Populli i Kosovës asnjëherë nuk është pyetur për kufijtë e Kosovës (1912-2018)! - Bota Sot
Populli i Kosovës asnjëherë nuk është pyetur për kufijtë e Kosovës (1912-2018)!

Kolumne

Populli i Kosovës asnjëherë nuk është pyetur për kufijtë e Kosovës (1912-2018)!

Nga: Prof. Dr. Mehdi Hyseni Më: 27 gusht 2018 Në ora: 07:36
Mehdi Hyseni

Vështruar nga kjo distancë e largët kohore 73-vjeçare (1945-2018), në njëfarë mënyre, mund të kutpohet, pse delegatët komunistë shqiptarë në “Kuvendin e Prizrenit” (1945) e votuan Rezolutën e Beogradit, që Kosova të aneksohej nga Serbia, sepse ishin nën presionin e madh dhe kërcënues të çetnikëve komunistë serbomëdhenjë, duke mos pasur opsion tjetër.

Mirëpo, sot, kur Kosova është e pavarur (17 shkurt 2008) dhe nën mbrojtjen e Amerikës, të NATO-s dhe të BE-së, nuk e kuptoj, pse presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili nuk është i rrezikuar dhe i kërcënuar nga askush. Nuk është nën “saçin e skuqur” të Serbisë, sikurse delegatët komunistë shqiptarë në “Kuvendiin e Prizrenit” të KANÇ-it, të cilët ishin të kërcënuar nga UDB-a serbo-jugosllave, që me çdo kusht të votonin Rezolutën, që Kosova t’i bashkohej Serbisë.

Nuk ka korrigjim, as këmbim e as ndarje të kufijve, para se Kosova të njihet nga OKB-ja!

Kjo është absurde dhe e diskutueshme në kuptimin juridik të së drejtës ndërkombëtare, si është e mundur, që Hashim Thaçi të kërkojë “korrigjimin” e kufijve të Kosovës, kur OKB-ja ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet? – Dhe, kur Beogradi zyrtar prerazi nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, por vetëm si “ngrehinë të përkohshme institucionale shtetërore”, duke mos hequr dorë nga sistemi kolonial shekullor (1912-2018), çfarë “korrigjimi” mund të bëhet në këtë rast konkret? ! 

- Po, pse  Beogradi pranon “korrigjimin e kufijve” me Kosovën,  para se këtë ta njohë ndërkombëtarisht?! 

-Thjesht, për faktin se në këtë mënyrë, Serbia do të fitojë territor të Kosovës, pa ceduar asnjë pëllëmbë të territorit të vet, edhe nëse do ta jepte Preshevën, e cila nuk është territor legjitim dhe legal i Serbisë, por i Shqipërisë.

Hashim Thaçi nuk duhet të kërkojë “korrigjim kufijsh” me Serbinë, por shkatërrimin e sistemit kolonial të Serbisë

Kjo, para së gjithash, duhet të kërkohet nga OKB-ja, nga Amerika dhe nga BE-ja,  që  Serbia të japë llogari para bashkësisë ndërkombëtare për shkak të mosbraktisjes së politikës së saj kolonialiste shekullore ndaj vendeve fqinje, siç është edhe Shqipëria etnike në Ballkan (1878-2018).

Duke qenë se, tanimë, sistemi kolonial ka perënduar në Afrikë, në Azi dhe në Amerikën Latine, pse ky fenomen antiqytetërues, robërues dhe plaçkitës serbo-sllav tolerohet vetëm në Ballkan, kur është fjala për Serbinë e Madhe kolonialiste, e cila veç Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, edhe Kosovën e konisderon territor të saj, edhe pse kjo dikur ishte vetëm plaçkë koloniale e saj, e  ankesuar dhe e pushtuar me gjenocid (1912-1999).

Kjo është pengesa më e madhe, që nuk lejon kurrfarë negociatash me Serbinë për revizionimin e kufijve të Kosovës, pa njohjen paraprake të saj nga ana Kombeve të Bashkuara mbase, pikërisht kjo njohje juridike ndërkombëtare, do të mbyllte përgjithmonë statusin politiko-juridik të Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran nga Serbia kolonialiste (1912-1999).

Pa pëlqimin e popullit, Hashimi nuk mund të bëjë asnjë “korrigjim kufiri” të Kosovës!

-Logjikisht e as praktikisht nuk mund të bëhet “korrigjimi”  i kufijve të Kosovës, pa sanksionimin dhe pa eliminimin paraprak të kolonializmit serb në territoret e shqiptarëve dhe  të Shqipërisë etnike (1878- 2018).

Beogradi ta njohë Kosovën, pastaj “korrigjimi” i kufirit mes dy shteteve

Kjo, do të mund të bëhej vetëm me pëlqimin e popullit të Kosovës në një Konferencë ndërkombëtare për revidimin e kufijve artificialë dhe të padrejtë të kufijve ndërshtetërorë të vendeve të Ballkanit, ashtu siç kemi shkruar dhejtra herë për këtë çështje.

Kufijtë e një shteti nuk kanë vetëm karakter politik dhe juridik, por para së gjithash historik dhe nacional, bazë kjo, që garanton tërheqjen e drejtë dhe të justifikueshme ligjërisht të demarkacionit të kufijve shtetërorë.

Kërkesa e presidentit të Kosovës për “korrigjimin e kufirit prej 400 kilometra me Serbinë, është e ngutshme dhe jolegjitime, sepse edhe pse Kosova është njohur ndërkombëtarisht nga disa shtete të bashkësisë ndërkombëtare (mbi 100 sosh) kjo de fakto dhe de jure sipas së drejtës publike ndërkombëtare ende nuk i ka caktuar kufijtë e vet shtetërorë, duke i shënuar me simbolet përkatëse , por kufijtë e saj janë administrativë, artificialë dhe të improvizuar sipas Kushtetutës së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (1974) dhe sipas Kushtetutës së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (1974).

Këta kufijë nuk kanë karakter historikë, as shtetërorë e as kombëtarë, por vetëm administrativë, që de fakto dhe de jure, do të thotë se  Kosova ende nuk ka kufijtë e vet shtetërorë sikur shtetet e tjera në Ballkan dhe në Evropë. Këtë e dëshmon edhe Kushtetuta në fuqi e Serbisë (2006), sipas së cilës “Kosova është territor integral i Serbisë”.

Çfarë “korrigjimi” mund të bëhet në këtë rast, pa tërheqjen paraprake të demarkacionit të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës ndaj Serbisë?

Duhet ta dinë drejtuesit e Kosovës, se këta kufijë ekzistues administrativë të Kosovës (pa Preshevën, Bujanocin, Medvegjën, Novi Pazarin, Nishin, Bllacën, Kurshumlinë, Lekovcin, Vrajën, Prokuplen…etj.) janë recidiva të kufijve të “vizatuar” kolonialë dhe neokolonialë të Principatës serbe (1878), të Mbretërisë Serbo-Kroato-Slovene (1918-1929), të Mbretërisë Jugosllave (1929-1941) dhe të  Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë së Titos( 1945-1990).

Pa pëlqimin e popullit të Kosovës, të mos bëhet kurrfarë pazari me Serbinë për ndryshimin (korrigjimin) e kufijve!

Duke qenë se kemi ardhur deri në “pikën e vlimit”, që  presidenti Hashim Thaçi të “bëjë korrigjimin” e kufijve të Kosovës me Serbinë, si dhe kryeministri Ramush Haradinaj, t’i  njehë kufijtë administrativë dhe artificialë të Kosovës ( pa Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën), pa pëlqimin e popullit shqiptar të Kosovës ( i cili, asnjëherë në historinë e tij të derisotme nuk ka vendosur për kufijtë e vet, por serbët kolonialistë pushtues dhe fuqitë e mëdha të Europës me Rusinë cariste në krye), askush nuk ka të drejtë (as Hashimi, as Ramushi e as burdushi), që  t’i “korrigjojnë” kufijtë “shtetërorë” të Kosovës.

Nëse Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, atëherë duhet t’i ketë kufijtë e saj natyralë, historikë dhe nacionalë  karshi shteve fqinje të saj (1878-2018), JO të jetë plaçkë e vazhdueshme e interesave të  kolonializmit dhe të hegjemonizmit serbo-sllav në rajon, ashtu siç po pretendojnë Vuçiqi dhe Thaçi, kinse për “korrigjimin” e kufijve të saj në favorin e zgjerimit të kufijve territorialë dhe shtetëror  të  Serbisë së Madhe.

Nëse Vuçiqi dhe Thaçi pajtohen për “korrigjimin” e kufijve të Serbisë dhe të Kosovës, pa pëlqimin paraprak të popullit shqiptar të Kosovës, shtrohet pyetja, KUSH DO TË JETË GARANTUESI PËR ZBATIMIN E NJË MARRËVESHJEJE TË TILLË FATKEQE PËR KOSOVËN SHQIPTARE?

-Do të jetë OKB-ja, BE-ja, Amerika, Rusia apo Kina?

Sa më sipër, si presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ashtu edhe homologu i tij nga Kosova, Hashim Thaçi, së pari, duhet ta mbajnë parasysh faktin e pakundërshtueshëm, se pa zhdukjen paraprake të kolonializmit serb në territoret indigjene shqiptare, që ende ndodhen në sundimin kolonial të Serbisë së Madhe, “korrigjimi kozmetik” hipotetik i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ketë kurrfarë efekti pozitiv  juridik në kontekstin e së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Së fundi, presidenti Hashim Thaçi dhe kamarila e tij “pro korrigjimit të kufijve” të Kosovës me Serbinë (PA E PYETUR POPULLIN ME REFERENDUM), duhet ta kenë ditur se pa shkatërrimin e sistemimit kolonial të Serbisë në trojet etnike shqiptare, çdo “pazar” politik dhe diplomatik me  Beogradin zyrtar për “vizatimin” e kufijve, do të jetë i kobshëm për shqiptarët dhe për Kosovën, ashtu sikurse që ndodhi “më 7 gusht 1945 në “Kuevndin e Prizrenit”, kur  komunistët serbomëdhenj, Kosovën e  mbërthyen nën Serbi, përkatësisht nën Jugosllavinë e Titos, e cila de fakto dhe de jure ishte SERBIA E MADHE prej Gjevgjelisë deri në Lubjanë (1945-1990).

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...