PO, Referendumit nëse është garanci edhe për vetëvendosjen e shqiptarëve - Bota Sot
PO, Referendumit nëse është garanci edhe për vetëvendosjen e shqiptarëve

Kolumne

E mërkurë, 17 tetor 2018

PO, Referendumit nëse është garanci edhe për vetëvendosjen e shqiptarëve

Prof. Dr. Mehdi Hyseni Nga Prof. Dr. Mehdi Hyseni Më 28 shtator 2018 Në ora: 22:12
Maqedoni

Ndryshe, në qoftë se shqiptarët do të ngelnin në cilësinë politiko-juridike dhe kushtetuese vetëm si “minoritet kombëtar”, atëherë, votimi i tyre PRO Marrëveshjes greko-sllavomaqedone për “Maqedoninë Veriore”, do të ishte diskriminim ndaj vetëvetes dhe mohim i së drejtës historike të identitetit kombëtar,  shtetëror dhe territorial.  Ky do të ishte absurd dhe fatalitet për të drejtat dhe liritë themelore dhe kombëtare për shqiptarët në Maqedoni.

Megjithëkëtë parashikim hipotetik ( pa asnjë paragjykim dhe imponim) , është e drejtë morale, ligjore, demokratike dhe sovrane e shqiptarëve dhe e sllavomaqedonëve, t’i thonë PO ose JO Marrëvjeshjes dypalëshe greko-maqedone, të nënshkruar nga qeveritë e Shkupit dhe të Athinës, e cila me pëlqimin e Kuvendit të Maqedonisë, është hedhur në Referendum për formimin e Maqedonisë Veriore.

Pranadaj, askush nuk ka të drejtë të ushtrojë trysni ndaj  votuesve qoftë shqiptarë, qoftë sllavomaqedonë apo ndonjë tjetër, që të votojnë me çdo kushtpro ose contra Marrëveshjes së sipërtheksuar të hedhur në referendumin e parashikuar më 30 shtator 2018, sepse e drejta e votes është një nga vlerat e paprekshme thelbësore të përmbajtjes së demokracisë.

Mirëpo, shqiptarët në Maqedoni, do të duhej ta votonin Marrëveshjen greko-sllavomaqedone, të arritur mes qeverisë greke dhe asaj sllavomaqedone NËSE kryeministri i qeverisë, Zoran Zaev, paraprakisht u ka premtuar përfaqësuesve shqiptarë në qeverinë dhe në kuvendin e Maqedonisë, që pas pas votimit të kësaj Marrëveshjeje, në Kushtetutën e re të së ashtuquajturës Maqedoni Veriore, shqiptarëve do t’u njihej e drejta si komb i barabartë me kombin sllavomaqedon për formimin e shtetit të Maqedonisë Veriore.

Kjo do të duhej të ishte kërkesa minimale e palës shqiptare për të arritur kompromisin politik me palën sllavomaqedone. Ndryshe, nëse shqiptarëve nuk u njihet një e drejtë e tillë, ( që nënkupton realizimin e së drejtës së vetëvendosjes), duke e diskriminuar edhe më tej si “minoritet kombëtar”, atëherë, nuk do të kishte kurrfarë kuptimi, që shqiptarët t’i thonin PO, REFERENDUMIT më datën 30 shtator 2018, sepse ai do të përfillte vetëm interesin nacional dhe shtetëror të sllavomaqedonëve, JO të shqiptarëve, të cilët edhe në shtetin e ri të Maqedonisë Veriore, do të ngelnin jashtë Kushtetutës si KOMB, ashtu sikurse në kushtetutën e  FYROM-Maqedonisë  si “minoritet”. Ky status do të ishte fatal për identitetin kombëtar dhe shtetëror të shqiptarëve në Maqedoninë qoftë  ajo e Veriut, e Jugut, e Perëndimit apo e Lindjes s’ka rëndëi fare emërtimi i shtetit sllavomaqedon.

Marrëveshja greko-sllavomaqedone për një  “Maqedoni Veriore” nuk ka asnjë kuptim dhe, asnjë vlerë për shqiptarët e Maqedonisë

Pikësëpari, këtë duhet kuptuar dhe pasur të qartë Jo vetëm votuesit shqiptarë, të cilët pritet se do të dalin në Referendumin e së dieles së 30 shtatorit 2018 për t’i thënë PO ose JO, por edhe e lidershipi shqiptar, si dhe e gjithë elita intelektuale shqiptare në Maqedoni. Nëse  synimin dhe përmbajtjen e kësaj Marrëveshjeje greko-sllavomaqedone për formimin e një “Maqedonie Veriore”, tanimë, të gjithë shqiptarët e kanë të qartë, atëherë, tok, duhet të dalin në Referendum dhe, t’i thonë JO marrëveshjes së tillë, sepse është anithistorike dhe antishqiptare.

Kjo marrëveshje  haptazi e pasyron strategjinë nacionalshoviniste, hegjemoniste dhe kolonialiste të Greqisë dhe të Maqedonisë për t’i gllabëruar territoret  e lashta autoktone pellazgo-ilire-shqiptare, si dhe për ta vjedhur historinë dhe simbolet e identitetit nacional dhe shtetëror të Maqedonisë Antike të mbretit Filipi II dhe  birit të tij të famshëm Aleksandri i Madh me prejardhje shqiptare, e cila “në kohën romake ishte përfshirë në ILLYRICUM, që përbëhej nga  pellazgët me emra të ndryshëm si maqedonë, epirotë, albanë (toskë etrusk dhe gegenë) dalmatë dhe ilirë, të cilët flisnin gjuhën pellazgjishte ose shqipen. Maqedonasit ishin me rracë pellazge, që zotëronte gjithë token helenike, por këta, ashtu sikur e gjithë bota e gjerë pellazge nuk kishin asnjë marrëdhënie me helenët…” (Robert d’Angely, Enigma, 1998: 246-247).

Pse  “Maqedoni Veriore”, ku  është identiteti i kombit, i territorit dhe i shtetit shqiptar?

-Sepse, siç theksuam më sipër, objektivi kryesor  i nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje mes Athinës dhe Shkupit (qershor 2018) nga ana e dy ministrave të jashtëm të këtyre dy shteteve: Nikola Dimitrov dhe Nikos Kotzias), që FYROM-Maqedonia të quhet “Maqedonia Veriore”, është që, politika dhe diplomacia e Greqisë dhe e Maqedonisë, para gjithë botës, në mënyrë të rreme ta justifikojnë dhe ta  dëshmojnë gjenealogjinë dhe vazhdimësinë historike të trashigimisë së tyre nacionale, territoriale dhe shtetërore të Maqedonisë Antike.

Ky është shkaku kryesor, pse pala shqiptare e Maqedonisë, është eliminuar nga pjesëmarrja në negociatat   e drejtpërdrejta  diplomatike ndërshtetërore disavjeçare të zhvilluara mes Maqedonisë dhe Greqisë.  Mirëpo, për çudi përfaqësusit shqiptarë në qeverinë dhe në parlamentin e Maqedonisë nuk e kanë bojkotuar  këtë Marrëveshje bilaterale greko-sllavomaqedone, edhe pse janë përjashtuar, që të merrnin pjesë në të gjitha takimet zyrtare ndërshtetërore  të përfaqësuesve greko-sllavomaqedonë.

Përkundrazi, liderët shqiptarë si në qeverinë, ashtu edhe në parlamentin maqedon e kanë mbështetur dhe aprovuar Marrëveshjen e theksuar për ndryshimin e emrit të Maqedonisë në “Maqedonia Veriore” !?

Si duket aleatët koalicionistë shqiptarë të kryeministrit sllavomaqedon, Zoran Zaev i kanë besuar blanko , edhe kësaj deklarate të tij, se cili është interesi i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë nëse VOTOJNË PRO Marrëveshjes dypalëshe greko-sllavomaqedone : “Ky referendum është shansi hsitorik, që populli ta zgjedhë, të votojë për një Maqedoni evropiane me perspective për gjeneratat e ardhshme”.

Natyrisht se VOTA PRO  e qytetarëve të Maqedonisë, në referendumin e parashikuar për 30 shtator 2018, do t’ia hapte rrugët dhe  dyert “Maqedonisë Veriore”, duke i krijuar mundësi reale për të aderuar në NATO dhe në BE. Kjo nuk është e diskutueshme, sepse këtë Marrëveshje për ndryshimin e emrit të Maqedonisë  kanë kontribuar, ndihmuar, ndërmjetësuar dhe  mbështetur  pa asnjë rezervë, edhe BE-ja, edhe OKB-ja, edhe NATO-ja, edhe SHBA-ja, si dhe OSBE-ja. Kjo është për t’u përshëndetur dhe çmuar, sepse ka rëndësi të veçantë politike ngaqë kësisoj kanë mbyllur konfliktin dhe mosmarrëveshjet politike disavjeçare  mes Greqisë dhe Maqedonisë. Vërtet, kjo është meritë dhe sukses i madh i diplomacisë ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore   mes Athinës dhe Shkupit.

Mirëpo, në kuptimin e ngushtë të politikës së brendshme të Maqedonisë multietnike, përfundimi i Marrëveshjes dypalëshe greko-sllavomaqedone (nëse miratohet me votat e Referendumit, më 30 shtator 2018) për ndryshimin e emrit Maqedoni në atë “Maqedoni Veriore”, do të jetësohej vetëm atëherë, kur shqiptarët të fitojnë të drejtën e plotë si KOMB SHTETFORMUES  i kësaj ngrehine të re shtetërore të dakorduar nga Athina dhe Shkupi, pa pëlqimin e shqiptarëve.

Pra, duhet ritheksuar se, në aspektin e politikës së brendshme, edhe nëse Referendumi (30.shtator 201), do të legalizonte Republikën e “Maqedonisë Veriore”, dyshohet se kjo sintagmë e re politike dhe juridike e këtij shteti, do të zgjidhte konfliktin ndëretnik mes shqiptarëve dhe sllavomaqedonëve,NËSE në Kushtetën e Re të saj, nuk përfshin shqiptarët si KOMB SHTETFORMUES.

Të gjithë shqiptarët, duhet ta dinë se formimi i një Maqedonie Veriore, pa simbole kombëtare dhe shtetërore të shqiptarëve ( flamur, hymn dhe stemë), është mohim i tërësishëm i identitetit historik, politik, etnik, gjuhësor dhe kulturor  të kombit shqiptar në Maqedoni.

 Nëse votohet kjo Maqedoni Veriore, për shqiptarët, do të jetë njësoj siç ishte Jugosllavia e Titos, e Rankoviqit, e Kolishevskit, e Cërvenkovskit, e  Mojsovit e Gligorovit… etj. në të cilën shqiptarët e Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974  kishin statusin e “minoritetit”, por në nenet dhe në paragrafët e saj shqiptarët  trajtoheshin si “kombësi-element konstituiv federativ.  Mirëpo, de fakto dhe de jure nuk trajotoheshin si KOMB, ashtu siç ishin kombet  e  6-të republikave: Srbia, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Sllovenia dhe Bosnja e Hercegovina, të formuara mbi PARIMIN KOMBËTAR.

Së fundi, nevojitet të vëmë në dukje faktin se në qoftë se votohet “Maqedonia Veriore”, e shqiptarët mbesin me “status minoriteti” sikurse deritash, nuk ka asnjë dilemë se konflitki  ndëretnik mes shqiptarëve dhe sllavomaqedonëve , do të  ngelë i hapur dhe i pazgjidhur derisa atyre të mos u njihet e drejta kombëtare dhe e drejta e vetëvendosjes de fakto dhe de jure.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test