Hoxha: Përkrahja e Gjermanisë për liberalizimin e vizave e domosdoshme - Bota Sot
Hoxha: Përkrahja e Gjermanisë për liberalizimin e vizave e domosdoshme

Intervista

E shtunë, 17 nëntor 2018

Hoxha: Përkrahja e Gjermanisë për liberalizimin e vizave e domosdoshme

Më: 15 tetor 2018 Në ora: 19:30
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se vendimi final për liberalizimin e vizave në Këshillin e Ministrave të BE-së është sfidues për shkak të migrimit.

Ajo thotë se Kosova dhe institucionet e saj kanë përfunduar të gjitha obligimet që kanë pasur për procesin e liberalizimit. Ministrja Hoxha thotë po ashtu se të gjitha institucionet janë të angazhuara për një lobim të fuqishëm te vendet e mëdha që mos të votojnë kundër liberalizmit për qytetarët e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Pas rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian dhe votimit në favor të liberalizimit nga Parlamenti Evropian, sfida kryesore në këtë proces për Kosovën mbetet në Këshillin e Ministrave. Keni deklaruar se i gjithë procesi mund të përmbyllet këtë vit. Andaj, prisni që nga viti tjetër, qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza?

Dhurata Hoxha: Nëse ka vullnet politik nga vendet anëtare, pra ne duhet ta bëjmë të qartë edhe për qytetarin se ende ka një mjegulli në këtë proces, por ne i kemi përfunduar detyrat tona.

Këtë e ka konfirmuar rekomandimi i qartë dhe shumë i fuqishëm nga komisioni që na është dhënë në korrik.

Pastaj e kanë konfirmuar edhe në Parlamentin Evropian me një shumicë solide, pra nëse ka vullnet politik proceduralisht procesi i vendimmarrjes mund të përmbyllet deri në fund të këtij viti, në kuadër të presidencës austriake.

Tani çështja është se si dhe çfarë pozicioni kanë vendet anëtare dhe në këtë aspekt ne jemi duke lobuar. Po vazhdojmë me vendet anëtare sidomos me ato që kanë hezitimet e tyre.

Ato nuk e kanë hezitimin ndaj Kosovës apo qytetarëve, por e kanë hezitimin për shkak të debatit të migrimit që po mbretëron si dhe të rritjes së partive të ekstremit të djathtë, pra elektoratit të partive të ekstremit të djathtë, dhe kjo në të vërtetë është ajo sfida nëpër të cilën ne duhet të kalojmë.

Radio Evropa e Lirë: Sa ka arritur Kosova t’i bindë vendet anëtare të BE-së se liberalizimi nuk do të rritë numrin e azilkërkuesve dhe atyre që do të kërkojnë të punojnë në këto vende?

Dhurata Hoxha: Ne vazhdimisht po kemi komunikim dhe ky komunikim është nga të gjithë, jo vetëm nga Ministria e Integrimit Evropian. Qysh nesër kryetari i Kuvendit Kadri Veseli do të udhëtojë për Gjermani, ku do të ketë një vizitë lobuese, vizitë dhe takime të niveli të lartë.

Pra, qëllimi primar është të kuptohet çështja e liberalizimit të vizave.

Ditë më parë, pra nuk ka as një javë që është publikuar edhe raporti i fundit i Eurosta-it, apo statistikat e fundit, ku Kosova nuk hyn në top 30 vendet që eksportojnë migrim ilegal, pra ne kemi arritur të bëjmë një punë të shkëlqyer me kontrollin e kufijve, me zvogëlimin e numrit të emigrantëve e me fushata vetëdijesuese.

Menjëherë pas daljes së rekomandimit pozitiv në muajin korrik, Ministria e Integrimit Evropian që nga fillimi i gushtit ka nisur me fushatë informuese, sipas të cilës del se 83% të qytetarëve të Kosovës e dinë se sa mund të qëndrojnë në zonën Schengen.

Pra, ata e dinë se mund të qëndrojnë vetëm 90 ditë gjatë periudhës gjashtë mujore. Pastaj, gjithashtu e dinë se është vetëm për lëvizje të lirë, për turizëm e vizita. E dinë se nuk mund të jetosh, të studiosh, të punosh me liberalizim të vizave. Dhe ky është edhe një argument shtesë për ne që ende në fillim dhe me lansimin e fazës së parë të kësaj fushate, qytetarët tanë janë goxha të informuar se çka nënkupton liberalizimi i vizave dhe ne nuk jemi dhe nuk duhet të konsiderohemi si rrezik për keqpërdorim të liberalizmit të vizave.

Qytetarët tanë i dinë rregullat. Në të vërtetë kjo nuk është fushata e parë që kemi ndërmarrë, po tani ka mbetur çështja të vendet anëtare, pra te Bashkimi Evropian dhe unë shpresoj që ata do ta mbajnë fjalën sepse ne kemi plotësuar një udhërrëfyes prej 95 kriteresh, pra dyfishin e kritereve në krahasim me vendet tjera.

Radio Evropa e Lirë: A ka siguruar Kosova mbështetjen për këtë proces të vendeve që janë prekur më shumë nga migrimi ilegal, siç janë Gjermania, Holanda apo edhe Franca?

Dhurata Hoxha: E përmenda që ne vazhdimisht kemi komunikime. Delegacioni ynë gjatë kohës së punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka pasur takime edhe me kryeministrin holandez edhe me delegacionin francez. Nivele teknike gjithashtu po kanë vizita të rregullta për t'i pajisur me informata më të fundit me këto argumente që i kemi në anën tonë dhe patjetër që ne vazhdimisht, po vazhdojmë të bisedojmë me ta, të komunikojmë dhe po i përdorim të gjitha argumentet e mundshme.

Po në anën tjetër, prapë tani e gjitha është në duart e këtyre shteteve anëtare të vendosin për të votuar për apo jo. Në rastin e liberalizmit të vizave nuk na nevojitet një unaminitet siç është rasti për anëtarësim, po nevojiten 55% e shteteve që përbejnë 65% të popullatës.

Pra, për ne është thelbësore që ta kemi përkrahjen e Gjermanisë dhe shteteve të tjera të mëdha që kanë popullatë më të madhe. Është edhe çështja tjetër, që ne i kemi edhe vendet që nuk e njohin Kosovën.

Për shembull, Spanja është një vend kategorik refuzues. Ne po mundohemi që të gjejmë mënyra të komunikimit me të gjitha këto vende. Po në anën tjetër nëse ka vullnet politik nga vendet anëtare mund të përfundohet kjo proceduralisht duke i parë vendet e rajonit se cilët kanë qenë hapat, ne jemi tani në hapin e fundit. Pra, proceduralisht është mundshme që të përfundojë vendimmarrja deri në fund të këtij viti, mirëpo, sfida më e madhe është që vendet anëtare ta përfundojnë obligimin e tyre, të votojnë dhe ta mbajnë premtimin.

Radio Evropa e Lirë: Komisioni për Marrëdhënie me Jashtë i PE-se ka miratuar rezolutën për përparimin e vendeve të Ballkanit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në pjesën ku flitet për Kosovën, ka ngritur shqetësimet e thella për përhapjen e korrupsionit, ndërhyrjen në gjyqësor si dhe elementet e shtetit të kapur, sa mund te ketë ndikim kjo rezolutë në procesin e liberalizmit të vizave?

Dhurata Hoxha: Po, por ka qenë edhe pjesa tjetër në ketë rezolutë ku e kanë identifikuar progresin e madh që është bërë në plotësimin e rekomandimeve për liberalizimin e vizave. Pra, ne duhet t'i ndajmë këto procese. Procesi i integrimit evropian patjetër që ka shumë aspekte të cilat duhet adresuar. Në anën tjetër liberalizimi i vizave ka pasur kritere të qarta, kanë qenë 95 kritere dhe të gjitha ne i kemi plotësuar. Gjithashtu edhe kjo rezolutë ka një gjuhë përkrahëse për liberalizimin e vizave. Në të vërtetë thërret këshillin që të votojë sa më parë dhe që të behët liberalizimi i vizave.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Ministre, krahas liberalizimit të vizave, sfidë për Kosovën mbetet edhe procesi i përfarimit dhe integrimin në BE. Janë pesë shtete anëtare që nuk e njohin Kosovën. Sa po e ndërlikon ky fakt rrugën e Kosovës në përmbushjen e agjendës evropiane?

Dhurata Hoxha: Patjetër që është komplikim shtesë sepse ne po e shohim se çdo herë kur kemi vizita të ndryshme janë disa nga shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, të cilat humbin energji që merren me çështje të thjeshta teknike se si do të përfaqësohet Kosova, a do t’i shkruhet emri Republika e Kosovës, pra këto janë çështje shumë të parëndësishme në procesin e gjerë dhe shumë të rëndësishëm të integrimit evropian. Ne kemi çështje më të rëndësishme për tu marrë.

Ne duhet ta avancojmë agjendën evropiane. Në të vërtet ne duhet ta zëmë hapin me vendet tjera të rajonit. Por, jo të gjitha shtetet që nuk e njohin Kosovën janë hezituese apo refuzuese, kemi shtete që janë shumë pragmatike dhe shumë përkrahëse e kanë votuar edhe udhërrëfyesin për viza, e kanë votuar edhe për MSA-në dhe për çdo proces tjetër. Në të vërtet kanë votuar edhe për strategjinë e zgjerimit që u publikua në shkurt ku Kosova u listua si shtet i barabartë me të gjitha vendet e rajonit. Pra, në atë strategji flitet për gjashtë vendet e rajonit. Jo të gjitha e kanë qasjen e njëjtë, por ne vazhdimisht duhet të kërkojmë raste të ndryshme që të thellojmë këtë komunikim me këto shtete.

Radio Evropa e Lirë: A po mbetet Kosova e fundit edhe në procesin integrues evropian për shkak të ngecjeve të saj të brendshme me reformat, me luftimin e krimit dhe korrupsionit apo për faktin se BE-ja nuk është unike në raport me Kosovën?

Dhurata Hoxha: Unë mendoj se duhet t’i marrim parasysh të dy faktorët. Ne duhet ta kryejmë punën tonë më shpejtë, duhet t’i avancojmë reformat tona më shpejtë, pra gjitha ato reforma që i kemi në duar tona duhet t’i përfundojmë detyrat e shtëpisë. Jo pse Brukseli na thotë që ne t’i çojmë përpara ato reforma, por ne duhet ta bëjmë këtë sepse agjenda e integrimit evropian, procesi i reformave që janë të parapara në integrimin evropian është një agjendë modernizuese, është një agjendë reformuese, pra shoqëria jonë do të transformohet dhe përfitimet i marrim ne.

Sa më tepër që e avancojmë Kosovën, sa më tepër që e fuqizojmë ekonominë, sundimin e ligjit, qytetarët tanë do t'i shohin përfitimet, pra ne duhet ta bëjmë këtë për qytetarët tanë, ta përmirësojmë mirëqenien e qytetarëve tanë, ta rrisim numrin e të punësuarve, ekonominë dhe gjitha këto. Duke i bërë këto detyra dhe kur i përqafojmë këto detyra si vlerë e jona atëherë unë besoj shumë se do të ecim shumë më shpejtë në këtë agjendë, dhe në anën tjetër është shumë e mundshme që ne ta zëmë hapin nuk është kjo diçka e pamundshme apo nuk është shkencë në vete apo shkencë e paarritur.

Sepse ne kemi parë Maqedoninë me Kroacinë nëse i analizojmë, Maqedonia ka qenë shumë më përpara se Kroacia, mirëpo po i shohim zhvillimet politike, i pamë ngadalësim të reformave dhe Kroacia sot është anëtare e Maqedonia nuk është.

Pra, e mira e procesit të integrimit evropian është se secili shtet vlerësohet në bazë të meritave të veta dhe ne këtë duhet ta kemi parasysh që askush të mos na ndalë në rrugën tonë drejt integrimit evropian, t'i bëjmë ne detyrat tona dhe pastaj i mbetet Bashkimit Evropian ta mbajë pjesën e vet të kontratës ta quaj ashtu që e njëjta vlen edhe për liberalizimin e vizave ne i kemi bërë detyrat tona, BE-ja duhet ta njohë progresin tonë dhe BE-ja duhet ta mbajë pjesën e vet të kontratës apo duhet ta mbajë fjalën.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test