SBAShK nuk heq dorë nga greva, prindërit kundërshtojnë

Kosova

SBAShK nuk heq dorë nga greva, prindërit kundërshtojnë

Më: 8 janar 2019 Në ora: 16:15
Foto ilustrim

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK) nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket grevës së paralajmëruar për 14 janar, nëse deri të premten institucionet nuk bëjnë asnjë hap drejtë realizimit të kërkesave të tyre. SBAShK kërkon të ngritët për 30 për qind koeficienti për tërë sektorin e arsimit. Kryeministri i vendit takoi përfaqësuesit e sindikatës dhe u zotua sot se do të angazhohen që të mirren parasysh disa nga kërkesat e tyre. E përfaqësues të instituteve të arsimit në Kosovë, po vlerësojnë që kërkesat e tilla duhet të jenë të ndërlidhura me performancë. Ndërkohë që prindërit janë deklaruar kundër grevës.

SBAShK po kërkon që në ditët në vazhdim të formohet grup punues që do të vendosë për ngritje të koeficienteve. Ky grup, sipas sindikatës, do të përcjell pastaj rekomandimet në komisione parlamentare.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, thotë për KosovaPress, se nëse deri të premten nuk ka diçka pozitive, ata janë të vendosur që më 14 janar të futet në grevë i gjithë sistemi arsimor.

Jasharaj: Do të jemi të obliguar të dëgjojmë zërin e punëtorëve

“Nëse gjatë kësaj jave nuk ka gjëra pozitive dhe të argumentuara, do të jemi të obliguar të dëgjojmë zërin e punëtorëve të arsimit dhe gjasat për grevë janë tepër të mëdha, nëse gjatë kësaj jave komisioni parlamentar nuk mirret me kërkesën tonë, të MAShT-it, dhe vullnetin e kryeministrit Haradinaj”, thotë ai.

Sindikata është pritur sot në takim nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Jasharaj thotë se në takim janë marrë vesh që SBAShK, Ministri i Arsimit dhe Besnik Tahiri që përfaqëson zyrën e kryeministrit, të takohen me Komisionin Parlamentar për administratë, gjatë kësaj jave.

Jasharaj: Kërkesat nga tereni janë që mos të presim më por me 14 janar të shkojmë në grevë të përgjithshme

“Kërkesat nga tereni janë që mos të presim më por me 14 janar të shkojmë në grevë të përgjithshme, nëse institucionet nuk lëvizin. Sot megjithatë kishim lëvizjen e parë, kishim një takim me kryeministrin Haradinaj ku ishte edhe ministri Bytyqi, koordinatori për punën e institucioneve, Besnik Tahiri, dhe ne biseduam shtruar duke e paralajmëruar edhe një herë kryeministrin se nëse nuk ndryshojnë gjërat atëherë greva është e pashmangshme”, thotë ai.

Jasharaj tregon se të enjte do të thërrasin këshillin drejtues, që është organi më i lartë i SBAShK-ut, dhe këshilli do të marrë vendim për hapat tutje.

Pas takimit, ka folur edhe shefi i ekzekutivit.

Haradinaj thotë se para votimit të ligjit për pagat në Kuvendin e Kosovë, do të angazhohen që të mirren parasysh disa nga kërkesat e sindikatës.

“Rritja e buxhetit në arsim është një nga hapat e shumtë që kemi ndërmarrë si Qeveri për ta përmirësuar gjendjen në këtë sektor. Krahas kësaj është bërë edhe punë e madhe me Ligjin e Pagave, duke i zyrtarizuar pagat e mësimdhënësve që deri tani, bazoheshin në vendime dhe në shtesa të rrezikshmërisë. Përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit i njoftova për nevojën që ky ligj të kalojë sa më parë në Kuvendin e Kosovës dhe pas kësaj të hapet rrugë për të bërë përmirësimet e nevojshme në të ardhmen. Po sot, u zotuam se do të angazhohemi bashkërisht që përpara votimit në Kuvend, të merren parasysh disa nga kërkesat e sindikatës dhe mësimdhënësve”, ka shkruar kryeministri pas takimit me përfaqësuesit e SBAShK-ut.

Valmir Gashi, këshilltar i ministrit Bytyqi, thotë se ekziston një vullnet që të bëhet një ndryshim pozitiv.

Gashi: Po shihet ndonjë mundësi e fundit për të bërë diçka pozitive

“Aty është diskutu për të parë ndonjë mundësi të fundit që të bëhet diçka pozitive. E rëndësishme është që ekziston një vullnet që me u ndryshu diçka, me bë diçka në favor të ngritjes së koeficienteve për mësimdhënësit, mirëpo nuk mund të themi diçka konkrete derisa nuk dihet ende cfarë od të ndodh”, thotë ai.

Ai deklaron se i përkrahin kërkesat e sindikatës për rritje të koeficienteve, por që sipas tij, greva nuk është në dobi të procesit arsimor.

Grevën nuk e përkrah as Rinor Qehaja nga Instituti i arsimit “Edguard”.

Për KosovaPress, ai thotë se çdo veprim sindikal që pengon procesin arsimor, është i papranueshëm.

Qehaja: Kërkesat do të ishin më të arsyeshme nëse ndërlidhen me performancë

“Çfarëdo veprimi sindikal që pengon procesin arsimor është i papranueshëm në vlerësimin tonë, sikurse tendenca të tilla me kërcënime për ndërprerje të mësimit në një ose formën tjetër janë duke e penguar procesin mësimor për tash e vite me radhë. Vlerësojmë që kërkesat në veçanti për ngritje të pagave, do të ishin shumë më të arsyeshme sikurse të jenë të ndërlidhura me performancë”, thotë ai.

Instituti përkrah kërkesën e edukatorëve për rritje të pagës, ndërkohë vlerëson një rishikim të nivelit të pagave për të gjithë mësimdhënësit, por që kjo të ndërlidhej me performancë të tyre, sikur që është për të gjithë shërbyesit civil.

Qehaja: Greva të tilla që 18 vjet kanë ndikuar në procesin e mësimdhënies

“Greva të tilla, kërcënime të tilla, për tash e 18 vjet, kanë pas ndikim në proces të mësimdhënies. Është për keqardhje që SBAShK gjithmonë ngrit zërin vetëm për paga dhe asnjëherë për probleme të vërteta që ndodhin në sistemin arsimor në vendin tonë”, thotë ai.

Edhe Këshilli i Prindërve, përmes një komunikate për media, ka kundërshtuar grevën, duke thënë se po pësojnë nxënësit me humbje të mësimit.

“Këshilli i Prindërve të Kosovës është i shqetësuar për paralajmërimin e grevës nga SBASHK-u që do fillojë më 14 janar 2019, ku prapë do të viktimizohen nxënësit me humbje të mësimit. Këshilli i Prindërve të Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që të ngrisë koeficientet e pagave për mësimdhënës, mjekët dhe për shërbyesit civilë të Kosovës që parashihen me Ligjin për pagat e nëpunësve publikë, sepse të gjithë e meritojnë një pagë më të dinjitetshme në mënyrë që arrihet një paqe sociale në Kosovë, e cila po mungon tash e sa kohë”, thuhet në komunikatë.

Këshilli ka ftuar SBAShK-un të heq dorë nga greva, ndërkohë që nga Qeveria ka kërkuar ndryshimin e Ligjit për Grevat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat