Dy vite nga arrestimi i Haradinajt në Francë

Kosova

Dy vite nga arrestimi i Haradinajt në Francë

Më: 4 janar 2019 Në ora: 12:13
Ramush Haradinaj

Ishte 4 janari i vitit 2017 kur në Aeroportin Ndërkombëtar Francezo-Zviceran Basel-Mulhouse Fribourg, u arrestua nga policia franceze lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tashmë edhe kryeministër i Kosovës, në bazë të një fletëarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia në vitin 2004.

Ai qëndroi në Francë deri më 27 prill kur u lirua nga Gjykata e Apelit e Colmarit, duke i thënë jo ekstradimit të tij pasi që Serbia kishte bërë disa kërkesa për autoritetet franceze që ta ekstradojë Haradinajn në Beograd për ta gjykuar për krime lufte të vitit 1998-1999.

Në lidhje me arrestimin e tij kishte pasur shumë reagime nga sfera politike në vend, të cilët e quajtën si provokim të Serbisë dhe kidnapim politik, ku edhe u organizuan protesta brenda dhe jashtë Kosovës.

Reagime për këtë arrestim pati edhe nga nënkryetarja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek, e cila kishte kërkuar nga Bashkimi Europian që t’i bëjë presion Serbisë për t’i larguar kosovarët nga listat e fletarresteve të moçme si dhe e quajti të pa pranueshme arrestimin e Haradinajt.

Pak muaj pas kthimit të tij nga Franca, me 9 shtator të vitit 2017, lideri i AAK-së u bë kryeministër i Kosovës.

Kjo nuk është hera e parë që ish-komandanti UÇK-së për Zonën e Dukagjinit arrestohet në bazë të një flet arresti të lëshuar nga autoritetet serbe.

Në qershor të vitit 2015, Haradinaj ishte arrestuar në aeroportin e kryeqytetit slloven, Lubjanë, në bazë të një mandat-arresti të lëshuar nga Serbia më 2006.

Në bazë të akuzave të Serbisë për krime lufte kundër civilëve serbë dhe aleatëve të tyre, Ramush Haradinaj qe gjykuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, raporton kallxo.

Haradinaj, i cili më 2005 kishte lënë postin e kryeministrit të Kosovës për t’u dorëzuar në Hagë, më 2012 ishte shpallur për herë të dytë i pafajshëm nga gjykata ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat