Viti i ardhshëm shkollor me tekste të reja

Kosova

Viti i ardhshëm shkollor me tekste të reja

Më: 22 dhjetor 2018 Në ora: 15:08
Ilustrim

Pas të gjitha gjetjeve për gabime në tekstet shkollore, ku përfshihet gjuha diskriminuese për kategori të caktuara të shoqërisë dhe gabime të tjera shkencore e historike, Ministria e Arsimit është në proces të hartimit të teksteve të reja shkollore për nivelin para universitar.

Sipas analizave të bëra viteve të fundit për lëndët: Histori, Biologji, Psikologji, Sociologji dhe Edukatë Qytetare, janë gjetur mbi 100 raste që këto tekste përmbajnë gjuhë diskriminuese e përjashtuese.

Trina Binaku nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, tha  se pas këtyre gjetjeve i është rekomanduar Ministrisë së Arsimit të hartohen tekste të reja, duke i vlerësuar ato nga ana e ekspertëve.

“Mund të arsyetohen me faktin që ka filluar grupi punues për tekste shkollore, por po ecë shumë ngadalë dhe marrëveshjet e tyre me shtëpitë botuese janë problematike. Shumë nga këto libra përmbajnë fakte shkencore që nuk janë fakte, ku asnjëri prej tyre nuk ka ndonjë referencë, si p.sh kujt i është referuar paragrafi “Femra kanë tendenca më shumë te jenë ambicioze dhe depresive”, ka thënë Smajli.

Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi, deklaroi për Radio Kosovën se tashmë dorëshkrimet e para të teksteve të reja, janë dorëzuar në Ministri dhe deri në fund të dhjetorit, do të dorëzohet edhe pjesa e dyte.

Ai bëri të ditur se për tekstet e reja do të përkujdesen recensentët, të cilët do të zgjidhen nga një komision ekspertësh.

“Recensentët do të jenë ata që do të marrin vendim se cila libër i plotëson kriteret në përputhshmëri me kurrikulat që tashmë i kemi në zbatim. Të gjitha dobësitë që janë vërejtur me vite, ne do t’i kemi tekstet e reja dhe recensenti e ka për obligim për të parë që janë eliminuar ato dobësi, qoftë edhe gabime materiale që kanë ekzistuar, qoftë edhe për shumë fjali fyese për kategori të ndryshme”, ka thënë Bytyqi.

Ministri Bytyqi, tha se tekstet e reja do të jenë të gatshme të shpërndahen nëpër shkolla për vitin e ri shkollor 2019/2020. Përveç tyre, do të ketë edhe tekste ndihmëse për mësimdhënësit për të lehtësuar punën e tyre me materiale shtesë dhe një udhëzues përdorimi.

Bytyqi bëri të ditur se tashmë është hartuar edhe draftligji për tekste shkollore, i cili është në diskutim publik dhe se së shpejti, do të jetë në Qeveri për miratim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat