Kriza e universiteteve për doktorë

Kosova

Kriza e universiteteve për doktorë

Më: 2 janar 2019 Në ora: 23:14
Ilustrim

Arben Hajdari, është doktor shkence në histori, por gjendet në listën e Departamentit të Punës Sociale/Bachelor në Universitetin e Prishtinës. Ai është profesor dhe shef i degës së antropologjisë në Departamentin e Historisë dhe Antropologjisë, në Universitetin e Prishtinës.

Ky rast nuk është i izoluar. Në universitetet publike e kolegje private gjejmë shumë profesorë që janë bartës të fushës për një program, ani pse kualifikimi i tyre i përket një drejtimi krejt tjetër. E kjo është në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ për akreditimin e institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë.

Hajdari për BIRN shpjegon se pranoi të ishte emri i tij, për të mundësuar akreditimin e programit në fjalë.

“Universiteti i Prishtinës ka pasur një krizë të përgjithshme me stafin si rezultat i problemeve me dorëheqjen e rektorëve dhe probleme tjera që kanë reflektuar me konkursin, dhe në pamundësi për të rekrutuar staf të ri aty ku ka pasur nevojë, e mbi të gjitha në programet që kanë rrezikuar mungesën e akreditimit”, tha ai.

Agjencia e Akreditimit, sipas Hajdarit, atë kohë nuk kërkoi që të tre bartësit të jenë doktorë shkence në fushën përkatëse.

Por, Udhëzimi Administrativ për Akreditim, kërkon që tre bartës të programit të jenë doktorë shkence në fushë përkatëse. Shkelja e këtij udhëzimi ndodh kryesisht për shkak të mungesës së kuadrove në drejtimet e caktuara.

Në raportin e vlerësimit të zbatimit të Planit Strategjik për Arsimin në Kosovë, i publikuar në vitin 2017 me financim të Bashkimit Evropian, thuhet se “cilësia e arsimit të lartë vazhdon të jetë temë e debatit publik në Kosovë dhe se ekziston një konsensus i përgjithshëm se ajo është larg nga ajo që mund të quhet e pranueshme”.

Sipas vlerësimit të dalë në këtë raport, në vitet 2016-2017, Agjencia për Akreditim është treguar më e rreptë gjatë procesit të akreditimit të institucioneve dhe programeve të arsimit të lartë, gjë që ka rezultuar me zvogëlimin e programeve të akredituara në të gjitha nivelet.

Në po këtë raport, është vlerësuar se Agjencia për Akreditim në Kosovë, është përqendruar për plotësimin e kushteve për personel akademik të rregullt duke kërkuar që për secilin program të studimeve të jenë tre doktorë shkence, dhe duke mos lejuar që personat e njëjtë të paraqitën si bartës në dy programe të ndryshme.

“Pavarësisht faktit se AKA nuk ka shqyrtuar nëse kualifikimet e stafit akademik janë adekuate për programe konkrete, një numër i konsiderueshëm i institucioneve të arsimit të lartë, nuk kanë arritur t’i sigurojnë tre doktorë të shkencave për secilin program”, thuhet në Planin Strategjik për Arsimin në Kosovë.

Blerim Rexha, ish-kryetar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë thotë për BIRN, se aktualisht, është në fuqi Udhëzimi Administrativ i shtatorit të këtij vitit i cili që nga viti 2009, pas disa ndryshimeve që i janë bërë, e ka përcaktuar që për një program studimi, duhet që institucioni të ofrojë të paktën tre doktorë shkence dhe njëri nga ata tre të ketë thirrjen Prof. Dr.

Sipas tij, titulli i doktorit të shkencës është për një fushë shumë të ngushtë, andaj është e përcaktuar që ai të jetë i fushës përkatëse.

“Agjencia në atë kohë i ka paralajmëruar të gjithë, 12-15 muaj më herët, se nuk do të këtë shmangie nga kërkesat ligjore, dhe si pasojë e mos plotësimit të këtyre kritereve janë mbyllur shumë programe”, thotë ai.

Ai pranon se ky kriter është plotësuar pjesërisht në kohën e tij, por thotë të mos kenë pasur presion politik.

“Nuk kemi pasur presion politik, por thjesht mungesa e doktorëve të shkencës dhe rrjedhimisht mos plotësimi i kritereve formale ligjore ka çuar deri në mbylljen e shume programeve të studimit. Bordi, në atë kohë ka shikuar vetëm titullin e doktorit të shkencës, që në shumicën e rasteve ka qenë i vendosur në programin adekuat.

Anëtarët ndërkombëtarë të Bordit e kanë përkrahur në vazhdimësi këtë kriter minimal, ata kanë kërkuar që kriteret të ngrihen në vazhdimësi. Po ashtu, shumë ekspertë ndërkombëtarë, të angazhuar gjatë procesit të akreditimit, kanë rekomanduar se duhet gjithsesi të zbatohet”, thotë Rexha.

Rexha së bashku me kolegët e tij ishte shkarkuar nga Qeveria e Kosovës, duke i hapur rrugë emërimit të personave të ri në këtë këshill. Por, kompletimi i këshillit ishte vonuar.

Kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Gazmend Luboteni thotë për BIRN se ka pasur shumë problem për shkak të mosfunksionimit të Këshillit një kohë. Thotë se fillimisht janë marrë me programet që janë suspenduar dhe ende nuk i kanë shqyrtuar programet e reja që kanë ardhur.

Thotë se kërkesa e Udhëzimit Administrativ se për akreditim secili program duhet të ketë tre doktorë të shkencës do të zbatohet në përpikëri për programet aktuale dhe ato të reja që pritet të vijnë.

“Meqenëse në Udhëzim Administrativ thuhet se duhet t’i kenë tre doktorë të shkencës në fushën përkatëse për akreditimin e një programi, ne jemi detyruar që ta aplikojmë dhe kemi aplikuar deri tash në të gjitha vendimet tona”, tha Luboteni. “Ku do që vërejmë që bartësit e listës nuk janë të fushës përkatëse edhe nëse nuk i kanë tre doktorë shkence, ne nuk do t’i akreditojmë.”

Rron Gjinovci nga ORCA tregon se nga analiza e bërë nga ta, kanë ardhur në përfundim se, me emërimin e Bordit të ri të Këshillit Shtetëror të Cilësisë kriteri i akreditimit është përcjellë me kujdes.

“Më shumë se 60 programeve u është tërhequr akreditimi pasi nuk e kanë plotësuar kriterin e 3 PHD të fushës. Gjatë monitorimit, ne kemi evidentuar se ky kriter është përcjellë me kujdes, është fjala për Bordin aktual të emëruar në vitin 2018. Duhet ta keni parasysh se nuk ligjërojnë brenda programeve që akreditohen vetëm personat që janë bartës të programit (pra 3 phd të fushës), por edhe persona të tjerë”, thotë ai.

Teksa i referohemi kësaj analizës së bërë nga organizata që udhëhiqet nga Gjinovci, thuhet se është shqetësues numri i përfshirjes inkompetente akademike të stafit, e cila është edhe e ndaluar me Statutin e Universitetit të Prishtinës.

Kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Gazmend Luboteni tregon se nuk ka vendime retroaktive, kur pyetet se a kanë të drejtë të suspendojnë një program nëse ka bërë ndryshime në staf nga koha kur i është dhënë akreditimi për programin.

“Vendime retroaktive nuk ka. Por, në momentin që aplikojnë për vazhdim dhe vlerësojmë prapë dhe vendosim nëse do të akreditohen apo jo”, deklaron ai.

Luboteni njofton se tashmë po aplikohet riakreditimi, ku do të bëhet një platformë e re që iu mundëson të gjithë institucioneve arsimore të aplikojnë në mënyrë elektronike. Me rastin e riaplikimit, aplikuesit përvec që duhet të zbatojnë kërkesën ligjore që bartësit të jenë të fushës, atyre ju kërkohen edhe detaje tjera. Do të kërkohet informacione për bartësit e programit që janë të angazhuar me orar të plotë jashtë Kosovës, gjë që nuk është aplikuar në të kaluarën.

Përvec kësaj, ai ka thënë se nuk do të lejohen që CV e personave të njëjtë të shfrytëzohen nga disa aplikantë (universitete).

“Nuk do të lejohet lëvizja, sepse përpara ka pasur shumë problem me lëvizje të stafit kur në semestrin e parë ka qenë këtu e pastaj shkon tjetri, me udhëzimin e ri i kemi eliminuar. Ta zëmë më 31 tetor deklarohet në këtë kolegj, pas dy-tre muajsh nuk mund të lëvizë në kolegjin tjetër”, thotë Luboteni.

Ai premton se do të monitorohen programet me ekipe të veçanta dhe nëse shohin se ky kriter nuk po zbatohet, thotë se do i tërheqin akreditimin.

Nëse rikthehemi te profesor Arben Hajdari, ai vlerëson se Universiteti i Prishtinës ka nevojë për staf, veçanërisht për të mos rrezikuar programet aktuale.

“Universiteti i Prishtinës ka nevojë që të hapen konkurse për staf të ri, fatkeqësisht janë disa kuota që neve nuk po na miratohen ndoshta për shkak buxhetit apo tjetër, duhet të lejohet kuota që të pranohen staf i ri, e sidomos aty ku rrezikohen programet ekzistuese pse jo të mendohen edhe për programe të reja që janë në përputhje me kërkesën e tregut”, thotë Hajdari për BIRN.

Edhe ish kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Blerim Rexha pajtohet me këtë.

“Edhe pse shumica e programeve janë mbyllur, besoj se edhe disa dhjetëra programe mund të mbyllen nëse shoqëria nuk investon në kuadro të reja njerëzore, që janë shtylla kryesore e një sistemi të arsimit të lartë”, thotë Rexha për BIRN.

Duke iu referuar Udhëzimit Administrativ aktual, nr.15/2018 për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës, thuhet se për 60 ECTS duhet një doktor shkence i fushës, për Bachelor me 180 ECTS duhet 3 doktorë shkence, për Master 120 ECTS 2 doktorë, dhe për PhD me 180 ECTS duhet 3 doktorë shkence.

Sistemi Evropian për Transfer të Kredive – ECTS, është projektuar dhe zhvilluar nga Komisioni i Bashkësisë Evropiane, me qëllim të krijimit të një procedure të përbashkët për të garantuar njohje akademike të studimeve përbrenda universiteteve të vendit dhe jashtë vendit.  ECTS i ndihmon institucionet për ta implementuar – zbatuar objektivat e sigurimit të cilësisë. Në disa vende, ECTS është kërkesë për akreditimin e programeve në arsimin e lartë, në mesin e tyre edhe Kosova.

Përvec telasheve me mungesë të bartësve të programeve, në Universitetin Publik po ballafaqohen edhe me mungesë të profesorëve të rregullt.

“Cilësia e mësimdhënies në Kosovë preket edhe nga ligjërimi nga persona jokompetentë, e kjo paraqet problem në cilësinë e mësimdhënies në institucionet e arsimit të lartë, të cilat mbajnë përgjegjësinë kryesore të arsimimit superior në Kosovë”, thuhet në analizën e Organizatës për rritjen e cilësisë në arsim në Kosovë ORCA.

Në analizën e mbajtjes së ligjëratave nga stafi pa titull akademik të profesorit në Universitetin e Prishtinës, të bërë nga kjo organizatë, thuhet se 177 persona ligjërojnë 544 lëndë duke ushtruar kompetenca profesoriale pa kaluar nëpër procedurat e parapara statutare për titull profesorial. Ndërsa, 328 lëndë ligjërohen nga 103 persona me titull akademik asistent.

Analiza konkludon se, sipas Statutit të UP-së, asistentët nuk duhet të mbajnë ligjërata por vetëm pjesën e ushtrimeve dhe të ofrojnë asistim në realizimin sa më të mirë të planifikimeve për lëndë të caktuara.

Statuti i UP-së, neni 178, paragrafi 3 thotë se “asistentët mbajnë orët e ushtrimeve në studimet bachelor dhe master. Përjashtimisht asistenti që është rizgjedhur, në mungesë të profesorit për lëndën, mund te autorizohet për mbajtjen e ligjëratave të kufizuara në studimet bachelor me autorizimin e këshillit të njësisë akademike dhe nën mbikëqyrjen e një mësimdhënësi nga departamenti – katedra.”

Gjithashtu Statuti i UP-së, neni 99, paragrafi 3: “Planprogrami, parakushtet për vijim dhe çështjet e tjera organizative aprovohen nga këshillat e njësive akademike sipas propozimeve të profesorit i cili është përgjegjës për lëndën. Vendimi përfundimtar merret nga Senati”.

ORCA, përmes paragrafit të nenit 99, konkludon se vetëm profesori është përgjegjës për lëndën.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat