Mini-reciprociteti i Kurtit dhe maksi-propoganda e Albinave të tij për forcimin e shtetit të Kosovës

Kolumne

Mini-reciprociteti i Kurtit dhe maksi-propoganda e Albinave të tij për forcimin e shtetit të Kosovës

Prof. Jeton Kelmendi PhD, Bota sot Nga Prof. Jeton Kelmendi PhD, Bota sot Më 25 shtator 2021 Në ora: 08:42
Policia speciale e Kosovës qëndron në rrugën pranë kalimit kufitar verior të Kosovës në Jarinje, AP

Se jetojmë në një kohë që gjërat sado të vogla apo të zakonshme na paraqiten si shumë të mëdha, madje deri në atë shkallë sa i habisnin edhe vet autorët e këtyre ngjarje, të cilën gati se nuk e njohin me veten, për këtë jemi dëshmitarë secili që vetëm pak mendon dhe e përcjell realitetin në këto kohë propagandash, por se deri ku mund të shkojë logjika e mashtrimeve, kjo tani i kalon edhe imagjinatat e më të mëdhenjve imagjinarë. Nëse i përcjell ngjarjet politike, e pa i përcjell këto ngjarje nuk po është çare, sepse politika është bërë pjesë e jetesës tonë tash e sa dekada, sheh nga më të ndryshmet qasje: prej folklorit politik, dogmatik, hipotetik, e deri te marketingu ose siç njihet në ditët e sotme populizmi hiperbolik. Besoj se që të gjitha këto qasje, por edhe disa forma tjera që nuk u përmendën, kanë zënë të përdoren nga kasta politike e Kosovës, por këto dallohen nga segmentet e caktuara brenda kastës politike të vendit, gjegjësisht nga titullarët e këtyre partive se për cilën kanë më shumë afinitet.

Ditëve të fundit Qeveria e Kosovës mori një hap të duhur, natyrisht konform marrëveshjeve të bëra nga paraardhësit qeveritarë. Reciprociteti me targat e veturave që kanë regjistrim të Serbisë, që i bie se kjo është vetëm një pikë reciprociteti, ose më thjeshtë mund ta quajmë mini-reciprocitet. Të njëjtën gjë shteti fqinj e bën tash e sa vjet me veturat me regjistrim të Republikës së Kosovës, mirëpo edhe kësaj i ka dalë afati, sepse ka kaluar koha e asaj marrëveshjes, për ketë flasin edhe në Prishtinë edhe në Beograd, prandaj veprimi i qeverisë në Prishtinë është më se i natyrshëm dhe diçka e zakonshme, të cilën gjë do të bënte secili që do të ishte në qeveri, prandaj nuk duhet rrahur ‘teneqet’ se kjo na qenka diçka e madhe.

Për ketë u deklarua edhe lideri i opozitës në Serbi, i cili ishte pjesë e kësaj marrëveshje vite më parë. E reciprociteti është shumë më shumë. Pra, janë një mal me çështje për të cilat do të duhet t’i përgjigjeshim qeverisë në Beograd, ku nga mosnjohja e dokumenteve dhe diplomave, e deri tek bashkëpunimi rajonal, për të gjitha këto gjëra Serbia ka treguar destruktivitet në raport me Kosovën, mirëpo asnjë qeveri në Prishtinë nuk u tregua aq efikase në ketë kontekst. Qeveria e Ramush Haradinajt pati ndërmarrë një hap me të ashtuquajturin njëqind për qind, mirëpo edhe asaj nuk iu pa hajri, përkundër, iu pa sherri, sepse na prishi me miqtë ndërkombëtarë.

Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, e cila që nga themelimi i partisë së tyre VV, kishte trumpetuar për reciprocitet dhe madje edhe kishte sharë e pështyrë secilin që vinte në qeveri, për mos përgjigje adekuate ndaj Serbisë, me të ardhur në pushtet, pak muaj më vonë i hoqi të gjitha barrierat Serbisë për eksport në Kosovë, tani në ketë fushatë për zgjedhjet lokale u gjet mirë me këtë veprim që realisht është një mini-reciprocitet, por një arsye për një fushatë propagandistike, si: Me Albnin po vjen era shtet, Albini ia fut dy këmbët në një këpucë Vuçiqit e lloj-lloj marifetesh, me të vetmin qëllim ta bindin qytetarin e vendit t’i votojë edhe në zgjedhjet lokale.

Nëse lexojmë portalet dhe shikojmë TV-të, na dalin përditë, e për natë do farë analistësh, specialistësh, e pse jo edhe misionarë të cilët për në mini-reciprocitet bëjnë maksi-propagandë. Kjo është tepër e neveritshme, sepse që të gjithë këta persona janë marioneta të segmenteve të caktuara të para politikës, të cilat kontrollohen dhe orientohen nga shefat e tyre që sa më shumë që propagandojnë, me të vetmin qëllim ruajtjen e fuqisë politike, për çka sondazhet e po atyre grupeve flasin për një përmbysje të vullnetit të deklaruar me 14 shkurt të këtij viti. Mbi ketë parim i bije që Qeveria e Albin Kurtit do të duhej të vinte reciprocitet edhe në çështjet tjera që u përmenden më lart, por ky veprim të bëhej para disa muajsh e jo tani në kohën e fushatës, por e majta gjithandej në botë e ka si parim veprimin e pulave. Pula e zgjon një lagje me kokorisjet e veta, thuajse çfarë ka bërë, por kur shkon dhe e sheh, mund ta gjesh vetëm një vezë, e tani merre me mend sa mund të jetë vlera e një veze karshi gjithë kokorisjeve që bën pula. Kështu po vepron edhe Lëvizja Vetëvendosje, ku me një veprim shumë të zakonshëm shikojeni sa kokorisjet i bën nëpër medie, madje të gjithë në VV kokorisen për shefin e tyre, që ta bëjnë atë të jetë më i madhi i vendit, edhe më i madh se më i madhi, pra suprem.

Sido qe të jetë, reciprocitetin duhet mbështetur, e jo si disa që dalin dhe i ngatërrojnë gjërat, sa që harrojnë ta thonë se duhet mbështetur reciprocitetin, madje jo vetëm me targat, por edhe në segmentet tjera, derisa Qeveria e Serbisë të detyrohet të reflektojë dhe ta njeh Kosovën si shtet të pavarur. Krejt për fund, jemi me ty Albin dhe të mbështesim, kur bën punë të mira, por lërini kampanjat e propagandave dhe kaloni nga praktika në punë të zakonshme, përndryshe populli nuk të beson sa herë mundesh t'i ta mashtrosh.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat