Çka është pneumonia e rëndë, të cilën po e shkakton koronavirusi në mushkëri?

Këshilla mjekësore

Çka është pneumonia e rëndë, të cilën po e shkakton koronavirusi në mushkëri?

Më: 26 korrik 2020 Në ora: 20:24
Foto ilustrim

Pacientëve me koronavirus u zhvillohet pneumonia në mushkëri, e cila është një gjendje serioze dhe që mund të jetë edhe vdekjeprurëse. Madje, sipas kontastimeve të fundit për Covid-19, ajo mund të vrasë edhe të rinjtë pas sëmundje tjera shoqëruese.

Pulmologu Besim Morina, ka sqaruar me detaje se çka është pneumonia te pacientë me koronavirus, madje ka publikuar edhe pamje të mushkërive të shëndosha, dhe atyre të dëmtuara nga koronavirusi i ri.

“Shumica e njerëzve me COVID-19 kanë simptoma të lehta ose mesatare, si kollitje, ethe apo plogështi. Por disa të infektuar me koronavirusin e ri zhvillojnë pneumoni të rëndë në të dy mushkëritë. Kjo pneumoni është një gjendje serioze që mund të jetë vdekjeprurëse”, ka shkruar Morina në Facebook.

Se çka është penumonia lexoni më poshtë shkrimin e detajuar të pulmologut Besim Morina:

Mushkëritë në dukje i përngjajnë sfungjerit, janë shumë elastike dhe të mbushura plot me ajër. Ato shërbenjnë si “filtër” pëmes së cilit oksigjeni prej ajrit të thithur nga jashtë hyn në gjak, dhe në kahun e kundërt dioksidi i panevojshëm i karbonit nga gjaku del jashtë trupit.

Pneumonia paraqet pezmatimin e ketij “sfungjeri”, me ҫrast këto qeska të vogla me ajër mbushen me lëng dhe muret e tyre ënjten. Kjo bën që oksigjeni t’a ketë të vështirë të kalojë nga rrugët e ajrit në gjak, dhe nëse pezmatimi përfshinë një pjesë të madhe të mushkërive niveli i oksigjenit në gjak ulet ndjeshëm. Ky pezmatim i mushkërive zakonisht shkaktohet nga një infeksion me bakterie, por kohëve të fundit për shkak të pandemisë gati të gjitha pneumonitë janë të shkaktuara nga koronavirusi i ri.

Këto zakonisht emërtohen si Pneumoni COVID-19 apo vetëm COVID-19, që është shkurtesë për Sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi 2019.

Simptomat e pneumonisë COVID-19.

Ethet, një kollë e thatë dhe lodhja janë zakonisht shenja të hershme të COVID-19. Mund të keni gjithashtu mundim, vjellje, barkqitje, dhimbje muskulore, dhimbje koke, humbje nuhatjes apo shijes, një dhimbje të fytit apo kongjestion të hundëve.

Nëse te këta të infektuar zhvillohet pneumonia, atëherë mund të paraqiten simptoma dhe shenja tjera si rrahje të shpejta të zemrës, frymëzënie, frymëmarrje e shpejtuar, plogështi e rëndë, marramendje dhe djersitje e theksuar.

Jo të gjithë personat me infeksionin COVID-19 zhvillojnë pneumoni. Te shumica e njerëzve COVID-19 nuk i dëmton mushkëritë. Vetëm rreth 15% e rasteve të COVID-19 janë të rënda dhe karakterizohen me pneumoni ne të dy mushkëritë. Këta mund të kenë nevojë të mjekohen me oksigjen në klinikë. Ndërsa rreth 5% e njerëzve kanë sëmundje kritike dhe kanë nevojë për një ventilator i cili e ndihmon te sëmurin për të marrë frymë.

Cilët nga personat e infektuar me koronavirusin e ri janë të rrezikuar të zhvillojnë pneumoni?

Te ҫdo i infektuar mundet të zhvillohet pneumonia, por më të rrezikuar janë të moshuarit dhe ata që kanë probleme të tjera shëndetësore si sëmundje të mushkërive, hipertension arterial, sëmundje tjera të zemrës, diabet, dështim të veshkave apo edhe mbipeshë e obezitet.

Si diagnostikohet pneumonia COVID-19?

Pneumonia COVID-19 diagnostifikohet duke u bazuar në simptoma, radiografi të mushkërive dhe analizave laboratoratorike.
Tregues të një pneumonie COVID-19 në analizat e gjakut mund të jenë limfocitet e ulëta (kategori e qelizave të bardha të gjakut) dhe proteina C-reaktive (CRP) e ngritur. Poashtu niveli i oksigjenit ne gjak i matur me pulsoksimetër (saturimi i oksigjenit) mund të jetë gjithashtu i ulët. Radiografia e gjoksit mund të tregojë zona të hijëzuara të shpërndara në të dy mushkëritë tuaja.

A ka trajtime për pneumoninë COVID-19?

Pneumonia shpesh ka nevojë për trajtim spitalor me dhënie të sasive të konsiderueshme të oksigjenit, qoftë përmes maskës së oksigjenit apo me ndihmën e një ventilatori. Poashtu jepen edhe lëngje intravenoze, antibiotik për të parandaluar infeksionin sekondar me bakterie, barna qe e pengojne trombozën në enët e gjakut, barna kunder pezmatimit dhe temperatures si dhe një kortikosteroid i quajtur dexametazon. Kundër vetë virusit janë propozuar disa trajtime eksperimentale por deri me tani vetëm një bar, Remdesivir, duket të ketë një efekt.

A mund t’a parandalojmë pneumoninë COVID-19

E vetmja m mënyrë për t’a parandaluar paraqitjen e pneumonisë COVID-19 është që në radhë të parë të mos infektohemi. Mendimi që nuk do të kemi pneumoni edhe nëse infektohemi pasi që nuk jemi të moshuar apo nuk kemi sëmundje kronike, është i gabuar. Një numër i konsiderueshëm i pacientëve me forma të rënda të COVID-19 me pneumoni të theksuar janë të moshave të mesme por edhe të rinjë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat