Koalicioni kuq e zi, LDK-Vetëvendosje i mundur, por duhet të pastrohet e kaluara e afërt

Intervista

Koalicioni kuq e zi, LDK-Vetëvendosje i mundur, por duhet të pastrohet e kaluara e afërt

Nga: Nebi Ajeti Më: 18 dhjetor 2018 Në ora: 12:57
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri dhe gazetari i gazetës "Bota sot", Nebi Ajeti, gjatë realizimit të intervistës

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri e konsideron si të suksesshme përmbylljen e vitit 2018 për këtë komunë. Haziri në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka folur rreth arritjeve dhe ngecjeve në komunën e Gjilanit. Në cilësinë e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haziri ka deklaruar se LDK është anashkaluar në rezolutën e PSD-së për dialogun me Serbinë. Ai ka thënë se tashmë ka filluar numërimi së prapthi për qeverinë Haradinaj. Po ashtu, Haziri ka folur për zhvillimet brenda LDK-së, duke theksuar se vetëm uniteti e qon këtë parti përpara. Po ashtu, Haziri nuk e sheh si të pamundur një koalicion “kuq e zi”, siç e ka quajtur ai koalicionin e mundshëm LDK-Vetëvendosje.

“Bota sot”: Z. Haziri si po e përmbyllë Komuna e Gjilanit vitin 2018?

Lutfi Haziri: Ky vit ka qenë vit i mirë për komunën e Gjilanit në kuptimtin e investimeve edhe në kuptimin e stabilitetit politik, sigurisë dhe në përgjithësi zhvillimit lokal. Kemi hyrë në fazën e shembullit të mirë për zhvillimit lokal ekonomik, nëse shihen parametrat e zhvillimit të sektorit  privat, ndërhyrjet dhe subvencionet që komuna i ka dhënë bujqësisë afër 1 milionë e gjysmë euro duke shkuar përmbi 30 milionë euro investime publike në komunën e Gjilanit dhe jemi në rrugë të mirë. Natyrisht, që çdo vit i ka telashet e veta, por nuk kemi pas shqetësime sa i përket aspektit të sigurisë, marrëdhënieve ndëretnike sa i përket raporteve tjera ndërnjerëzore, ndërfetare në përgjithësi.

“Bota sot”: Me cilat sfida jeni ballafaquar përgjatë këtij viti si Komunës?

Lutfi Haziri: Sfida kryesore dhe më tutje mbetet transferimi i infrastrukturës dhe sigurimi i investimeve për komunë. Ne kemi qenë regjioni më i lënë anash, i përjashtuar nga investimet e mëdha. Por, prej vitit 2013 gradualisht është bërë një rikthim i vëmendjes së kryeqendrës drejt juglindjes, drejt Ana moravës por edhe kjo qeveri në të cilën jemi falënderues ka arritur t`i sigurojë ato investime që Gjilani i ka në shkallën e njëjtë, përkundër që kemi gjetë mbështetje edhe tek autostrada që është investimi i madh pastaj ndërtimi i impiantit të ujërave të zeza që është mbi 26 milionë euro, që vjen grant nga qeveria  përkundër që është kredi e bankës evropiane,  ndërtimi i hyrjeve dalje të qytetit që janë shumë të shtrenjta. Por, Gjilani në drejtim të Kllokotit dhe Vitisë në drejtim të Prishtinës dhe Bujanovcit dhe të rrugës se Kumanovës i ka siguruar mjete dhe është duke punuar.

“Bota sot”: Sa keni përkrahje nga niveli qendror për projektet tuaja?

Lutfi Haziri: Natyrisht që Gjilani e ka ruajtur besimin e qeverisë, përkundër ndryshimeve edhe projektet madhore që janë autostrada dhe investimet në  infrastrukturë dhe problemet tjera. Kjo qeveri me këtë kryeministër  në detyrë e ka konfirmuar dhe i ka zgjidhë disa nga problemet sistemore që kemi pas. Nëpërmjet kësaj qeverie ne kemi arritur të zgjidhim problemin e varrezave të reja të qytetit, problemin e kampusit universitar Kadri Zeka, kemi ndarë 7.2 hektarë së bashku me qeverinë e Kosovës për ndërtimin e Kampusit për 16 mijë studentë. Disa prej problemeve iu kemi dhënë zgjidhje, për të cilat jemi falënderues, sinqerisht.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend?

Lutfi Haziri: Është fragjile, jashtëzakonisht fragjile, koalicioni  PAN në vete ka 22 parti të ndryshme politike. Ky lloj i qeverisjes definitivisht po tregon jo stabilitet për shkak të mbështetjes në kuvend. Unë nuk e lidhi asnjëherë vetëm një institucion në koalicion, sepse qeveria është segmenti kryesor kushtetues por kryetari i kuvendit ka shkaktuar gjendje kaotike në kuvend.

Mënyra se si menaxhon kuvendin, agjendën që bën, kuorumin e pamjaftueshëm, ndërprerjet e seancës, vizita të pa koordinuara, shpenzimet e mëdha tregojnë qartë se kryetari i PAN-it që është Veseli përkundër që thuhet se ai është koordinatori kryesor i koalicionit po del se ai është kaosi kryesor i Kuvendit dhe bartësi kryesor i kësaj gjendjeje kaotike në nivel të Republikës.

“Bota sot”: Përse nuk po gjendet ende kompromisi për dialogun me Serbinë?

Lutfi Haziri: Nuk ka vullnet nga partitë në qeveri. LDK ka ofruar tryezë politike gjatë verës. Ne kemi iniciuar me të vetmin qëllim që me ofru për interes të vendit të gjitha çështjet si opozitë. Kemi ndihmuar në liberalizim të vizave me partitë popullore evropiane edhe me votim në kuvend, të gjithë legjislacionin e BE-së ne e votojmë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare i kemi votuar, nuk i votojmë ligjet që i bie koalicioni i PAN-it sepse ata duhet ti votojnë  vetë, duhet te mobilizohen vetë, ne në këtë rrafsh jemi rehat. Ne kemi thënë edhe për proceset e mëdha si ushtria e dialogu për normalizimin me Serbinë, nuk kanë treguar vullnet. Ne njëanshëm jemi duke i ndihmuar edhe pse në politikë nuk është mirë asnjëherë ne njëanshëm e votuam edhe ushtrinë, por nuk janë ndërtuar forcat e armatosura por FSK  po transformohet në ushtri me legjislacion ndërsa i duhen deri në 10 vite që Kosova të kalojë deri sa ta ndërtojë forcat e armatosura të Republikës, që janë integrimi i të gjitha strukturave të sigurisë së një komandë, edhe në një komandë të vetme kushtetuese, deri atëherë do të ketë kohë por lajmi për ushtri është lajm i mirë.

“Bota sot”: Si LDK çfarë mendimi keni për rezolutën e PSD-së?

Lutfi Haziri: PSD po mundohet të luaj rolin e LDK-së. Atë që është mungesë e rolit të LDK-së në skenën politike sot, po pretendon ta bëjë PSD-ja që është grup i dalë nga LVV, pra të luaj pragmatizmin apo dy kuptimësia në gjuhën e rezolutës,  qëllimi është t`i ofrojë palët. Kjo rezolutë ka për qëllim afrimin e LDK-së me PAN-in dhe PSD-në. Tendenca ka  qenë më e madhe, qëllimi kryesor mu bo urë lidhëse në mes PANIT dhe LDK-së. Ne kemi thënë që opozita duhet të pajtohet në shkallë të parë me një iniciativë e në opozitë përfshinë LDK, LVV-në dhe PSD-në madje si opozitë e bashkuar me pretendu me bashkëpunuar me partitë qeverisëse.

E në këtë rast PSD-ja e kam marr vete iniciativën  dhe si e tillë është në këtë nivel ku është.

Ne nuk e votojmë, ne kemi llogaritur që në këtë rrafsh LDK është anashkaluar. LDK ka një platformë për dialog , dokument i cili jep orientimet e  dialogut, është i miratuar në kryesi dhe Këshill të Përgjithshëm është dokumenti i cili edhe grupi ynë parlamentar e ka në zbatim, nëse ka nevoje ne do ta iniciojmë një draft rezolutë si parti.

“Bota sot”: Një çështje mjaft e përfolur këtyre ditëve ishte edhe ideja e Presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve, si e komentoni ju këtë ide dhe a fshihet prapa saj ideja për shkëmbim territoresh?

Lutfi Haziri: As njëra as tjetra, presidenti Thaçi e ka marrë një ide që unë në vitin 2011 e kam ri aktualizuar, sepse kjo ide ka qenë e lansuar prej vitit 1992. Kërkesa dhe referendumi  politik i shqiptarëve në Kosovë Lindore për bashkim. Ato janë tri komuna  që historikisht, gjeografikisht dhe politikisht i kanë takuar Kosovës, por padrejtësisht gjithmonë edhe nën Jugosllavinë e Titos por edhe në Jugosllavinë e Mbretërisë Serbo- Kroate sllovene dhe nën UNMIK edhe nën Kosovën e Pavarur kanë mbetur jashtë kujdesit të Prishtinës. Ata territorialisht e kanë atdhe Kosovën, ndërsa krejt bashkë mundemi me thënë që Shqipërinë e kemi mëmëdhe ose shtet amë, por është padrejtësi historike me lënë këtë problem pa zgjidhur. Unë them se sot presidenti Thaçi dhe dje ish kryeministri po dallojnë në zgjedhjen e problemit, atëherë me ka cilësuar si opsion i rrezikshëm dhe ka kërkuar prej LDK-së të distancohet. Ndërsa, tani 8 vite më vonë po e risjell por me agjendë tjetër.

Unë nuk jam për ndërrim të territoreve aq më keq në parimin që Serbia po dëshiron, sepse nëse ne ndërrojmë territore ne kemi me humb edhe Bujanovcin edhe Leposaviqin.

Serbia kërkon që kufiri natyror i Serbisë me qenë në Moravë të Gjilanit dhe në Ibër të Mitrovicës. Sot de fakto na ekziston në Ibër kontrolli i serbëve dhe de juro kufiri në Moravë të Gjilanit, sepse ata janë në Moravë te Gjilanit,  marrëveshja Grigorov - Millosheviq i ka pru komplet vargmalet e Karadakut në pjesën më të madhe i ka marr Serbia dhe sot një pjese e Karaqevës së Epërme është kufi i Serbisë sipas asaj marrëveshje, askush nga Prishtina nuk ka shkuar t`i tregoj atyre për këtë problem, askush nuk ka shkuar që t`i thotë atyre që ky problem ka ardhur si pasojë e marrëveshjes Grigorov- Millosheviq, që është bërë pas luftës së Kosovës. Por, një nevojë për me definu kufirin për herë të parë mes serbëve dhe shqiptarëve  të Kosovës ka me ndodhë. Besoj që ka me ndodhë dhe është e papërballueshme, pa marr parasysh periudhën kohore. Ne kemi kërkuar si LDK, periudhë kohore formatin e dialogut dhe agjendën e dialogut, që këto çështje duhet të zbardhen.

“Bota sot”: Sa ka gjasa të Bashkimit të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, pa u prekur veriu i vendit?

Lutfi Haziri: Definitivisht gjasat për bashkim janë reale, arsyetimet i kemi, faktet i kemi,  duhet të luftojmë në tavolinë me dialog me marrëveshje.

“Bota sot”: z. Haziri, çfarë është bërë deri më sot me rezolutën që e keni hartuar për Kosovën Lindore dhe sa e mbështetin atë aktualisht?

Lutfi Haziri: Definitivisht ajo është pjesë e dokumentit të LDK-së. Rezoluta që kam iniciuar në vitin 2013  dhe me vonë është votuar nga gjitha partitë politike, është dokumenti i vetëm që ka Kosova për Kosovën Lindore dhe është dokumenti  i vetëm që kjo qeveri nuk e ka zbatuar ,sepse edhe ky është dokument, presidenti duhet të thirret në rezolutë të kuvendit. Aty është e drejta politike, aty është reciprociteti me Serbin. Të gjitha kërkesat që ne i kemi adresuar me kohë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e qeverisë aktuale?

Lutfi Haziri: Unë besoj që për qeverinë PAN dhe koalicionin e tyre ka filluar numërimi mbrapsht. Kanë harxhuar çdo ditë mandatin e tyre, dialogu është pengese për zgjedhje për shkak të faktorit ndërkombëtar, Quinti kërkon që një herë dialogu pastaj zgjedhjet.

Ne kemi kërkuar të ndodhë legjitimiteti para dialogut, sepse kush shkon me fol në Bruksel për ne, çka përfaqësojnë ata, çfarë legjitimiteti kanë ata, çfarë legjitimiteti ka kuvendi  që kësaj qeverie nuk mundet t`i sigurojë 61 deputetë për të votuar dhe në anën tjetër janë 58 deputetë shqiptarë që përfaqësojnë shumicën më të madhe të vullnetin politik. BE kërkon që deri në muajin shkurt apo mars të përmbyllet faza përfundimtare e dialogut me Serbinë dhe të finalizohet me një dokument të përbashkët, sepse zgjedhjet janë fillojnë në prill përfundojnë diku në maj, pastaj është konstituimi i parlamentit evropian, konstituimi i Komisionit Evropian dhe i Këshillit të ministrave që për pasojë do të këtë rezultatin  zgjedhor, varet kush fiton në zgjedhje. Tash për tash në favor janë partitë e djathta të parlamentit evropian, ku bënë pjesë edhe LDK-ja dhe ne besojmë se do të ruhet shumica pra edhe në mandatin e ardhshëm.

“Bota sot”: Një përsëritje e koalicionit me PDK-në është përmendur ditëve të fundit, çfarë komenti keni ju lidhur me këtë?

Lufti Haziri: Sa më përket meje ata e kanë rrënuar çdo urë bashkëpunimi,  një parti e cila ka rrënuar urat e bashkëpunimit me LDK-në dhe ka helmuar pusin ku ka pirë vetë ujë në praktikë ka humbur çdo lloj besimi në LDK , nuk e besoj.

“Bota sot”: Ku bashkoheni e ku ndaheni me Lëvizjen Vetëvendosje dhe cilat janë gjasat për një koalicion LDK-VV?

Lutfi Haziri: Nuk kemi përvoja të bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje as të mira as të këqija. Përvojat e këqija ata kanë qenë agresiv në qeverisjen Mustafa, opozitë agresive me atake në institucione publike dhe atake në jetën personale të kryeministrit. Por, ka një tendencë përmirësimi të marrëdhënieve politike. Kanë filluar takimet në nivel më të lartë. Tash, varet se sa do të ndërtohet besimi në mes këtyre dy subjekteve politike. Nuk është lehtë sepse ne po ashtu unë konfirmoj se duhet të definohet roli i LDK-së dhe Vetëvendosjes dhe i atyre njerëzve që e kanë kualifikuar LDK-në si parti tradhtare dhe paraluftës gjatë luftës dhe pas luftës rolin tonë.  Sepse, jo vetëm Ibrahim Rugova si president historik dhe themelues i shtetit por edhe partia e tëra është kualifikuar si e tillë. Duhet të zbardhen këto kualifikime, duhet të tejkalohen këto kualifikime.

Mund të jetë një koalicion kuq e zi, i cili mund ta merr mandatin me shumicë sigurt dhe mund të shkaktojë ndryshime jashtëzakonisht të mëdha në vend. Por, duhet të përballohet politikisht për të mdërtuar partneritet politik dhe duhet të pastrohet e kaluara e afërt.

“Bota sot”: Si është gjendja aktuale në LDK sa është unike partia juaj z. Haziri?

Lutfi Haziri: Jemi në mënyrë absolutë unikë, fatkeqësisht se kemi pasur këtë unitet gjatë kohës së qeverisjes së Isa Mustafës. Nëse do e kishim pas këtë unitet, atëherë LDK, sot do ishte në qeveri. Na ka munguar atëherë edhe në votën e kryeministrit edhe në votën për ligje që kanë qenë në interes të vendit,  sepse në kemi pasur mbështetje pa rezervë nga partitë popullore evropiane që përfishijnë kryetarin e Parlamentit të Komisionit Evropian dhe ministrave, sepse ne jemi anëtarë të asaj familje kemi pasur mbështetje bllanko. Mirëpo, arriti të thyhet vota karshi votimit dhe ai mosbesim ka lënë gjurmë të këqija. Mirëpo, tash kemi nxjerr mësim  nga gjithë ajo dobësi dhe secili deputet besoj do të merr mësim të mirë se nuk do të përsëritet. Duhet të ruhet uniteti. Kur ruhet uniteti brenda edhe me dallime, sepse e mira e kësaj bote janë dallimet , sepse ato shtetet si Koreja e Veriut që kanë mbetur me një mendësi shikoni se në çfarë gjendje janë. Ne e kemi vuajtur këtë punën e njëmendësisë si shqiptarë me të thënë të drejtën. Tash LDK është partia e parë nacional demokrate që ka vlerat e tilla dhe nuk mundet të nëpërkëmbet as nga ata që kanë mosbesim as nga rivalet sepse LDK-në janë munduar që në luftë me shkatërru ushtarakisht, përmes armeve LDK-në me shujt, nuk kanë arrit sukses. Pas luftës përmes atentateve politike janë munduar të frikësojnë dhe nuk ia kanë arrit qëllimit, janë munduar të fitojnë zgjedhjet, nuk  kanë arrit qëllim. Pra me rivalët ne kemi kryer punë. Rivalët nuk mund ta fitojnë LDK-në. Ata e kanë gjetur rrugën  e vetme me të cilën LDK-në munden me e fitu e kjo është rruga që ka instaluar Hashim Thaçi si kryetar i PDK-së, përçajë e fito. Mirëpo ne në  2006 jemi përça në 2007 i kemi humbur zgjedhjet dhe në të gjithë atë përçarje hise të madh ka pasur edhe lidershipi i PDK-së fatkeqësisht. Mirëpo, është histori, 11 vite pas saj edhe 11 vite pas LDK duhet të nxjerr mësimin e unitetit që është formula e parë për mi fitu zgjedhjet.

“Bota sot”: A do të kandidoni për kryetar të LDK-së?

Lutfi Haziri: Koha po afrohet, besoj shumë që kandidaturat tona do të zbardhen me mes muajit mars dhe prill. Këto dy muaj do të krijojnë kushtet që ata që kanë ambicie, mund formalisht të kandidojnë për kryetar të LDK-së.

Ne kemi një marrëveshje, që nuk duhet të ketë kandidatura të përkohshme që duhet ti përmbahemi dhe secili duhet të i përmbahet. Mendoj që kush e thyen këtë marrëveshje do të paguaj çmimin brenda LDK-së. Sepse ne kemi dy  lloj votime.  Votimi i parë është se ne duhet të fitojmë të drejtën për nominim  e pastaj nga e drejta për nominim shkohet në votim.

Ju e dini se herën e kaluar zonja Vjosa Osmani karshi Isa Mustafës nuk e ka arritur ta fitojë të drejtën për nominim. Ka shprehur pakënaqësi mirëpo  nominimi  nuk i ka lejuar me kandidu.

Nominim është shkallë e madhe 50 plus ku në bazë të kësaj tregohet edhe fituesi paraprak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat