Rreth 1200 raste të dhunës në familje për nëntë muaj

Kosova

Rreth 1200 raste të dhunës në familje për nëntë muaj

Më: 31 dhjetor 2018 Në ora: 10:09
Foto ilustrim

Familja konsiderohet baza e një shoqërie të shëndoshë dhe me vlerë për çdo njeri. Një familje të konsoliduar, të fortë e të bashkuar e mbanë gjithmonë nëna, gruaja. Mirëpo, kjo nuk po pengon burrat që të vazhdojnë të ushtrojnë dhunë ndaj tyre, ndaj bazës dhe asaj që i jep frymë familjes.

Gratë vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, por edhe në shoqëri. Dhuna ndaj tyre, është dukuri globale, nga e cila edhe sivjet nuk bën përjashtim as Kosova.

Policia e Kosovës në një përgjigje dhënë për FaktePlus  ka treguar numrin e grave që kanë qenë viktima të dhunës në familje për nëntë muaj. Vetëm nga janari deri në shtator janë rrahur 901 gra.

“Gjatë nëntëmujorit të këtij viti janë evidentuar 1129 raste “Dhune në familje”, nga këto raste 901 femra kanë qenë viktimë të dhunës dhe 225 meshkuj”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

Dhuna nuk mbetet tani brenda mureve të shtëpisë

Se rastet e dhunës në familje janë shtuar këtë vit e pohojnë edhe në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë.

Sipas tyre, e rëndësishme tashmë është se dhuna nuk po konsiderohet më si problem që duhet të mbetet vetëm në familje.

Punëtorja sociale në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, Elmedina Sejdiu tregon për FaktePlus se shoqëria kosovare ka filluar të vetëdijesohet kur bëhet fjalë në paraqitjen e rasteve të dhunës dhe në denoncimin e kryerësve të saj.

“Tendenca që të ketë raste të dhunës siç duket është në rritje ose thënë më ndryshe është duke u rritur numri i rasteve që po e paraqesin dhunën. Është e rëndësishme që të ceket se dhuna tani më nuk po konsiderohet vetëm si një çështje që ndodh brenda mureve të shtëpisë, por si një problem shoqëror”, tha Sejdiu.

Ajo ka shtuar se tashmë  dhuna po nuk denoncohet vetëm nga viktima, por edhe nga anëtarë të ndryshëm të shoqërisë që janë në dijeni se dikush është duke përjetuar dhunë.

Sa gra janë të strehuara në këtë qendër?

Qendra për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijës në Prishtinë, për 18 muaj me radhë ka pasur telashe në sigurimin e fondeve dhe rrjedhimisht  ka mbetur e mbyllur deri në korrik të këtij viti.

Që nga hapja në korrik  e deri më tani në dhjetor në qendër janë strehuar 54 gra dhe 29 fëmijë.

Çka ofron kjo qendër?

Qendra për Mbrojtën e Gruas dhe Fëmijës në kryeqytet  përveç që ofron strehim për gratë që largohen nga bashkëshortët e tyre apo edhe të dashurit që ushtrojnë dhunë fizike e psikike mbi to, ofron edhe shumë mundësi  tjera.

Elmendina Sejdiu tregon për FaktePlus në detaje se çka ofron kjo qendër.
“Në qendrën tonë ofrohen: akomodimi, veshmbathja, ushqimi, siguri, aktivitete psiko-sociale, këshillime ligjore, kontrolle gjinekologjike dhe përcjella e rasteve ne seanca gjyqësore”, tha Sejdiu.

Ajo tutje tregon se problemet financiare që e kanë shoqëruar këtë qendër në vazhdimësi bëjnë që shpeshherë viktimat të cilat nuk kanë se ku të mbështeten të kthehen tek abuzuesi.

Sfidë  për këtë strehimore e të tjera sipas drejtuesve të tyre janë nënat me fëmijë, të cilat nuk kanë mundësi që fëmijët e tyre të vijojnë mësimin e rregullt, për shkak të lokacionit të shkollave. E për këtë, sipas tyre duhet një koordinim më i mirë dhe një organizim më efikas nga institucionet përgjegjëse.

Përveç qendrës strehuese që funksionon në Prishtinë, në tërë Kosovën ekzistojnë 9 strehimore për viktimat e dhunës, të cilat janë të licencuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat