Tahiri: Qeveria diskriminoi Vushtrrinë për shkak të inateve politike

Kosova

Tahiri: Qeveria diskriminoi Vushtrrinë për shkak të inateve politike

Më: 8 janar 2019 Në ora: 10:41
Xhafer Tahiri

Komuna e Vushtrrisë për shkak të inateve politike është anashkaluar nga Qeveria sa u përket projekteve të veçanta, ndërsa është diskriminuar sa i përket planifikimit të buxhetit 2019 për komunat.

Kjo komunë është futur në borxh rreth 600 mijë euro për ‘fajin’ e Ministrisë së Kulturës.

Këto e shumë akuza të tjera ndaj Qeverisë së Kosovës, i ka bërë në një intervistë për KosovaPress, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Tahiri ka fajësuar Qeverinë për mosrealizimin e asnjë projekti.

Tahiri: Vushtrria ndihet e diskriminuar nga Qeveria Haradinaj

 “Qyteti i Vushtrrisë ka qenë i anashkaluar nga Qeveria Haradinaj me projekte të veçanta për këtë vit që lamë pas dhe qyteti i Vushtrrisë ndihet i diskriminuar nga Qeveria Haradinaj me buxhetin që ka parashikuar  për vitin 2019. Asnjë projekt nga Qeveria nuk është ardhë në qytetin e Vushtrrisë nga ajo që kemi qenë të planifikuara, asnjë. Dhe mendoj që duhet të reflektoj Qeveria e Republikës së Kosovës. Nuk duhet të përjashtohet një qytet  nga buxheti kësisoj, qysh po tentojnë të përjashtojnë qytetin e Vushtrrisë”, tha ai.

Ai ka akuzuar Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit se ka futur komunën në borxh prej 580 mijë eurove, ose siç thotë ai, 10 përqind e investimeve kapitale të vitit.

Ai madje  ka paralajmëruar se do ta ndjekë penalisht këtë ministri në rast të mos zbatimit të memorandumit të nënshkruar për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës.

Tahiri: Ministria e Kulturës po tenton të çrrënjos kulturën e qytetit

“ Ministria e Kulturës po tenton të çrrënjos kulturën e qytetit më të vjetër në Republikën e Kosovës, sepse nuk ka parashikuar fondet  që i ka për obligim në buxhetin e vitit 2019 për ndërtimin e Qendrës së Kulturës” Hasan Prishtina”. E ka futur në borxhe mbi 580 mijë euro, dhe nuk i ka parashikuar  këto në buxhet, 580 mijë euro janë 10 për qind e investimeve kapitale të vitit për komunën e Vushtrrisë dhe nëse, Ministria e Kulturës nuk i qëndron memorandumit dhe dokumenteve të nënshkruara mbi të cilat ne kemi hyrë në kontratë për të ndërtuar Shtëpinë e Kulturës ne do të ndjekim të gjitha procedurat ligjore dhe penale për mashtrim të komunës së Vushtrrisë , në këtë rast, sepse është e papranueshme”, ka shtuar Tahiri.

Akuza ka ngritur edhe për Ministrinë e Infrastrukturës, për të cilën thotë se pavarësisht premtimeve për asfaltimin e rrugëve të fshatrave të Artakollit, gjatë vitit 2018, një gjë e tillë ka dështuar të realizohet.

Tahiri: Ministria e Infrastrukturës nuk e ka parë prioritet këtë rrugë

“Ministria ka vendosur 70 mijë euro për një segment të vogël që të përfundohet asfaltimi. Mendoj që ne kemi parë raste kur ministria ka dërguar fonde shtesë në komuna të caktuara. Dy milionë euro, një milionë euro dhe kështu me radhë, por nuk e kanë parë të arsyeshme që të sjellin në Vushtrri. Sepse mendoj unë që ata nuk e kanë konsideruar prioritet. Ata e kanë konsideruar prioritet komunat ku kanë menduar që mund të kenë përfitime të tyre. Unë kam parë që në buxhetin e vitit të ardhshëm të vitit 2019  janë vendosur fondet për përfundimin e rrugës së Qyqavicës dhe shpresoj që nuk do të preken këto fonde, do të mbesin aty dhe do të përfundojë rruga”, ka shtuar Tahiri.

Rrezik për qytetarët e Vushtrrisë është edhe Ura e Pestovës. Tahiri thotë se mjetet kanë qenë të ndara për ndërtimin e kësaj ure, mirëpo nuk është  informuar pse ministria nuk ka përfunduar këtë projekt.

Duke folur për projektet që pret të realizohen më 2019, Tahiri  tha se do të fillojë procesi i ndërtimit të  Zonës Ekonomike. Në fazën e parë, ai është zotuar  se do të krijohen 100 vende të punës, e më pastaj 200 tjera të reja.

Tahiri ka premtuar  edhe ndërtimin e stacionit të autobusëve.

Tahiri: Në vitin 2019 do të ndërtohet stacioni i autobusëve

“Në fakt kishte dikur, ishte pjesë e krenarisë së qytetit. Por, humbi, për arsye që qytetarët e Vushtrrisë i dijnë. Ne e kemi futur në projeksione buxhetore, në vitin 2019 do të bëhet studimi i fizibilitetit dhe do të bëhet hartimi i projektit për stacionin e autobusëve, dhe do të fillojnë procedurat për ndërtimin e stacionit të autobusëve në Vushtrri”, ka përfunduar Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat