Sa shpenzojnë qytetarët e Kosovës për festën e Vitit të Ri

Kosova

Sa shpenzojnë qytetarët e Kosovës për festën e Vitit të Ri

Më: 31 dhjetor 2018 Në ora: 20:48
Prishtinë

Ndonëse në gjendje të rëndë ekonomike, qytetarët e Kosovës shpenzojnë shuma të mëdha për natën e Vitit të Ri.

Shuma që qytetarët shpenzojnë për ndërrimin e moteve është shumë e lartë në krahasim me pagën minimale në vend e gjithashtu duke përfshire numrin e lartë të papunësisë.

Qytetarë nga komuna të ndryshme të Kosovës kanë theksuar se për natën festive shpenzojnë përafërsisht 300 euro.

Valon Mulolli, qytetar i Prishtinës, thotë për Kallxo se në natën e Vitit të Ri, familja e tij shpenzon afër 250 euro.

Ndërsa, sipas tij, ia vlen të japësh këtë shumë parash.

“Nëse e presim Vitin e Ri vetëm me familje të ngushtë normal që shpenzimet kena me i pasë ma t‘vogla. Po na jemi familje bajagi e madhe e gjithë mblidhemi te na për me festu natën e Vitit të Ri. Nuk e di me shifra por po them ndoshta deri 250 harxhojmë. Po i llogarit këtu edhe fishekzjarret”, tha Mulolli.

“Ndoshta është nata e vetme e vitit që mblidhemi bashkë, pra deri diku ia vlen po normal jo me shpenzu shumë, duke pasë parasysh vendin tonë të varfër”, shtoi qytetari.

Të paarsyeshme shpenzimet e mëdha, e sidomos ato për mjete piroteknike, i konsideron Kastriot Zeneli nga komuna e Podujevës.

Shpenzimet në mjete piroteknike, sipas tij, janë shumë të tepërta duke krahasuar me gjendjen ekonomike në vend.

“S’është që shpenzojmë ashtu shumë, po një mesatare po. Unë si student nuk e shoh shumë te arsyeshme që brenda një nate të shpenzosh pothuajse sa një pagë mesatare në Kosovë. Megjithatë aq sa ke, aq shpenzon. Duke e pa gjendjen këtu nuk e kisha pa shume të arsyeshme gjithë ato shpenzime, plus fishekzjarre,janë shumë për xhepin e kosovarëve”, u shpreh Zeneli për Kallxo.

Në anën tjetër, një kryefamiljare, Hava Bejtullahu, i arsyeton shpenzimet, sado të jenë ato, pasi që bëhet “njëherë në vit”.

“Si kryefamiljare mundohemi që edhe ne të kemi një festë të hareshme në familje edhe pse po na kushton paksa, por njëherë në vit besoj që ia vlen me bo diçka paksa ma të veçantë, duke e ditë që edhe përmbyllet viti edhe i festojmë sukseset qe kemi arrit gjatë krejt vitit”, tha ajo.

Ajo shton se familja e saj shpenzon rreth 200 euro në produktet ushqimore dhe festive.

“Varet tash s’po mund te them saktë sa mundemi me shpenzu por rreth 200 euro. Kur je shume anëtarë normal që ki me shpenzu ma shumë. Po nëse nisemi prej aspektit ekonomik edhe nivelit të punësimit në Kosovë unë kisha me thanë që harxhojna edhe pse mbesim keq tani. Nuk di tash mujna me gjetë arsye qoftë ashtu qoftë kështu  ama në përgjithësi si popull e kemi dëshirë pak çejfin edhe nuk e këqyrim fort sa po harxhojna qoftë edhe për një natë”, tha Bejtullahu.

Ndërsa, Xhafer Neziri nga komuna e Prishtinës theksoi se për një festim 5-6 orësh është e tepërt të shpenzohet shumë.

“Vallahi boll shumë, një pjesë e parave goxha të mira. S’po kem çka me bo, fëmija po dojnë bredha e këto zbukurime çka po janë. Po bohen boll valla. Viteve të fundit diku mbi 150 euro po qashtu diçka kemi harxhu edhe pse po e dimë qe me këto rroga tona që i marrim qaty po i marrim qaty po na harxhohen”, u shpreh Neziri për Kallxo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat