Kosova pati vetëm 5 rrëqebuj, tash u vra edhe një: Ferizajasi rrezikon deri në 3 vjet burg

Kosova

Kosova pati vetëm 5 rrëqebuj, tash u vra edhe një: Ferizajasi rrezikon deri në 3 vjet burg

Më: 11 janar 2019 Në ora: 15:12
Foto ilustrim

Brenda një viti u vranë dy kafshë të rralla në Kosovë. Vrasjen e tyre rreptësishtë e ndalon ligji. Një rrëqebull u vra në maj të 2018’s dhe një në dhjetor. Për vrasjen e fundit, kanë reaguar edhe Komuna e Ferizajt, e cila e ka cilësuar aktin barbar dhe ka kërkuar nga Gjykata që kryesi të dënohet.

Vrasja e kafshës së rrallë në fshatin Varosh të Ferizajt, e cila është e mbrojtur me ligj, ka shkaktuar reagime të shumta. Një qytetar i Ferizajt është arrestuar për shkak se, sipas Policisë, ka vrarë një kafshë të tillë dhe fotografinë e kafshës së ngordhur e ka postuar në Facebook.

Kjo ngjarje megjithatë ka ndodhur vitin e kaluar në muajin dhjetor, dhe ky person ka arritur të kapet tek dje, më 10 janar, pasi e kishte publikuar fotografinë në rrjet social.

Komuna e Ferizajt e ka quajtur këtë akt barbar dhe si i tillë e varfëron faunën dhe rrezikon zhdukjen përfundimtare të kësaj specie të mbrojtur me ligj.

Komuna gjithashtu ka kërkuar dënim për personin që e ka kryer këtë akt.

“Një akt i tillë, barbar varfëron faunën tonë dhe rrezikon zhdukjen përfundimtare të kësaj specie të mbrojtur me ligj. Autoritetet lokale si vazhdimësi të bashkëpunimit me Policinë e Kosovës, kanë marr njoftimin se është arrestuar një shtetas për këtë rast, qytetar i Ferizajt nga fshati Varosh, dhe se po kryhen hetimet e nevojshme si dhe procedura paraprake e paraparë me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim për media.

Media ka biseduar kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, i cili ka thënë se personit që dyshohet se ka kryer veprën iu janë konfiskuar arma dhe leja e armës.

“Është urdhëruar policia që t’i merret arma personit që kreu vrasjen ndaj kafshës së rrallë e cila është e mbrojtur me ligj, dhe t’i konfiskohet leja e armës”, tha Jashari.

Reagim pas publikimeve të lajmeve patën edhe Shoqata e Gjuetarëve “Shqiponja” në Ferizaj, e cila ka mohuar se kanë vrarë një rrëqebull.

Isuf Idrizi, kryetar i kësaj shoqate ka thënë se kafsha e vrarë nga një anëtar i tyre nuk është rrëqebull, por ishte mace e egër.

“Rasti nuk ka ndodhur në Varosh. Rasti ka ndodhur në malet e Pleshinës. Edhe gjuetari është i Pleshinës. Ai ka ardhur në shoqatë dhe ka pranuar ta ketë vrarë kafshën, por ajo ishte macë e egër, jo rrëqebull”, ka thënë Idrizi.

“Rrëqebulli në majat e dy veshëve ka tufa qimesh dhe është më i madh sesa macja e egër”, ka sqaruar ai.

Por, kështu nuk thotë edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt.

Shukri Jashari konfirmoi se kafsha e vrarë është e sigurt se është rrëqebull.

“Po, e sigurt është se është rrëqebull, kjo është kafshë e mbrojtur me ligj dhe shumë e rrallë”, sqaroi kryeprokurori.

Ai gjithashtu tha se policia tashmë kanë bërë kallëzim penal ndaj këtij rasti dhe se tani do të merren prokuroria me zbardhjen.

E për identifikimin e të dyshuarit, kryeprokurori tha se e morën vesh nga rrjetet sociale.

“I dyshuari pasi e ka vrarë kafshën e ka publikuar në rrjete sociale fotografinë, dhe kështu e kemi identifikuar”, konfirmoi Jashari.

Një rast i njëjtë ka ndodhur në maj të 2018’s, në një fshat të Podujevës.

Një rrëqebull ishte zënë me kurth dhe dyshohet se u vra në një fshat në Podujevë, nga Agron Shabani.

Agron Shabani fillimisht kishte dhënë tri versione për kafshën tepër të rrallë në Kosovë. Së pari pati thënë se atë e ka shitur, pastaj e kanë vrarë dhe në fund ka thënë se e njëjta ka ikur.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës, paraqet dënim për ata që gjuajnë lloje rralla të kafshëve, gjuetia e të cilave është e ndaluar.

Dënimi maksimal për këtë rast mund të shkojë deri në 3 vjet burg.

Rrëqebulli është kafshë shumë e rrallë në Kosovën, madje në tërë territorin gjenden vetëm 5. E rrallë është edhe në tërë Ballkanin, ku ekzistojnë vetëm 35 rrëqebuj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat