Heqja e Shqiponjës lëndon krenarinë e qytetarëve

Intervista

Heqja e Shqiponjës lëndon krenarinë e qytetarëve

Nga: Albert Z. Zholi Më: 21 nëntor 2018 Në ora: 15:52
Artur Roshi

-Ardhja e eshtrave të Mid’hat Frashërit në Atdhe ka ngjallur shumë reagime nga veteranët dhe disa parti të vogla ta majta, mendimi juaj?
Në këndvështrimin tim, Mid’hat Frashëri është një “MIT” dhe jo një dorë kockash, prandaj le ta shohim ardhjen e eshtrave të tij në Tiranë si një simbolikë që përcakton fillimin e ardhjes së tij shumëdimensionale,në historinë e kombit për tharmin pro-kombëtar të tij, në historinë politike për hedhjen e ideve të para demokratike. Ashtu edhe për formimin e mendimit politik shqiptar dhe krijimin e programit të parë politik mbi filozofinë politike moderne evropiane të Burke-s të partisë së parë konservatore të Ballit Kombëtar Demokrat në 1945, në historinë e gjuhësisë për kontributin e tij si kryetar i Kongresit të Manastirit, në historinë e diplomacisë për përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në Konferencën e Paqes dhe në Kombet e Bashkuara, në historinë e ekonomisë për konceptin e zhvendosjes së varfërisë nëpërmjet iluminimit të shqiptarëve,në historinë e qeverisjes për konceptimin e qeverisjes si shërbim dhe jo si pushtet autoritativ, në historinë e arsimit për themelimin e Bibliotekës Kombëtare dhe hartimin e programit të parë arsimor. Reagimet negative vijnë nga ata që janë përgjegjës moralë për shërbimin ndaj diktaturës në vendin tonë, megjithatë mendoj se inercia e tyre për të fshehur të vërtetën mbaron këtu. “Veteranët” e Luftës sot duhet të jenë minimalisht 92 vjeç dhe të tillë mund të jenë apo të mos jenë më shumë 5-10 veta. Ata që reagojnë negativisht nuk shpërndajnë më dot besimin që imponohej nga diktatura, sepse sot besimi që ata mund të ngjallin është në nivelet e poshtëm të kufirit të ekzistencës së këtij besimi. I ftoj t’i afrohen të vërtetës, sepse rendi kapitalist që sot aplikon shoqëria jonë nuk funksionon jashtë të vërtetës, duke ditur që të ardhmen tonë nuk mund ta ndajmë më, mes mjerimit dhe dhunës.

– Cili është komenti juaj për për heqjen e Shqiponjës në rrethrrotullimin e Tiranës?
Për heqjen e Shqiponjës nga rrethrrotullimi mendoj se duhet ta vendosin sërish në një vend identifikues të qartë për ta prezantuar si simbol kombëtar. Për këtë duhet të shprehet një nga përfaqësuesit e qeverisë për të qenë të obliguar ndaj rivendosjes, sepse heqja e simboleve lëndon qytetarët në krenarinë e tyre dhe nuk është thjesht një veprim administrativ dhe ekzekutiv.

– Rasti Kaçifas çfarë përbën për opinionin shqiptar dhe më gjerë?
Rasti i Kaçifas në opinionin shqiptar për ditën e varrimit të tij la një shije të athët për fuqinë e shtetit dhe qeverisjes së vendosur për të ruajtur lartësinë e dinjitetit të kombit tonë. Qeveria u tregua e dobët për të vepruar në harmoni me pushtetin lokal,e dobët për të ditur dhe skanuar njerëzit e linjave zjarrvënëse të fqinjësisë së mirë me Greqinë, në mënyrë që të mos lejonte hyrjen e tyre ne vendin tonë,e dobët për të sqaruar qartë opinionin publik se policia negocioi mjaftueshëm me të ndjerin dhe nuk kishte rrugë tjetër për shmangie nga goditja ndaj tij. Në bindjen time minoritarët grekë në Shqipëri ndjehen në harmoni të plotë me shqiptarët, për të mos thënë se kur jetojnë në Greqi vuajnë negativitetet e fjalës “shqiptar” njëlloj si shqiptarët e tjerë. Megjithatë besoj se autoriteti i shtetit varet nga fuqia ekonomike e tij, dhe parë kështu shteti ynë u mundua të tregonte se funksionon i mëvetësuar. 4- Si do ta komentoni qenien jashtë parlamentit të opozitës, a do të hyjë në parlament dhe cilat janë arsyet e të qenit jashtë? Opozita është jashtë parlamentit jo se dëshiron,por e shikon si një veprim politik për të realizuar zgjedhje të lira e të ndershme dhe për këtë duhet bërë ndarja e pushtetit nga krimi. Kjo është një gjë parimore dhe kur mbështetesh në parim nuk ka ndonjë gjë a-normale. Unë mendoj se ky mjet politik i opozitës tërheq vëmendjen e ndërkombëtarëve si palë ndërmjetëse e besueshme nga të dy krahët politikë për të zgjidhur vërtet problemin që me të drejtë opozita shtron, nëpërmjet një ligji që kufizon qeverinë në ekspozimin e saj ndaj krimit dhe oligarkëve. Mendoj që qeveria duhet ta marrë seriozisht mos praninë e opozitës në kuvend dhe të gjejë dakordësinë për problemet që ajo ngrë.

– Cili është mendimi juaj për bazën e Kuçovës, e cila tashmë do kthehet në bazë të NATO-s, çfarë do sjellë kjo bazë për shqiptarët dhe Shqipërinë?
Baza e NATO-s në Kuçovë është një element që tregon stabilitetin dhe sigurinë e vendit tonë. Nga ana tjetër e shoh si një mbështetje politike të SHBA drejt vendit tonë për proceset integruese dhe si ndikim në rritjen e gradës së lirisë së çdo qytetari shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat