Besian Mustafa fton Prokurorinë që të merret me emrat e përveçëm të urdhërdhënësve dhe ekzekutuesve të Xhemajl Mustafës

Intervista

Besian Mustafa fton Prokurorinë që të merret me emrat e përveçëm të urdhërdhënësve dhe ekzekutuesve të Xhemajl Mustafës

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 10 nëntor 2018 Në ora: 17:34
Besian Mustafa, djali i ish-publicistit dhe kolumnistit të gazetës “Bota sot”, Xhemajl Mustafa

Besian Mustafa, djali i bashkëpunëtorit të afërt të presidentit Rugova, ish kolumnistit të gazetës kombëtare “Bota sot”, Xhemajl Mustafa, javën e kaluar u emërua në pozitën e zëdhënësit të partisë më të madhe në Kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Besian Mustafa ka shpalosur planet dhe synimet e tij në politikë. Po ashtu, ai ka treguar edhe arsyet që e shtynë që ta ndjekë rrugën e babait të tij, Xhemajl Mustafës, i cili kishte ushtruar postin e zëdhënësit të LDK-së para se të vritej nga dora kriminale më 23 nëntor të vitit 2000 në hyrje të banesës së tij, në Prishtinë.

Mustafa, për “Bota sot”, ka folur edhe për vrasjen e babait të tij si dhe jetën e vështirë nëpër të cilën ka kaluar familja e tij.

Zëdhënësi i ri i LDK-së ndër tjerash ka folur edhe për vrasjet politike, Gjykatën Speciale, situatën në LDK dhe  koalicionet në zgjedhjet e ardhshme.

“Bota sot”: Zotëri Mustafa, jeni emëruar zëdhënës i partisë më të madhe dhe më të vjetër në Kosovë. Çka do të thotë kjo për ju?

Besian Mustafa: Fillimisht, është e rendit të falënderoj kryesinë e LDK-së, veçanërisht kryetarin Mustafa dhe nënkryetarët, për besimin që më kanë dhënë të udhëheqë Zyrën e Informimit të LDK-së si zëdhënës i saj. Puna ime në këtë detyrë do të jetë vazhdimësi e të gjithë atyre që kanë punuar e kontribuar për LDK-në dhe për shtetin e Kosovës duke filluar nga ata që themeluan vet LDK-në si Ibrahim Rugova, babai im Xhemail Mustafa, Fehmi Agani, e shumë të tjerë.

“Bota sot”: Cilat janë synimet e juaja në politikë?

Besian Mustafa: Thjeshtë, të kontribuoj në zhvillimin socio-ekonomik të vendit tim në çdo formë dhe kapacitet timin aktual dhe në të ardhmen. Do punoj të shoh një Kosovë me ekonomi të ndërtuar mbi parimet e tregut të lirë ku mbizotëron liria individuale për të marrë vendime ekonomike, shoqërore, politike, etj.

“Bota sot”: Çka ju shtyri që të pranoni postin e zëdhënësit të LDK-së?

Besian Mustafa: Çdo parti politike moderne mban komunikim me publikun të rregullt, të koordinuar dhe të drejtpërdrejtë. Njëkohësisht, Kosova tanimë ka arritur në fazën ku zhvillimi socio-ekonomik dita-ditës po merr skenën qendrore të prioriteteve. Andaj, si ekonomist, jam i përkushtuar që të promovoj edhe më shumë programin e zhvillimit socio-ekonomik të LDK-së.

“Bota sot”: Si e shihni ju LDK-në sot?

Besian Mustafa: LDK është partia më e vjetër në Kosovë, partia e parë demokratike anti-komuniste në ish-Jugosllavi dhe ndër partitë e para anti-komuniste në ish-Bllokun Lindor. Andaj, LDK në vetvete ngërthen tri gjenerata me përgjegjësinë për të udhëhequr partinë dhe shtetin. LDK ka shumë energji, rini dhe profesionalizëm në anëtarësinë dhe udhëheqësinë e saj dhe të gjitha këto i ofron qytetarëve të Kosovës për të udhëhequr institucionet për të ndërtuar një të ardhme dhe një perspektivë më të mirë për familjet dhe rininë kosovare.

“Bota sot”: Keni marr rrugën dhe postin që dikur e ushtronte babai i juaj, tashmë i ndjerë, Xhemajl Mustafa. Si ndiheni ju duke pas parasysh këtë?

Besian Mustafa: Unë nuk do të arrij të i afrohem punës, përkushtimit dhe profesionalizmit të babit veçanërisht duke ditur rrethanat në të cilët ai dhe presidenti Rugova kanë punuar gjatë viteve të 90-ta. Por, do të mundohem që të paktën në Kosovën moderne të përçoj standardet e tij të larta mbi punën, etikën dhe moralin.

“Bota sot”: A synoni ta vazhdoni rrugën e Xhemajl Mustafës?

Besian Mustafa: Si çdo fëmijë ëndërroj të bëj babanë tim krenar me punën time, profesionalizmin tim dhe me rezultatin e punës sime drejt zhvillimit socio-ekonomik të Kosovës.

“Bota sot”: Si ka qenë jeta juaj pa prezencën fizike të babait tuaj?

Besian Mustafa: Të jetosh pa babain i vrarë në Kosovën e pasluftës, kur mbizotëronte një kaos i rendit dhe ligjit, ka qenë tejet e vështirë në rrafshin emocional e psikologjik. Si familje jemi ballafaquar me situata tejet të rënda por, falë forcës emocionale e psikologjikë së nënës sonë, unë dhe motra kemi arritë të qëndrojmë të fortë, të shkollohemi dhe të bëhemi profesionistët e shkëlqyer që jemi sot.

“Bota sot”: Kur jemi tek Xhemajl Mustafa, sipas jush kush mund të qëndrojë prapa aktit makabër të vrasjes së babait tuaj?

Besian Mustafa: Vrasja e babit është qartazi vrasje politike e urdhëruar dhe mundësuar nga ata që kanë gjykuar që për të ardhur në pushtet duhet ta vrasin Xhemajl Mustafën dhe shumë udhëheqës të tjerë të LDK-së. Me emrat e përveçëm të urdhërdhënësve dhe ekzekutuesve duhet, dhe pres, të merret Prokuroria e Shtetit të Kosovës.

“Bota sot”: A mendoni që LDK ka bërë apo është dashur të bëj më shumë rreth zbardhjes së vrasjes së Xhemajl Mustafës si dhe vrasjeve dhe atentateve tjera politike?

Besian Mustafa: Unë gjithnjë do të insistoj që të gjitha institucionet e Kosovës të bëjnë maksimumin e mundshëm për zbardhjen e vrasjes së babit dhe liderëve tjerë të LDK-së që u vranë kryesisht pas luftës. Mbi të gjitha, këtë insistim e drejtoi kah Prokuroria e Shtetit të Kosovës të cilët paguhen majmë për të zgjidhur këto vrasje, e jo për të i bartur nga sirtari në sirtar!

“Bota sot”: Mendoni që SHIK-u qëndron prapa vrasjeve politike?

Besian Mustafa: Në këto pyetje duhet të përgjigjet Prokuroria e Shtetit të Kosovës dhe urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit e vrasjeve politike të dënohen sa më parë! Në të kundërtën, fatkeqësisht, shoqëria kosovare do të vazhdoj të të bashkëjetoj me krimin dhe kriminelët.

“Bota sot”: A besoni që Gjykata Speciale do të merret dhe do ta zbardh vrasjen e Xhemajl Mustafës dhe vrasjet tjera politike?

Besian Mustafa: Ligjërisht, këto vrasje politike deri në fund të vitit 2000 janë nën mandatin e Gjykatës Speciale prandaj unë dhe familja jonë presim që ato të trajtohen, të zbardhen dhe të dënohen nga kjo Gjykatë.

“Bota sot”: A mendoni që LDK në zgjedhjet e ardhshme do të dalë fituese?

Besian Mustafa: Gjithsesi që po. LDK ofron programin më të mirë politik dhe, mbi të gjitha, socio-ekonomik dhe kandidatët më profesionist në Kosovë.

“Bota sot”: Cili mund të jetë partneri në koalicion i LDK-së?

Besian Mustafa: Personalisht, mendoj që duhet të punojmë sa më shumë që të arrijmë të udhëheqim qeverinë e ardhshme të Kosovës të vetëm, pa partner qeverisës. Nëse nuk e arrijmë këtë, atëherë do të duhej të qeverisnim me parti që kanë ide, vizion dhe program të ngjashme me ato të LDK-së.

“Bota sot”: Cili është mesazhi juaj për gjithë qytetarët dhe votuesit e LDK-së?

Besian Mustafa: Tanimë është koha që Kosova të prodhoj më shumë zhvillim socio-ekonomik e shumë më pak politikë. Andaj, qytetarët e Kosovës duhet të zgjedhin partitë dhe kandidatët që ofrojnë zhvillim dhe të kërkojnë përgjegjësi nga ta për zhvillimin ekonomik të vendit. Ekonomia ke qenë, është dhe gjithnjë do të jetë mbi të gjitha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat