Opozita e dobët dhe qeveria e papërvojë

Kolumne

Opozita e dobët dhe qeveria e papërvojë

Nga: Prof. Jeton Kelmendi PhD, Bota sot Më: 19 korrik 2021 Në ora: 14:53
Prof. Jeton Kelmendi PhD, Bota sot

Është fakt se vendi po kalon një periudhë me shumë dallime dhe madje në thellim të ndarjes së shtresave të caktuara politike. Nga njëra anë kemi një qeveri të re, e cila ka fituar mbi gjysmën e votave të qytetarëve të Republikës, e ku në qeverisje janë persona pa përvoja në qeverisje, ose me përvojë fare të vogël, ndërsa në anën tjetër kemi një grup partish, të cilat e kanë qeverisur vendin për më shumë se dy dekada, e të cilat janë katandisur nga humbja e thellë në zgjedhjet e fundit dhe sikur po merren me vetveten, mbase kjo dëshmon se jo vetëm se kanë humbur por edhe janë frikësuar shumë dhe gati janë inekzistent në punën e tyre opozitare. Në ketë situatë, kemi një grumbull tifozësh të cilët verbërisht e mbështetin kryeministrin Albin Kurti dhe qeverisjen e tij, këtu duhet potencuar numrin e madh të tyre që i përkasin diasporës, dorën në zemër kategoria më pak e arsimuar e shoqërisë, e ku ndihen fitues dhe madje nuk ndalojnë duke e përbaltur krejt çka është bërë për dy dekadat e lirisë, pa marrë parasysh se pjesë e këtij grumbulli njerëzish ‘fitimtarë’ janë shumë figura të cilat nuk u kanë bërë ballë reformave në partitë e tyre të mëparshme, por tani janë pozicionuar mirë në Lëvizjen Fitimtare Vetëvendosje.

E në anën tjetër, partia që ka qeverisur më së gjati PDK-ja, i kishte përllogaritur gjërat jo fort mirë, duke dashur ta ruajë vendin e shefit për liderin e tyre në proces gjyqësor në Gjykatën Speciale, pa bërë reforma dhe pa u ç'kapur nga disa afera të mëparshme, natyrisht se humbja e priste, ama nuk po mund ta kuptoj se përse është “zbutur” kaq shumë dhe nuk po bën opozitën si lidere e opozitës. LDK, një parti më e vjetra në Kosovë, me disa kuadro jo për t’u nënçmuar, edhe pse shumë prej tyre i dëbuan nga partia, disa shefa në parti, madje edhe liderin e shumëpërfolur e larguan dhe me lidership të ri, sërish është e nënshtruar dhe sikur është në një amnezi totale. Kjo parti e cila dinte të fitonte bindshëm në kohën e Ibrahim Rugovës, që pas vdekjes së tij, vazhdimisht mbeti parti jo e para. Kështu, jo pak kuadro të kësaj partie, pasi arritën në majat a pushtetit partiak, emigruan në taborre tjera, duke u ndihmuar të tjerëve të fitojnë, raste të tilla si Nexhat Daci, Blerim Kuçi e deri te Vjosa Osmani, dëshmojnë se në LDK janë të suksesshëm personat që i dërgojnë subjektet tjera, madje askush nuk mund të fitojë pa argatët e “LDK-së”, por pse pas gjithë këtyre përvoja sërish avazoja vazhdon. Kjo parti jo se nuk po bën opozitën, për çka e ka për detyrë, por jo rrallëherë të duket se nuk është një parti politike me qasje të saja, por sikur një nëndegë e partisë në qeverisje. Pa asnjë mbulesë i mbështet veprimet e qeverisë, madje në dëm të vendit, derisa thirret në institucionalizim dhe në shërbim të vendit?!!!
Subjekti tjetër humbës është AAK, parti e familjes Haradinaj, e cila në fakt nuk është edhe aq humbëse, sepse kurrë nuk ka fituar, e gjithnjë ka marrë pozita në qeveri me kalkulime. Pra, kësaj radhe jo ka humbur, por vetëm nuk ka përfituar nga kalkulimet.
E meqenëse jemi në një situatë të tillë kur opozita është në ‘gjumin dimëror’ dhe vetëm ndonjë spektakël të vogël, tjetër gjë nuk shihet të bëjë, çka mund të presim nga pozita, e cila po qeverisë?
Në fakt, e gjendur para një fitore të madhe, kjo qeveri dhe këta njerëz pushtetar duket se kanë fituar para kohës që ata kanë planifikuar dhe madje edhe më herët seç mund të qeverisnin? Pse kjo? Po, sepse rezultatet e deritanishme të vetme duket propagandat në mediet e shumta që ata kontrollojnë, natyrisht pa mos e harruar mediet sociale, ndërsa shiten suksese edhe dështimet. Ministria a Shëndetësisë paraqet shembullin tipik se si dështohet në udhëheqje, por gjë më mirë nuk duket as Ministria e Jashtme dhe nëse flitet edhe për ministritë tjera, nuk është se dallojnë shumë, prandaj është e vështirë ta analizosh një problem në shoqërinë tonë me shimë probleme. Tani të futemi në gjenezën e problematikës së pushtetit dhe opozitës është një çështje e cila hap një kaptinë të gjerë debati, e për ç’gjë nuk mund të presësh rezultate, sepse siç e thotë njëri nga rilindësit tonë: “Bylbyl ky shekull, orë e çast, të mëdhenjtë bien poshtë e të vegjlit ngritën lartë”, pra shkoi njëri erdhi tjetri, më zi i riu se i vjetri. Për mua çështja më me interes është qasja nga pozita e asnjërës palë, ngase kjo më së miri spikat të vërtetën. E vërteta është se opozita nuk po mund e merre me mend se çka ka ndodhur me të, prandaj edhe gati është dorëzuar, ndërsa pushteti akoma nuk e ka kuptuar se i ka fituar zgjedhjet, madje bindshëm dhe nuk po dinë as të qeveris e besa as të sillet si pushtet.

Përveç këtyre dy palëve: ku dikush është suprem, e dikush në amnezi, ekziston edhe një palë e tretë, për të cilën flitet fare pak, ose besa edhe hiç fare, e që janë kategoria e të zhgënjyerve me të dyja palët. Votuesit e arsyeshëm të pushtetit aktual, as për së afërmi nuk po i shohin premtimet, ndërsa edhe votuesit e edukuar të opozitës nuk po gjejnë atë që presin nga ata që i votuan, prandaj kjo kategori është në rritje… E për fund, desha ta them se nuk duhet marrë me shqetësim të madh dekonspirimin e të dyja palëve, sepse i njëjti brom janë për nga domeni i veprimtarisë, por shqetësim i madh është thyerja e shpresave tek qytetarët që mendojnë me kokën e vet, se për këta që mendojnë me kokat e liderëve lehtë është, madje ketë punë më së miri i di kryeministri, i cili me dy citate të dyfishuara kuptimisht i bind për krejt çka të dojë. Sido qe të jetë, njëherë heshtja po vazhdon…

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat