Profesori i Parisit “demaskon” Thaçin: Ideja për korrigjim të kufijve, në esencë të saj ka ndarjen apo shkëmbimin e territoreve - Bota Sot
Profesori i Parisit “demaskon” Thaçin: Ideja për korrigjim të kufijve, në esencë të saj ka ndarjen apo shkëmbimin e territoreve

Intervista

E premte, 16 nëntor 2018

Profesori i Parisit “demaskon” Thaçin: Ideja për korrigjim të kufijve, në esencë të saj ka ndarjen apo shkëmbimin e territoreve

 Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 25 tetor 2018 Në ora: 07:30
Valon Murtezaj

Profesori i universiteteve të Parisit dhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Valon Murtezaj, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka thënë se procesin e dialogut Kosovë-Serbi po e përcjellë një situatë e zymtë, e padenjë, për Kosovën dhe qytetarët e saj. Profesor Murtezaj ka folur rreth idesë së Presidentit Thaçi për “korrigjimin e kufijve” me Serbisë, duke thënë se Kosova i ka kufijtë e saj të përcaktuar me Kushtetutën e saj, dhe përcaktuar nga i gjithë procesi që ka përfunduar me Pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, ai ka deklaruar se Kosova e meriton të jetë pjesë e INTERPOL-it, duke kontribuuar aty si shtet konstruktiv.

“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën aktuale politike në Kosovë?

Valon Murtezaj: Me zhvillime konstruktive te ngadalshme, por me zhvillime destruktive dinamike. Një disbalancë i të duhurës dhe i asaj çfarë i nevojitet Kosovës në këtë periudhë të zhvillimeve globale.

“Bota sot”: Nga këndi juaj, si i komentoni zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi?

Valon Murtezaj:  Situatë e zymtë, e padenjë, për Kosovën dhe qytetarët e saj. Më vjen rëndë ta konstatoj këtë, sepse po flas për vendin tim. Por kështu e shoh në këtë moment. Por jo të pashprese, sepse kam bindjen që Kosova do ta kapërcejë këtë sa më shpejt, dhe të hyj në këtë dialog e përgatitur dhe me plane të qarta negocuese, duke ditur çka duam dhe si ti arrijmë ato.

“Bota sot”: Çka nënkuptohet me idenë e “korrigjimit të kufijve”, a mund të realizohet kjo ide?

Valon Murtezaj: Fjala korrigjim nënkupton një veprim apo proces për të ndrequr diçka që nuk është mirë, apo që nuk është në rregull, pra një adresim i një pasaktësie. Pra, për të bërë korrigjim të diçkaje fillimisht duhet të plotësohen këto parakushte, pra të konstatohet që diçka nuk është në rregull, dhe pastaj për të kaluar në korrigjim të saj. Kosova i ka kufijtë e saj të përcaktuar me Kushtetutën e saj, dhe përcaktuar nga i gjithë procesi që ka përfunduar me Pavarësinë e Kosovës. Si rrjedhim, në rastin konkret të Kosovës korrigjimi i kufijve nuk është i aplikueshëm.

“Bota sot: A ka mundësi që Kosovës t`i bashkohen Presheva, Medvegja dhe Bujanovci, dhe Serbia të mos marr asgjë në këmbim?

Valon Murtezaj: Rezonimi i ekuilibruar thotë që kjo nuk është e mundur.

“Bota sot”: A fshihet prapa kësaj, një ide për ndarje, përkatësisht shkëmbim territoresh?

Valon Murtezaj: Kjo ide në fakt dhe në esence të saj ka ndarjen apo shkëmbimin e territoreve. Për me tepër kjo ide fuqizon kriterin etnik si parim udhëheqës për shkëmbim. Një antivlerë evropiane  dhe anti-humaniste kjo ne esencën e vet.

“Bota sot”: Cili mendoni se do të jetë epilogu i dialogut me Serbinë?

Valon Murtezaj: Epilogu varet nga shume faktorë, ose se paku nga katër faktorë: Kosova, Serbia, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara. Por ne duhet të fokusohemi në rolin tonë pra në rolin që e ka Kosova, sepse tani ne jemi shtet i pavarur. Një gjë duhet kuptuar, varësisht si i kemi gjërat brenda në Kosovë ne mund të dalim më mirë apo me dobët në këtë proces. Kosova në këtë proces duhet ta respektojë vetën dhe nevojat e qytetarëve të saj. Krahas kësaj një konstruktivitet dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjithë aktorët e përfshirë.

“Bota sot”: Kush duhet ta drejtojë dialogun me Serbinë?

Valon Murtezaj: Dialogu me Serbinë nuk është proces i lehtë, pasi duhet një konsensus dhe klimë uniteti lidhur me këtë proces. Kjo nuk po shihet tani, për fat të keq. Qeveria duhet të udhëheq me procesin, dhe duhet përgatitje e lartë. Sepse suksesi në procese negociatore varet nga përgatitja.

“Bota sot”: Sipas asaj që po zhvillohet, a mund të përfundojë i gjithë procesi në një konflikt të ngrirë, ndonëse Presidenti Thaçi thotë se dialogu do të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia?

Valon Murtezaj: Kosova është shtet i pavarur, dhe nuk duhet të na brengos shumë sjellja e Serbisë nëse ne i bëjmë gjërat e duhura dhe në mënyrën e duhur. Pra, dua të them që në duhet së pari të jemi të sqaruar me veten në raport me këtë proces, tjerat janë të rëndësisë më të vogël.

“Bota sot”: Si e vlerësoni diplomacinë që e bën Kosova aktualisht?

Valon Murtezaj: E pamjaftueshme, e fragmentuar, e pakoordinuar, jo konsistonte. Me besoni që nuk po ndjej kënaqësi derisa po i them këto, përkundrazi ndjehem keq. Parimi kryesor duhet te jete njeriu i duhur ne vendin e duhur. Këtu është kodi i suksesit në performancen ne sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare sot. Kjo mund të bëhet në të ardhmen, sepse Kosova për nevojat e saj ka kapacitete solide për përfaqësim adekuat të interesave në tavolinat ndërkombëtare. Ka shumë punë që duhet kryer, dhe për ta bërë këtë duhen njerëz të përgatitur, më shumë profesioniste dhe me pak politikane.

“Bota sot”: Kemi parë një fushatë intensive të Serbisë për tërheqjen e njohjeve nga vendet që e  kanë njohur Kosovën, si e komentoni ju këtë?

Valon Murtezaj: Kjo nuk do duhej të na bënte shume përshtypje. Nuk ekziston një rrezik i tillë. Janë gënjeshtra të qeverisë së Serbisë. Diplomacia e Kosovës duhet t’i kundërpërgjigjet me bashkëpunim më të madh me vende të caktuara. Duhet më shumë profesionalizëm, dhe më pak retorikë të zbrazët. Duhet shumë punë e koordinuar dhe e planifikuar mirë.

“Bota sot”: Në nëntor do të vendoset lidhur me pranimin e Kosovës në INTERPOL, cilat janë gjasat për votim pozitiv?

Valon Murtezaj: Ka shumë faktorë dhe nuk dihet deri në momentin e fundit. Kosova duhet të bëjë gjithmonë më tepër se çka kërkohet, për të rritur gjasat e sigurisë në votim. Kosova e meriton të jetë pjesë e kësaj organizatë dhe mund të kontribuojë aty si një shtet konstruktiv.

“Bota sot”: A mendoni se shpenzimet e udhëtimeve jashtë vendit të zyrtarëve të Kosovës, janë të larta në raport me rezultatin që arrihet në afirmimin ndërkombëtar të vendit?

Valon Murtezaj: Afirmimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare e ka koston e vet financiare, që nuk është e vogël. Por kam një mendim, e rëndësishëm është që fondet të përdorën si duhet, të mos keqpërdoren si dhe të atëkohë sipas prioriteteve të përcaktuara saktë. Shpesh fondet po përdorën pa planifikime, apo me alokime Ad Hoc.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test