BE i kërkon sërish Kosovës anulimin e tarifave ndaj mallrave serbe

Kosova

BE i kërkon sërish Kosovës anulimin e tarifave ndaj mallrave serbe

Më: 8 janar 2019 Në ora: 20:03

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, u bëri thirrje sërish të martën autoriteteve të Kosovës që të anulojnë tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Ajo ritheksoi kërkesën gjatë takimit me ekipin negociator të Kosovës për bisedimet me Serbinë, i cili po qëndron të martën në Bruksel në takimin e parë me zyrtarët e BE-së pas themelimit të tij më 15 dhjetor.

Në një njoftim të zyrës së zonjës Mogherini thuhet se takimi ishte një mundësi për të biseduar me përfaqësuesit e Kosovës lidhur me bisedimet. “Në këtë kuadër ajo ka ritheksuar urgjencën për shfuqizimin e tarifës doganore, të vendosur nga qeveria e Kosovës".

Komunikata citon zonjën Mogherini të ketë thënë se “arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në kuadër të dialogut, kërkon një klimë që kontribuon në marrëdhënie të mira fqinjësore, ku marrëveshjet e arritura më herët duhet të respektohen dhe zbatohen dhe veprimet e deklaratat, që nuk janë në interes të përgjithshëm dhe objektivat strategjike të rajonit, duhet të shmangen".

Por, kryesuesit e ekipit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti thanë pas takimit me zonjën Mogherini se tarifat janë përgjigje ndaj fushatës agresive të Serbisë ndaj Kosovës dhe duhet të hiqen arsyet për vendosjen e saj në radhë të parë.

“Serbia duhet t’i pushojë të gjitha arsyet pse ne e kemi ngritur taksën. Ka shumë kushte që Serbia të plotësojë që të tërhiqet taksa. Kjo nuk është e njëanshme. Nën kushte të tilla ne tash e 10 vjet jetojmë me Serbinë dhe askush nuk është lodhur për këtë punë. Ne tani jemi në momentin ku të gjithë duhet ta krijojmë klimën për dialog dhe jo vetëm Kosova. Ne jemi të gatshëm që të bëjmë hapin. Pra, edhe çështja e taksave. Me një marrëveshje gjithëpërfshirëse më nuk do të ketë nevojë për taksë. Marrëveshja gjithëpërfshirëse, njohja e Kosovës dhe praktikisht më nuk do të ketë nevojë për taksë”, tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj.

E vendosur me 21 nëntor të vitit që lamë pas, tarifa nxiti reagimin e Bashkimit Evropian por edhe thirrjet e Shteteve të Bashkuara për heqjen e saj, ndërsa Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me anulimin e tarifave.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi një ditë ma parë se “Kosova është gati të shqyrtojë heqjen e taksës për prodhimet serbe nëse i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare paqësore me Serbinë”.

Ai i bëri jehonë kësisoj deklaratës së tij për “The Washington Post”, ku ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara të marrin një rol udhëheqës në bashkërendimin e përfshirjes ndërkombëtarë për “marrëveshjen paqësore finale që do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia. Ndërgjegjja jonë na kërkon – dhe është detyrë e jona historike – që të bëjmë paqen të mundshme dhe të vërtetë”, shkroi ai.

Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të martën se tarifat do të mbeten ne fuqi.

“Tarifa është vendim i qeverisë së vendit, qeveria vendimin e ka legjitim, i ka deklaruar edhe arsyet pse. Kemi informuar të gjitha qeveritë e vendeve tjera, partnerët tjerë se është rrezikuar siguria kombëtare e Kosovës, është mohuar tregtia e lirë me barrierë jo tarifore, është penguar Kosova në planin e jashtëm e kështu me radhë. Ne jemi të interesuar ta largojmë, nëse na njeh Serbia sot e heqim”, tha kryeministri Haradinaj.

Me 15 dhjetor, bashkë me ekipin negociues, parlamenti miratoi edhe një rezolutë me të cilën sic thuhet “konfirmohet pacenueshmëria dhe patjetërsueshmëria e sovranitetit shtetëror, tërësisë tokësore dhe karakterit unitar të Kosovës”, një formulim që hedh poshtë cdo mundësi të diskutimit të prekjes së kufijve, cështje që u ngrit gjatë vitit të kaluar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Çfarëdo marrëveshjeje, kërkon votat e dy të tretave të parlamentit 120 vendesh të Kosovës ku nuk ka një konsensus gjithëpërfshirës.

Ekipi është kundërshtuar nga dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje, që kërkojnë zgjedhje të parakohshme për të siguruar një përfaqësim të ligjshëm të Kosovës.

Bashkimi Evropian, i cili në pranverë do të ketë zgjedhje të brendshme, është vënë në përpjekje për përshpejtuar arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është edhe kusht për integrimin e tyre.

Në dhjetor, presidenti amerikan Donald Trump u dërgoi letra presidentit Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke u bërë thirrje të dyja palëve “që të shfrytëzojnë kohën e duhur për të arritur një marrëveshje pajtimi ndërmjet tyre”, marrëveshje që siç thuhet, “do të pasqyronte në mënyrë të drejtpeshuar interesat e të dyja palëve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat