Haradinajn po e fundosë lakmia për pushtet, LDK duhet t’i prijë ndryshimit të shumëpritur

Intervista

Haradinajn po e fundosë lakmia për pushtet, LDK duhet t’i prijë ndryshimit të shumëpritur

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 10 tetor 2018 Në ora: 07:59
Haxhi Avdyli

Kosova nuk ka qenë asnjëherë më keq që nga shpallja e pavarësisë dhe një koalicion parazgjedhor me partitë jo të korruptuara dhe pa të kaluar të dëmshme, do të ishte shpëtimi për vendin. Kështu ka deklaruar deputeti nga radhët e LDK-së, Haxhi Avdyli, në një intervistë për gazetën “Bota sot”. Ai ka thënë se, zgjedhjet janë zhbllokimi i situatës. Duke komentuar idenë e presidentit për korrigjim të kufijve, Avdyli ka thënë se është shndërruar në rrezik për vendin, duke mbrojtur interesat e Serbisë dhe për këtë duhet ndalur atë të gjitha partitë bashkë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend?

Haxhi Avdyli: Që pas pavarësisë gjendja aktuale në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë më keq. Jo pse Kosova ka rrezik të jashtëm, por është e rrezikuar brenda nga një klasë politike e papërgjegjshme sepse nga formimi i kësaj qeverie deri më sot s’ka ditë që nuk plasin skandalet. Keqpërdorime të parasë publike, punësime pa kriter, vendime të jashtëligjshme, rrezikim i aleancave strategjike me miqtë tanë, papunësi e ikje e rinisë nga humbje e shpresës, përzierje e kompetencave në mes shumë kryeministrave e deri te pazarit me integritetin e vendin janë disa nga të bëmat e tyre.

“Bota sot”: Sa është e nevojshme sipas jush që vendi të shkojë tani në zgjedhje të parakohshme? A mendoni se zgjedhjet janë zgjidhje?

Haxhi Avdyli: Çdo qeveri e një shoqërie normale ku ka politikanë të ndërgjegjshëm e jo karrieristë të sëmurë, momentin që humb shumicën në Kuvend jep dorëheqje ose kërkon mocion në Kuvend ose kërkon aleanca të reja. Ramush Haradinaj po tregon se dashurinë për postin e ka më të madhe se për Kosovën. Ai po fundoset çdo ditë si autoritet nga lakmia e të qenit në pozitë edhe kur s’ka përkrahje as në Kuvend as në opinion, edhe atëherë kur Lista Srpska e shantazhon, edhe atëherë kur partnerët e koalicionit e kërcënojnë. Prandaj zgjedhjet janë mënyra e zhbllokimit të situatës dhe ruajtja e fytyrës së Ramushit.

“Bota sot”: Sa ka mundësi të ndodhë kjo, derisa kryeministri nuk dorëhiqet dhe ju ende si keni numrat për mocion për ta rrëzuar Qeverinë? A mendoni se së shpejti do të arrini t’i bëni edhe 3 votat që ju duhen për mocion?

Haxhi Avdyli: Ne edhe mund të mos i kemi 3 apo 4 numra për t’i rrëzuar por ne jemi opozitë dhe nuk udhëheqim me shtetin, por të udhëheqësh edhe kur mezi arrin 50 deri 52 vota në Kuvend, kjo tregon se këta pushtetarë po rrinë në pushtet pa mundur të avancojnë asgjë, sepse ne si opozitë s’do bëhemi servis i kësaj qeverie arrogante e të papërgjegjshme.

“Bota sot”: Si i komentoni përplasjet në mes të presidentit dhe kryeministrit për çështjen e korrigjimit të kufijve? A mendoni se tashmë ideja e presidentit për ndryshim kufijsh nuk do të jetësohet?

Haxhi Avdyli: Ideja e rrezikshme e Hashim Thaçit për shkëmbim apo falje të territoreve po pëson fiasko. Se çfarë zori ka ky president që katandis për tu bërë argat i agjendës së Vuçiqit nuk e di, por një po shihet se është shndërruar në rrezik të vendit. Ramush Haradinaj mund të ketë qindra gabime në qeverisjen e tij, por kur vjen puna të kjo çështje ka treguar që akoma te ai ka ndjenja të përgjegjshmërisë ndaj interesit të vendit të cilat Hashim Thaçit po i mungojnë. Hashim Thaçi po mbron me zell interesat e Serbisë dhe këtë duhet ndaluar të gjithë ne, pa marrë parasysh në cilat parti jemi.

“Bota sot”: Z.Avdyli, në protestën e 29 shtatorit të organizuar nga VV ishit pjesëmarrës. A do të merrni pjesë dhe në protesta tjera që do të thirren nga kjo parti dhe cili është efekti i këtyre protestave? Vizita e presidentit Thaçi në veri në ditën e protestës rastësi apo e qëllimshme sipas jush? A mendoni se arriti ta minimizojë protestën?

Haxhi Avdyli: Pjesëmarrja ime në marshin protestues për mbrojtjen e integritetit të vendit ishte vetëm qytetare, duke u solidarizuar me mijëra qytetarë të shqetësuar me aventurat e Thaçit. Aty unë me qytetarët votues e jo votues tanë ne dërguam një porosi se toka e Kosovës nuk falet. Në anën tjetër jam më se aktiv në Kuvend a jashtë saj, si dje sot e nesër, po punoj ngushtë bashkë me kolegët e mi të Grupit Parlamentar të LDK-së për të marrë vendimet më të mira për vendin në Parlamentin e Kosovës.

“Bota sot”: Si do bëhet ndryshimi dhe a ka ndonjë strategji se si do dukej qeveria e ardhshme?

Haxhi Avdyli: Në kohën e presidentit Rugova LDK arriti t’i ketë deri në 45 deputetë më shume se krejt PAN-i tash me 39 deputetë dhe meqenëse partitë serbe parapëlqenin atëherë PDK siç po bëjnë edhe tash, ishte e pamundur të krijohej Qeveri e vetme. E tani në këtë sistem që i kemi ai që del i pari edhe 20 deputetë e tjerët të gjithë t’i kanë nga 19, prapë i pari merr të gjitha funksionet qeveritare në Kuvend. Prandaj, për shpëtimin e këtij vendi unë haptas rekomandoj Koalicion parazgjedhor me parti jo të korruptuara dhe pa një të kaluar të dëmshme për vendin ku LDK si parti tani e parë do t’i printe ndryshimit të shumëpritur. Është koha e fillimit të ç’kapjes së shtetit nga kthetrat e njerëzve të nëntokës së SHIK-ut të rreshtuar tani në PDK. E kjo bëhet me ta në opozitë, ku partitë që s’janë paterica të PDK-së do formonin koalicion parazgjedhor që do dilte e para. E deklarata se ne do e bëjmë partinë tonë të parë, tregon që atyre s’iu intereson ndryshimi në këtë vend por kanë agjenda tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat