Spitali i Podujevës ende jofunksional, komuna akuzon Ministrinë e Shëndetësisë

Kosova

Spitali i Podujevës ende jofunksional, komuna akuzon Ministrinë e Shëndetësisë

Më: 23 dhjetor 2018 Në ora: 13:28
Spitali i Podujevës

Që nga viti 2016-të kur ishte marrë vendim nga Ministria e Shëndetësisë për themelimin e Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës, vit pas viti ishte premtuar se ky spital do të jetë i gatshëm për të ofruar shërbime për qytetarët e kësaj komune, por, edhe sot kur jemi në përfundim të vitit 2018-të, ky spital ende nuk është funksional.

Mosfunksionalizmi i këtij spitali po i detyron qytetarët e Podujevës të udhëtojnë me kilometra në drejtim të  Prishtinës, për të marrë shërbimet e nevojshme. Pasi Qendra Klinike e Mjekësisë Familjare në këtë komunë nuk i posedon kushtet dhe kapacitetin e duhur për tretman.

Mospasja e një spitali të tillë e detyron Rrahim Berishën, të udhëtoi shpesh drejt QKUK-së. Për mosfunksionalizimin e Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës, ai fajëson nivelin lokal edhe atë qendror. 

Berisha: Fajin e ka edhe komuna edhe shteti

“Masi s’ka spital nuk është mirë, duhet me kqyrë ku mundesh mu trajtue pak ma mirë, secili njeri ka qef mu trajtue ma mirë nëse është pa qef, na këtu për çdo sen duhet me shku në Prishtinë. Po normal se nuk është, spitali duhet me kërkuar atë spital, këtu nuk e kemi, ne shkojmë në Prishtinë. Më bie shpesh me shku. Po sigurisht pushtetet këtu edhe pushtetet ma të nalta, d.m.th pushtetet e Komunës Podujevës edhe pushtetet që janë në nivel të shtetit”, tha Berisha

Ndërsa për Ali Bajokun, një neglizhim i tillë duke hedhur fajin tek njëri-tjetri, përbënë një mentalitet jugosllavë të qeverisjes. Ardhja e shpeshtë e tij në Prishtinë, për çdo gjë, përbënë një dhunim të madh.

Bajoku: Mentalitet jugosllav i qeverisjes

“Po vet fakti që është në pyetje shëndeti duhet me ditë që vështirësitë janë të shumëfishta. Këtu jo që u dashtë më pas, po u dashtë kaher me pas, po fatkeqësisht neglizhenca jonë, tash jo ky ka faj, jo ky ka faj. Bile qeverisja jugosllave ka lanë pasoja të mëdha, sepse kur është për mirë jam unë aty, kur është për keq kurrë nuk di kush është. E tash në këtë drejtim na përcjell edhe për spitale edhe për çdo gjë në jetë. Mua po se po, së pari për dhamë kam shkuar disa herë, mirëpo i kam edhe të familjes, edhe të farefisit, kjo është një dhunim i madhë”, tha ai 

Ndërsa për drejtorin e Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Podujevës, Zaim Thaçi, bllokimi po ndodhë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Ai disa herë e përsëritë se komuna nuk ka përgjegjësi për mosfunksionalizmin e këtij spitali dhe kompetencat për këtë i ka Ministria e Shëndetësisë.

Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë e ka për obligim t’i planifikojë investimet kapitale për mallrat e shërbimet, si dhe për resurset humane.

Thaçi: Kompetencat komplet i ka Ministria e Shëndetësisë

“Në vitin 2016 ka kaluar në kompetencë, me një vendim të Qeverisë, d.m.th ekziston vendimi që ky objekt ka kaluar në kompetencë të ministrisë, ka kaluar me emrin Spitali i Podujevës. Me atë vendim të gjitha kompetencat i merr Qeveria, në fakt, i merr Ministria e Shëndetësisë dhe përmes Shërbimit Spitalor Klinik Universitar ka për obligim me i planifikuar edhe investimet kapitale, mallrat, shërbimet edhe resurset humane, d.m.th mbetet komplet në kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë”, tha Thaçi.

Sipas tij, nuk ka arsye pse Komuna e Podujevës me blloku punën, kur dihet se qytetarët e Podujevës kanë nevojë për këto shërbime.

Thaçi: Nuk mundemi me paraqit obstruksione për diçka që kemi përfitim

“Komuna e Podujevës ka interes që çdo ditë, çdo moment më herët që të hapet me qëllim me përfituar qytetarët e saj. Absolutisht që nuk mundemi me paraqit obstruksione për një diçka që ne kemi përfitim, qytetarët tanë kanë përfitim me marrë shërbime të nivelit sekondar”, tha Thaçi.

E krejt epilogun e kësaj pune, drejtori i Shëndetësisë, Zaim Thaçi, e sheh në vitin 2019 nga investimet kapitale që duhet t’i planifikojë Ministria e Shëndetësisë. 

Thaçi: Po shpresoj në vitin 2019

“Ministria e Shëndetësisë përmes Shërbimit Spitalor Klinik Universitar duhet me fillu. Unë shumë po shpresoj që ata kanë planifiku çështje të tillë, deri në këtë moment po shpresoj se ata kanë planifikuar si investime kapitale, po flas për vitin 2019. Investime kapitale, resurset humane edhe mallrat-shërbimet të gjitha obligimet që i ka për me funksionalizuar një spital sikur qysh është i Podujevës”, tha ai

Për ushtruesin e detyrës së Drejtorit të QKMF-së në Podujevë, Fazli Llugaliu, funksionalizmi i Spitalit të Përgjithshëm do të rriste shërbimet ndaj pacientëve, mbarëvajtja e punës do të ishte më e mirë, si dhe do të shkarkonte ngarkesën që i bëhet QKUK-së në Prishtinë.

Llugaliu: Do të lehtësohej edhe QKUK-ja 

“Kishte me u lehtësuar shumë punën edhe QKMF-së, po edhe mbarëvajtja e punës më e mirë, po edhe shërbimet kishin me qenë shumë më cilësore, ishte shkarkuar në njëfarë mënyre edhe QKUK-ja në Prishtinë”, tha ai

Pacientët që janë në dializë e kanë shumë të vështirë të udhëtojnë drejtë Prishtinës për të marrë mjekimin e nevojshëm. Sipas Llugaliut, kostoja e tyre është e madhe, e që e bënë të domosdoshëm funksionalizmin e këtij spitali. 

Llugaliu: Kostoja e transportit është shumë e madhe

“Ne i kemi me statistikë mbi 46 pacientë që kostoja e tyre është shumë e madhe, vetëm transportimi i tyre, e lëre më mundi që bëhet, përmes mjeteve tona në QKUK në Prishtinë, atëherë kishte qenë mëse e domosdoshme funksionalizimi i dializës në spitalin që e kemi si objekt në oborrin tonë”, tha Llugaliu. Edhe pse Kp ka kontaktuar përmes e-mailit dhe telefonit, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, nuk kanë pranuar të flasin për këtë temë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat