Vuçiq: Për Kosovën zemra më thotë një gjë, por mendja diçka tjetër

Intervista

Vuçiq: Për Kosovën zemra më thotë një gjë, por mendja diçka tjetër

Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 18:15
Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para disa ditësh ka dhënë një intervistë për emisionin “Oko”, në Radiotelevizionin e Serbisë, në të cilën ka folur për takimin e dy qeverive në Pejë, arsyet për tentimin e arrestimit të Milan Radojiçiqit, si dhe për raportin mes Perëndimit dhe Kosovës.

Përgjigjet më interesante:

Media Serbe: Nëse nuk ka dilema rreth asaj dite të madhe, ditës së aneksimit të Vojvodinës, si është puna me Kosovën? A folët për Kosovën dje kur përmendët politika të këqija të Serbisë në shekullin e kaluar?

Aleksandar Vuçiq: Mendova edhe për Kosovën. Më bëtë një pyetje të vështirë.

Unë për këtë do të mund të flisja që nga viti 1912, pra nga koha e Luftës së Parë Ballkanike. Pas një kohe të gjatë ajo që i përkiste Vilajetit të Kosovës i kthehet Serbisë. Sepse njerëzit mendojnë se ajo (Kosova) na përket që nga kohët e vjetra, gjë e cila nuk i përgjigjet të vërtetës.

E vërtetë është se kishim probleme që lidheshin edhe me Kongresin e Berlinit, pastaj me Lidhjen e Prizrenit. Pas kësaj, nga dhjetëvjeçari në dhjetëvjeçar e humbëm. Përherë kemi luftuar për këtë territor. Në vitin 1991, në Kosovë kishim diçka më shumë se 19% banorë serbë, sepse që nga viti 1981-1991 ishim shumë të kërcënuar në Kosovë. Për arsye se filloi forcimi i banorëve shqiptarë në Kosovë.

Në Kosovë erdhën shumë para nga SHBA, Zvicra dhe disa shtete të tjera ku kishte diasporë shqiptare. Ata ishin shumë të disiplinuar, jepnin gjithçka për shtetin e tyre Shqipërinë. Ne serbët nuk jemi ai ata. Jemi të prirur për kompromise dhe për të kërkuar ku jetohet më mirë. Por, nuk duhen fajësuar njerëzit që largohen për një jetë më të mirë.

Nuk do të flas keq për të tjerët sot… Jam shumë i mërzitur sepse sipas anketave duket se njerëzit, nga njëra anë, nuk e  duan zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe nga ana tjetër nuk e dinë se me kënd kemi të bëjmë ne.

Ne mendojmë se mund ta ruajmë status-kuo’në. Por, këtu ne nuk i kuptojmë dy gjëra.

Këtë që do ta them e di se as 5 për qind e njerëzve nuk do ta mbështesin, por e di se një ditë dikush do të kujtohet. Njerëz, ne përballemi me dëshirën e shqiptarëve që ta përmbyllin shtetësinë e tyre. Ata janë të gatshëm të paguajnë çdo çmim për këtë. Çdo çmim. Në çfarëdo mënyre.

Por, a e pyesim ne veten: “Vallë, a jemi ne të gatshëm?”. Qytetarët tanë thonë se më shumë do të donin që të mbetet status-kuo’ja, konflikti i ngrirë. Kjo është e pamundur, njerëz. A e mendoni se çfarë do të thotë “Konflikt i ngrirë”? Mendoni konfliktin e ngrirë mes Rusisë dhe Ukrainës. Kush ju garanton se do ta ruani status-kuo’në? Këtë nuk e do Europa, këtë nuk e do bota, këtë nuk e duan shqiptarët të cilët në Kosovë janë 91%-92%. Ata nuk e duan këtë. Dhe tashmë e kanë të vërtetuar shtetësinë nga ana e botës Perëndimore. Në këto kushte të mos flas për gabimet tona: lejimin e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, në vitin 2010 Serbia iu drejtua Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, vendosja e kufirit në Jarinjë dhe Bërnjak, ku kemi vendosje të kufirit mes serbëve dhe serbëve. Ju pyes: çfarë mund të bëjmë nëse ndodh ndonjë konflikt? Apo t’u themi: “Epo, mund ta vrisni popullin tonë!”. E çfarë më mbetet në dorë? Apo të gjithë e kanë të lehtë. Ia lemë në dorë dikujt tjetër të vendosë në emrin tonë. Prandaj, gjatë gjithë kohës kam thënë: “Njerëz, ejani ta gjejmë një zgjidhje kompromisi, sepse pa zgjidhje hyjmë vetëm në probleme për popullin tonë”.

Media Serbe: Por, çfarë zgjidhje ofroni ju? E kemi dëgjuar disa herë fjalën “zgjidhje”, por kurrë nuk kemi dëgjuar ndonjë zgjidhje konkrete.

Aleksandar Vuçiq: Si mund të dëgjoni për diçka deri në fund, në mesin e bisedimeve për diçka? Lufta ime ka qenë tekstualisht si lufta e Davidit kundër Goliatit, kundër Goliatit që quhet e tërë Bota Perëndimore dhe shqiptarët, në përpjekje për të marrë diçka për popullin tonë.

Media Serbe: A keni qenë afër diçkaje?

Aleksandar Vuçiq: Nuk kam qenë afër ndonjëfarë zgjidhjeje. Unë e di se çfarë kërkon populli, por nuk udhëhiqem nga kjo, sepse shoh diçka më shumë sesa shohin gjithë të tjerët. Jo se jam më i mençur – ka njerëz që janë shumë më të mençur se unë – por jam në atë vend prej ku mund të di më shumë gjëra se të tjerët.

E tash shtrohet pyetja: A e dua unë më të mirën për popullin tim, apo jo? Unë e dua më të mirën. Por, kush më besonte mua kur para pesë vjetësh – kur ishim pranë falimentimit, u detyruam t’i ulnim pagat dhe pensionet, kurse tash pas pesë vjetësh, kemi paga më të mëdha, rritje më të madhe ekonomike. Kemi një ekonomi të cilën e përgëzon FMN-ja, Banka Botërore dhe gjithë të tjerët. Askush nuk e mendon këtë.

Njerëzit mendonin se unë isha budalla dhe ia doja të keqen pensionistëve. Jo, ua doja të mirën njerëzve. Doja ta punësoja Serbinë. Dhe në pjesën më të madhe ia arritëm kësaj.

Papunësia nuk është më problem për ne, për pjesën më të madhe. Doja të kishim një ekonomi në baza të shëndetshme. Unë e dua vendin i cili më në fund i ngriti përmendore Mbretit Petër. A e dini se regjenti, e më vonë mbreti, Aleksandër Karagjorgjeviq, nuk ka asnjë përmendore në Serbi?

Unë e dua vendin që mund të luftojë për Kosovën, që mund të kërkojë diçka dhe jo vendin nga i cili mund të pritet që vetë ne formalisht të njohim pavarësinë e Kosovës…

Media Serbe: U përmendën Vojvodina, Baçka, Banati. E dimë se kemi pasur njerëz të mëdhenj: Gjuro Jakshiqin, Nikolla Teslën, Mihajllo Pupinin, që vendosi flamurin serb në Shtëpinë e Bardhë. A kemi sot njerëz të mëdhenjë si në atë kohë?

Aleksandar Vuçiq: Unë mendoj se Serbia, pas një kohe të gjatë, ka ide të mëdha të cilat më duket se dalëngadalë po arrijmë t’i definojmë. Do të kemi përsëri shumë rezistencë.

Është e pamundur që ne, serbët, t’i bashkojmë të gjitha territoret tona.

Është e pamundur.

Madje, as që duhet të ëndërrojmë për këtë – për të jetuar në një shtet. Por, mund të ëndërrojmë që të bashkohemi ekonomikisht, kulturalisht, nga pikëpamja gjuhësore. Edhe gjermanët humbën territore të ndryshme, Kaliningradin e sotëm, Strasburgun, madje edhe Pragën, por e ruajtën gjuhën dhe kulturën e tyre. Duhet ta ruajmë kulturën tonë, gjuhën tonë, të forcohemi ekonomikisht, të mësojmë nga gabimet që kemi bërë. Të gjitha të tjerat të shpien në humbje. E di se njerëzve nuk do t’iu pëlqejë kjo, por kështu është realiteti.

Mua as që më bie ndërmend t’i udhëheq serbët për të marrë Mostarin, Sarajevën, a ku ta di unë. Ne sot duhet të marrim në konsideratë dhe të mësojmë nga të gjitha mësimet e së kaluarës. Nëse atëbotë nuk i kemi nxjerrë mësimet e duhura, sepse zemra na tërhiqte ndryshe, sot duhet ta paguajmë çmimin. Për sa i përket Kosovës, ne e kemi një problem: zemra na thotë një gjë, ndërsa arsyeja diçka tjetër. Ndoshta jo krejtësisht tjetër, por gjithsesi tjetër. Ne tani kemi problem të përcaktojmë se çfarë është reale të kemi në Kosovë. Vështirë se do t’ia arrijmë.

Media Serbe: Çfarë është kjo… Veriu i Kosovës?

Aleksandar Vuçiq: Të mos e banalizojmë. Sepse vetëm ky është lajm për ju. Ky është banalizim i gjithçkaje.

Kemi probleme me njerëzit që janë të papërgjegjshëm, të rrezikshëm, njerëz që nuk respektojnë asnjë marrëveshje. Është fjala për shqiptarët.

Kemi edhe një problem tjetër që i mbivendoset këtij. Për çfarë bëhet fjalë këtu? BE-ja.

Çfarë na kanë dhënë? Jo shumë. Diçka na kanë dhënë, por jo shumë. A sillen në mënyrë neutrale? Nuk sillen. Sepse me përjashtim të pesë prej vendeve të BE-së, na kërkojnë ta njohim pavarësinë e Kosovës. E tani kemi një problem shtesë.

Me sa mbaj mend, në këtë moment e kemi mbështetjen më të ulët publike për anëtarësim në BE. Kurrë nuk ka qenë mbështetje më e ulët. Ju i dini rezultatet e anketave, ashtu si edhe unë. E po pikërisht këtu është rreziku i politikës. Na duhet të bëjmë një politikë që mbart rreziqe. Nga njëra anë kemi të bëjmë me pafytyrësinë, kryeneçësinë, papërgjegjësinë e shqiptarëve, por duhet të mbetemi në rrugën europiane. Sepse po të mos mbetemi në këtë rrugë, po të dalë treni nga shinat, ai del nëpër fushë.

Media Serbe: Shqiptarët i rritën taksat 100%, nuk i respektojnë marrëveshjet CEFTA dhe MSA. Si duhet t’ia bëjmë, si duhet të reagojmë?

Aleksandar Vuçiq: E çfarë të bëjmë? Të marrim litarë dhe ta varim veten?

Do të vazhdojmë të punojmë dhe të luftojmë për popullin tonë. Kanë filluar të shfaqen probleme në Veri të Kosovës. Mungesë buke. Tash e kemi edhe problemin se KFOR-i amerikan na ka rrethuar. Shkon gjithandej nëpër “Vijën e Gjelbër” [vijë ndarëse neutrale, e parashikuar me Marrëveshjen e Kumanovës, ku asnjëra prej palëve, as serbe dhe as kosovare, nuk mund të vendosë forca ushtarake, por vetëm KFOR-i], Na kanë rrethuar në formë gjysmë patkoi. Kanë vënë kamera gjithandej në mënyrë që të zënë ndokënd që përpiqet ta ndihmojë popullin e tij.

Për këtë arsye, serbët janë vënë në pozitë në të cilën nuk mund ta ndihmojnë popullin  e tyre. E pra, ata që duhej të reagonin në vendosjen e taksës në 10%, nuk reaguan. E rritën në 100%. Çfarë duhet të bëjmë tani, të themi se nuk duam të hyjmë në Europë? Jo! Jo! Nuk e themi këtë!

Shqiptarët kanë mbështetje gjithandej. Sillen si të duan. Përpiqen ta bëjnë Shqipërinë e Madhe. E çfarë duhet të bëjmë ne? Ta bëjmë Serbinë e Madhe? Jo.

Unë u lutem njerëzve në Serbi që të bëjmë politikë të mençur.

Media Serbe: Çfarë është politika e mençur?

Aleksandar Vuçiq: Politika e mençur është ajo që të punojmë dhe të jemi të fortë. Të mos e humbim atë që kemi arritur. Ka kohë që tashmë nuk humbim. Madje, po përpiqemi të fitojmë diçka. Dhe kur e them këtë nuk mendoj territoret, apo në mënyrë të veçantë territoret. Por, duhet të jemi rezistentë, të përgjegjshëm. Të punojmë për ekonominë, për arsimin, kulturën. Për rritjen tonë demografike, për digjitalizimin.

Media Serbe: Shqiptarët kanë një taktikë. Ata shkaktojnë një incident dhe e marrin atë që  duan. Deri tani ia kanë arritur.

Aleksandar Vuçiq: Kësaj herë nuk do t’iu ecë. Dhe ja, tani po ua them. Sot pasdite kisha një bisedë të vështirë me disa njerëz nga BE-ja. Ata më thanë: “Hajde të mblidhemi së bashku që të gjejmë një kompromis”. Unë iu thash: “Jo! Nuk shkohet më tej kështu! Kthehuni në pozitën fillestare! Nuk mund të më thoni mua sikur të ishit në garë vrapimi me pengesa ku, pasi kundërshtari ka ecur disa metra, ju të më thoni: ‘Hajde, fillo garimin!’. Jo! Të gjithë duhet të kthehen në start! Jo!”. Kanë shumë ide të “mrekullueshme” për kompromisin, sikur ne u dashka që atyre t’u japim edhe trafostacionin Vallaq. Kanë ide të mrekullueshme ata.

Media Serbe: Kush i ndihmon sot shqiptarët?

Aleksandar Vuçiq: Amerika për ata është nënë dhe babë. Këta të tjerët në Europë janë tetot… Britania, Gjermania, Franca janë tetot e tyre.

Media Serbe: Hashim Thaçi ka shkuar sot në Amerikë. Çfarë prisni nga takimet që do t’i ketë atje?

Aleksandar Vuçiq: As që ka pasur nevojë të shkojë. Do të kërkojë mbështetje të cilën do ta ketë.

Media Serbe: A kemi ne mbështetje në këtë tabelë shahu?

Aleksandar Vuçiq: Po luftojmë. Kina dhe Rusia janë me ne. Kemi mbështetje edhe nga shtete të tjera. Kjo u pa edhe në rastin e Interpolit. Por, me sa duket, këto nuk mjaftojnë. Pozita jonë është e vështirë. Por, luftojmë të ruajmë pozicionin në tabelë.

Media Serbe: Çfarë do të bëjë Serbia tani? Të mbetet në protestat paqësore?

Aleksandar Vuçiq: Nuk është kjo pyetja. Për ta kuptuar se sa e madhe është loja shikoni çfarë bënë me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Ai është vrarë më 16 janar. Kjo ishte dita kur u shpallën zgjidhjet lokale për Beogradin. Dikush zgjodhi këtë moment të veçantë. Do ta shqyrtojmë më vonë këtë. U duhej të arriheshin disa rezultate me këtë. Sot në Beograd është dëgjuar Milan Radojiçiqi, njeriu i cili një ditë pas vrasjes u akuzua nga të gjitha anët, nga të gjitha shërbimet sekrete të huaja, nga ato media që shkruajnë se Vuçiqi është fashist dhe do të vrasë gjithë popullin. Përpiqen të më mundin në këtë mënyrë, sepse nuk mund të më mundin ndryshe. Dhe gjatë tërë kohës e shënjuan atë si vrasësin e Oliver Ivanoviqit.

Serbia ka shumë informata rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Por ne, për ndryshim nga disa të tjerë, kemi heshtur gjatë gjithë kohës dhe nuk kemi dalë në publik. Unë mendoj se gjithçka që ka bërë Prishtina deri më sot ka qenë punë koti.

U kemi thënë, ejani na jepni gëzhojat! Ju bëni studimet balistike. Vetëm për 24 orë na jepni gëzhojat. Të shohim nëse është Hekler-Koh, apo ndonjë lloj tjetër pushke nga e cila është qëlluar në një prej vendeve përreth nesh në vitin 1992. Të shohim nëse ne apo ju keni të drejtë.

Deri më sot nuk na i kanë dhënë gëzhojat. Tash ka mundësi se mund të na japin ndonjë gjë tjetër. Ne ua kemi kërkuar ato pesë ditë pas ngjarjes dhe nuk na i kanë dhënë. Gjithçka që kanë kërkuar ata ne ua kemi dhënë. Kjo për shkak të dëshirës që kishim që kjo çështje të zgjidhej.

Cilido budalla që flet nëpër Serbi se di diçka për vrasjen, ata menjëherë kërkojnë të bisedojnë me të. Kësisoj e pyesin Sasha Jankoviqin. Nga pyetjet që i kemi bërë jemi në dijeni se Milan Radojiçiqi nuk e ka vrarë Oliver Ivanoviqin. Këtë policia serbe mund ta pohojë me siguri të plotë. Milan Radojiçiqin e kanë intervistuar në mënyrë formale më 21 shkurt. Kanë dashur ta vrasin për t’i humbur gjurmët. Për të thënë se ky e ka vrarë, por ja, u vra. Kanë dashur ta vrasin edhe para disa ditësh kur shkuan forcat speciale për ta arrestuar në shtëpi në Mitrovicë. Ai është larguar prej aty dhjetë minuta para se të shkonin forcat speciale të policisë së Kosovës.

Oko: Përse është zgjedhur pikërisht tani ky tajming për krizën në Kosovë?

Aleksandar Vuçiq: Ky tajming është zgjedhur sepse ata e shohin se Serbia kurrsesi nuk pranon të poshtërohet, ndërsa ata do të dëshironin ta poshtëronin. Sikur ta kishin vrarë para dy ditësh kush do të mund të thoshte se Milan Radojiçiqi nuk e ka vrarë Oliver Ivanoviqin.

Radojiçiçi ka pranuar ta kalojë makinën e poligrafit dhe ka dalë se ai nuk e ka vrarë Oliver Ivanoviqin. Jo vetëm që nuk e ka vrarë, por as s’ka marrë pjesë në organizimin, logjistikën e vrasjes, dhe as s’e ka ndihmuar ta vrasin. Ja se çfarë thonë tani: “Nuk e kemi Milan Radojiçiqin!”. Paramendoni, e arrestojnë sekretaren e Oliver Ivanoviqit. Ajo, sipas tyre, paska dijeni se kush i ka fshehur provat.

Media Serbe: Çfarë do të bëjë tani Lista Serbe, a do të qëndrojë në Qeveri?

Vuçiq: Lista Serbe ka kohë që nuk është në Qeveri. Por, puna është se ata nuk mund të zgjedhin Qeveri të re sepse nuk e kanë shumicën. Ata tani po kërkojnë të gjejnë ndonjë serb që të bashkëpunojë me ata.

Media Serbe: Tash Haradinaj sikur po punon për zgjedhje të reja?

Aleksandar Vuçiq: Mos e interpretoni kështu. Ata nuk mund të bëjnë asgjë pa ua shkelur syrin dikush.

Media Serbe: Ndokush nga vendet perëndimore?

Aleksandar Vuçiq: E di mirë, por nuk po e them.

Media Serbe: Bashkësia ndërkombëtare po punon për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ato fotot e sotme nga Peja…. Tërë Qeveria e Prishtinës, tërë Qeveria nga Tirana, e imitojnë atë futbollistin zviceran Xherdan Shaqirin…

Aleksandar Vuçiq: Kjo më shumë ngjet me këndesat sesa me shqiponjat. Vërtet që më shumë ngjet me këndesat sesa me shqiponjat.

Për këtë, ne të gjithë do të kishim shkuar në Hagë… Të gjithë. Por, çfarë të bëjmë.

Nuk jam i mrekulluar në mënyrë të veçantë, sepse këtu nuk shoh as shumë mençuri dhe as shumë dituri, as shumë ide. Këndesin mund ta imitoni gjithmonë, ky nuk është problem i madh. Unë nuk jam i frikësuar, përveçse nuk jam i lumtur për shkak të papërgjegjësisë së tyre.

Media Serbe: A mund të themi se sot në Pejë filloi procesi i aneksimit të Kosovës nga ana e Shqipërisë?

Aleksandar Vuçiq: Nuk ka filluar sot kjo. Kjo ka filluar kaherë.

Ata nuk e kanë flamurin e Kosovës askund.

Ku keni parë që flamuri i Kosovës të mos jetë i pranishëm në Kosovë.

Ata e kanë varur flamurin e Shqipërisë, sepse ai është flamuri i tyre i përbashkët. Edhe ky është një tregues. Ata kanë një flamur. Ata festojnë ditën e flamurit shqiptar. Por, të gjithë në Europë e bëjnë budallain. Të gjithë heshtin.

Media Serbe: A ua thoni këtë atyre në Europë?

Aleksandar Vuçiq: Ua them vazhdimisht. Në mbledhjen e Partive Popullore, duke biseduar me një politikan me influencë, ai më tha: “Në Europë, vetëm shqiptarëve u lejohet gjithçka”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat