Mustafa “thumbon” patriotët e LDK-së, paralajmëron Thaçin dhe Haradinajn! - Bota Sot
Mustafa “thumbon” patriotët e LDK-së, paralajmëron Thaçin dhe Haradinajn!

Intervista

E martë, 13 nëntor 2018

Mustafa “thumbon” patriotët e LDK-së, paralajmëron Thaçin dhe Haradinajn!

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 5 nëntor 2018 Në ora: 07:55
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa

Kosova e ka një qeveri e cila nuk e përfaqëson shumicën në kuvend, një kuvend jofunksional si dhe një  president që tenton të ushtroj përgjegjësi jashtë atyre që i takojnë me Kushtetutë. Kështu ka deklaruar, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, akademik Isa Mustafa, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”. Mustafa, gjatë kësaj interviste ka thënë po të mos ishte zvarritja me çështjen e demarkacionit, liberalizimi i vizave do të ndodhte në fund të viti 2016. Për të parin e LDK-së, ideja e korrigjimit të kufijve do të thotë ndarje e Kosovës. Ai ka theksuar se LDK nuk do të pajtohet në asnjë mënyrë që përmes teorisë së korrigjimit të kufijve, të rihapet shtetësia e Kosovës.

“Bota sot”: Z. Mustafa, javë më parë,  LDK-së iu orkestruan një numër i madh sulmesh nga disa politikanë lidhur me vonesën e formim të ushtrisë, liberalizmit të vizave dhe nënshkrimin e Asosiaconit. Ku është qëllimi i kësaj? Cili është komenti juaj?

Isa Mustafa: Ata që krekoseshin se do të marrin vendime të mëdha, kanë mbetur në baltë. Dhe kanë shpresuar që LDK, megjithatë, do ti nxjerr nga balta. Por kësaj  radhe jo. Qeveria ime i kishte plotësuar 94 nga 95 kritere për liberalizim. I fundit ishte ratifikimi i marrëveshjes me Malin e Zi. Dhe, e them me përgjegjësinë më të madhe se liberalizimi do të ndodhte në fund të vitit 2016. Këta që sot drejtojnë Qeverinë mashtruan se Kosova po humb territor, ishin edhe disa patriot të LDK-së që po ashtu  akuzonin se po humbim territor, por sivjet u dorëzuan të gjithë, e votuan ratifikimin, por sa i përket liberalizimit frikohem që pak si vonë! Vendimi për Asociacionin është nënshkruar me Marrëveshjen e Parë, nga z. Thaçi dhe është ratifikuar në Kuvend në formë ligji në vitin 2013. Unë kam nënshkruar parimet, bazuar në këtë Ligj.

“Bota sot”: Kuvendi pak ditë më parë ka votuar projektligjet për formimin e Ushtrisë. Pse kjo nismë e formimi të Ushtrisë së Kosovës nuk arriti të përfundojë nën mandatin e LDK-së?

Isa Mustafa: Thjeshtë, sepse nuk pajtohej NATO dhe SHBA që ushtria të themelohet me ndryshim të mandatit të FSK-së, por vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese, pra Forcat e Armatosura të Kosovës. Për këtë kam biseduar me Sekretarin e NATO-s në Bruksel në vitin 2015, kam biseduar me përfaqësuesit më të lartë të SHBA, edhe me zëvendës presidentin e SHBA-ve, përgjigja ka qenë eksplicite, mund t`i themeloni Forcat e Armatosura vetëm me ndryshime kushtetuese, si forcë multietnike. Sa i përket FSK-së sekretari i NATO-s më pat informuar edhe me shkrim se ata do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me FSK vetëm në mandatin ekzistues. Ne provuam të bisedojmë disa herë me përfaqësuesit serb në Kuvend, për të siguruar 2/3 e dyfishta, por ata nuk guxonin nga Beogradi. E dini se në vitin 2017, Presidenti i Kosovës, pa e informuar Qeverinë, provoi një aventurë të ndryshimit të mandatit të FSK-së por pas presionit nga jashtë, tërhoqi Ligjin nga Kuvendi. Tani ka një evoluim të qëndrimit të SHBA dhe kjo më gëzon, që po mundësohet zgjerimi i mandatit të FSK-së edhe në atë ushtarak. Për këtë duhet ti falënderohemi një qëndrimi racional të SHBA-ve.

“Bota sot”: Lidhja Demokratike tashmë po provon të paraqesë një mocion votëbesimi ndaj Qeverisë Haradinaj. Shumicën në Kuvend, aktualisht, nuk e keni për ta kaluar këtë mocion. Si mendoni ta çoni vendin në zgjedhje, marrë parasysh këto rrethana?

Isa Mustafa: Kosova ka një Qeveri e cila nuk përfaqëson shumicën në Kuvend. Kuvendi, si i tillë është në krizë permanente të funksionimit. Në një vend ku nuk funksionon Kuvendi, Qeveria vepron pa kontroll dhe Presidenti tenton të ushtroj përgjegjësi jashtë atyre që i takojnë me Kushtetutë. Ky nuk është tani problem i LDK-së as i opozitës, është problem i Kosovës, edhe i atyre që i kanë votuar partitë në pozitë. LDK po tenton që të zgjoj zërin qytetar, zërin e arsyes se me ketë qeverisje po dëmtohet Kosova. Por ne nuk do të bëjmë grushtet e as të ushtrojmë dhunë siç bënë ndaj Qeverisë që drejtonim ne. Ne do të vazhdojmë të krijojmë situatë për ta rrëzuar këtë Qeveri dhe këtë qeverisje. Konsideroj se Qeverisë së ardhshme do ti nevojitet një mandat për të korrigjuar vendimet e dëmshme dhe të gabueshme të kësaj Qeverie.

“Bota sot”: Z. Mustafa keni mbajtur disa takime me kryetarin e VV-së, Albin Kurti. A jeni ende në fazën e diskutimeve apo tashmë keni një plan konkret veprimi si bllok opozitar?

Isa Mustafa: Me VV po bëjmë përpjekje të bashkërendisim veprimet si bllok opozitar në të mirë të vendit. Grupi ynë parlamentar po bën përpjekje të bashkëpunojë edhe me PSD-në dhe Alternativën. Sa u përket koalicioneve, për to do të përcaktohemi në procedura statutare, atëherë kur futemi në proces të zgjedhjeve.

“Bota sot”: Cili mendoni se do të jetë përfundimi i dialogut me Serbinë. Është presidenti Thaçi personi adekuat që duhet ta udhëheq atë?

Isa Mustafa: Kosova është shtet parlamentar, prandaj dialogun duhet ta udhëheq Qeveria. Por, jo kjo Qeveri që nuk përfaqëson shumicën. Presidenti duhet të sillet në suaza të përgjegjësive kushtetuese. Presidenti nuk negocion, sepse ai nuk i përgjigjet Parlamentit. Ai përfaqëson vendin.

“Bota sot”: Presidenti i vendit Hashim Thaçi vazhdon ta mbrojë idenë e tij për korrigjim të kufijve, cili është mendimi i LDK-së rreth kësaj çështje, sa janë gjasat që realisht Medvegja, Presheva dhe Bujanovci t`i bashkohen Kosovës?

Isa Mustafa: Korrigjimi i kufijve është ndarje e Kosovës. Kjo nuk na konvenon as neve por as shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Kosova ka shpallur pavarësinë në këta kufij, është pranuar ndërkombëtarisht dhe ka marrë opinionin pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. LDK nuk do të pajtohet në asnjë mënyrë që përmes teorisë së korrigjimit të kufijve, të rihapet shtetësia e Kosovës. Le ta njoh fillimisht Serbia Kosovën, e bëjmë shënimin e vijës kufitare, pastaj vjen demarkimi i kufirit.

“Bota sot”: Dallimet esenciale në mes qeverise Haradinaj dhe asaj Mustafa?

Isa Mustafa: Në Qeverinë time nuk ka qenë asnjë ministër më aktakuzë. Në Qeverinë e tanishme ka plot, ministra e zv ministra. Qeveria ime kishte ministra kompetent për fushat  e tyre që i përgjigjeshin kryeministrit, qeveria e tanishme ka ministra jokompetent që iu përgjigjen liderëve te partive të koalicionit.

Në Qeverinë time nuk kemi marrë vendime arbitrare dhe asnjë vendim pa opinion legal (të Zyrës Ligjore). Qeveria Haradinaj merr vendime për shkarkim të bordeve të cilat janë në fushëveprim të Kuvendit, merr vendime financiare pa mandatat të Kuvendit dhe pa ligj.

Ne kemi bërë dy reforma fiskale, kjo qeveri asnjë por mburret me rezultatet që tani po i japin reformat e qeverisë sime. Ne kemi nënshkruar MSA-në, Qeveria Haradinaj po rrezikon MSA-në dhe agjendën e reformave evropiane, për shkak të klientielizmit. Qeveria ime forcoi marrëdhëniet me FMN dhe institucionet tjera financiare, kjo qeveri po rrezikon stabilitetin buxhetor dhe makroekonomik dhe plot e plot të tjera.

“Bota sot”: A është LDK unike aq sa duhet që të shkojë në zgjedhje?

Isa Mustafa: Uniteti është nevojë karshi interesave të Kosovës. Aq sa ne e koncentrojmë vëmendjen tonë karshi interesit të vendit, zhvillimit ekonomik, arsimor e shëndetësor; karshi integrimeve evropiane dhe euroatlantike; karshi luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe forcimit të shtetit ligjor, e jo karshi vetvetes, atëherë uniteti ynë ka kuptim përmbajtjesor. Jam i bindur se jemi në rrugë të mbarë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test