Rastet e dhunës në familje në rritje, shkaktarë varfëria dhe papunësia

Kosova

Rastet e dhunës në familje në rritje, shkaktarë varfëria dhe papunësia

Më: 9 janar 2019 Në ora: 12:43
Foto ilustrim

Gushti i vitit që lamë pas ishte i kobshëm për familjen Ndrecaj nga Gjakova. Valbona Marku Ndrecaj së bashku me vajzën e saj 9 vjeçare u vranë nga bashkëshorti, respektivisht babai Pjetër Ndrecaj.

Për vrasje të dyfishtë dorasi u dënua nga Gjykata Themelore e Gjakovës me vetëm 24 vjet heqje lirie. Ky dënim po konsiderohet i ulët dhe për më tepër shtytës që burrat të ushtrojnë më shumë dhunë ndaj grave.

Këtë fat përveç Valbona Ndrecajt e kanë pasur edhe shumë gra vendore.

Nga janari deri në shtator të vitit 2018 janë evidentuar rreth 1129 raste të dhunës në familje, kurse jetën e kanë humbur 8 persona.

Kështu ka bërë të ditur Tahire Haxholli, udhëheqëse e Njësisë për Hetime rreth Dhunës në Familje në kuadër të Policisë.

Ajo thotë se në vitin 2018 kanë parë më shumë raste të dhunës në familje, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Haxholli: Në nëntë mujorin e vitit 2018 u raportuan 1129 raste të dhunës në familje

“Në Policinë e Kosovës në nëntë mujorin e këtij viti janë raportuar 1129 raste të dhunës në familje, prej tyre 921 kanë qenë viktima gra, ndërsa numri tjetër viktima meshkuj, mirëpo edhe tek meshkujt që kanë qenë viktima nuk kanë qenë viktima që kanë përjetuar dhunë në lidhje bashkëshortore nga gruaja, prej tyre kanë qenë 10-12 raste një numër shumë i ulët simbolik, ndërsa kanë qenë viktima në lidhje vëllai me vëllanë, baba me djalë domethënë gjinia e njëjtë. Kryesisht këto raste janë raportuar edhe në rrafshin social edhe në gjendje ekonomike më të ulët po ashtu në gjendjen më të ulët të arsimit , ndërsa mosha më e prekur e këtyre rasteve në familje si nga viktima edhe nga kryesi janë kryesisht nga mosha 25, 27 vjeçe deri në 45 vjeçare, kryesisht kjo moshë është e prekur më shumë nga dhuna në familje, u shpreh Haxholli.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Naim Qelaj, njëherit Koordinator Nacional Kundër Dhunës në Familje, duke i konsideruar si shqetësuese përmasat e dhunës, ka thënë se sensibilizimi dhe shtimi i besimit ndaj institucioneve të vendit ka ndikuar që dhuna të raportohet më shumë.

Qelaj u shpreh se në vitin 2019 sfidë mbetet krijimi i institucioneve për trajtimin e viktimave dhe kryesve të dhunës.

Qelaj: Kodi i ri penal parasheh ashpërsim të dënimeve për kryesit e dhunës

“Kodi i ri Penal si është akceptuar tani është më i ashpër në aspektin penal, por të jemi të qartë për diçka nuk është primare dhe nuk është elementi i vetëm që e parandalon dhunën në familje vetëm ashpërsimi i dënimit, duhet të merren një varg masash tjera edhe parandaluese edhe vetëdijësuese, por edhe riintegruese. Viktimës duhet t’ia japim një mesazh të çartë adresa e vetme e zgjidhjes dhe e mbështetjes dhe ndihmës janë institucionet e Republikës së Kosovës, rastet  e dhunës në familje nuk duhet të mbesin të izoluara dhe të heshturave brenda shtëpisë, ato duhet të raportohen, përndryshe ne dhe në të ardhmen mund të përballemi me pasoja fatale”, ka deklaruar ai.

Sipas aktivistes së “Rrjetit të Grupit të Grave në Kosovë“, Adelina Berisha dhuna në familjet kosovare është mjaft e shprehur, ndërsa pak po bëhet për parandalimin e saj.

Shqetësuese ajo i konsideron edhe dënimet e ulëta për kryesit e dhunës, pasi sipas saj kjo mund t’i shtyjë burrat të ushtrojnë më shumë dhunë ndaj grave.

Berisha: Dënimet ndaj kryesve të dhunës duhet të rriten

“Mundet me qenë një prej mesazheve se dhuna tek ne tolerohet dhe se nuk ndëshkohet, dhe se jetët e grave nuk janë aq të rëndësishme prandaj kjo mundet edhe me ndikua që burrat me vazhdua me ushtua dhunën dhe me e pa se humbja e jetës së një gruaje nuk është aq çështje  e rëndësishme dhe relevante dhe e dënueshme, marr parasysh edhe këto dënimet e ulëta, prandaj edhe do të duhej që vëmendja të jetë tek ngritja e dënimeve që ta përcjellim edhe këtë mesazh se dhuna në familje nuk tolerohet, toleranca zero për dhunën”, ka thënë Berisha.

Ajo tregon se Rrjeti i Grave të Kosovës ofron edhe avokatë për gratë ndaj të cilave është ushtruar dhunë.

Kurse kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala dhunën në familje e ka konsideruar si krim i cili është produkt i mentalitetit patriarkal.

Shala: Derisa nuk ka sensibilizim efektiv do vazhdojmë të përballemi me këtë dukuri

“Është një krim ndaj një qenie e cila kërkon kujdes të veçantë në mos që duhet të ketë është trajtimi i barabartë, sepse trajtimi i barabartë ia garanton të gjitha ligjet e Kosovës, ia garanton deklarata për të drejtat e njeriut e Kombeve të Bashkuara e cila është bazament i të drejtave të njeriut në botë, dhe ajo tek ne ende nuk përfillet, ende tek ne ndryshkun e së kaluarës, pra përderisa ne nuk e bëjmë një sensibilizim efektiv, përderisa ne nuk i kushtojmë më rëndësi edukatës në familje si bërthamë e shoqërisë dhe e shtetit, atëherë vazhdimisht do të përballemi  me dhunën në familje e cila për ne ky veprim paraqet shqetësim të madh ngase shumë raste ka përfunduar me fatalitet në pamundësi që të sigurojmë mbrojtje nga shteti”, ka thënë Shala.

Sipas tij kjo dukuri po bëhet më problematike pasi nënat po vendosin që përkundër dhunës së ushtruar ndaj tyre, të mos e raportojnë atë për shkak të fëmijëve.

Ndërsa sociologu Besim Gollopeni  duke i treguar faktorët kryesorë që po ndikojnë  në numrin e madh të rasteve të dhunës në familje, u shpreh se institucionet duhet të merren urgjent me trajtimin e saj.

Gollopeni: Varfëria, papunësia po ndikojnë në rritjen e dhunës në familje

“Faktorët socialë, psikologjikë, emocionalë, ekonomikë, që nuk mund t’i përjashtojmë asnjëherë duke pasur sot një jetë dinamike ku njerëzit presin shumë nga kjo kohë dhe në fakt kur atëherë nuk arrin me përfitu mjaftueshëm, ose me i përmbush pritjet e tyre, atëherë natyrisht se shkon deri tek konflikti në familje dhe manifestohet dhuna në familje. Por patjetër se nuk mund të mënjanojmë edhe aspektet emocionale, aspektet tjera të përdorimit të pijeve narkotike, gjendja e rëndë sociale, papunësia, varfëria që njerëzit jo rrallë herë i dërgon deri tek dhuna në familje”, ka shtuar sociologu Gollopeni.

Bazuar në statistikat policore në vitet e fundit ka pasur luhatje të numrit të rasteve të raportuara për dhunë në familje. Në vitin 2017 janë evidentuar 1196, për vitin 2016 janë raportuar gjithsej 1225 raste, në vitin 2015 janë raportuar komplet 1038 raste, kurse në vitin 2014 janë raportuar gjithsej 1179 raste, si dhe në vitin 2013 janë raportuar 1087 raste.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat