Kryeministri Haradinaj: Kosova po rikthehet në futboll siç i ka hije

Kosova

Kryeministri Haradinaj: Kosova po rikthehet në futboll siç i ka hije

Më: 20 dhjetor 2018 Në ora: 20:45
Ramush Haradinaj

“Sporti e përbën një dimension shumë të rëndësishëm të të gjithë popujve”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, me rastin e shpalljes së laureatëve për vitin 2018.                                          Para të pranishmëve të shumtë, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, ambasadorë, përfaqësues nga UEFA dhe FIFA, përfaqësues të sportit dhe personalitete të tjera, kryeministri Haradinaj tha se, sot është një ditë që të falënderojmë brezat të sportit dhe veçanërisht të futbollit, që mbajtën gjallë atë nëpër të gjitha etapat e jetës.

 “Siç i themi faleminderit Fadil Vokrrit, ndoshta një falënderim i posaçëm i shkon atij brezi, që mbajtën gjallë futbollin edhe pas viteve të ’90-ta”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se është me rëndësi që futbolli po rikthehet dhe ky vit e ka dëshmuar që Kosova po rikthehet në futboll, siç i ka hije.

Më tutje, kryeministri Haradinaj, duke uruar që vitin që vjen futbolli të ketë edhe më shumë suksese, tha se Qeveria e Kosovës ka qenë e motivuar, e vendosur që të përkrahë sportin, si në rritjen e buxhetit për atë dhe investimet që po ndodhin në të gjitha stadiumet në Kosovë.

“Sporti e përbën një dimension shumë të rëndësishëm të të gjithë popujve, ndërsa për ne është shumë i rëndësishëm ky dimension i sportit, e veçanërisht ai i futbollit, që na ndihmon për kthimin në arenën ndërkombëtare, prezencën ndërkombëtare, që Kosova e ka shumë me rëndësi”, tha kryeministri Haradinaj.

Me nga një fjalë rasti përshëndeti edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, si dhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili shprehu dhimbje, por edhe krenari për legjendën e futbollit kosovar, Fadil Vokrri

Mekëtë rast u ndanë edhe çmimet për futbollistët më të mirë për vitin 2018. Shpallja e laureatëve për vitin 2018, është ngjarja më e madhe që e organizon Federata e Futbollit të Kosovës, ku shpërblehen dhe nderohen ata të cilët kanë dhënë kontribut në mënyra të ndryshme për futbollin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat