetor 2018 Në ora: 16:36
Gëzim Tushi

Zoti Tushi, sipas të dhënave të INSTAT Shqipëria po plaket me shpejtësi. Vetëm në vitin 2017 janë ulur lindjet me 70%.Sipas jush, përse kemi arritur deri këtu?

Po është e vërtetë. Struktura demografike e popullsisë shqiptare po ndryshon me shpejtësi. Për pasojë duket se fenomeni i plakjes së popullsisë bashkë me kompleksitetin social dhe pasojat demografike evidente është një fenomen që tashmë ka prekur thellë edhe shoqërinë tonë. Ka filluar të shfaqet si një problemdemografik e social e kombëtar. Por në të njëjtën kohë është një fenomen global dhe pasojë e drejtpërdrejtë e orientimit postmodern të shoqërisë shqiptare, e cila ka bërë që vendi ynë i cili tri dekada më parë ka qenë vendi me lindshmërinë më të lartë në Evropë, e që tani nuk është as në top listën e dhjetë vendeve të para me lindshmëri të lartë.

Le të sjellim ndonjë fakt mbushamendës për këtë realitet të rrënimit të natalitetit. Në se në vitin 1960 në Shqipëri kishte gati 7 fëmijë për grua, në 2012 kishim 1.72 fëmijë për grua dhe sot kemi mbërritur në shifrën 1.5. Në këtë situatë kanë ndikimin e tyre shumë faktorë, ndër të cilët duhen përmendur disa.

Së pari, është fakt që tek ka një rritje të dukshme të jetëgjatësisë së moshës dhe për pasojë edhe zgjerim të peshës demografike të njerëzve të moshuar.

Së dyti, ndërkaq modernizimi i familjes shqiptare, kalimi nga familja tradicionale me shumë fëmijë në familjen postmoderne me 1 deri në 2 fëmijë, tregon për një ulje drastike të lindshmërisë.

Së treti, vendi ynë është përfshirë nga dy valë të mëdha emigracioni, që ka sjellë largimin e njerëzve të rinj dhe në moshë pune.

Mbështetja e komunitetit LGBTI me martesat gay dhe lesbo a janë indikatorë në uljen e lindshmërisë?

Hë për hë kjo çështje akoma nuk ka lidhje me orientimin seksual të komunitetit LGBTI, nga që akoma tek ne nuk është legalizuar e drejta e martesës së personave me orientim të tillë seksual. Edhe sikur kjo të ndodhë, pra të legalizohen martesat homoseksuale, nuk besoj se do ketë ndikim në peshën demografike të plakjes së popullsisë.

Me syrin e sociologut, çfarë ekuilibrash social janë prishur dhe a ka shteti përgjegjësi në krijimin e kushteve për të favorizuar shtimin e popullsisë?

Padyshim që diçka duhet bërë. Me strategji, politika, legjislacion dhe institucione që favorizojnë dhe motivojë shtimin e popullsisë dhe dobësimin e fenomenit të plakjes së saj. Politikat favorizuese për shtimin e lindjeve duhet të jenë më të qarta, më afatgjata dhe me impakte konkrete. Rasti i fundit i përcaktimit taksativ të pagesave për fëmijën e parë, të dytë, të tretë, etj është një masë pozitive.

Por me shumë rëndësi është zgjerimi i politikave dhe masave konkrete për zgjerimin e tregut të punës dhe punësimit si mënyrë efikase për të demtotivuar emigracionin e të rinjve, i cili kohët e fundit është bërë tejet shqetësues. Ky lloj “emigracioni i vonuar” i ditëve tona duhet parë në esencën e shkaqeve të veta dhe duhet vlerësuar thelbësisht për pasojat e dukshme në plakjen e popullsisë. Sidoqoftë në se ecet me këto trende, do të prishet struktura moshore e popullsisë në raport me punën.

Ka prognoza që thonë se ka shumë mundësi që në vitin 2022 numri i moshës së të rinjve që hyjnë në punë, do të jetë më i vogël se i atyre që dalin në pension?

Padyshim që kjo rënie e popullsisë dhe sidomos plakja e saj ka pasoja të caktuara social ekonomike por edhe kombëtare. Padyshim në se procesi i plakjes do të vazhdojë të thellohet dhe do prishen më tej raportet e njerëzve në moshë pune me ata në moshë pensioni, në se numri i fëmijëve do vazhdojë të ulët (sot nga 1 milion fëmijë shkollorë në 1990, sot janë afërsisht 500 mijë), kjo do të sjellë në mënyra fare të natyrshme ngadalësimin e rritjes ekonomike.

Shtimi popullsisë së plakur doemos që kërkon më shumë shpenzime dhe investime për kujdesin shëndetësor, sepse dihet që mosha e pleqërisë është moshë e shtimit të sëmundjeve dhe nevojave për kurimin dhe parandalimin e tyre. Kjo do të thotë se duhet menduar më shumë për produkte e nevoja e shërbime të veçanta, duke shtuar më shumë spitale, shtëpi mjekësore e personel ndihmës. Sepse të moshuarit dihet që konsumojnë më shumë ilaçe dhe kanë nevoja specifike që janë një presion evident për shtimin e gamës së investimeve mjekësore.

Si konkluzion, prishja e ekuilibrave midis atyre që janë të punësuar dhe atyre që janë në pension doemos që vë në vështirësi edhe skemën e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve të pleqërisë.

Cilat do të ishin disa nga rrugët për parandalimin e këtij fenomeni në Shqipëri?

Duhen politika aktive që nxitin natalitetin. Në të njëjtën kohë e shoqëruar me masa e politika që ndikojnë në përmirësimin e nivelit të jetesës dhe që të mund të dekurajojnë pesimizmin social që favorizon emigracionin. Doemos ka qenë shumë pozitiv masa e fundit për mbështetje financiare për ato familje që sjellin në jetë fëmijë.

Duhet patur parasysh ndikimi dhe kundërefektet që janë të pranishëm në realitetin tonë dhe që favorizojnë plakjen e popullsisë. Doemos që rritja e nivelit kulturor është një arsye që njerëzit shikojnë më shumë rehatinë dhe qejfin personal dhe kjo pakëson dëshirën për të patur më shumë fëmijë. Njerëzit më shumë se kërkesa për të patur shumë fëmijë kanë dëshirë për më shumë cilësi të jetës personale.

Ndërkaq ka një ulje të numrit të martesave dhe shtimit të monofamiljeve. Zgjerimi i mundësive të planifikimit familjar dhe shmangia e shtatzënive të padëshirueshme është një tjetër faktor që ndikon në kurbën zbritëse të popullsisë. Ekzistenca e lirisë së abortit dhe sidomos mundësia e abortit selektiv apo e heqjes së fëmijës për shkak të identitetit seksual si dhe shtimi i përmasave të divorcit në shoqërinë tonë janë faktorë që ndikojnë në këtë proces social dhe demografik regresiv.

Sipas medies,deri në vitin 2030,Shqipëria do të jetë një popullsi nën një milionë banorë. Sipas jush,çfarë i kanoset Shqipërisë në sigurinë kombëtare apo parashikoni një faqe tjetër historie globaliste me Shqipërinë?

Nuk është çështje kanosjeje nga rreziqe që vijnë nga jashtë, më shumë është problem i sigurimit të kushteve dhe parametrave të zhvillimit të ekuilibruar kombëtar dhe socio-ekonomik. Nuk besoj se parashikimet ogurzeza demografike do mund të vërtetohen. Me siguri që po të ketë më shumë masa efektive sociale dhe reforma adekuate, situate mund të ndryshojë. Ne jemi një popull që e kemi në gen vitalitetin demografik. Situata është kalimtare. Sigurisht është e pamundur të kërkojmë parametrat e natalitetit të shoqërisë tradicionale dhe familjes me një numër shumë të madh fëmijësh.

A mendoni ju se po bëhet një politikë e qëllimshme për të “sunduar” lehtësisht mbi shqiptarët dhe për t’i administruar pasuritë kombëtare një grup oligarkësh?

Vendi nuk është i oligarkëve apo i qëllimeve të tyre me logjikë të thatë ekonomike merkantiliste. Vendi ynë është i gjithë shqiptarëve që duan të jetojnë këtu dhe po këtu të ndërtojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe vazhdimësinë e jetës.

Mesazhi juaj për shqiptarët dhe për politikën shqiptare.

Problemi i lindshmërisë dhe numri i fëmijëve për familje është një problem i jetës private dhe një dëshirë e personalizuar e çiftit. Duke qenë se problemi është social dhe demografik, përtej kornizës së ngushtë biologjike, është e udhës që me politika e masa mbështetëse e favorizuese shtetërore, me krijimin më shumë të kushteve për të lindur, rritur, edukuar dhe sistemuar në jetë sa më shumë fëmijë të mund të ndikohet në zbutjen e kësaj plage me pasoja ekonomike, sociale dhe pse jo edhe kombëtare.

Një orientim biofilm i politikës shqiptare, vendosja në qendër të përkujdesit të familjes dhe kushteve të saj për të lindur dhe rritur fëmijë në kushte më të mirë, me përmirësimin e kushteve dhe rrjetit të institucioneve të kujdesit dhe mirë rritjes së fëmijëve si çerdhe, kopshte, shkolla, institucione spitalore pediatrike, etj me siguri që do të ndikonte në ndryshimin e situatës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat