Thaçi shpalli vitin 2019 Vit të NATO-s në Kosovë

Kosova

Thaçi shpalli vitin 2019 Vit të NATO-s në Kosovë

Më: 8 janar 2019 Në ora: 20:00
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e shpalli të martën vitin 2019 - Vit të NATO-s në Kosovë.

Në një njoftim të zyrës së tij thuhet se “në këtë vit shënohet 20 vjetori i intervenimit humanitar të NATO-s në Kosovë, intervenim ky që kishte ndodhur pas masakrave, spastrimit etnik dhe krimeve të forcave serbe mbi popullatën civile në Kosovë, si dhe pas dështimit të përpjekjeve diplomatike botërore për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për Kosovën. Më 24 mars 1999, forcat ajrore të NATO-s e kishin nisur fushatën e bombardimeve kundër caqeve të shtetit serb, që kishte zgjatur gjithsej 78 ditë, duke ndalur gjenocidin dhe sjellë lirinë për Kosovën. Populli i Kosovës do u jetë përjetësisht mirënjohës shteteve anëtare të NATO-s për mbështetjen e tyre”, thuhet në njoftimin e zyrës së tij.

Vendimin e presidenti Thaçi e cilësoi shumë të “goditur” kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke theksuar se “ky vit përkon me 10 vjetorin e hyrjes së Shqipërisë në NATO”.

Njëzet vjet më parë NATO-ja ndërmori një fushatë bombardimesh ajrore kundër forcave serbe.

Fushata pasoi refuzimin e Beogradit për të nënshkruar një marrëveshje të negociuar në Rambouillet të Francës, me ndërmjetësimin ndërkombëtar për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.

Fushata e bombardimeve nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u ndoqën nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur.

Më 10 qershor të vitit 1999, NATO-ja nënshkroi marrëveshjen me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e tyre të plotë nga Kosova, ndërsa dy ditë më vonë trupat paqeruajtëse të KFOR-it hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës por edhe sundimit të Beogradit.

Njëzet vjet më pas rreth 5 mijë trupa të NATO-s kujdesen për sigurinë në Kosovë dhe prania e kësaj force pritet të vazhdojë për një kohë të gjatë.

Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila deri tash është njohur nga mbi 100 vende të botës në mesin e të cilave Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, ndërsa kundërshtohet nga Beogradi dhe Moska.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat