Skender Hyseni: Ideja e korrigjimit të kufijve, fantastiko-shkencore - Bota Sot
Skender Hyseni: Ideja e korrigjimit të kufijve, fantastiko-shkencore

Intervista

E shtunë, 17 nëntor 2018

Skender Hyseni: Ideja e korrigjimit të kufijve, fantastiko-shkencore

Më: 10 nëntor 2018 Në ora: 21:31
Skender Hyseni, ish-ministër i Punëve të Jashtme

Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Skender Hyseni në një intervistë për Kallxo ka thënë se ideja e presidentit të Hashim Thaçi për korrigjim të kufirit me Serbinë e cila, sipas tij, nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën është një fantastikë shkencore ndaj të cilës duhet pasur kujdes.

Sipas Hysenit, përvoja e ridefinimit të kufijve në vendet e Ballkanit ka prodhuar luftëra dhe nuk ka ofruar zgjidhje të qëndrueshme për asnjërën palë duke shtuar se dialogu me Serbinë duhet ta vazhdojë për çështje të interesit të përbashkët dhe jo për çështje të hapura siç është statusi i Kosovës.

Tutje Hyseni ka theksuar se tani më shumë se kurrë është i nevojshëm konsensusi i brendshëm politik dhe social për të pasur sukses në fazën finale të dialogut.

Ish-ministri i Jashtme poashtu ka folur edhe rrugën europiane të Kosovës si dhe ngecjet në numrin e njohjeve ku për këtë ka fajësuar krerët shtetërorë duke filluar nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradiaj dhe ministri i punëve të jashtme Behgjet Pacolli të cilët, sipas tij, me deklarata të kundërta kanë krijuar një konfuzion total të asaj sesi Republika e Kosovës përfaqësohet në rrafshin ndërkombëtar. Ai poashtu ka përmendur edhe liberalizimin e vizave për të cilën ka thënë që do të ishte një padrejtësi e madhe për qytetarët e Kosovës nëse nuk bëhet, ndërsa për anëtarësimin në INTERPOL është shprehur skeptik.

Z. Hyseni Kosova po e mbyll vitin 2018 me vetëm dy njohje, si e vlerësoni punën e deri më tanishme të Ministrisë së Jashtme në rrugën e sigurimit të njohjeve?

Skender Hyseni: Nuk jam i sigurt nëse janë edhe ato dy njohje gjatë këtij viti. Problemi është shumë më i thellë se kaq, jo vetëm te Ministria e Jashtme por ka si duket një çakordim total dhe një diskrepancë të madhe në qëndrimet që plasohen në politikën e jashtme. Presidenti thotë një gjë, kryeministri thotë te dytën ndërsa ministri i jashtëm thotë të tretën e nganjëherë nuk e di as vet se çfarë thotë dhe kjo si tërësi krijon një konfuzion total në botë në atë se cila është politika e jashtme e Kosovës, për çfarë angazhohet Kosova në rrafshin ndërkombëtar dhe në politikën e jashtme. Është thelbësore që politikat e jashtme të koordinohen mirë, të vendosen në një kornizë pika të veprimit cilat do t’i respektojnë të gjithë duke filluar nga kryeministri, presidenti, ministri i punëve të jashtme dhe ministrat e tjerë dhe fare në fund shërbimi diplomatik, ambasadat e republikës, zyrat konsullore. Është shumë me rëndësi që të ketë një zë në politikën e jashtme dhe të dërgohet një mesazh.

Ishte tragjikomike kërkesa e kryeministrit Haradinaj ndaj ambasadorëve që ata të mos presin instruksione nga Prishtina por t’i bëjnë politikat vet në bazë të informatave në media, nuk ka gjë më të dëmshme për një shtet sesa mungesa e instruksioneve të qarta për përfaqësitë diplomatike. Të gjitha këto kanë dërguar në botë mesazhe të përziera dhe vendet që nuk e kanë njohur ende Kosovën kanë filluar të vendosin pikëpyetje të mëdha nëse ky shtet është i konsoliduar si shtet i pavarur ende apo jo, sidomos kur një përfaqësues nga Kosova dërgon mesazhe se statusi i Kosovës është i pazgjidhur, status i cili është vulosur më 22korrik 2010 në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), me një vendim që pavarësia e Kosovës është e ligjshme dhe është në pajtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare.

Problemi nuk është vetëm te njohjet të cilat jo vetëm se kanë ngecur por edhe disa nga to edhe po kontestohen e ndonjë vend aty-këtu ka filluar të mendoj për tërheqje.

A mendoni se dialogu Kosovë-Serbi ka ndikuar që të kemi një numër kaq të vogël të njohjeve?

Skender Hyseni: Dialogu me Serbinë ka qenë i paraparë të jetë për çështje teknike ose për çështje të interesit të ndërsjellë, mirëpo për fat të keq institucionet e Kosovës kanë filluar dialogun mbi një premisë politikisht diskutabile. Qeveria e Kosovës ka pranuar që të futet në dialog me Republikën e Serbisë sipas formulës Prishtinë-Beograd, e jo Kosovë-Serbi dhe kjo që në start ka vendosur një premisë e cila ka dërguar një mesazh që këto nuk janë dy shtete duke diskutuar por janë dy entitete brenda një strukture. Prandaj menjëherë pas vendit të GJND-së kam deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet të bisedojnë për çdo problem që kanë mes vete me një kornizë të qartë biseda shtet-shtet. Pavarësisht që këto shtete nuk njihen mes vete patjetër që Kosova duhej të insistonte në formulën shtet-shtet dhe unë kam insistuar këto ditë që LDK-ja tani e tutje të këmbëngulë në këtë formulë, sepse ky tip dialogu ka mundur të dërgojë mesazhe që ndonjë vend që ka qëndrim neutral ndaj Kosovës të mos nxitojë dhe të mendojë se jo çdo gjë ka përfunduar ende.

Në kuadër të fazës finale të dialogut me Serbinë, Presidenti Thaçi ka paralajmëruar se do ta paraqesë idenë për korrigjim të kufijve, që sipas tij nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Grupi Parlamentar i LDK-së e ka kundërshtuar këtë ide, por cili është qëndrimi juaj?

Skender Hyseni: Nuk jam në dijeni që presidenti Thaçi ka prezantuar zyrtarisht një plan për ta bashkuar Luginën e Preshevës me Kosovën por nëse kjo është e mundshme dhe e realizueshme pa u prekur territori aktual i Kosovës atëherë kjo lë të bëhet por kjo është një fantastikë shkencore.

Gabimet janë bërë që në start, loja me kufijtë, ridefinimi i kufijve, e sidomos ridefinimi i kufijve përgjatë linjave etnike në Ballkan historikisht ka prodhuar tragjedi të mëdha, luftëra të mëdha, zhvendosje më mëdha të popullsisë dhe nuk kanë prodhuar një zgjidhje të qëndrueshme. Pra, Kosova si vend në ndërtim që duhet të jetë dyfish më e përgjegjshme dhe më e kujdesshme jo vetëm në veprime por edhe në deklarime.

Kryesia e LDK-së mendon që çfarëdo ideje për rikonstruktim të territoreve në Ballkan mund të prodhojë konflikte të reja dhe ne insistojmë që dialogu të bëhet të interesit të ndërsjellë dhe jo për çështje të hapura siç është statusi. Për interes të ndërsjellë Kosova dhe Serbia do të bisedojnë përjetësisht, unë të ardhmen e shoh me marrëdhënie të mira e pakta marrëdhënie funksionale që do t’ua mundësojë të dyja vendeve të ecin drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s.

Ajo që ka rëndësi sot në Kosovë është një konsensus i gjerë midis forcave politike dhe një konsensus social për nevojën e përmbylljes së dialogut me Serbinë sepse është në interes të Kosovës që sa më parë të përmbyllet ky proces i cili ka filluar si duhet. Është barrë tepër e rëndë për secilën forcë politike që ta bartë e vetme këtë proces. Institucionet aktuale nuk bëjnë përpjekje për ndërtimin e konsensusit këtu shoh gabime të opozitës duke përfshirë edhe LDK-në që ndonjëherë mbanë qëndrime tepër ekskluzive përjashtuese. Ky dialog nuk mund të zhvillohet dhe të përmbyllet pa konsensus të forcave politike.

A mendoni se një marrëveshje për shkëmbim territoresh ose për ndarje do të kishte efekt edhe në vendet e tjera të rajonit, si në Maqedoni dhe në Bosnjë e Hercegovinë?

Skender Hyseni: Çdo lojë më kufij në Ballkan ka prodhuar një efekt zinxhiror dhe ky është rreziku, pastaj këmbimi i territoreve nënkupton zhvendosje të popullsisë dhe kjo krijon katastrofa dhe situata emergjente humanitare. E ardhmja duhet të shihet më ndryshe duke sanksionuar dhe konstatuar kufijtë aktualë dhe duke i bërë ata kufij jorelevantë. Në vend që të vendosim mure të pakalueshme duhet të përpiqemi që kufijtë aktualë që i ka secili entitet që ka dalë nga Ish-Jugosllavia të bëhen sa më fleksibilë dhe të parëndësishëm deri në atë që në Ballkanin perëndimor të aplikohet regjimi Schengen të udhëtohet pa pasaportë. Pra kjo është e ardhmja sepse nuk mund të pretendojmë të hymë në BE duke u sjellë me politikat dhe idetë e shekullit 19-të.

Kosova, me gjasa të pakta për anëtarësim në INTERPOL

A ka gjasa që Kosova këtë vit të anëtarësohet në organizatën INTERPOL, a ka bërë sa duhet diplomacia kosovare që t’i bindë shtetet për të votuar pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë?

Hyseni: Nuk e di se çfarë gjëje pozitive ka bërë diplomacia kosovare për anëtarësim të INTERPOL. Qeveria e Kosovës karshi kësaj organizate e ka bërë një veprim të pafalshëm, gabim të rëndë me tërheqjen e aplikacionit për anëtarësim vitin e kaluar sepse Kosova sot do të ishte në INTERPOL. Kosova ishte futur në agjendë në Asamblenë e Përgjithshme në Pekin së bashku më Palestinën dhe Ishujt Samoa ka qenë plotësisht e sigurt që Kosova do të futej në pako me ato dy vende të tjera. Kosova e tërhoqi aplikacionin nën pretekstin se s’ka vota të mjaftueshme, kjo ka qenë një hamendësim, unë e kam parë shancën e madhe të Kosovës që do të futet në pako më ato dy shtete sepse nuk kishte gjasa teorike që ndonjë vend të votojë për Palestinën e të votojë kundër Kosovës, madje Kosova në agjendë ishte si Republikë.

Tani në Asamblenë e Përgjithshme në Emiratet e Bashkuara është vetëm një aplikacion dhe ai është i Kosovës, kam shqetësimet e mia të thella që kjo mund të mos ndodhë sepse të qenit i vetmi aplikant ka krijuar municion të mjaftueshëm për Rusinë dhe Kinën për shumë vende të tjera që të lobojnë kundër Kosovës edhe gjatë asamblesë së përgjithshme ndërkohë që vitin e kaluar në Pekin këtë municion nuk e kanë pasur sepse ata nuk mund të lobonin kundër Palestinës sepse ishin pro anëtarësimit të saj, poashtu e gjithë konferenca e bashkimit islamik 57 vende anëtare ishin për Palestinën dhe nuk mund të lobonin kundër Kosovës, ndërkaq sivjet është situatë tjetër.

A mendoni që diplomacia serbe është duke e dëmtuar rrugën europiane të Kosovës?

Skender Hyseni: Jam i sigurt që diplomacia serbe natë e ditë punon që ta dobësojë Kosovën në të gjitha rrafshet dhe unë habitem pse ne habitemi për këtë gjë. Nuk ka asgjë të pazakonshme këtu sepse edhe në kohën kur unë kam qenë ministër i parë i jashtëm i Republikës së Kosovës dhe çdo veprim i imi ka qenë për ta zvogëluar fuqinë e Serbisë kundër Kosovës. Deklaratat dhe interpretimet patetike të diplomatëve dhe njerëzve të politikës së jashtme të politikës së Kosovës ku thonë se diplomacia serbe kundër nesh, çfarë kanë pritur ata sepse kjo është vetëkuptueshme. Diplomacia serbe do të vazhdojë të punojë kundër Kosovës, mirëpo (diplomacia e Kosovës) në vend të vajtimit duhet t’i kryejë punët e saj dhe jo të ndjekë se çfarë po bën diplomacia e Serbisë.

Së fundmi është është raportuar për tërheqje të njohjeve të Kosovës nga disa shtete. Si i keni parë këto raportime a ka mundësi të ndodhë diçka e tillë?

Skender Hyseni: Do të ishte precedent të marrëdhëniet ndërkombëtare që ndonjë vend ta tërheqë njohjen zyrtare të një vendi tjetër si shtet sovran dhe i pavarur. Në praktikat ndërkombëtare ka ngrirje marrëdhëniesh diplomatike, ka ngritje komunikimi, ka ngrirje marrëdhëniesh të tërësishme, mirëpo jo mohim shtetësie ose tërheqje të njohjes. Kështu që edhe këtu e shoh një lojë perfide që diplomacia serbe po e luan me sukses ndërkohë që diplomacia kosovare po vajton. Nuk shoh rrezik që do të ketë tërheqje të njohjeve, mund të ndodhë që ndonjë vend të ngrijë marrëdhëniet ose të ndërpresë komunikimin. Kosova njihet nga 116 shtete të botës por janë një numër më i vogël me të cilat Kosova ka nënshkruar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Si e shihni ndërrimin e diskursit të liderëve kosovarë por edhe evropian për liberalizimin e vizave, a ka mundësi që Kosova këtë vit të përmbyllë këtë proces?

Hyseni: Rreth vizave gabimet janë bërë para tre viteve së pari zvarritja e ratifikimit të marrëveshjes me demarkacionit me Malin e Zi ka qenë gabim strategjik për të cilin fajtorë janë të gjitha partitë pa përjashtim. Vazhdoj të jem kritik i rreptë i sjelljes së papërgjegjshme të Kuvendit të Kosovës karshi demarkacionit, ku për dy vite u shty liberalizimi.

Është mirë që Kosova i ka kaluar të gjitha fazat, raporti për vizat për Kosovën dhe natyrisht që nuk do të thotë që me automatizëm të gjitha vendet do të pajtohen. Tani Kosova duhet të punojë me secilin vend veç e veç sepse tani është në duart e ministrave të brendshëm të secilit vend që të votojë pro apo kundër. Ka pasur gjithmonë afate për konsum të brendshëm politik për vetëpromovim dhe shumica e politikanëve në Kosovë nuk kanë prituar ndërkohë që nuk kanë asgjë mbrapa. Duke dhënë afate kjo shkakton vetëm kundërshtim por edhe disponim jo të mirë karshi vizave për kosovarët, sepse askush nuk mund të vendosë në emër të Gjermanisë, pra janë gabime duke mos i menduar pasojat.

Do të jetë një padrejtësi politike dhe humane nëse edhe më tej zvarritet liberalizmi, nuk kanë asnjë argument asnjë nga vendet e zonës Schengen që t’u thonë kosovarëve që vetëm ju nuk mund të udhëtoni pa viza, tani kur të gjithë përreth nesh e kanë këtë regjim të liberalizuar. Unë besoj që ministrat e brendshëm të Europës nuk do t’i marrin parasysh deklaratat me afate të liderëve kosovarë, ata do të mendojnë për interesa e qytetarit të Kosovës, ata nuk kanë të drejtë që të nëpërkëmbin një të drejtë elementare për qytetarët e Kosovës. Kosova nuk qëndron hiq më keq as më mirë sesa vendet e tjera të Ballkanit perëndimor që tani lëvizin pa viza.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test