Ishte arratisur 7 herë nga Dubrava, tash do të shkollohet aty

Kosova

Ishte arratisur 7 herë nga Dubrava, tash do të shkollohet aty

Më: 7 janar 2019 Në ora: 15:27
Burgu i Dubravës

I dënuari me 25 vite burgim për vrasjen e një ushtari rus në Kosovë dhe vepra të tjera, nga shtatori pritet të fillojë shkollimin në Burgun e Dubravës, prej të cilit kishte ikur shtatë herë. Atij pas më shumë se gjashtë muajve i është aprovuar kërkesa për shkollim. Por fillimisht i burgosuri Faton Hajrizi duhet të transferohet nga burgu i sigurisë së lartë që ndodhet në Dyz.

Ishte arratisur shtatë herë nga Burgu i Dubravës, por në shtator të këtij viti do të kthehet sërish aty. Madje, me dëshirën e tij.

Të dënuarit me 25 vite burgim për vrasjen e një ushtari rus në Kosovë dhe vepra të tjera, më në fund i është aprovuar kërkesa për shkollim.

35 vjeçari nga Skenderaj, Faton Hajrizi do të transferohet nga Burgu i Sigurisë së Lartë në atë të Dubravës, për të ndjekur mësimet nga shtatori i këtij viti.

Së paku kështu deklarojnë në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Zëdhënësi i SHKK’së, Jeton Kabashi i ka thënë se shkollimi i Faton Hajrizit është lejuar. Deklaron se Hajrizi do të mund të filloj shkollimin që nga shtatori i këtij viti.

Por, Kabashi thotë se e gjithë kjo do të mund të bëhet vetëm nëse sjelljet e tij janë në përputhje me rregullat e burgut dhe nëse nuk paraqet rrezik për të tjerët.

“...ne ju informojmë që shkollimi i personit në fjalë  është lejuar dhe do të mund të filloj në shtator të këtij viti gjithmonë nëse sjelljet e tij janë në përputhje me rregullat e burgut dhe nëse nuk paraqet rrezik për të tjeret, pasi qe ky person ende paraqet rrezikshmëri’, thuhet në përgjigjet e Kabashit.

Por, lajmin e gëzueshëm për Fatonin ende nuk e ka marrë familja e tij.

Avokati i Hajrizit, Gëzim Kollçaku i ka thënë se lajmin e ka marrë vesh dje, derisa thotë se nuk di më shumë detaje.

Kollçaku deklaron se as familja Hajrizi nuk e di se Fatoni mund të fillojë shkollimin nga shtatori.

“Lajmin e kam marrë vesh dje, por nuk di më shumë detaje. As familja nuk e dinë ende. Pas dy ditësh, mund të iu japë informacione më të detajuara”, ka thënë Kollçaku.

Ndryshe, Faton Hajrizi është i dënuar për vrasje. Ai kur kishte vetëm 15 vjeç kishte vrarë një ushtar rus në Kosovë. Ia kishte marrë armën atij dhe e ka qëlluar.

Vrasjen kishte thënë se e kishte kryer pasi që ishte ofenduar nga ushtari rus. Kishte shpjeguar se vrasja kishte ndodhur pasi të njëjtin e dëgjoi duke folur në gjuhën serbe, derisa kishte shkuar që ta falënderonte me idenë se ishte ushtar amerikan.

“Unë shkova duke menduar që është ushtar amerikan dhe thash të shkoj ta falënderoj për kontributin në Kosovë. Ai ia nisi me fol serbisht dhe u shtymë me llafe dhe ia mora armën dhe e vrava”, kishte thënë Hajrizi.

Për këtë dhe krime tjera, tash 35 vjeçari nga Skenderaj është i dënuar me 25 vite burgim.

Ndërkohë, në bazë të nenit 83, të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, personi i dënuar ka të drejtë në shkollim fillor dhe të mesëm në pajtim me ligjin për arsimin fillor dhe të mesëm.

Ndërsa sipas ligjit për arsim, secili person gëzon të drejtën e shkollimit themelor.

Hajrizi ishte arratisur nga burgu për herë të parë në vitin 2000 por më pas veprimin e njëjtë e kishte përsëritur edhe gjashtë herë të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat