Hashim Thaçi e Bekim Jashari në mesin e policëve në natën e fundit të vitit 2018

Kosova

Hashim Thaçi e Bekim Jashari në mesin e policëve në natën e fundit të vitit 2018

Më: 31 dhjetor 2018 Në ora: 23:58
Skenderaj

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi së bashku me kryetarin e komunës së Skenderajt Bekim Jashari, në prag të ndërrimit të moteve vizituan stacionin e policisë në Skenderaj.

Thaçi duke i quajtur Policinë e Kosovës heronj, dhe tha se se viti 2019 do të jetë vit i vendimeve historike dhe i zhvillimit ekonomik.

Thaçi ka falënderuar policinë për angazhimin e madh në ruajtjen e rendit, ligjit e qetësisë. Policia sipas tij është bërë shembull për institucionet e Kosovës.

Thaçi: Vitit 2019 - i vendimeve historike, vit i zhvillimit ekonomik dhe i progresit

“E di që ju do të donit që sonte të ishit në mesin e familjeve të juaja, por këto janë përgjegjësitë shtetërore. Prandaj, edhe ne duke ndarë së bashku me ju përgjegjësitë që kemi, pata dëshirë që të vijë dhe së bashku me kryetarin t’ju takojmë dhe t’ju urojmë për punën tuaj të mrekullueshme. Vitet shkojnë, kohërat ndërrojnë, por përgjegjësia e juaj do të jetë gjithmonë e rëndësishme dhe do të jetë gjithmonë e respektuar. Kështu që unë besoj që viti i ardhshëm do të jetë vit shumë më i suksesshëm, vit i vendimeve historike, vit i zhvillimit ekonomik dhe i progresit. Të jeni të bindur se gjithmonë do ta keni përkrahjen e shtetit të Kosovës në angazhimet e juaja që i keni ju dhe me veprimet e juaja po shndërroheni në hero të vendit, në hero të gjallë në shërbim të atdheut dhe qetësisë”, tha Thaçi.

Në këtë natë presidenti dha edhe një mesazh.

Thaçi: Uroj që të ketë festime pa krisma të armëve

“Uroj që të ketë festime pa krisma të armëve“, tha ai.

Ndërsa kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari duke uruar policinë për ndërrim të moteve, është lutur që policia, mjekët dhe zjarrfikësit të kenë sa më pak punë.

Jashari: Policia, zjarrfikësit dhe mjekët ishalla kanë sa më pak punë

“Kjo është bërë traditë që me dal me i vizitua edhe policinë e Kosovës, zjarrfikësit dhe shtëpinë e shëndetit, të cilat në këtë natë të ndërrimit të moteve, janë të vetmit që kujdesen për neve. E që të gjithë ne duhet me u lutur që këto tri institucione të kenë sa më pakë punë në krahasim me institucionet tjera. Kështu që gëzuar, paçi shëndet e mbarësi në familjet e juaja. Qoftë një vit i mbarë për të gjithë neve. Faleminderit president për vizitën. Urime të gjithëve”, tha Jashari.

Toger Basri Durmishi komandant i stacionit të policisë në Skenderaj ka mirëpritur prezencën e presidentit së bashku me stafin.

Durmishi: Na dhatë motiv për punë

“Prezenca e juaj dhe e kryetarit në këtë rast do të na motivojë në të ardhmen për ruajtjen e rendit publik, parandalimin e krimit, rritjen e efikasitetit të policisë”, tha Durmishi.

Kryetari Jashari ka ndarë dhurata për policinë e këtij stacioni në Skenderaj. /I.Shabani/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat