Qëndron Kastrati flet për rezolutën e PSD-së: Thaçi është i shqetësuar se do të anashkalohet prej delegacionit shtetëror

Intervista

Qëndron Kastrati flet për rezolutën e PSD-së: Thaçi është i shqetësuar se do të anashkalohet prej delegacionit shtetëror

Nga: Nebi Ajeti Më: 15 dhjetor 2018 Në ora: 10:02
Kryetari i Komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati dhe Nebi Ajeti, gazetar i gazetës "Bota sot"

Kryetari i Komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati, në një interviste ekskluzive për gazetën “Bota sot” ka folur rreth sfidave që ka kaluar komuna, duke përmendur problemet në shëndetësi dhe arsim.

Po ashtu, ai ka deklaruar se ka shtim të dukshëm të fondeve ndërkombëtare në Kamenicë. Kastrati ka folur rreth daljes së tij nga Lëvizja Vetëvendosje. Në anën tjetër, ka potencuar se  mos liberalizmi i vizave nga Bashkimi Evropian për Kosovën është racizëm.

“Bota sot”: Z. Kastrati, sa ka ndryshuar Komuna e Kamenicës që nga ardhja juaj në krye të këtij qyteti?

Qëndron Kastrati: Më 22 dhjetor bëhet një vit që e kam marr mandatin dhe normalisht që për një vit nuk mund të bësh shumë ndryshime të mëdha në aspektin infrastrukturor dhe fushat tjera.   Por, mendoj që ajo që është më e rëndësishme në Kosovë është se ka ndryshuar qasja dhe ka filluar të ndërtohet një besim në institucionet me përgjegjësi, sepse për mua ky është njëri nga problemet më të mëdha të momentit, se qytetaret  kanë  besim minimum në institucione,.

Jam i kënaqur dhe realisht këtë vit kemi bërë më shumë se që kam pritur që mund të bëhet vitin e parë.

“Bota sot”: Si po e mbyllë komuna e Kamenicës vitin 2018?

Qëndron Kastrati: Nëse e shohim në përgjithësi në Kamenicë ka disa probleme, siç është shpërngulja e popullatës që ka ndodhur që gjysmë shekulli e më shumë, veçanërisht edhe tash është shqetësuese pas luftës se si të rinjtë kanë synime dhe dëshirojnë të largohen prej vendit. Arsyeja kryesore është papunësia, pra konsideroj se 2/3 e popullatës që janë të papunë e kjo është një prej sfidave më të mëdha me të cilat duhet të merret edhe niveli lokal por edhe ai qendror, dhe kjo duhet të trajtohet në tërë Kosovën.

E dyta është që njerëzit janë shumë të lumtur,  të hapur, kemi vizita nga diaspora, na sjellin një atmosferë shumë të mirë. Po besoj që tash me qeverisjen e re jemi duke i dhënë  më shumë hapësirë rinisë, gjeneratës ose mendësisë më të re dhe është një shpresë dhe besim që është duke filluar edhe në Kamenicë edhe në gjithë Kosovën, të bëhet gjithçka në rregull.

“Bota sot”: Sa jeni transparent në krahasim me qeverisjet e kaluara?

Qëndron Kastrati:  Transparenca është rritur jashtëzakonisht shumë . Realisht ne jemi duke bërë reforma në zyrën e informimit për rritje të transparencës, për në aspektin  e publikimit të kontratave që i bënë komuna, me kompanitë e ndryshme, ku ato kontrata ti ofrohen këshillit lokal. Secilin vendim apo proces i rekrutimit që është e parapare me qenë publike, besoj që kur të funksionalizohet edhe më mirë zyra e informimit kemi me qenë bindshëm komuna me transparencë më të madhe në nivel të Kosovës. Edhe në bindjet e mija mendoj që ne ligjërisht udhëheqësit e institucioneve duhet të obligohemi shumë në aspektin e transparencës për secilën  çështje, me qenë të njoftuar publiku se si kem vendosur dhe çka kemi vendosur. Ndërsa në aspektin e menaxhimit, mendoj që duhet me zvogëlu këtë burokraci të madhe që e kemi në institucionet e Kosovës.

“Bota sot”: Me çfarë problemesh ballafaqoheni kryesisht si Komunë?

Qëndron Kastrati: Sfida kryesore është çështja e buxhetit,  kemi buxhetin shumë të vogël për investime kapitale. Ne shumë pak mundemi me investu për çështjet e infrastrukturës që është dashur të krijohet një aspekt zhvillimi. Sfidë tjetër  shumë e madhe është çështja e arsimit. Nuk  e kemi gjendjen e mirë në Kosovë. Ne prej asaj, do të shohim mundësinë e zvogëlimit të numrit të shkollave, në mënyrë që klasët të bëhen më të socializuara dhe me më shumë konkurrencë, deri në aspektin e cilësisë së arsimit, të angazhohemi për të krijuar një sistem ku secili mësimdhënës i ka disa rregulla disa dokumente të cilat duhet ti ndjek, dhe me qenë sa më i lire për nxënësit në mësimnxënie.

Sfida tjetër është edhe shëndetësia, sfida më e madhe është se  ne jemi komunë shumë e madhe me territor, dhe kemi 70 %  të territorit kodrinor malor dhe ne nuk mundemi që në çdo fshat të kemi ambulancë. Ne duhet të angazhojmë ekipe mobile, ku ata qytetarë që nuk kanë mundësi me vizitu një ambulante apo Qendër të Mjekësisë Familjare, që është në distanca të mëdha, komuna të ia ofrojë shërbimet në shtëpitë e tyre.

“Bota sot”: Ka shtim të fondeve nga ana e BE-së në komunën e Kamenicës dhe ku janë destinuar ato?

Qëndron Kastrati: Duke e pasur parasysh buxhetin, e kemi menduar dhe vendosur që 50 % të ja kushtojmë  fondeve të jashtme, e jo buxhetit vetanak të komunës. Pas kësaj,  është rritur interesimi dhe kemi themeluar zyre, kemi angazhuar punëtorë që do të merren vetëm me fonde të  institucioneve publike për biznese dhe është më mirë, veçanërisht BE dhe disa agjensione zhvillimore kanë  goxha shumë burokraci dhe normalisht nuk mundet që brenda vitit të parë me i pa efektet e  një investimi të caktuar. Por, që ne jemi shumë të kënaqur se si qeverisje kemi krijuar një simpati në raport me një qasje më progresive si pjesë e kabinetit edhe ne aspektin e barazisë gjinore edhe ne aspektin e bashkëjetesës, veçanërisht edhe në aspektin që jemi të pa korruptuar.

“Bota sot”: Ka mbetur diçka pa thënë nga largimi juaj nga LVV dhe aderimi në PSD?

Qëndron Kastrati: Ka mbetur shume pa thënë dhe ka mbet ndoshta shumë pa thënë edhe për një kohë. Është e vështire kur me dikë  ke kaluar shumë vite të tëra, p. sh protesta, aksionet, arrestimet, është vështirë me e pa se si janë të gatshëm ata njerëz me u paraqit ndryshe, një pjese po flas, edhe çka janë të gatshëm me thënë.

Lëvizja Vetëvendosje është ndryshe prej asaj që ka qenë me herët. Atëherë, ajo ka qenë lëvizje social demokrate dhe tash mundohet që në  çdo teme të jetë populliste për efekt përfitimi.

Por, jam i sigurt që me kohë edhe këta tjerët që nuk e kanë kuptuar problemin, do ta kuptojnë edhe në qoftë se ne nuk flasim por vetëm veprimet dhe qëndrimet e tyre, kanë me i bind ata se ne kemi pasur të drejtë.

“Bota sot”: Në sondazhet e fundit, PSD nuk po arrin të kaloj pragun zgjedhor, sa i besoni këtyre sondazheve dhe sa ka gjasa që realisht PSD të ketë numrin e njëjtë të deputetëve në zgjedhjet e ardhshme?

Qëndron Kastrati: Njëra prej çështjeve që më ka ndodhur të merrem në Lëvizjen Vetëvendosje kanë qenë analizat, sondazhet, anketat dhe matjet e opinionit që i referohen si sondazhe dhe kam përvojë dhe e di çka është kredibile dhe çka jo. Ne duhet të kuptojmë se veç sa kemi filluar me strukturim. Është duke shkuar mirë ndërtimi i strukturës dhe presim gatishmëri dhe angazhim të përbashkët.

Së pari ato sondazhe nuk janë të sigurta, nuk po them që janë prej subjekteve të para, mirëpo unë ju sigurojë që numri edhe i deputetëve të PSD-së ka me qenë shumë më i madhe se sa ai që është momentalisht.

“Bota sot”: Si e shiheni qeverisjen Haradinaj?

Qëndron Kastrati: Unë mendoj që qeveria Haradinaj është shumë me rëndësi të rrëzohet sa më parë. Mënyra se si është ndërtuar kjo qeveri dhe qasja që e ka në publik, në raport si duhet me qenë, këto janë disa problemet. Mirëpo, ne duhet me qenë korrekt ku ka edhe gjëra të mira si p.sh çështja e themelimit të ushtrisë që po pritet të ndodhë, që pronat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit të vihen në shfrytëzim komunave. Kjo është diçka pozitive dhe një aspekt  tjetër është se duket së ka guxim mi marr disa vendime. Mirëpo,  prapë se prapë mendoj që nuk mundet më bë asgjë përderisa është një partneritet me PDK, ne e kemi theksuar se është e domosdoshme që PDK të shkojë në opozitë së paku për një  mandatë  institucionet të çkapen  dhe të fillohet  të kthehet besimi i qytetarëve në institucionet e Kosovës.

“Bota sot”: Do marr pjesë PSD-ja në ekipin e dialogut në fazën finale të bisedimeve me Serbinë?

Qëndron Kastrati: Serbia është në një fazë ku duhet  ti mbyllë kapitujt për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian, dhe ta dijë së çka është çështja e Kosovës. Nuk mundet me këtë kushtetutë  dhe më këtë jo fqinjësi të mirë të integrohet në Bashkimin Evropian, ka ardhur momenti i Serbisë me qenë e gatshme me dialogu me Kosovën për një marrëveshje përfundimtare.

Ne duhet ta dimë që struktura euroatlantike është duke u ndryshuar. Angazhimi i SHBA për integrim të Kosovës në organizata ndërkombëtare po rezulton me sukses, ndërsa tani po e shohim se raportet në mes Bashkimit Evropian dhe Amerikë nuk janë ato që kanë qenë e veçanërisht në raport me Kosovën. Kjo tregon që ne kemi nevojë me pa të mundshme me e bë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë që ajo të rezultojë me njohjen e Kosovës për integrim në BE dhe OKB. Por, gjithashtu edhe me shumë rëndësi është se si mundet me i blloku dikush funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Rrjedhimisht, të gjitha subjektet në Kosovë nuk janë kundër një dialogu përfundimtar secili është i kujdesshëm që duhet mos me leju një individ ose dikë tjetër. Ne kemi propozuar një rezolutë që përfshihet së bashku edhe opozita dhe qeveria, me qenë një delegacion shtetërorë,  ku janë të përfshira të gjitha subjektet parlamentare dhe shoqëria civile, e ne mendojmë që është momenti ku të gjithë duhet të bëhemi bashkë jo vetëm deklarativisht nëpër konferenca por me të vërtetë.

Realisht, kjo ka marr mbështetje edhe prej opozitës edhe në takime jo formale kanë deklaruar së është një rezolutë shumë e mirë. Në fund, të mos harrojmë se ka me qenë qytetari ai që ka me vendos se çka duhet të miratojë kuvendi, realisht po shihet se është presidenti Thaçi, i cili është i shqetësuar se ai do të anashkalohet prej këtij delegacioni shtetërorë, ai duhet të kuptojë se ka mandat kushtetues, mirëpo, nuk ka të drejtë të vendos dhe është gabim kjo arrogancë e tij, se si vetë personalisht po mundohet ti marr meritat dhe ti përçajë paritë opozitare.

“Bota sot”: Cili mendoni që do të jetë epilogu i kësaj qeverie, mendoni që zgjedhjet janë afër?

Qëndron Kastrati: Me aq sa pa shohë zgjedhjet nuk janë afër, realisht LDK dhe VV duhet të veprojnë dhe po shihet se nuk janë të interesuara për zgjedhje, ne jemi i vetmi subjekt që i kemi dhënë nënshkrimet për mocion votëbesimi ndaj qeverisë, por mendoj që arsyeja është se ndërkombëtaret po kërkojnë që deri në maj më përfundu dialogu me Serbinë dhe fillimi i gjykatës speciale. Mendoj që as subjekti LDK dhe as VV nuk kanë dëshirë  të jenë në pozitë apo qeveri gjatë këtyre proceseve.

Zgjedhjet në BE  na kanë vendosur një kusht ku ne duhet të kemi një marrëveshje sa më shpejtë dhe rrjedhimisht nuk ka kohë që Kosova të shkoje në zgjedhje. Kjo është kërkesa dhe çështja ndërkombëtare. Por, unë po them se edhe në raport me subjektet pozitë dhe opozitë shkak i këtyre procese jo të lehta që po vinë nuk është në të mirë të shkojë vendi në zgjedhje.

“Bota sot”: Vijat e kuqe të PSD-së  për koalicione të mundshme?

Qëndron Kastrati: Varësisht prej situatave , në komunën e Kamenicës një subjekt i caktuar mundet me qenë jo i duhur për të mirën e përgjithshme shkaku i qasjes së individit, në nivel qendror  ne mendojmë që si vijë të kuqe kem PDK-në, realisht  ajo duhet të shkojë në opozitë sepse është edhe në të mirën e saj edhe në të mirën të vendit dhe qytetarët e Kosovës.

“Bota sot”: Si komentohet fakti i mos liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës, sa është e drejte kjo  sipas jush dhe kush duhet të jap përgjegjësi lidhur më këtë çështje?

Qëndron Kastrati: Kjo nuk është aspak e drejtë, dhe mund të them lirisht se është racizëm nga Bashkimit Evropian. Ne gjatë procesit të demarkacionit me Malin e zi gjithmonë  kemi thënë se nuk është kalimi i demarkacioni ai qe do te sjell liberalizmin e  vizave. Por, unë mendoj që nuk është aspak e drejtë dhe aspak e duhur që udhëheqësit e komisioneve të Bashkimit Evropian që për qytetarët e Kosovës ata kanë deklaruar që nëse ju i plotësoni kriteret si kalimi i demarkacioni apo çështje tjera ju do te keni liberalizmin e vizave. Kjo e lëndoj jashtëzakonisht shumë besimin  dhe dëshirën qe qytetarëve të Kosovës për me qenë pjesë e Bashkimi Evropian ose me qenë pjesë e disa organizata që ne synojmë.

E kjo është shqetësues për Kosovën por është shqetësuese edhe për Bashkimin Evropian se si janë të gatshëm që një vend me 1.8 milionë banorë që është më pas se shumica e kryeqyteteve të Evropës me blloku si shkak i frikave të tyre se si do të dalë në zgjedhjet e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat