Kosova Lindore nuk shkolonizohet me makiato dhe duke bërë biznes me Serbinë! - Bota Sot
Kosova Lindore nuk shkolonizohet me makiato dhe duke bërë biznes me Serbinë!

Kolumne

Kosova Lindore nuk shkolonizohet me makiato dhe duke bërë biznes me Serbinë!

Prof. Dr. Mehdi Hyseni Nga Prof. Dr. Mehdi Hyseni Më 23 gusht 2018 Në ora: 17:53
Pamje nga Presheva

Kjo analizë është  publikuar në vitin 2003, kur UÇPBM-ja pati filluar luftën e saj antikoloniale kundër Serbisë.

Mirëpo,  SHQIPËRIA LONDINEZE nuk i ndihmoi as politikisht, as diplomatikisht e as ushtarakisht, por veproi njësoj sikurse me Kosovën (1989-1999), duke e lënë në zjarrin dhe në flakën e terrorit dhe të gjenocidit të Serbisë kolonialiste.  Si rrjedhim i një braktisjeje të tillë antihumane, antiligjore dhe antihistorike dhe antikombëtare të Tiranës zyrtare, statusi kolonial i shqiptarëve  në Preshevë,  në Bujanoc dhe në Medvegjë ka ngelur i pandryshuar (1878-2018).  Si rrjedhim i një politike parazite dhe sterile dritshkurtër  të  boshtit Tiranë-Prishtinë,  edhe sot, pas 15 vitesh, statusi politik i Preshevës, i Bujanocit dhe i Medvegjës, është duke pritur zgjidhje urgjente dhe të drejtë për të dalë nga robëria koloniale shekullore 140-vjeçare (1878-2018).

Të bashkohemi edhe si  komb, edhe si  shtet, edhe si  territor, duke shkallmuar formulën armiqësore  "Velika Albanija"

E vërteta është se shqiptarët  me kryengritje, me luftëra, me këngë folklorike, me vepra, me poezi, me kulturë janë bashkuar, që nga epoka e lavdishme e SKËNDERBEUT, por, jo, ende, edhe si KOMB, edhe  si SHTET dhe si TERRITOR UNIK-SHQIPËRI ETNIKE. Këtë e provojnë edhe Kosova Lindore nën Serbi, edhe Ilirida nën Maqedoni, edhe Malësia e madhe nën Mal të Zi, edhe Epiri-Çamëria nën Greqi. Kjo është e vërteta e pakundërshtueshme. Ndërkaq, të tjerat janë vetëm përralla sharlatanësh të hyzmeqarëve të pushtetarëve të politikës ditore, të kuazishkencës ditore, të kuazipublicistikës ditore, të pseudoinformatikës dhe propadandës ditore, që në vend të përqafimit dhe të afirmimit të kauzës së shenjtë të RIBASHKIMIT KOMBËTAR DHE TË SHQIPËRISË ETNIKE, propagandojnë, stimulojnë dhe sensibilizojnë antivlerat e errëta të njerëzimit dhe të botës së qytetëruar, siç janë: fashizmi, neofashizmi, kolonializmi, neokolonializmi, shtypja dhe shfyrtëzimi i huaj etj. Të gjitha këto janë në funksion të asimilimit, të degradimit, të tejtërsimit dhe të shpërfytyrimit të sistemit të vlerave shqiptare dhe të identitetit të Shqipërisë Etnike.

Këto janë ndër shkaqet kryesore pse edhe sot shqiptarët janë të copëtuar dhe të kolonizuar në katër shtete imperialiste sllave në Ballkan (Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Greqia). Mirëpo, pushtetarët e politikave shqiptare, këto probleme të mëdha nuk duan t’i shohin, sepse për zjgidhjen e tyre nuk kanë investuar as në planin e brendshëm, as në atë ndërkombëtar. Për më keq, “traktatet” e tyre dypalëshe dhe shumëpalëshe me partnerët e tyre everopianë dhe ndërkombëtarë, në asnjë rresht të tyre, nuk parashikojnë, përkatësisht nuk kanë të sanksionuar problemin kolonial të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike në Ballkan!

Pikërisht kjo “urti dhe vizion politik” i pushtetmbajtësve shqiptarë në të gjitha trevat e Shqipërisë Etnike, deri tani, në forma të ndryshme është shpërblyer nga ana e politikës evropiane dhe ndërkombëtare, sepse nënkupton DISTANCIMIN E PËRBOTSHËM të tyre nga SHKOLONIZIMI i shqiptarëve dhe i Shqipërisë Etnike. Ky është argumenti kryesor pse politika zyrtare shqiptare në Tiranë, në Prishtinë dhe në Tetovë ka mbështetjen e faktorëve të ndryshëm evropianë dhe ndërkombëtarë, jo pse ata kanë bërë ndonjë hap pozitiv ose ndonjë vepër kokrete politike kombëtare dhe atdhetare në shërbim të zgjidhjes përfundimate të çështjes koloniale shqiptare në Ballkan.

Nëse edhe më tej, vazhdohet një kurs i politikës së tillë zyrtare shqiptare në kundërshtim me zgjidhjen e drejtë dhe ligjore të çështjes koloniale shqiptare në Ballkan, s’ka asnjë dilemë se, Beogradi, Shkupi, Athina dhe Podgorica, që tani mund të llogarisin në mbylljen e kapitnës historiko-politike, territoriale dhe shtetërore të konfliktit shekullor me shqiptarët në Ballkan.

Shqiptarët e Kosovës Lindore midis hudhrës dhe çekanit!

Edhe zhvillimi i ngjarjeve të fundit në Kosovën Lindore( qershor e korrik 2009), si shkak dhe pasojë e ndërhyrjes brutale të forcave të xhandarmerisë policore mbi popullatën e pambrojtur dhe të pafajshme civile në Kosovën Lindore (si pretekst i grumbullimit të armëve dhe i shpërthimit të “terrorizmit” shqiptar), është i barasvlershëm me atë në fillim të viteve të 90-ta të shekullit XX, pas ardhjes në pushtet të diktatorit serbomadh, Slobodan Milosheviq, si dhe në fillim të dekadës së parë të shekullit XXI ( vitet 2000-2003), pas ardhjes në pushtet të ish-kryeministrave Vojislav Koshtunica, Zoran Gjingjiq dhe Nebojsha Çoviq etj.

Si hap i parë, Kosova Lindore, do të duhej të vihej nën misionin ndërkombëtar paqësor të OKB-së, ose të bëhet organizimi i një KONFERENCE NDËRKOMBËTARE PËR BALLKANIN

Kjo do të ishte  “ecuria metodologjike” e strategjisë së zgjidhjes së probemit kolonial të shqiptarëve në Preshevë, në Bujanoc dhe në Medvegjë,  e cila do të garantonte shkëputjen e saj  përfundimtare nga sistemi kolonial dhe gjenocidal i Serbisë (1878-2018). Ndryshe,  bashkimi i tyre me Kosovën nuk mund të bëhet me plepa gjetheharlisur, me  gjyzlykë dielli, me dolli, me makiato, me shtro dreka e  darka që nga Presheva e deri në Tiranë, Tetovë, Shkup e Beograd.  Kjo farë maskarade është vetëmashtrimi dhe mashtrimi më i madh dhe më banal, që po  bëhet në emër të “bashkimit” të Preshevës, të Bujanocit dhe të medvegjës me Kosovën.  Bashkimi  kombëtar nuk mund të bëhet me pallavra dhe me fjalë të thata, duke mbushur masmediat e ndryshme shqiptare, por me strategji dhe me vepër konkrete, të ndërtuar nga të dy shtetet ekzistuese (Kosova dhe Shqipëria).

Çdo zgjidhje tjetër e statusit politik dhe juridiko-kushtetues e shqiptarëve të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës, është në favor të llogarisë dhe të interesave kolonialiste, militariste dhe imperialiste të Serbisë, e cila përfundimisht në vitin 1878 , i rrudhi, i masakroi, i dogji, i dëboi me dhunë dhe me gjenocid të paparë të të gjitha territoret dhe popullsinë shqiptare të Shqipërisë Etnike, duke përfshirë edhe Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën shqiptare.

Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, çështje koloniale

Problemi i Kosovës Lindore, nuk është vetëm problem i të drejtave elementare minoritare, por, mbi të gjitha, është problem kolonial, si pjesë e pandashme e Kosovës së sotme të pavarur. Mirëpo, këtë status të shqiptarëve dhe të Kosovës Lindore, nuk duan ta shohin, ta trajtojnë as ta interpretojnë e as ta cilësojnë me emrin dhe mbiemrin e vërtetë kolonial, as politika zyrtare shqiptare (Tirana dhe Prishtina”, as partenrët (aleatët) e tyre evro-ndërkombëtarë. Kështu që, nga një politikë e tillë e gabuar hibride dhe miope, është në favor të përligjjes së politikës terroriste dhe kolonialiste të Beogradit mbi shqiptarët e getoizuar në Kosovën Lindore.

Kështu ka ndodhur edhe me Kosovën, pavarësimi i së cilës nuk është bërë si rrjedhim i sundimit kolonial shekullor 100-vjeçar, por si problem “sui generis”, që do të thotë në kundërshtim të plotë me të drejtën historike dhe me parimin e vetëvendosjes së popullit shqiptar të Kosovës!?

Alternativë tjetër (në vend të ndërkombëtarizimit, ose shkëputjes përfundimtare të Kosovës Lindore nga prangat 100-vjeçare të sundimit kolonial serb), është NGELJA E PËRGJITHMONSHME E SHQIPTARËVE nën Serbinë kolonialiste! Çdo heshtje, çdo indiferencë, çdo mosndërhyrje urgjente e politikave shqiptare të boshtit Prishtinë – Tiranë për zgjidhjen përfundimtare të problemit kolonial të Kosovës Lindore, nënkupton pajtimin me politikën strategjike kolonialiste të Serbisë, që shqiptarët dhe Kosova Lindore e Shqipërisë Etnike, të mbetet “pronë legale” e Serbisë kolonizatore.

Kur do të reagojë diplomacia preventive e OKB-së?

Sipas doktrinës dhe standardeve më të reja të marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe së këndejmi edhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, parandalimi i konflikteve të armatosura ndërkombëtare, është imperativ moral, humanitar dhe obligim juridik ligjor ndërkombëtar. Në këtë frymë, është konceptuar lënda, dhe objektivat e diplomacisë preventive ndërkombëtare, që parashikojnë masat preventive politike, ekonomike dhe humanitare, me qëllim të shpëtimit të jetëve të njerëzve të pafajshëm, të interesave ekonomike si të vendeve të involvuara drejtpërdrejt në konfliktet e armatosura, ashtu edhe të bashkësisë ndërkombëtare.

Sipas strategëve dhe teoricienëve të diplomacisë preventive, ndërmarrja e masave parandaluese të diplomacisë preventive, është në interes të dyfishtë, si të aktorëve të involvuar në konflikt (për t’iu shmangur me çdo kusht çmimit shumë të lartë të “financimit” të konfliktit si në kohë lufte, ashtu edhe pas përfundimit të saj, në kohë paqeje, gjatë procesit të rindërtimit), ashtu edhe të bashkësisë ndërkombëtare, që të mos iu ekspozohet çmimeve shumë të larta financiare dhe investuese, por të ruajë kredibilitetin e saj ndërkombëtar, duke ndërhyrë me kohë në pezullimin e konflikteve të armatosura kudo qoftë në botë.

Gjithashtu, edhe riaktualizimi i konfliktit të armatosur serb në Kosovën Lindore mbi popullatën civile shqiptare, dhe mbi pjesëtarët e UÇPBM-së, më 8 shkurt 2003, është dashur të jetë objekt shqyrtimi urgjent, në radhë të parë për ish-sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan, sepse qeveria e Serbisë, e drejtuar nga ish-kryeminstri i saj, Zoran Gjingjiq, dhe ish-nënkryetari i saj, Nebojsha Çoviq, sipas modelit të ish-regjimit policor-ushtarak e paramilitar të ish-diktatorit Slobodan Milosheviq, i patën aktivizuar, dhe vënë në veprim forcat policore serbe në territorin etnik shqiptar të fshatrave dhe të qyteteve të Kosovës Lindore. Si pasojë e ushtrimit të formave dhe “skemave” më drastike të pushtimit dhe të sundimit kolonial klasik serb, siç janë: (i) terrori vertical, (ii) procesi i terrorit, (iii) regjimi i terrorit dhe (iv) terrori gjenocid mbi të drejtat legjitime dhe legale të shqiptarëve, dhe të institucioneve të tyre demokratike, ekonomike, politike dhe kombëtare shtetërore, të cilat reflektojnë drejtpërdrejt dhe tërthorazi prishjen e paqes dhe të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, nevojitet që me procedurë urgjente të aprovojë Rezolutën speciale për të parandaluar shpërthimin e konfliktit të armatosur në Kosovën Lindore. Miratimi i një Rezolute të këtillë, do të legalizonte ligjërisht që Lugina e Preshevës të vihej nën administrimin e drejtpërdrejtë ndërkombëtar të Misionit Paqësor të kaskave blu të OKB-së, sikurse në rastin e Kosovës, më 12 qershor 1999. Kjo do të ishte një nga masat më të justifikueshme morale dhe humanitare të drejtësisë dhe të rendit juridik ndërkombëtar, jo vetëm ndaj kufizimit të ushtrimit të terrorit gjenocid serb ndaj shqiptarëve, por edhe në zgjidhjen e drejtë dhe të favorshme të këtij konflikti në interes të dy palëve të konfrontuara, si rrjedhim i logjikës së shfrenuar të kolonializmit dhe militarizmit serbomadh kundër qenies shqiptare, dhe territorit të saj etnik.

Për të penguar edhe një pastrim etnik të shqiptarëve në Kosovën Lindore (Preshevë, Bujanoc e Meddvegjë), i cili (duke rikujtuar kontinuitetin e hidhur të politikës gjenocide serbomadhe ndaj shqiptarëve të kësaj ane, që nga viti 1876 e deri më 2018), që ka filluar paralelisht me spastrimin etnik të vëllezërve të tyre në Kosovë 1989-1999), me çdo kusht, nevojitet të aktivizohet, që tani Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që të nxjerrë Rezolutën përkatëse për të shpëtuar me kohë popullin shqiptar të pafajshëm nga ushtrimi i dhunës dhe i terrorit të aparatit shtetëror kolonial të Beogradit, të drejtuar nga Ivica Daçiq (nënkryeministër dhe ministër i Policisë serbe) eksponenti dhe bashkëpunëtori më i ngushtë partiak dhe politik i kryekriminelit Slobodan MIlosheviq.

Në potez diplomacia preventive paqësore e boshtit Preshevë-Prishtinë- Tiranë – Nju-Jork!

Duke mbajtur parasysh faktin se, e gjithë teknologjia e metodave dhe e formave të ushtrimit të dhunës dhe të terrorit të qeverisë së Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovën Lindore, janë të dënueshme sipas Nenit 2 të Konventës së Gjenevës kundër krimit të gjenocidit(1948), autoritetet e qeverisë multietnike të Prishtinës dhe ato të Qeverisë së Tiranës, nevojitet që me procedurë të shkurtër të bashkërendojnë aktivitetin e tyre politik, në mënyrë që të ndërtojnë strategjinë e përbashkët për zgjidhjen e problemit të shqiptarëve në Kosovën Lindore. Repriza e zhvillimit të ngjarjeve të fundme (7-8 shkurt,2003, kur pjesëtarët e ekspeditave të sigurimit dhe të xhandarmerisë policore serbe, kanë përdhosur flamurin kombëtar shqiptar mbi varrin e dëshmorit të UÇPBM-së, Ridvan Çazimi, viktimë kjo, po e të njëjtave reparteve ndëshkimore të forcave serbe, ditën e arritjes së Marrëveshjes paqësore të Luginës së Preshevës) në këtë rajon, u dikton si zyrtarëve të Qeverisë së Prishtinës, ashtu edhe atyre të Qeverisë së Tiranës, që problemin e shqiptarëve të Kosovës Lindore, ta fusin si prioritet në agjendën e politikës së jashtme të Shqipërisë.

Shqipëria e Ilir Metes, të sponsorojë Rezolutën për Kosovën Lindore!

Duke qenë se Kosova ende nuk është e përfaqësuar në organizmat e bashkësisë ndërkombëtare, diplomacia dhe politika e jashtme e Shqipërisë, nevojitet që përmes ambasadorit të tyre, i cili është i akredituar në misionin diplomatik në kuadrin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, të parashtrojë urgjentisht çështjen shqiptare të Kosovës Lindore për shqyrtim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Prandaj, për të prishur statu-quo-në e politikës kolonialiste serbe të Beogradit në territorin shqiptar të Kosovës Lindore, politika zyrtare e Qeverisë së Tiranës është në potez, që të sensibilizojë sponsorimin e Projektrezolutës në kuadrin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.. Një vendim të këtillë, politika e jashtme e Shqipërisë, duhet ta ketë marrë sa më parë të jetë e mundur, në mënyrë që të parandalojë me kohë ndërmarrjen e ofensivave ushtarake-policore të regjimit serb kundër shqiptarëve, që kanë për qëllim kryesor spastrimin e etnik të territorit të Kosovës Lindore.

Duhet ta kemi të qartë të gjithë se pa lëvizjen e politikës së jashtme të shtetit shqiptar si në relacionet e drejtpërdrejta me Beogradin (duke qenë se Shqipëria ka marrëdhënie shumë të mira dhe të ngrohta diplomatike me Beogradin, edhe pse, deri tani asnjë problem i shqiptarëve nuk është zgjidhur në favor të tyre, për shkak të bllokadave dhe të shantazheve të diplomacisë fishkëlluese koloniale të Serbisë ndaj shqiptarëve si në Kosovë, ashtu edhe në Anamoravë), ashtu edhe me partnerët e saj në bashkësinë ndërkombëtare, në veçanti në kuadrin e Kombeve të Bashkuara, nuk mund të ketë asnjë formë zgjidhjeje të pranueshme për statusin e shqiptarëve në rajonin e Kosovës Lindore. Tani për tani, e vtemja zgjidhje optimale e çështjes së Kosovës Lindore (në interes të dy palëve konfrontuese), është vënia e saj nën manditin e drejtpërdrejtë të forcave paqëruajtëse të Kombeve të Bashkuara. Arritja e këtij opsioni paqësor, mund të vijë në shprehje të plotë vetëm po që se qeveria e Serbisë, e Kosovës dhe e Tiranës, do të angazhoheshin seriozisht për zgjidhjen e këtij problemi të nxehtë në kuadrin e Kombeve të Bashkuara. Ndryshe, çdo opcion tjetër, do të çojë në provokimin e një lufte të re me përmasa ballkanike.

Të gjitha argumentet valide janë në anën e politikës së jashtme të Shqipërisë, sepse në Kosovën Lindore, të gjitha format dhe aksionet terroriste, që po kryhen mbi popullatën civile shqiptare, duke mos i kursyer as fëmijët, as gratë e as pleqtë etj., janë “produkte” të propagandës dhe të politikës së aparteidit të Qeverisë së Republikës së Serbisë, e jo kursesi të subjekteve politike shqiptare, ose të ish-UÇPBM-së, siç po akuzohen këto nga titullarët, ekzekutuesit dhe improtuesit e drejtpërdrejtë të të gjitha formave të terrorizmit shtetëror të Serbisë policore të Ivica Daçiqit.

Për t’i shkallmuar akuzat dhe formulimet e këtilla me eufemizmin “ terrorizëm” shqiptar në kurriz të shqiptarëve, të cilët de facto dhe de jure janë viktima, e në asnjë mënyrë kryerës dhe urdhërdhënës të tij, politika shqiptare në trekëndshin Preshevë-Prishtinë-Tiranë, duhet të hidhet në ofensivë, që me asnjë kusht të mos pranojë “amputimet” e huaja të bagazhit terrorist serbo-maqedon, sepse këta janë vetë eksportuesit, dhe bartësit kryesorë të tij, jo vetëm në territorin etnik shqiptar të kolonizuar, por edhe në rajonet e tjera të shteteve fqinje si në Kroaci, në Bosnjë dhe në Shqipëri etj.

Për të evituar kolerën recidiviste të terrorizmit kolonial, të organizuar shtetëror serbomadh në Anamoravë, politika shtetërore shqiptare, nevojitet që përmes formave institucionale, të sanksionuara në Kartën e OKB-së dhe në të drejtën ndërkombëtare, të marrë hapa seriozë, dhe vendime konkrete si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, duke insistuar që të vërë në lëvizje mekanizmat meritorë të diplomacisë preventive, të cilët veprojnë në mënyrë të efektshme, sipas terapisë së përshkruar juridike ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara. Në këtë kontekst, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ka për detyrë që, t’ i përcaktojë medikamentet, dhe dozën përkatëse për shërimin me sukses të sëmundjes kronike të kolonializmit serb në trupin e huaj shqiptar.

Mirëpo, për t’u arritur një imperativ i këtillë efektiv i recetës paqeruajtëse të diplomacisë preventive të OKB-së, është e domosdoshme që paraprakisht politika e njësuar shqiptare, ta ketë ketë pohuar dhe fromuluar saktësisht diagnozën e “sëmundjes” kolonialiste të Beogradit mbi shqiptarët dhe mbi Kosovën Lindore, të cilën në mënyrë alarmuese, duhet t’ia dërgojnë (me shenjën urgjent) për verifikim askujt tjetër veçse Këshillit të Sigurimit, i cili pa dyshim, do të vepronte në përputhje me nenin 2, paragrafi 3 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, sipas të cilit parashikohet që, të gjitha konfliktet ndërkombëtare të zgjidhën me mjete paqësore, në mënyrë që të mos rrezikohet drejtësia, paqja dhe siguria ndërkombëtare.

Bazën e qëndrueshme juridike të aplikimit të nenit 2 paragrafët 3 dhe 7 të Kartës së OKB-së, e përbëjnë ushtrimi i dhunës, bastisjet, torturat fizike dhe psikike e popullatës së pafajshme civile shqiptare, si dhe veprimet terroriste, plaçkitja dhe asgjësimi i pasurisë, dëbimi me dhunë i popullatës civile shqiptare nga ana e forcave policore e paramilitare të pushtetit legjitim serb të Beogradit, në mënyrë që të kryejnë pastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovën Lindore. Krijimi i gjendjes së këtillë (pavarësisht se në rastin konkret kemi të bëjmë me konflikt të karakterit të brendshëm) në Kosovën Lindore sipas së drejtës ndërkombëtare, karakterizohet si krim ndërkombëtar, gjë që kjo sheshit vë në dukje faktin se rrezikon, jo vetëm paqën rajonale, evropiane, por edhe paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Pavarësisht nga ekzagjerimi dhe sofistikimi i problemit faktik të shqiptarëve të Kosovës Lindore nga fushata e mjeteve propagandistike të regjimit serb të Beogradit si para opinionit të brendshëm, dhe atij ndërkombëtar, që ka për qëllim ta fajësojë palën shqiptare për “terrorizëm”, dhe se gjoja po “provokon luftë kundër Serbisë”, qarqet demokratike e liberale të regjimit serb, duhet të lirohen njëherë e përgjithmonë nga ambiciet e sundimit kolonial të shqiptarëve, si dhe të tokave të tyre etnike, sepse ka perënduar koha e sistemeve të alenacave të shenjta ruso-frëngo-serbe, si dhe paradokset e ekuilibrit të forces, dhe të diplomacisë shqetësuese të Oto Von Bizmarkut për korrigjimin e “padrejtësive të bëra” ndaj sllavëve të Jugut të Ballkanit.

Gjithashtu, Serbia fqinje, duhet të revidojë në tërësi strategjinë e saj ndaj shqiptarëve në Ballkan, sepse pas shembjes së Murit të Berlinit(1989), dhe të Perandorisë famëkeqe-Bashkimit Sovjetik, ka filluar plotësisht një etapë e re në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kanë ndryshuar polet e gravitetit të forcave politike si në kuptimin rajonal, evropian, ashtu edhe në atë botëror. Pa dyshim, këto ndryshime rrënjësore në sfondin e marrëdhënive ekonomike, politike dhe gjeopolitike ndërkombëtare kanë ndikuar pozitivisht te shqiptarët në Ballkan, sepse përherë të parë në historinë e tyre, kanë përjashtuar dialektikën shekullore të armiqve të përhershëm të shqiptarëve. Tashti, shqiptarët, sikurse edhe popujt e tjerë në botë, nuk kanë më vetëm armiq të përhershëm, por kanë edhe miq të fortë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që mbështetin politikën dhe strategjinë paqësore të shqiptarëve në Ballkan.

Po ashtu, është e domosdoshme që Serbia me “oreintim strategjik evropian”, të shkurorëzohet njëherë e përgjithmonë nga aplikimi i strategjisë nazifashiste, të ashtuqujatur “Lebensraum” në kurriz të shqiptarëve në Ballkan, sepse shqiptarët tanimë e kanë humbur statusin e “monedhës së kusurit” në saje të luftës çlirimtare kombëtare dhe antikoloniale të UÇK-së kundër okupatorit gjenocidal serbo+sllav, dhe tani janë bërë fakor resepektues, dhe me peshë relevante si në kuptimin strategjiko-politik, ashtu edhe në atë ushtarak e diplomatik.

Për fund, nëse të gjithë ata kokëpolitikanë-pushtetarë të Kosovës dhe të Shqipërisë nuk e marrin në konsideratë mesazhin e kësaj analize, me qëllim që, si objektivë parësore dhe prioritare të politikës së tyre zyrtare, të vënë në “REND DITE” ZGJIDHJEN URGJENTE të problemit kolonial të Kosovës Lindore, do të pendohen, sepse nesër, do bëhet vonë, shumë vonë, edhe për Prishtinën, edhe për Tiranën mbase Serbia dhe aleancat e tyre sllavoballkanike, do t’i akuzojnë njësoj sikurse Kosovën Lindore, për  krijimin e “SHQIPËRISË SË MADHE”,  e cila është “armë atomike” e Serbisë së Madhe për ta bombarduar SHQIPËRINË ETNIKE.

*) Kjo analizë është  publikuar në vitin 2003. Mirëpo, mjerisht, edhe sot, pas 15 vitesh, është tejet aktuale për zgjidhjen e drejtë dhe të domosdoshme të statusit kolonial të shqiptarëve në Kosovën Lindore të Shqipërisë Etnike.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...