Eurodeputeti gjerman: Merkel pas largimit nga partia, do të vazhdojë të merret me Ballkanin Perëndimor

Intervista

Eurodeputeti gjerman: Merkel pas largimit nga partia, do të vazhdojë të merret me Ballkanin Perëndimor

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 12:30

Në një intervistë për DW, Peter Beyer, raportues i grupit parlamentar CDU/CSU për Kosovën dhe Serbinë në Komisionin e Jashtëm të Bundestag-ut, thotë se nuk do të ketë anëtarësim të Serbisë në BE pa njohje të Kosovës.

Deutsche Welle: Ju ishit në Beograd para pak kohësh dhe thatë se Serbia nuk mund të hyjë në BE pa njohur Kosovën. E thatë vërtetë kështu, apo ju cituan gabim?

Peter Beyer: Kjo nuk është ndonjë gjë e re. Unë thashë se nuk mund të ketë anëtarësim në BE pa njohje të Kosovës. Për realizimin e kësaj ka disa modele, e di që nuk është e lehtë. Ka qenë një parakusht që u vu para se të nisnin bisedimet. Çdokush e kishte të qartë që në fillim. Prandaj më habit vala e madhe e reagimeve që erdhi pasi e thashë këtë.

Besoni se kjo do të ndodhë me të vërtetë?

Kjo nuk është çështje besimi, por është çështje se si mund të arrihen përparime thelbësore në procesin e dialogut me Serbisë dhe Kosovës dhe se si mund të përparohet në procesin e negaociatave të anëtarëisimit në BE. Jo më kot në negociata është futur edhe kapitulli 35. Në se duan seriozisht të hyjnë në BE, të dyja palët duhet të hyjnë në bisedime. Nuk është e lehtë, por kur ke një qëllim përpara, nganjëherë duhet dalë jashtë kuadrit zakonshëm.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, tha të hënën në Berlin se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën si shtet...

E kuptoj se përse zonja kryeministre Brnabiq, e thotë këtë. Është ende herët të flitet për format konkrete se si do të bëhet njohja. E di që kjo do të kërkojë edhe ndryshimin e kushtetutës nga ana e Serbisë. Prandaj edhe bëjmë mirë që ta kujtojmë herë pas here, se cilat janë kushtet e anëtarësimit në BE. Kjo ishte edhe arsyeja se përse unë e thashë në intervistën time me Tanjug-un, se përse dialgou midis Serbisë dhe Kosovës, përfshirë edhe njohja e Kosovës, është pjesë integrale shumë e rëndësishme e hapave që duhen bërë në rrugën drejt BE-së.

Në mediat serbe dialogu është shpallur që tani i vdekur. A do ta shihnit edhe ju kështu?

Jo, natyrisht. E shoh që nuk po bëhen përparimet thelbësore në këtë pikë. Kjo më shqetëson, por nuk mund të them se dialogu ka vdekur. Por unë apeloj tek të gjithë përgjegjësit, dhe këtu hyjnë jo vetëm pala serbe dhe pala kosovare, por edhe zonja Mogherini, që të mbledhin forcat e ta shohin me kujdes edhe njëherë rrugëtimin që kanë për të bërë bërë dhe ta vazhdojnë atë. Pra, nuk është kurrsesi i vdekur, ndoshta ka nevojë sërish për një impuls të ri, ky impuls ndoshta mund të vijë nga Gjermania. Këtë unë nuk e di, por detyra ime ishte t'ua kujtoja.

Mendoni se pikërisht në këtë moment, kur edhe dialogu ka ngecur hapja e procesit të krijimit të shtrisë së Kosovës ka qenë kontraproduktiv?

Unë e kuptoj shqetësimin e Serbisë, por askush nuk ka përse ta ndiejë veten të kërcënuar nga Ushtria e Kosovës. Apeli im për të dyja palët: Ruajeni qetësinë dhe përqëndrohuni te temat. Është në interes të përbashkët dhe në interes të BE-së dhe të Gjermanisë që këto vende të shkojnë mirë me njëri-tjetrin, në fund që të dy do të jenë anëtare të plota të BE-së.

Ushtria e Kosovës kërkon 300 milionë euro investim. A janë këto para të investuara mirë?

Ne këtë po e diskutojmë aktualisht edhe në Europë. Kancelarja gjermane dhe ministri i jashtëm Heiko Maas e kanë theksuar në ditët e fundit se na duhet një ushtri. Por në fund të ditës çdo vendi do t'i duhet vetë të kujdeset për sigurinë e vet, por tekefundit është një çështje e krenarisë kombëtare që të jesh në gjendje ta mbrosh vetë sigurinë e vendit tënd. Prandaj unë mendoj se ky është një zhvillim i mirë, por që duhet të ecë ngadalë dhe shpresoj që ushtria të mos jetë e detyruar të angazhohet për mbrojtjen e territorit.

Një propozim për zgjidhjen e çështjes se konfliktit e që vjen nga të dyja palët është ndryshimi i kufijve. Këtë e mbështet Amerika kurse Gjermania është rreptësisht kundër. Përse?

Sepse ne mendojmë se këmbimi i territoreve, sado i strukturuar që të bëhet, mund të prishë stabilitetin e rajonit. Po përmend Republika Srpskan,Bosnjë-Hercegovinën, por ka edhe vende të tjera. Ky është një shqetësim që ndajnë edhe partnerët amerikanë. Pra, nuk është se ata janë tërësisht pro këtij propozimi. Unë sapo u ktheva nga Shtetet e Bashkuara, ku u takova edhe me përfaqësues të lartë të administratës amerikane. As aty askush nuk është euforik ndaj këtij propozimi. Pra, kur thuhet se këtë propozim e mbështet edhe amerikanët, duhet parë se sa aktivë janë.

Edhe në takimet që pata në rajon, përveç presidentit Thaçi, nuk gjeta askënd që ishte pro këmbimit të territoreve. Veç kësaj mendoj se në shekullin 21 i kemi lënë ndarjet e territoreve në bazë të përkatësisë etnike. Por edhe nëse ky propozim do të ndodhte me të vërtetë: Janë vetëm 35 mijë serbët në veri të Kosovës që do të ishin të prekur nga ky kompromis. Por çfarë do të ndodhë me serbët që janë në pjesë të tjera të Kosovës? Ata janë më të shumtë në numër. Pra, ky propozim nuk është kurrsesi zgjidhje.

Në mediat serbe thuhet se Gjermania në fakt, për shkaqe të politikës së brendshme nuk është e interesuar në anëtarësimin e Serbisë në BE. Sa e vërtetë mund të jetë kjo? Janë thashetheme. Në biznesin politik, sidomos në Ballkan ka shumë shpesh thashetheme. Si për shembull, për çështjen e liberalizimit të vizave. Kur isha në Kosovë, takova politikanë që thoshin se na është premtuar liberalizimi i vizave brenda vitit. Nuk e di se kush mund t'ua këtë thënë.

Pra ju nuk mendoni se do të ketë liberalizim vizash brenda këtij viti, megjithëse Komisioni dhe Parlamenti Europian kanë dhënë dritën e gjelbër?

Ne jemi në një proces. Është e vërtetë që Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian janë shprehur për liberalizimin e regjimit të vizave.Tani e kanë radhën 27 vendet anëtare që ta komentojnë këtë dhe të pozicionohen. Në fund do të jetë Këshilli i Ministrave të BE-së, që do të vendosë. Por për këtë duhen dërguar në Bruksel të gjitha qëndrimet e 27 vendeve. Gjermania nuk ka dalë ende me një pozicion. Për këtë duhet të bien dakord Ministria e Punëve të Brendshme me atë të Jashtme. Se kur do të bëhet publik ky qëndrim, kjo nuk dihet. Por nuk besoj se do të ketë një vendim brenda këtij viti, mendoj se kjo do të ndodhë vitin e ardhshëm.

Pas zgjedhjeve të Europës?

Ç'është e vërteta duhet të jemi realistë. Unë për vete jam me gjithë zemër për liberalizimin e vizave. Por këtë nuk e vendos unë, por përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare të BE-së. Prandaj është e vështirë të jepet një datë. Kjo më duket edhe e rrezikshme. Por unë për vete nuk pres vendim para zgjedhjeve për Parlamentin Europian.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, gëzon një reputacion të lartë në Ballkan. A ka shanse që tani që ajo do të tërhiqet nga kryesia e Partisë të angazhohet me shumë aty?

Kancelarja, për sa lejohem ta shoqëroj unë atë këtu, është shumë e interesuar në përparimin dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Ajo është shumë e informuar, edhe pse nuk shprehet gjithnjë në publik. Unë do të përpiqem që ta nxisë atë që ta shprehë dhe përfaqësojë edhe më me forcë pozicionin gjerman dhe që të ndërhyjë pak më shumë në mënyrë konstruktive. Ajo e ka bërë këtë edhe më parë në të kaluarën, megjithëse ndoshta më pak në vitin e kaluar dhe këtë vit, sepse vështrimi i i saj ishte më i fokusuar në politikat e brendshme. Por dhe guxoj të parashikoj se në të ardhmen e afërt do ta përjetojmë ndoshta të përzihet më shumë.

Ç'duhet të bëjnë krerët e Ballkanit për ta bërë më të mundshëm angazhimin e kancelares në Ballkan?

Apeli im është të bëjnë gjithçka në interes të vetin. Prandaj ne na duhet një agjendë pozitive dhe përparime, dhe jo diçka që ngre fronte.

A do të ketë ndryshime të politikës ndaj Ballkanit Perëndimor kur të përfundojë epoka e Merkelit? 

Era e Merkelit nuk ka përfunduar. Ne shohim se çfarë do të ndodhë pas saj. Do të kemi një kokë të re në krye të partisë, prandaj kancelarja në fillim do të bëjë punën e saj si më tej, ndoshta do të ketë më shumë kohë që të merret me Ballkanin Perëndimor, kjo si mesazh pozitiv. Ne në Bundestag, në CDU/CSU kemi një grup joformal për Ballkanin Perëndimor që e ka krijuar Andreas Schockenhoff, i cili para ca vitesh vdiq shumë parakohe. Këtu mblidhen të gjithë ata që janë raportues për Ballkanin Perëndimor në të gjitha Komisionet Parlamentare.

Ne takohemi, angazhohemi, sepse besojmë në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Dhe këtu luan një rol shumë të fortë edhe Grupi Parlamentar CDU/CSU. Dhe meqë ra fjala, të rrallë, sepse grupet e tjera parlamentare nuk e bëjnë në mënyrë kaq të strukturuar ndër vite, siç e bëjmë ne. Ne ndërhyjmë në mënyrë kritike dhe në interes të mirëkuptuar të njerëzve që jetojnë në Ballkanin Perëndimor dhe këtë do ta bëjmë edhe më tej, ndoshta më me forcë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat