Visar Ymeri: VV ka degraduar në zyrë të Albinit, PSD do rrëzimin e Qeverisë - Bota Sot
Visar Ymeri: VV ka degraduar në zyrë të Albinit, PSD do rrëzimin e Qeverisë

Intervista

E premte, 16 nëntor 2018

Visar Ymeri: VV ka degraduar në zyrë të Albinit, PSD do rrëzimin e Qeverisë

Më: 28 tetor 2018 Në ora: 12:05
Visar Ymeri

Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, po konsideron se gjithë ekipi fitues i zgjedhjeve të fundit nga Partia e Albin Kurtit ka kaluar në subjektin e Shpend Ahmetit.

Ndërsa, po thotë se Lëvizja Vetëvendosje është kthyer në zyrë të Albin Kurtit. Madje, njeriu që e kishte drejtuar VV drejt fitores së fundit thotë se fuqia e Partisë së Kurtit ka rënë.

Nënkryetari aktual i PSD’së, Visar Ymeri, thotë se kanë zgjedhur rrugën e angazhimit  për të përmirësuar dhe ndikuar në miratimin e ligjeve dhe politikave parlamentare. E jo si LDK e VV rrugën e bllokadës e bojkotit.

Ymeri thotë se deputetët kanë nënshkruar mocionin për rrëzimin e Qeverisë, mirëpo, konsideron se derisa të mos sigurohen numrat do të punojnë në Parlament për të kontrolluar Qeverinë dhe për t’i shtyrë politikat e mira për qytetarët.

“Ne do të vazhdojmë që punojmë në Kuvend si deputetë që jemi. Për këtë edhe jemi votuar nga qytetarët, që t’i përfaqësojmë ata e t’u shërbejmë atyre. Jo vullnetit të verbër për pushtet të kryetarit të partisë”, ka thënë ai.

Çka është duke ndodhur me Partinë Socialdemokrate. Në disa sondazhe kanë dalë jo mirë, sidomos, në matjet e kundërshtarëve tuaj. Ku është PSD pasi Shpend Ahmeti mori pozitën e Kryetarit?

Ymeri: Partia Socialdemokrate (PSD) është në vazhdën e konsolidimit e strukturimit të degëve të saj gjithandej nëpër Kosovë. Në të njëjtën kohë jemi duke punuar në përditësimin dhe pasurimin e programit tonë politik si dhe të avansimit tonë organizativ e statutor. Për çdo ditë të punës sonë në terren kemi më shumë njerëz që po i bashkohen PSD-së dhe që po shprehin interesim ta rindërtojmë forcën organizative e konceptin politik që përfaqëson socialdemokracinë në vend, në shërbim të së mirës së përgjithshme e në funksion të shumicës që ka pak. Natyrisht që politikat progresive, që në qendër e kanë njeriun, qytetarin, që insistojnë në institucione publike që i shërbejnë interesit publik të qytetarëve, që e luftojnë pabarazinë ekonomike në funksion të drejtësisë shoqërore, që garantojnë punësim cilësor e mbrojtje të punëtorëve, që ia kthejnë resurset ekonomike zhvillimit të qëndrueshëm, e zhvillimin e vendosin në funksion të mirëqenies, janë politikat e së ardhmes për Republikën e Kosovës. Këto i përfaqëson Partia Socialdemokrate, e që janë interes i shumicës.

Kush po është Kryetar më i mirë, Shpend Ahmeti apo ju dikur në Vetëvendosje?

Ymeri: Puna e kryetarit në një parti politike është punë e ekipit që ai përzgjedh në pozitat kryesore ekzekutive të partisë. Kështu edhe dallohet kryetari i mirë, ai që edhe bashkëpunon por edhe ia njeh meritat të tjerëve, nga kryetari i dobët i cili rezultatet modeste megjithatë ia atribuon të gjitha vetes. Në kohën sa kam qenë kryetar i VETËVENDOSJE!-s ajo nuk ka qenë zgjatim i një njeriu, por ka funksionuar si Lëvizje e të barabartëve. Dhe kështu është forcuar si organizatë e është rritur si elektorat. Nën drejtimin tim kemi pasur dyfishim të votës dhe numrit të deputetëve në nivel qendror duke dalur partia e parë, dhe dyfishim të votës e trefishim të numrit të komunave nën qeverisje në nivel lokal. Ky ekip që e drejtoi VV-në drejt kësaj fitoreje të papresedan sot është në PSD. Është ekipi që punon nën drejtimin e Shpendit. Të njëjtën punë me të njëjtin qëllim e të njëjtat rezultate do t’i bëjmë edhe në PSD.

Qysh po e udhëheq Albin Kurtin Vetëvendosjen. Ka ndryshuar trendi i VV-së nga koha kur ju ishit Kryetar apo përfundimisht kjo parti ka humbur mundësinë e vazhdimit të rritjes në elektorat?

Ymeri: Mendoj që potenciali elektoral i VV-së tash është shumë më i vogël se sa që ka qenë vitin e kaluar. Ndërkohë nga ajo që shihet nga jashtë VV nën drejtimin e Albinit është kthyer në logjikën e Liderit të padiskutueshëm ku organizata, më shumë se të ketë kryetar, është shndërruar në zyre të kryetarit. Ngjashëm me partitë tjera politike në vend (me përjashtime) edhe VV tash duket se ekziston për shkak të Albinit dhe vetëm për shkak të tij. Ky është një prapakthim nga një proces të gjatë e të vështirë të rritjes e demokratizimit të cilin e kishim ndërmarrë në VV për vite me radhë. Kjo po reflektohet edhe në rënien e fuqisë elektorale që po shihet në sondazhet e ndryshme që po bëhen në Kosovë.

VV nën drejtimin e Albinit është kthyer në logjikën e Liderit të padiskutueshëm ku organizata, më shumë se të ketë kryetar, është shndërruar në zyre të kryetarit. 

Pse keni kaq shumë dallime me VV-në në komunikime publike dhe organizime opozitare. S’po mund t’i tejkaloni inatet personale apo jeni duke luftuar për të mirën e qytetarëve qysh keni thënë se po angazhoheni në vazhdimësi kur ishit bashkë?

Ymeri: Ne jemi duke u angazhuar për të mirën e qytetarëve. Jemi duke u angazhuar në Kuvendin e Republikës si deputet e nëpër komuna si kryetar (Prishtinë e Kamenicë) dhe si asambleistë gjithandej nëpër Kosovë. Konsiderojmë që bashkërendimi i qëndrimeve e veprimeve opozitare është edhe i mundshëm edhe i domosdoshëm për Republikën e Kosovës. Në Kuvendin e Republikës sot formalisht opozita është më e madhe në numra se sa pushteti. Ky është një rast i veçantë që na e mundëson praktikisht ta drejtojmë kursin politik e ekonomik të vendit e qeverisë për shkak të mazhorancës së numrave. Mirëpo kjo po pamundësohet për shkak se dy grupet tjera opozitare kanë zgjedhur rrugën e bojkotimit e bllokimit në vend të mirëpërdorimit të forcës sonë politike në Kuvend. Ka shumë ligje që do të kalonin e që do të mund t’i amandamentonim sipas interesave të qytetarëve po qe se do të ishim bashkë në Kuvend. Ta marrim një rast të freskët: Ligjin për Pagat e sektorit publik. Qëndrimi i PSD-së është shumë i qartë: përmes këtij ligji duhet ta ulim pabarazinë në nivelin e pagave të sektorit publik mes përfaqësuesve politik (Presidenti, Kryeministri, Ministrat, Deputetët, Këshilltarët, etj.) dhe shërbimeve publike që e mirëmbajnë mirëqenien e qytetarëve (shëndetësi, arsim, etj). Kjo bëhet duke ua ulur koeficientin përfaqësuesve politik e duke ua rritur atë shërbimeve publike. Tash ligji është në proces të amandamentimit. Me votën tonë të përbashkët si opozitë gjithsesi se do ta arrinim këtë ndryshim. Bojkoti ia lë duart e lira pushtetit që ta vazhdojë të njëjtën logjik që e kemi në projekt ligjin e dorëzuar nga qeveria. Pra me votën e opozitës është e mundëshme që mjekët të paguhen më shumë e Presidenti më pak. Këtë e kërkon PSD. Bojkoti nënkupton pamundësim të ndryshimit të ligjit. Pra që Presidenti të paguhet më shumë e mjekët më pak. Këtë po e mundësojnë VV dhe LDK.

Pse s’po bashkoheni në rrëzimin e Qeverisë?

Ymeri: Gjithsej opozita i ka 57 deputet. Për ta rrëzuar qeverinë na duhen edhe 4 deputetë së paku. 12 deputetët e PSD tashmë kanë nënshkruar listën për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. Presim që edhe deputetët tjerë të opozitës ta bëjnë një gjë të tillë. Deri sa ta kemi numrin e mjaftueshëm të deputetëve për një gjë të tillë, ne do të punojmë në Kuvend që të punojmë në monitorimin e punës së qeverisë, kontrollin ndaj saj, por edhe që ta ndihmojmë çuarjen përpara të projekteve të mira në interes të qytetarëve.

Shumëkush PSD e po e sheh si fajtore pse s’po ka bashkëpunim opozitar. Madje, po e lidhin mungesën e vullnetit opozitar për ta rrëzuar Qeverinë edhe për faktin se ju jeni ende në konsolidim. Ka dicka të vërtetë në këtë drejtim?

Ymeri: Kësaj pyetjeje i jam përgjigjur më lartë.

A do të vazhdoni ta bëni kuorumin vazhdimisht në Kuvendin e Kosovës?

Ymeri: Ne do të vazhdojmë që punojmë në Kuvend si deputetë që jemi. Për këtë edhe jemi votuar nga qytetarët, që t’i përfaqësojmë ata e t’u shërbejmë atyre. Jo vullnetit të verbër për pushtet të kryetarit të partisë.

 Për këtë edhe jemi votuar nga qytetarët, që t’i përfaqësojmë ata e t’u shërbejmë atyre. Jo vullnetit të verbër për pushtet të kryetarit të partisë

Qysh shkohet në zgjedhje të reja?

Ymeri: Janë dy mënyra: Kryeministri e qeveria largohen përmes dorëheqjes, ose kryeministri dhe qeveria rrëzohen përmes mocionit për mosbesim.

A mund ta shohim PSD në zgjedhjet e reja në një koalicion  parazgjedhor me AAK’në kur dihen raportet e afërta ndërmjet Shpend Ahmetit dhe Ramush Haradinajt?

Ymeri: Ne jemi duke punuar në terren që ta shtrijmë e forcojmë socialdemokracinë nëpër Kosovë. Ky fuqizim i PSD po bëhet edhe i shpejtë por edhe cilësor. Natyrisht që bashkëpunimin me forcat tjera politike e shohim si vlerë politike e demokratike. Por është herët të flitet për çfarëdo koalicioni e aq më pak parazgjedhor me ndonjë prej subjekteve. Këtë për raportet e afërta mes Kryetari të PSD dhe të Kryeqytetit dhe Kryesministrit nuk e di se nga e keni marrë, por më duket kogja spekulative. E insinuatave spekulative nuk u përgjigjem e as nuk i komentoj.

Qysh po planifikoni ta ndalni Presidentin Thaçi nga ndërmarrja e tij për ndryshim e korrigjim kufijsh?

Ymeri: Ne që prej majit të këtij viti kërkojmë që Kuvendi ta marrë rolinb drejtues në dialogun me Serbinë. Këtë drejtim Kuvendi do ta realizonte përmes delegimit të përgjegjësive në ekipin përfaqësues të Kosovës, si dhe përmes Platformës shtetërore do të sigurohej që dialogu t’i shërbejë interesit të Republikës. Kështu procesi do të kishte legjitimitet demokratik si dhe Kuvendi do ta drejtonte e monitoronte procesin e dialogut.

A e keni konsideruar mundësinë të mbani edhe ju protesta apo ju si PSD s’keni guxim ta bëni për shkak të frikës se s’mund të keni mjaft protestues?

Ymeri: Protestat janë mjet i domosdoshëm në demokraci për t’ia shtuar kësaj të fundit pjesëmarrjen aktive qytetare e presionin e domosdoshëm qytetarë që e drejton vendimmarrjen politike kah interesat e vulleti kolektiv i tyre. Në këtë drejtim janë pikërisht partitë progresvie ato që më shumti i mbështesin protestat e qytetarëve sepe demokracia progresive nuk përfundon në përfaqësim, por zgjerohet e thellohet në pjesëmarrjen e drejtpërdrejt të qytetarëve në procesin politik. PSD i mbështet protestat e qyetarëve dhe fton e lehtëson organizimin e protestave në interes të qytetarëve. Por duhet ta bëjmë një dallim mes protestës së qytetarëve dhe mitingut partiak. E para paraqet vullnetin politik të qytetarëve për ta kundërshtuar a afirmuar një çështje. E dyta përnaltëson në mënyrë egocentike liderin e partisë dhe kërkon pushtetin. E para kërkon kthimin e politikës në shërbim të qytetarëve. E dyta shfrytëzon qytetarin në interes të partisë.

Për thirrjen e protestave në interes të vendit duhet bashkëpunim me qytetarët. PSD kërkon këtë lloj protestash dhe këto lloj organizimesh popullore të cilat edhe i çmon edhe i ndihmon.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test