Osmani: Koalicioni është i paqëndrueshëm, së shpejti bie Qeveria Haradinaj

Intervista

Osmani: Koalicioni është i paqëndrueshëm, së shpejti bie Qeveria Haradinaj

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 27 tetor 2018 Në ora: 14:16
Naser Osmani

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Osmani, ka thënë se koalicioni aktual është i paqëndrueshëm dhe në çdo moment pritet edhe largimi i tij. Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Osmani ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të bëjë asnjë koalicion parazgjedhor me asnjë parti, derisa ka bërë me dije se partia e tij duhet të garojë me forcën e saj. Duke folur për sondazhet e fundit, deputeti i LDK-së ka potencuar se qytetarët e Kosovës e kanë rikthyer besimin për partinë e tij dhe se presin me padurim zgjedhjet e reja. Sa i përket “korrigjimit të kufijve”, ai ka thënë se LDK-ja nga fillimi e ka dhënë qëndrimin e saj dhe se qëndron fuqishëm në atë se sovraniteti i Kosovës është vetëm në integritetin e kufijve ekzistues. Osmani në këtë intervistë ndër tjerash ka folur edhe për mocionin e mosbesimit, vijat e kuqe të LDK-së, si dhe për skandalet e fundit në Qeverinë Haradinaj.

“Bota sot”: Qeveria Haradinaj muajin e kaluar i ka bërë një vit nga krijimi i saj. Për ketë periudhe të kaluar, cili është vlerësimi i juaj?

Naser Osmani: Mendimi është që nga momenti që e ka marrë detyrën kjo qeveri, ky koalicion, ne kemi konstatuar si LDK se duhet të punojmë menjëherë që të fillojmë dhe ta përmbysim ketë qeveri të pamerituar, mbi bazën e të cilës kjo qeveri është formuar me votën e Listës serbe. Momente të cilat na kujtojnë një të hidhur edhe kjo qeveri është pritur se nuk do të bëjë asgjë, në veçanti nuk mund të bëjë në atë, që ne si LDK, dhe në programin tonë kemi qenë shumë të përkushtuar për zhvillimin ekonomikë, për integrimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare, në veçanti në çështjen e liberalizimit të vizave, në integrime tjera euro-atlantike, dhe në atë që ne kemi konsideruar si shumë të rëndësishme, në krijimin e besimit të njerëzve në institucione të Kosovës, respektivisht në ngritjen e kredibilitetit dhe konsolidimin e institucioneve.

Ne kemi bërë angazhime më të mëdha, ne i kemi përmbushur gati të gjitha kushtet, përveç  demarkimit të kufirit për fitimin e liberalizimit të vizave, për të cilën Bashkimi Evropian edhe na ka pritur që ta kalojmë ketë formalitet, për të cilin për shkaqe të njohura nuk e kemi arritur. Ky proces është penguar nga këta njerëz që tani janë në pushtet, të cilët me skena të ndryshme kanë rrezikuar edhe sovranitetin e Kosovës. Tani këtë e kanë përmbushur këta, normalisht me ndihmën dhe votën e LDK-së si detyrim për Kosovën. Ndërsa, faktikisht, këta edhe më tepër janë larguar dhe tani liberalizimi mbetet një çështje një të ardhme më të largët, se sa që kemi mundur ta fitojmë me qeverisjen Mustafa.

Kemi shpenzime marramendëse të buxhetit, që konsiderojë se paraja publike është një e përgjithshme e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Këtë e kanë koncentruar në disa fusha siç janë shpërblimi për votën që japin në institucione, si shembull me listat e veteranëve të luftës, me skena të tjera sociale. Kryesisht e kanë rritur pjesën pasive që tani mund të them se është e njëjtë si pjesa aktive, që të dyja marrin gati 60 për qind të buxhetit të Kosovës, dhe pjesa tjetër e investimeve, për të cilën, faktikisht, nuk ka investime në Kosovë, të pakën nuk shohim investime serioze për shkak të pasigurisë të investitorëve për të ardhur që të investojnë në vend.

Ndërsa, kjo që është me e prekshmja është mungesa e përfaqësimit dhe lobimit të merituar në politiken ndërkombëtare, që ka të bëjë me njohje të reja të Kosovës, përkundrazi, ka vetëm degradim në ketë drejtim. Skandale të ndryshme të diplomacisë sonë dhe kritika të mëdha që ne marrim për shkak të jo seriozitetit, jo diturisë dhe jo diplomacisë së mirë në skenën ndërkombëtare. Të gjitha këto janë mbushje e kupolës për të rrëzuar ketë qeveri.

“Bota sot”: Qeveria aktuale po vazhdon të përballet me probleme të ndryshme. Së fundi, është arrestuar një nga zëvendësministrat e Haradinajt. A është përgjegjës Haradinaj për këto, dhe a mendoni se kjo është një arsye me shumë që kjo qeveri duhet të shkojë?

Naser Osmani: Në Qeverinë Mustafa ka pasur një akordim me partnerët strategjikë se në qeveri nuk mund të jetë asnjë ministër apo zëvendësministër i cili e ka të ngritur ndonjë aktakuzë. Kështu është vepruar për të gjithë ata ministra apo zëvendësministra që në mandatin e tyre ju është ngritë ndonjë aktakuzë, dhe të cilët të nesërmen kanë liruar detyrat. Rastin e kemi me ish-ministrin, Ferid Agani, dhe ish-zëvendësministrin e FSK-së, Fadil Gashi, të cilët të nesërmen i kanë liruar detyrat.

Në ketë qeveri, ndodh një gjë shumë e çuditshme edhe nga partneret strategjikë që për çudi nuk kanë ndonjë rekomandim më këmbëngulësi siç ka qenë e akorduar në rastin e qeverisjes së kaluar. Tani ka ministra dhe zëvendësministra me aktakuzë, të cilët edhe më tutje vazhdojnë. Me një përkufizim të gjithë kësaj është një Qeveri e papërgjegjshme, vetëm në qeverinë e papërgjegjshme ku nuk njihet ligji, ku individi është mbi sistemin tolerohen dhe lejohen këso gjëra dhe pasojat janë që pastaj ne si Kosovë të humbasim kredibilitetin e institucionit si para qytetarëve njashtu edhe para ndërkombëtareve.

“Bota sot”: Pasi që jemi të rrëzimi i Qeverisë, kur mund të pritet një mocion mosbesimi për rrëzimin e saj?

Naser Osmani: Për ne, një qeveri e cila është ngritur me votë të trampoluar, dhe me votën e minoritetit serb, konsiderojmë se momenti i rrëzimit është dashur që të ndodhë qysh në momentin kur është krijuar. Por, për shkak se ne nuk i kemi votat edhe nuk mund të ngrisim një mocion për të cilën ne nuk jemi të sigurt se qeveria do të bie. Nuk dëshirojmë që t’i japim ketë kredibilitet qeverisë aktuale nëse nuk arrijmë t’i bëjmë 61 vota. Jemi duke biseduar dhe në momentin e duhur, i kemi nënshkrimet vetëm do i deponojmë në kryesi për ta ngritur mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. Theksoj se nevojiten edhe disa vota për ta arritur qëllimin.

“Bota sot”: Pozita nuk po konsideron si serioze ketë nismë, thotë se nuk i keni numrat?

Naser Osmani: Së pari ata vet nuk janë seriozë. Komunikimi i tyre është nën çdo nivel institucional. Partneriteti i këtij koalicioni më tepër mund të quhet partneritet i individëve përfitues, se sa ndonjë partneritet për të dërguar agjendën shtetërore përpara. Konsiderojë që rezultat i kësaj mund të jetë edhe prishja e tyre që neve të na lehtësojë punën si opozitë. Edhe debatet e fundit mes tyre me akuza të ndërsjella tregon që ky koalicion është i paqëndrueshëm dhe pritet që në çdo moment të bije.

“Bota sot”: Kush po e pengon konkretisht ketë gjë. A ka faj PSD-ja, pasi që kohëve të fundit, sipas partive tjera opozitare, ky subjekt është bërë patericë e koalicionit qeverisës?

Naser Osmani: Opozita si opozitë i ka 57 vota, neve na mungojnë edhe 4 vota, gjithnjë duke konsideruar se opozita është unike për të rrëzuar Qeverinë Haradinaj. Ajo që po ndodhë në Kuvendin e Kosovës tregon pak më ndryshe, sidomos me ketë subjektin e ri, i cili ende nuk ka arritur ta bëjë shtrirjen në tërë territorin e Kosovës dhe kuptohen se në të tilla situata ju duhet koha për t’u konsoliduar dhe një mënyrë janë patericë e pozitës. Në ketë rast ka një afrim që më tepër e shohë me AAK-në, kjo vërehet qartë edhe komunikimi që bëhet mes kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, qoftë në ligjin për Prishtinën, qoftë me beneficione tjera siç është vendimi për shtëpinë e mallrave të vjetra dhe ndërtimin e qendrës së koncertit dhe disa koncesione të tjera të cilat faktikisht kryeministri ja krijon kryetarit të Prishtinës.

“Bota sot”: A po shkojnë LDK-ja dhe Vetëvendosje drejt një koalicioni parazgjedhor, sa ka gjasa që të ndodhë një gjë e tillë?

Naser Osmani: Jo. Konsiderojë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të bëjë asnjë koalicion parazgjedhor me askënd. Nuk do të ketë dhe nuk duhet të ketë dhe mendoj se gabuam që bëmë koalicion me AKR-në, sepse pastaj ishim dëshmitar se me votën e LDK-së u arrit që koalicioni të funksionalizohet. Prandaj, mendoj se LDK duhet të garojë me forcën e saj, me strukturën e saj, me qytetarët e Kosovës, me elektoratin e saj të devotshëm për të arritur rezultate sa më të mira. LDK nuk përputhët me koncepte as ideologjike, as politike, as ekonomike dhe as sociale me Lëvizjen Vetëvendosje, mirëpo ne si LDK ketë subjekt e kemi partnerë të opozitës dhe ne duhet ta respektojmë si partnerë të fuqishëm opozitarë në rrëzimin e qeverisë. Pas zgjedhjeve është një çështje tjetër se me kënd LDK-ja do të bëjë koalicion, por parazgjedhor jo. 

“Bota sot”: Sondazhet në vazhdimësi partinë tuaj po e radhisin si të parën, a mendoni se të njëjtin sukses do ta kishit sikurse zgjedhjet do të mbaheshin tani?

Naser Osmani: Qytetarët e Kosovës janë duke e parë se ky koalicion është duke punuar vetëm për interesa të veta partiake, por jo edhe për interesa shtetërore dhe jo për interesa të qytetarëve në përgjithësi. Kjo frikë ka bërë që qytetari të vetëdijesohet se e vetmja parti dhe rreze që mund të shndritë në ketë Kosovë është Lidhja Demokratike e Kosovës, prandaj, qytetarët e kanë rikthyer besimin për LDK-në dhe presin me padurim që të ketë zgjedhje sa më parë që kjo parti të merr përgjegjësinë, qoftë për ngritjen e mirëqenies së këtyre qytetarëve, qoftë për përmirësimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare edhe për integrimin e Kosovës në institucione të ndryshme ndërkombëtare.

“Bota sot”: A ka LDK-ja vija të kuqe për PDK-në?

Naser Osmani: LDK ka bërë qeveri me të gjitha partitë, përveç me Lëvizjen Vetëvendosje dhe konsiderojë se pasi nuk kemi pasur me këtë parti, ka një shpresë te disa njerëz se mund të bëhet mirë, por janë pengesat që i përmenda më lartë, mirëpo mund të ketë pika të përbashkëta për të mirën e këtij vendi.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë tri herë në qeverisje më PDK-në dhe mendoj që asnjë qeverisje me ketë parti nuk është e qëndrueshme. Ata janë joserioz, ata janë përfitues, ata janë arrogantë në politikë, në interesin e Kosovës, ata nuk e mbajnë fjalën dhe kjo mungesë e besimit në politikë na bie në detyrim që duhet t’i japim vijë të kuqe PDK-së. Kanë dëshpëruar në agjendën shtetërore për ta dërguar vendin përpara. LDK-ja duhet të mbushet mend se me kënd do të bëjë koalicion. Nuk është e thënë se partia jonë duhet të jetë patjetër në qeveri. LDK duhet të mendoj se nëse është në qeveri duhet ta ketë një agjendë e cila Kosovën do ta avanconte përpara, por jo detyrimisht me cilindo.

“Bota sot”: A do të merrni pjese në seancat e ardhshme të Kuvendit të Kosovës, apo LDK ka vendosur që t’i bojkotojë të gjitha?

Naser Osmani: Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është e interesuar që tija bëjë kuorumin kësaj qeverie të brishtë, kësaj mazhorancë të brishtë. Ata kanë përgjegjësinë dhe duhet të jenë të gatshëm për ta siguruar mandatin në Kuvend. Mirëpo, kjo nuk mund të krekoset me te arriturat e veta në llogari të LDK-së dhe në llogari të opozitës. LDK ka marrë përgjegjësinë për t’i votuar ato ligje që burojnë nga marrëveshjet ndërkombëtare për të mos ndalur procesin e bashkëpunimit dhe integrimit ndërkombëtare. Partia jonë ka marrë vendim që të kontribuojë në ligjet të cilat janë jetike për Kosovën, siç është ligji për ushtrinë, për të cilën LDK-ja ka një kontribut të madh në ketë drejtim, pavarësisht se çka thonë njerëzit e PDK-së, ata të paditurit. Në ketë formë, Lidhja Demokratike e Kosovës në asnjë mënyrë nuk do të merr pjesë në seanca për t’ia bërë kuorumin dhe për ta dërguar agjendën e Kuvendit me votën e LDK-së.

“Bota sot”: A ka ndryshuar qëndrimi i LDK-së për “korrigjim të kufijve”?

Naser Osmani: Në ketë temë e cila ka dalë nga presidenti Thaçi në mënyrë të çuditshme, dhe e cila nuk ka qenë fare e debatuar në institucionet kredibile të Kosovës, për të bërë një vlerësim të saktë se a duhet të lindë këso agjende apo jo Kosova. LDK nga fillimi e ka dhënë qëndrimin e saj, të cilin e ka përsëritur disa herë, si kryetari Isa Mustafa, kryesia, nënkryetarët dhe shefi i Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti, dhe konsiderojë se LDK-ja qëndron fuqishëm në atë se sovraniteti i Kosovës është vetëm në integritetin e kufijve ekzistues, kështu jemi për marrëveshjen e pavarësisë së Kosovës të planit të Ahtisaarit, që vendi krijon sovranitetin mbi bazën e këtyre kufijve administrativë që i ka sot dhe është rrezik i madh për të luajtur mbi bazën e këtij sovraniteti duke shtuar shpresën e pjesës së Luginës së Preshevës në kuptimin e saj pa pasur një konsenzues të brendshëm ndër-shqiptar, por edhe një përkrahje të madhe të partnerëve strategjikë.

“Bota sot”: Ideja e presidentit Thaçi nga shumica dërmuese e aleateve të Kosovës po kundërshtohet, së fundi është deputeti i parlamentit gjerman, Peter Beyer, njëherësh anëtar i partisë CDU të kancelares, Angela Merkel, ka pohuar se Gjermani nuk e përkrahë idenë për korrigjimin duke potencuar se është ide e rrezikshme. Si e keni parë ju gjithë këto kundërshtime?

Naser Osmani: Ketë deklaratë e ka thënë disa herë edhe Angela Merkel, ky vetëm e ka përsëritur fjalën e shefes, që është logjike se kështu funksionohet në institucione. Përveç hutisë që ka sjellur në popull dhe subjekteve shqiptare, konsiderojë se politika duhet shikuar në aspektin gjeopolitik dhe strategjike shumë më të gjerë, sepse një presidant mund të ndikojë në mënyrë zingjirore edhe në të tjerët dhe të krijohen situata për të cilin është bërë investim i madh financiar e politik nga fuqitë e mëdha për të krijuar një stabilitet të qëndrueshëm. Rasti është në Bosnje, sepse për Serbinë pjesa serbe paraqet një interes më të madh se kjo pjesa këtu, dhe duke marrë parasysh njerëzit që janë për momentin në politikat e Bosnjës mund ta aktivizojnë ketë si një argument për të krijuar një vatër të re të problemeve, pastaj ajo që unë mendoj se nëse bëhet bashkimi kombëtar ndryshohet koncepti i shteteve, bien shtet multietnike, bëhen jofunksionale dhe shkohet në shtet nacionale etnike, atëherë kjo rrugë duhet të bëjë një konsensus edhe i shqiptarëve në Maqedoni edhe shqiptarëve në Shqipëri dhe për të krijuar shtete në baza etnike, dhe kjo është një rrugë aq e komplikuar dhe e gjatë sa që kjo temë krijon situata që ende nuk i kemi vlerësuar dhe ende nuk i kemi parashikuar.

“Bota sot”: Është edhe "Rasti Maxhuni", rast ky që ka bërë të sjell reagime nga më të ndryshmet. Për ju, a duhet që i pari i AKI-së të jap dorëheqje?

Naser Osmani: Nuk jam shumë i informuar lidhur me ketë rast, por mendoj se personat që janë në krye të institucioneve vitale e strikte shtetërore dhe apolitike duhet të jenë shumë profesionalë, shumë apolitik, të kryejnë punët e tyre me diskrecionin dhe profesionalizëm maksimal, të mos përfshihen në asnjë skandal që kanë të bëjnë me jetën private apo institucionale. Për shkak të disa gjerave, si vend ende i vuajmë pasojat e shumë viteve të mëhershme, siç ka qenë ajo më dëbimin e shërbimit gjerman, skandal që ende Kosova i vuan pasojat, sidomos njerëzit që mbajnë poste të larta, andaj konsiderojë se në këto vende, përgjegjësit duhet t’i realizojnë punët me ndërgjegjshmëri dhe profesionalizëm të madh, pasi që këto punë nuk mund t’i kryejë çdo njëri, por njerëz të veçantë të cilët e dërgojnë agjendën e shtetit përpara në mënyrë profesionale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat