Nishani tregon bisedën me kryeministrni serb, Daçiç

Bota e Yjeve

Nishani tregon bisedën me kryeministrni serb, Daçiç

Më: 21 korrik 2012 Në ora: 00:12

Presidenti i ri i vendit, Bujar Nishani në një intervistë për Janusz Bugajski ka shpjeguar telefonatën që ka bërë me kryeministri serb Daçiç. Ai ka folur gjithashtu edhe për bashkëpunimin me opozitën dhe rolin rajonal të Shqipërisë.

Më lejoni t’ju pyes për opozitën politike, sidomos për partinë Socialiste. Si do bashkëveproni me opozitën politike? Fakti që ata nuk ju votuan në Parlament, por edhe nga ana tjetër, ashtu si thatë, duhet të ndërtoni konsensus, besim dhe mirëkuptim dypalësh, a do keni një program qasjeje për opozitën, një program në të cilin të bashkëpunoni më mirë për t’i ulur palët në tryezë?
Nishani:
Çështja formale e mosvotimit të opozitës në parlament natyrisht nuk përben asnjë lloj ngarkese as emocionale dhe as politike ndaj meje. E kam deklaruar edhe në raste të tjera me përfaqësues të medias se qëndrimi që vendosi të mbaj opozita në rastin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës ishte tërësisht sovran në kuptimin politik të fjalës përsa kohë opozita ka të gjitha mundësitë dhe variantet e saj për të votuar, kundër apo për të mos marrë pjesë në votim. Natyrisht këto janë hapësirat e lirisë dhe sistemit të demokracisë që ne promovojmë dhe që kërkojmë të konsolidojmë çdo ditë. Pas kësaj vlerësimi im si President i Republikës për opozitën politike mbetet maksimal si një nga aktorët dhe institucionet shumë të rëndësishme të shoqërisë shqiptare, të shtetit shqiptar. Opozita përfaqëson një pjesë të madhe të qytetarëve shqiptarë sot, përfaqëson vullnetin, parimin, bindjet dhe besimin e tyre, është një vlerë shume e rëndësishme e demokracisë në çdo vend, dhe për më tepër në kushtet e Shqipërisë. Dhe unë edhe në aspektin e Presidentit të Republikës por edhe të qytetarit të këtij vendi do të dëshiroja ta shikoja të suksesshme qeverinë në plotësimin e misionit të saj por edhe shumë të fortë dhe aktive opozitën në promovimin e vlerave dhe të modeleve më të mira të mundshme. Pra në këtë aspekt padiskutim bashkëpunimi me opozitën nuk do të jetë pjesë formale e funksionimit të presidencës dhe presidentit në aktivitetin e tij të përditshëm por është i perceptuar tek unë dhe do të ndërtohet si një proces real komunikimi në radhë të parë shkëmbimi idesh dhe pikëpamjesh pse jo dhe bashkërendimi të qëndrimeve që kanë të bëjnë me interesa të rëndësishme të vendit dhe të kombit.
Doja t’i kthehesha pas pak çështjes së rolit rajonal të Shqipërisë, të marrëdhënieve me fqinjët. Tani doja të qëndronim pak në skenën e brendshme, politike. Mesazhi i SHBA-së dhe Bashkimit Europian, para dhe pas zgjedhjes suaj është përqendruar në rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së institucioneve, sidomos të Prokurorit të Përgjithshëm, të shefit të Shërbimit Sekret, dy emërimet për të cilët jeni ju përgjegjës. A do i përmbaheni këtij parimi kyç në emërimet që do bëni?
Nishani:
Padiskutim që pavarësia e sistemit të drejtësisë apo të institucioneve kushtetuese është fondamentale dhe nëse duhet që çdokush, çdo institucion, çdo ent publik të kontribuoj në konsolidimin e demokracisë së pari duhet të orientohet nga pavarësia e këtyre institucioneve të rëndësishme kushtetuese dhe të garantimit të shtetit ligjor të funksionimit të ligjit dhe të së drejtës para ligjit. Natyrisht është i rëndësishëm funksionimi i institucioneve që ju përmendët. Unë besoj që eksperiencat tona pozitive të konsoliduara në vitet e fundit kanë nevojë të çohen edhe më para. E kam shprehur edhe më parë edhe pse ende nuk jam një president në detyrë, dhe drejtuesit e institucioneve që ju përmendët janë në funksion të përmbushjes së detyrave të tyre por në respekt edhe të interesit të pyetjes dëshiroj edhe njëherë të konfirmoj faktin që e shoh institucionin e prokurorisë si një institucion që ka nevojë për të ngritur më lart angazhimin në luftën ndaj kriminalitetit në vend,veçanërisht ndaj korrupsionit dhe krimit ekonomik. Unë besoj se këtë mund ta bëjnë vetëm ata të cilët janë pjesë e sistemit. Ndaj është e rëndësishme të promovojmë, të mbështesim të inkurajojmë pikërisht të gjithë ata prokurorë që me eksperiencën e tyre me kurajën e tyre, me integritetin e tyre kanë punuar dhe vijojnë të punojnë brenda këtij sistemi. Natyrisht që edhe agjensia e inteligjencës është shumë e rëndësishme, por bazuar edhe në legjislacionin aktual, nuk është në varësinë e presidentit por është tërësisht në kompetencat e kryeministrit. Emërimi i gjyqtarëve veçanërisht atyre në gjykatën e Lartë dhe atë kushtetuese është një hap shumë i rëndësishëm provë në njëfarë mënyrë për presidentin por edhe për institucione të tjera siç janë parlamenti. Në gjykimin tim angazhimi i Presidentit të Republikës në përzgjedhjen e kandidatëve që do të nominohen si anëtar të gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese në radhë të parë duhet të vijë përmes një procesi transparent dhe publik duke u orientuar tek ato personalitete të drejtësisë shqiptare që besoj nuk janë të paktë që kanë treguar gjatë gjithë karrierës së tyre një përkushtim ndaj profesionit, një integritet moral të sjelljes së tyre si gjyqtarë. Në sistemin e drejtësisë qytetarët shqiptarë përballen më dy elementë thelbësorë të të drejtave fondamentale të tyre, me jetën në rastet penale dhe me pronën në rastet civile. Unë besoj se angazhimi por edhe veprimi i Presidentit të Republikës në bashkërëndim dhe konsultim me grupet parlamentare në përzgjedhjen e këtyre figurave do të rrisë kredibilitetin të institucionet të presidentit, të parlamentit por mbi të gjitha të personave që do të zgjidhen në detyrën e gjyqtarit në këto dy gjykata të cilat kanë një rëndësi themelore për faktin se ato orientojnë funksionimin nga pikëpamja profesionale të të gjitha rangjeve të sistemit të drejtësisë. Ndaj unë e shoh si një përgjegjësi madhore të ekzekutimit të detyrave dhe të tagrit kushtetues që presidenti ka në këtë proces.
Si e shikoni zgjedhjen e presidentit Nikoliç në Serbi? Disa e kanë kritikuar për qëndrimet e tij të mëparshme nacionaliste. Edhe disa prej deklaratave që ai ka bërë që kur ka marrë pushtetit, kanë pasur tendencën të largojnë disa boshnjakë, kroatë, madje edhe malazezë. Si i shikoni marrëdhëniet Serbi-Shqipëri mes Beogradit dhe Tiranës në presidencën e tij, por edhe nën presidencën tuaj? Një tjetër pyetje që lidhet me këtë është se kohët e fundit ka patur disa artikuj në shtypin shqiptar, si edhe atë serb, se z. Daçiç, kryeministri i zgjedhur i Serbisë, edhe pse s’e ka marrë detyrën zyrtarisht, ju ka telefonuar. Ç’marrëdhënie keni me të? I telefonoi ai kryeministrit shqiptar, apo ju telefonoi juve për t’ju uruar për zgjedhjen president?
Nishani:
Në radhë të parë zgjedhja e presidentit Nikoliç është vullneti i qytetarëve të Serbisë i shprehur përmes zgjedhjeve. Si do të jetë presidenca apo sjellja kjo mbetet për tu parë, ka patur qëndrime të mëparshme të natyrës nacionaliste nga presidenti Nikoliç të cilat unë shpresoj të ndryshojnë kryekëput. Nacionalizmi është një mbetje e të kaluarës që ka prodhuar veçanërisht në rajonin e Ballkanit që kanë prodhuar problematika të rënda herë-herë dhe genocide, vrasje luftëra të panevojshme. Serbia, Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, të gjitha vendet e tjera të rajonit kanë nevojë të promovojnë vlerat më të mira të njerëzimit, vlerat më të mira humane. Shtetarët e të gjitha këtyre vendeve kanë një detyrë të madhe përpara qytetarëve të tyre, por dhe përpara zotit të punojnë për interesin e qytetarëve të tyre, të kontribuojnë për interesin e shtetit të tyre në të mirë të zhvillimit të lirisë e cila sjell zhvillimin ekonomik. Pra unë do të dëshiroja që dhe administrata e re e Serbisë të orientohej në këtë dimension sepse do të jetë në radhë të parë e mirë për vetë qytetarët e Serbisë, për shtetin e Serbisë. Kosova e pavarur sot është një realitet i rëndësishme i rajonit të Ballkanit, ashtu siç është një realitet i rëndësishëm Serbia, ashtu siç janë realitete të rëndësishme të gjitha vendet e Ballkanit. Moskomunikimi, mosbashkëpunimi sjell barriera të panevojshme. Kështu që mençuria e lidershipit të çdo vendi është njohja me realitetin dhe qasja ndaj realitetit brenda standardeve që sot kemi të promovuara në vende të tilla me demokraci të konsoliduar si SHBA-të si Europa e bashkuar të cilat i kanë promovuar këto vlera prej dekadash e dekadash, dhe në fund të fundit falë këtyre vlerave kanë arritur ku ato sot janë në këtë nivel zhvillimi në konceptin e demokracisë, të lirisë por dhe të zhvillimit ekonomik. Në aspektin e bashkëpunimit Shqipëria ka ndarë gjithmonë vullnetin për të bashkëpunuar me të gjitha vendet pa asnjë kompleks, edhe me Serbinë sepse ky komunikim i shërben të dyja vendeve. Po unë kam patur edhe një telefonatë urimi nga ish-Ministri i Brendshëm Daçiç i cili tashmë është ngarkuar me detyrën e kryeministrit. Ai ka kërkuar të më uroj për zgjedhjen në detyrën e presidentit edhe për faktin që kemi pasur takime si ish-ministra të brendshëm në disa raste në Shqipëri por edhe në vende të tjera. E kam mirëpritur dhe e kam falenderuar për urimin, natyrisht që ne ndajmë pikëpamje krejt të ndryshme në lidhje me Kosovën, por ajo që është e rëndësishme është fakti se të gjithë duhet ti adresohen realitetit, fshehja nga realiteti, ikja nga realiteti sjell pengesë pas pengesash, sjell vështirësi artificiale që çdokush duhet ti evitoj sepse ato nuk sjellin asgjë të mirë por përkundrazi të ngërthejnë në një rreth vicioz nga i cili do të duhen më pas përpjekje më të mëdha për të dalë dhe për t’ju qasur pastaj një realiteti i cili nuk ndryshon nga dëshira e individit. Realitetet janë në terren, ato janë një raport i shprehjes së vullnetit të popujve, të dëshirës së tyre, në fund të fundit të një shprehje e qytetërimit dhe civilizimit. Jemi të destinuar të punojmë për qytetërimin jemi të destinuar të punojmë për civilizimin. Rrugë dhe zgjedhje tjetër nuk ka. Kështu që promovimi i vlerave të bashkëpunimit është pjesa më e mirë e angazhimit dhe e kontributit që çdo njeri që arrin një pozicion të caktuar përfaqësimi, në presidencë, në qeveri, në parlament, në shoqërinë civile dhe kudo të jetë është me fat që të mbetet në pjesën e historisë si një kontributor pozitiv i momentit që atij i erdhi për të dhënë këtë kontribut.
Keni plane të takoheni me presidentin Nikoliç? Të udhëtoni në Beograd, apo ai ka planifikuar ndonjë vizitë në Tiranë?
Nishani:
Komunikimi është pjesë normale, kjo do të varet gjithmonë nga axhendat përkatëse të presidentëve, do të varet natyrisht dhe nga vullnetet e përbashkëta që besoj nuk kanë përse të mungojnë në konceptin e komunikimit. Por gjithçka vjen në momente të caktuara dhe në ambiente të caktuara, por kurrë Shqipëria nuk ka qenë për të bllokuar komunikimin, asnjëherë institucionet e saj nuk janë shprehur për ta bllokuar, përkundrazi e kanë konsideruar komunikimin si një vlerë të rëndësishme të zhvillimit dhe bashkëpunimit.

Marrë me shkurtime nga “Bugajski Hour”

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat