Pse i duhet një mbyllje prej dy javësh Kosovës

Kolumne

Pse i duhet një mbyllje prej dy javësh Kosovës

Prof. Jeton Kelmendi PhD, Bota Sot Nga Prof. Jeton Kelmendi PhD, Bota Sot Më 8 shtator 2021 Në ora: 14:00
Foto ilustruese

Janë bërë të zakonshme informacionet nga mediet për numrin e lartë të vdekjeve dhe numrin e të infektuarve, ndërsa kjo ka futur në njëfarë presionin qytetarët e Kosovës, të cilët tani presin me shqetësim edhe nisjen e vitit të ri shkollor. Kjo vërtetë është ngjarje për t’u shqetësuar, por për habi sikur nuk duket ta shqetësojë qeverinë, e cila po do që shkollat të fillojnë në objekte, pavarësisht se virusi po godet edhe fëmijët, madje edhe të moshave shumë të vogla.

Një mbyllje dy javore, me kusht të kemi një plan strategjik nga qeveria dhe mësimi të mbahet online do të ishte më se i domosdoshëm për ta ruajtur shëndetin e populli tonë, sidomos kur kihet parasysh se vaksinimi i qytetarëve të Kosovës është ndër më të ulët në botë. Pra, shkollat janë me numër më të madh dhe natyrisht edhe me rrezikshmëri potencialisht të madh, ndërsa tanimë edhe kemi një përvojë në mësimin online dhe nuk do të humbim shumë. Nuk është lojë punë e shëndetit, kurse situata është vërtetë shqetësuese, prandaj duhet edhe përkushtim edhe përgjegjësi nga qeveria e vendit.

Është e kuptueshme se vendi është para një procesi zgjedhor, me 17 tetor do të mbahen zgjedhjet lokale dhe mbyllja do të mund të ndikonte në zgjedhje, por nuk duhet harruar se shëndeti i qytetarëve është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër, prandaj kërkohet lidership i përgjegjshëm nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, sepse ata janë personat që mund të ndikojnë në uljen dhe përmirësimin e situatës pandemike. Kështu që mbyllja për dy javë pa asnjë dilemë se do të ndikojë për të mirë, kurse edhe disa punonjës të arsimit të lartë dhe të mesëm me sëmundje të rënda dhe mësueset shtatzëna edhe do mund të punojnë edhe do të ruhen nga infektimi.

Kësi soji, një mbyllje do të ishte me shumë rezultate, e qeveria pastaj do të mund të mburrej për një qeverisje të mirë dhe si përfundim në një afat më të gjatë edhe kjo qeveri do mund të fitonte autoritet dhe pse jo edhe mbështetje, pasi që në ketë shtetin tonë gjëja më e rëndësishme është autoriteti dhe fitorja në zgjedhje.

Një problem tjetër, i cili po ashtu nuk ka trajtesë të duhur, ose edhe fare nuk po trajtohet nga shteti që po qeveriset nga Albin Kurti është puna në sektorin privat, pra saktësisht në dyqanet e mëdha, ku punëtorët edhe pse infektohen ata dhe ato duhet të dalin në punë, përndryshe nuk marrin paga, prandaj edhe aty qëndron problemi dhe qeveria duhet të ketë kujdes dhe punëtorët e infektuar t’i paguajë nga një buxhet i ndarë për ketë punë.

Pra në ketë situate pandemike, ku vendi është katandisur keq, si pasojë e qeverisjes shumë të keqe ka shumë hapësira për t’u korrigjuar, por nëse qeveria merret me seriozitet vetëm me këto dy aspekte të cilat u lart cekën, jam i sigurt se gjendja do të ndryshojë për të mirë, natyrisht edhe duke gjetur metoda të rritjes së vaksinimit. Përndryshe, nëse kjo qeveri pret reagimet e opozitës që të ndryshojë, pra opozita ta detyrojë qeverinë të ndërmarrë këso veprimesh, padyshim se ata janë para një kolapsi, sepse kjo opozitë po ashtu është e katandisur dhe nuk po di, ose edhe nuk po do ta luajë rolin e vet në shërbim të vendit, prandaj koston do ta paguajnë qytetarët. Dikur, nëse një bariu të përgjegjshëm do t’i ngordhnin kaq shumë bagëti dhe për një periudhë kaq të gjatë, sigurisht se nuk do ta zinte gjumi, por edhe do kërkonte me çdo kusht që ta gjente ilaçin, ndërsa tek ne, ky i pari i shëndetësisë nuk po duket se e ka marrë ketë punë afër zemre, pavarësisht se ai ha në ministri e ëndërron në krye të Prishtinës.

Ajo që më së paku i duhet vendit, këtu po ndodhë dhe madje po bëhet dita ditës trend, është se gjithçka është bërë politike dhe se çdo kalkulim parallogaritet me politikë dhe në politikë, prandaj së paku kësaj radhe po kërkoj qe të mendohet racionalisht dhe të veprohet kombëtarisht. Edhe racionale, edhe kombëtare, por edhe humane do të ishte një veprim I tillë, pse jo të mos ftoheshin edhe opozita, madje edhe shoqëria civile dhe faktorë të tjerë, që të gjithë të bëhen pjesë e një akti të tillë, sepse pa dilemë se të gjithë do të përfitonin, ndërsa humbës do të ishte vetëm virusi COVID 19. Në të kundërtën secili faktor relevant që nuk kërkon luftim kundër virusit do të jetë në shërbim të keq të vendit, kurse qeveria si faktori kryesor, pra alfa dhe omega do të jetë aleate e COVID-it dhe si të tilla vetëm këto mund të jenë fituese, krejt të tjerët do të mund të jenë humbës. Pavarësisht krejt çka ka ndodhur deri me tani dhe pavarësisht veprimeve jo të duhura në ketë drejtim, një vendim i tillë do të ndikonte edhe në harrimin e atyre dështimeve dhe të krijohej një simpati për ministrin e “mirë” dhe edhe për shefin e tij në qeveri dhe në parti. Dhe për fund disa sektorë edhe mund të punon, por me një strategji të mirë planifikuar nga qeveria dhe fundja dy janë nuk janë shumë për ta kthyer nën kontroll gjendjen me pandeminë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat