Qytetarët e Kosovës, marakli të armëve

Kosova

Qytetarët e Kosovës, marakli të armëve

Më: 23 dhjetor 2018 Në ora: 11:54
Foto ilustrim

Brenda këtij viti në Republikën e Kosovës rreth pesë mijë qytetarë janë pajisur me leje për posedim të armëve të zjarrit. Prej tyre tre mijë qytetarë morën për herë të parë leje për armë, kurse, dy mijë qytetarëve iu vazhdua leja e mëhershme.

Këtë e ka konfirmuar shefi i divizionit për armë dhe municion, Destan Mustafa, i cili u shpreh se leja për armë merret në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Në anën tjetër, ligji për armët e përcakton se një person mund të pajiset me leje për armë nëse është i rrezikuar, si dhe nëse është pjesëtar2 i sigurimit apo punonjës i personave me rëndësi të veçantë për institucionet shtetërore.

Mustafa: Mbi 5 mijë leje për armë i kemi lëshuar

“Në vitin 2018 sipas statistikave tani më në fund të vitit kemi rreth 5 mijë leje të armëve të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, 3 mijë janë leje të reja për posedim, afër 2 mijë janë ndërrim të kartelave që kanë qenë të mëhershme, në kohën e UNMIK-ut”, ka shtuar ai.

Mustafa tregon edhe kriteret që një person duhet t’i plotësojë për të pasur një armë me leje.

Sipas tij, për të marr një leje për armëmbajtje duhet dy deri në tre muaj kohë.

Mustafa: Dy deri tre muaj vonesa deri në marrjen e lejes

“Fillimisht ai duhet të jetë i aftësuar për përdorim të sigurt të armëve që bëhet nga kompanitë e licencuara të armëve, ka shumë prej tyre, pastaj duhet të marr një vërtetim nga gjykata dhe një tjetër nga Policia që nuk është i ndjekur penalisht, një certifikatë mjekësore për armë dhe një dokument nga Qendra për Punë Sociale që lëshohet për të drejtën e veprimit ligjor..Hapi i tij është vetëm të aplikoj në stacionin më të afërt në Kosovë, pastaj janë procedurat tona të cilat ne i bëjmë verifikimet më të thella...Qe një kohë po kemi disa vonesa na shkon nga dy tre muaj sepse kapacitetet i kemi shumë të vogla, kompanitë janë rritur shumë, kërkesat janë rritur shumë, ne kemi mbetur në kapacitet e vitit 2012”, u shpreh ai.

Qytetarit të Kosovës pajisja me leje për armë i kushton rreth 300 euro, pasi që rreth 250 euro kushton trajnimi për përdorim të armës, 50 euro certifikata mjekësore dhe shpenzimet të tjera.

Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë ka licencuar edhe disa kompani që merren me shitjen e armëve dhe kanë poligonin e qitjes, të cilat edhe japin trajnime për qitje me armë.

Njëra ndër to është “Katana”, në Obiliq ku edhe bëhen trajnimet për armë për personat e interesuar.

Osman Hajrizi nga kjo kompani tregon se numri i qytetarëve për t’u trajnuar me armë zjarri është rritur kohëve të fundit.

Hajrizi: Ka interesim të madh të qytetarëve për posedim të armëve

“Interesimi i qytetarëve për me posedua një armë zjarri me leje është i madh, dhe i dukshëm sepse edhe vetë trajnimi për përdorim të sigurt të armëve të zjarrit e ka efektin e vetë në aspektin e sigurisë personale qytetare, sepse çdo qytetar që kalon përmes trajnimit ai aftësohet dhe certifikohet për përdorim të sigurt të armëve të zjarrit, dhe normalisht ata që kalojnë përmes trajnimit aftësohen dhe janë në gjendje të gatishmërisë me iu dhënë këshilla edhe tjerëve për rrezikshmërinë që mund të paraqesin për ata persona që nuk dinë me i përdorë armët”, ka shtuar ai.

Ai ka treguar se çfarë aftësish marrin të interesuarit gjatë trajnimit për përdorim të armës dhe kalueshmërinë për t’u certifikuar.

Hajrizi: Duhet kalohet testi praktik dhe teorik Video

“Trajnimi sipas programit është dy ditor deri në tri ditë, është pjesa teorike, njohurit për ligjin e armëve të zjarrit, një njësi tjetër është për armët, dhe njohurit për ndihmën e parë dhe normalisht si njësi e katërt është edhe pjesa praktike që është sipas plan programit ku bëjnë pjesë rregullat e sigurisë, zbërthimi, mbërthimi dhe gjuajtja me armë zjarri...Secili qytetar që kryen trajnimin normalisht që në fund para se të certifikohet pranë institutit apo poligonit të shenjtërisë “Katana” duhet t’i nënshtrohet provimit, pjesa teorike dhe pjesa praktike. Në pjesën teorike sipas programit duhet t’i arrijnë 70 pikë, për me qenë testi teorik i kalueshëm, dhe normalisht gjuajtja praktike prapë i ka 70 pikë që duhet të jetë i kalueshëm”, ka shtuar menaxheri i poligonit të shenjëtarisë “Katana”.

Poligoni i shenjëtarisë “Katana” ofron për blerje edhe lloje të ndryshme të armëve të shkurta dhe të gjata, të cilat i lejon edhe ligji për armë në fuqi.

Çmimet për blerjen e tyre shkojnë nga 200 deri 4 mijë euro, varësisht nga lloji i armës së zjarrit për të cilën klienti është i interesuar që ta posedojë.

Statistikat e Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se vetëm në vitin 2018 janë konfiskuar 1.171 armë dhe rreth 13 mijë copë municion.

E agjencitë e ndryshme ndërkombëtare në Kosovë kanë raportuar se në duart e qytetarëve të Kosovës janë më shumë se 200 mijë armë ilegale.

Por me qëllim që të ofrohet siguri më e madhe publike për qytetarët e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Policinë e Kosovë nga 17 dhjetori kanë nisur fushatën për legalizimin e armëve, fushatë kjo e cila do të zgjasë deri më 17 qershor 2019.

Ndryshe, ligji për armët në Kosovë është miratuar në nëntor të vitit 2009. Ai specifikon në detaje se kush mund të bartë armë. Procedurat për pajisje me armë të personave fizik janë të rregulluara me akte nënligjore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat